SPECIALE – 1 E 2 MAJ 1992: NË SHQIPËRI PA PASAPORTË – Behlul JASHARI
Para 31 viteve në Shqipëri për herë të parë, nga Kosova nëpër Dibër, dhe një thirrje nga Radio Tirana, ku bëra raportimin e parë nga Prishtina, pas së cilës nisa raportimet për ATSH…
PRISHTINË, 1 Maj 2023/ NË SHQIPËRI PA PASAPORTË ishte titulli i shkrimit tim – fotoreportazhit ekskluziv me fotografitë e fotoreporterit Ilaz Bylykbashi botuar në Prishtinë në gazetën e rezistencës Bujku para 31 viteve. Në 1 e 2 Maj 1992 isha për herë të parë në Shqipëri bashkë edhe me gazetarin Bedri Sadiku dhe shoferin Bilall Demiri. Ishim ekip special i gazetës Bujku…
Fotoreportazhi i paralajmëruar në faqen e parë e botuar i plotë në faqen e pestë të gazetës së datës 5 Maj 1992 ishte ky:
EKSKLUZIVE
NË SHQIPËRI PA PASAPORTË
Datë që do të mbetet në kujtesë, gjatë kohë, edhe në histori: dita e parë e majit 1992.
Këtë ditë më se pesëdhjetëmijë shqiptarë nga trojet e veta etnike jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë – të gjysëmtokës së trojeve shqiptare, nga Dibra e Madhe e nga qytetet e tjera në Maqedoni, nga Presheva, Bujanoci, Medvegja, edhe nga gjithë Kosova, erdhën në Shqipëri pa pasaportë. Sipas marrëveshjes ndërshtetërore në dy ditët e para të këtij muaji u “rrënua” muri ndërdibran edhe ndërshqiptar, po edhe ndërshtetëror, midis Shqipërisë e Maqedonisë, në vendkalimin në Bllatë.
Ky ishte një hap i madh në hapjen e kufirit, apo më mirë të themi pakufirit mes shqiptarëve, edhe mes shteteve ku fitoi e frymon demokracia e që hapërojnë në integrim në Evropën pa kufij.
Fatkeqësisht, deri tek ai kufi i hapur, shqiptarët nga Kosova, edhe nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, u desht të kalojnë edhe nëpër kufij të mbyllur, të dhunshëm, që Serbia i ka vënë edhe në pikat kufitare të një shteti tjetër – të Kosovës.
E, atje ku ishte i hapur, njerëzit e kaluan, jo vetëm pa pasaportë, po edhe pa e treguar letërnjohtimin.
Kolona e gjatë e njerëzve që ecnin këmbë, e veturave, autobusëve e automjeteve të tjera, u nis nga Dibra e Madhe në Maqedoni kah Dibra e Vogël (Peshkopia) në Shqipëri ende pa çelë dita. Ajo kolonë ishte shumë e gjatë deri në kufi dhe zgjatej e zgjatej Grykës së Radikës…
Në anën tjetër të kufirit kishin dalë mijëra njerëz nga mbarë Shqipëria për t’i pritur vëllezërit e vet, farefisin, bashkëkombasit, që nuk i kishin parë me vite, edhe me dhjetëvjetësha. I pritnin me shumë gëzim edhe me shumë mallë. Me të njëjtën ndjenjë, si të një zemre, edhe shkohej atje.
Ato dy ditë Dibra e Vëgël ishte më e madhe se Dibra e Madhe, edhe më e madhe se të dy Dibrat bashkë këndej e andej kufirit, se aty erdhën shqiptarë nga të gjitha trojet e veta etnike. Rrugët, sheshet, janë plot njerëz, plot përqafime, edhe plot pranverë e diell. Plot fjalë mirëseardhje:
Edhe çdo shtëpi, çdo konak, çdo kafene, është plot mysafirë. Ka edhe shumë lot. Po, ata janë lot gëzimi e përmallimi…
Kështu është edhe në katunde, në Maqellarë, Pocest, Kërçishtë, Bulqizë…Shqiptarët nga Kosova e nga viset e tjera të tyre zbresin shkojnë edhe kah viset e tjera të Shqipërisë, zbresin luginës së Drinit, kah Miloti, Burreli, Mamurasi, Kruja, Tirana…Automjetet me regjistrime kosovare rrugëve të Shqipërisë u japin pamje e përshtypje si të ishim në Kosovë.
Gazeta Bujku fq 1 date 5 Maj 1992 – e Martë-shkrim-Behlul Jashari
LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:
-E para fotografi për histori, në ditën e parë të këtij muaji, ndonjë minutë pas orës gjashtë të mëngjesit: Kolona e gjatë e njerëzve, e shqiptarëve matanë kufirit, hyn në Shqipëri pa i pyetur kush as për pasaportë, as për letërnjoftim.
