Florim Zeqa
Ideja e themelimit të një fondi nga diaspora për forcimin e kapaciteteve ushtarake të FSK-së, jo vetëm që nuk është e mjaftueshme për sigurinë e vendit tonë, është iluzive të mendohet se përmes këtij fondi mund të arrijmë nivelizimin e kapaciteteve ushtarake me Serbinë!
Mrekullia një herë ka zbritur nga qielli në Kosovë
Muajëve dhe javëve të fundit janë duke qarkulluar ide për formimin e një fondi nga diaspora për ta ndihmuar FSK-në në ngritjen e kapaciteteve dhe furnizimin me teknologji të avancuar ushtarake.
Idenë për formimin e Fondit nga Diaspora duhet kuptuar si ide qëllim-mirë dhe atdhetare, por një ide e tillë duhet diskutuar me të gjitha forcat politike në pushtet dhe opozitë, duhet analizuar mirë në detaje të gjitha aspektet e funksionimit të këtij fondi, në mënyrë që asgjë të mos bie ndesh me përcaktimet tona për anëtarësim në NATO.
Mendoj se, më shumë sesa çdo fond dhe financim nga jashtë për forcimin dhe zhvillimin e FSK-së, do të ndikonte anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtar siq janë BE dhe OKB.
Prandaj, duhet të tregohemi të kujdesshëm në marrjen e vendimeve të njëanshme për ta ndihmuar FSK-në jashtë projeksioneve të NATO-s derisa të ndodhë transformimi i plotë i FSK-së në FARK (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës!
Nuk guxojmë të bazohemi në të kaluarën e ndërhyrjes së NATO-së të vitit 1999, kur mrekullia na zbriti nga qielli. Asokohe Kosova nuk kishte shtet dhe as ushtri dhe ndërhyrja e NATO-s ishte arsyetuar me aspektin humanitar për shpëtimin e një popullate krejtësisht të pambrojtur nga shfarosja dhe dëbimi masiv nga trojet e veta.
Anëtarësimi në NATO për aq sa është prioritet, është çështje ekzistenciale për shtetin e Kosovës. Vetëm anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i shuante përfundimisht ëndërrat e Serbisë për ri-pushtimin e Kosovës, në të kundërtën, formimi i një Fondi nga Diaspora pa anëtarësim paraprak të Kosovës në NATO, jo vetëm se nuk do ta frikësonte dhe as ndalonte Serbinë nga qëllimet grabitçare, Serbia do ta përdorte si alibi për të kërkuar ndihmën e aleatëve të saj për ta sulmuar Kosovën e pakonsoliduar në aspektin ushtarak dhe ekonomik.
Për këtë arsye, liderët shtetërorë të Kosovës, paralelisht dialogut me Serbinë dhe para së gjithash duhet të aplikojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE, dy shtylla këto të fuqishme për mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit tonë.
Krijimi i fondeve pa llogaridhënje mbush xhepat e politikanëve
Ne shqiptarët kemi përvojë të hidhur nga hapja e fondeve në kohë krizash politike dhe pandemike. Në të kaluarën jo shumë të largët, gjatë luftës së fundit, në Diasporë kanë vepruar paralelisht dy fonde në grumbullimin e mjeteve nga mërgimta jonë me qëllim të përbashkët-ndihmën e luftës çlirimtare.
Sikurse njëri fond (3 %-shi apo fondi i qeverisë në ekzil), ashtu edhe ai “Vendlindja Thërret” nuk i kanë dërguar të gjitha mjetet e grumbulluara nga mërgimtarët në destinacionin e duhur!
Edhe pse të gjithë i dimë rezultatet e shpërdorimeve të dy fondeve të sipërpermendura, deri më sot nuk e kemi asnjë aktakuzë të ngritur ndaj bartësve të fondeve të sipërpermendura!
Siq dihet, dy vite më parë, saktësisht më 12 prill 2020 Albin Kurti në cilësinë e kryeministrit në detyrë (i shkarkuar) e kishte hapur një “Fond” përmes një xhirollogarie të posaçme duke kërkuar nga diaspora shqiptare ta ndihmojë qeverinë me mjete financiare për “menaxhimin e pandemisë”!
Edhe pse asokohe në mediumet televizive dhe ato elektronike flitej dhe shkruhej për derdhje enorme të qindramijëra eurove të mërgimtarëve vetëm brenda një dite në fondin e “posaqëm” emergjent të ‘Qeverisë Kurti 1”, asnjëherë deri më sot nuk u bë transparente shuma e parave të grumbulluara dhe as lëvizjet financiare të atij fondi!
Iniciativa e fundit e Albin Kurtit për themelimin e të ashtuquajturit “Fond Sovran”, për qëllim ka futjen nën kontroll të plotë të të gjitha aseteve shtetërore, ndërmarrjeve publike dhe private, përkatësisht të futjes nën kontroll e gjitha investimeve që vijnë nga jashtë, në veçanti të investimeve të mërgatës tonë.
Iniciativa për hapjen e një “Fondi për FSK-në” e ka ndarë mërgatën tonë! Përderisa një pjesë e vogël, do ta thoja simbolike e mërgimtarëve janë dal në përkrahje të këtij fondi duke deklaruar shuma të konsiderueshme parash dhe përqindje të caktuara që do t’i ndajnë nga pagat e tyre mujore për “forcimin” e FSK-së, pjesa tjetër e kushtëzojnë aderimin në këtë fond me arrestimin shpërdoruesve të dy fondeve të luftës (“3 %” dhe “Vendlindja Thërret”) dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme të pushtetarëve të pasluftës!
Për dallim nga dy grupet e para, pjesës dërmuese të mërgatës tonë as që i bëjnë përshtypje themelimet e fondeve të reja, si pasojë e abuzimit në të kaluarën me fondet e luftës.
“Fondi Sovran” i Albin Kurtit dhe “Fondi për FSK-në”, edhe pse në distancë kohore, janë fonde të reja me analogji të njëjtë dhe strategji të vjetër, të cilat u ngjajnë fondeve të “3 %-it” dhe “Vendlindja Thërret” të cilat zbrazen xhepat e mërgimtarëve dhe mbushën xhepat e ish pushtetarëve dhe ish komandantëve të papërgjegjshëm të kohës së luftës.