-Në kufi, në Shqipëri, pret përshëndetja e shkruar në pano të mëdha: Mirëseerdhët vëllezër dhe motra!
-Dibër e Madhe, ora pesë e mëngjesit. Ka kaluar nata e pagjumë nga ndjenja e gëzimit e pritjes së të mirës. Dibranët kanë dalë në rrugë, me padurim presin të nisen, të hipin në autobusë, vetura. Nuk është larg kufiri, prandaj shumë nisen edhe këmbë…
-Në anën tjetër të kufirit, në rrugë kah Dibra e Vogël, në pritje të vëllezërve, që nga mëngjesi, gjithë ditën e lume…
-Në pritje me bukë, kripë e zemër, me përqafime plot gëzim e mall, i madh e i vogël shkojnë, ecin rrugëve të Dibrës së Vogël.
-Pamje nga mikpritja, nga takimet e gëzueshme e të përmallshme, në shtëpitë e Peshkopisë.
-Nuk është jeta veç dy ditë. Kur do të shihemi prapë, kur do të hapet përgjithmonë kufiri: Pamje nga largimi, përcjellja nga Shqipëria.
Tirane-2 maj1992-gazetari Behlul Jashari ne me -ne anen e djathte te tij gazetari Bedri Sadiku-majtas shoferi Bilall Demiri-foto Ilaz Bylykbashi
Reporter: Behlul JASHARI Fotoreporter: Ilaz BYLYKBASHI
(Gazeta Bujku, Prishtinë – e martë, 5 Maj 1992 – Faqe 5)
RAPORTIMET NGA KOSOVA NË SHQIPËRI I NISA ME THIRRJE NGA TIRANA NË DITË ZGJEDHJESH, PARA 31 VITEVE
Në Prishtinë, mëngjesin e 24 majit 1992 po dëgjoja Radio Tiranën që paralajmëronte angazhimet e përpjekjet që gjatë gjithë kësaj dite të jepnin informacione të mundshme për zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, që do mbaheshin atë ditë historike në Kosovë.
Një telefonatë e herëshme mëngjesi më erdhi në ato momente pikërisht nga Radio Tirana, në telefonin e banesës në lagjen Ulpiana të kryeqytetit të Kosovës -Prishtinës.
Më thirrnin për informacione për zgjedhjet dhe më treguan se numrin e telefonit e kishin marrë nga miq të mi gazetarë në Tiranë, ku isha në 1 e 2 maj 1992 dhe këmbyem adresat me disa që i takuam, në ato pak orë qëndrimi në kryeqytetin shqiptar, meqë shumicën e kohës së kufizuar na e mori rruga e gjatë përtej udhëtimit nga Kosova-Prishtina, nëpër Maqedoni.
Një maji 1992 për mua ishte ditë ëndërre, për herë të parë shkoja në Shqipëri. Në Kosovë Shqipërinë e kishim të ndaluar, na ndanin me kufi të hekurt, që ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në një titull reportazhi të botuar edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, në 19 mars 1996.
Miq gazetarë shqiptarë nga Maqedonia më kishin njoftuar se atë ditë të parë maji do jetë i hapur kufiri me Shqipërinë për ta kaluar edhe me letërnjoftim te Dibra, ku shkova në mbrëmjen e një dite më parë, dhe pas natës pa gjumë e në festë, ujin e parë të Shqipërisë e piva në Hotel Turizmi në Peshkopi, me ndonjë gotë raki dhe kafenë e mëngjesit…
Pas ca më shumë se tre javësh më vinte telefonata nga Tirana, përmes së cilës dhash informacionet e para për zgjedhjet, që do të kenë qenë raportimi i parë i një gazetari nga Kosova për median në Shqipëri, ndërsa për komunikime tjera ua dhash numrin e telefonit të zyrës në Pallatin e Shtypit Rilindja, në Prishtinë.
U dhanë, pa saktësuar autorsinë, informacionet e mia të para në Radio Tirana dhe kur më telefonuan në zyrë më thanë se do i jepnin me emrin e autorit, po kishin frikë se për ato raportime që ishin të ndaluara do më arrestonin në ato rrethana okupimi e shtetrrethimi serb.
“Lajmet do i japim me emër-autorësi, që të mos mund të më akuzojnë për ‘veprimtari ilegale armiqësore’”, ju thash dhe shtova: “Problem është vetëm se lidhjet telefonike që më bëni janë shumë të dobëta, të zhurmëshme, ndërsa nga Kosova për në Shqipëri janë të pamundura. Më jepni ndonjë numër telexi…”
Të operoj me telex dija shumë mirë, se derisa isha ushtar në ish-federatën na kishin mësuar madje edhe “si të hyhet në lidhjet e armikut”…
Dhe, me ato mësime, u lidha me miqtë-vëllezërit, kolegët gazetarë e median në Tiranë. Funksionoi lidhja nga Prishtina, nga telexi i gazetës Rilindja, në Tiranë – në telexin e Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmëve të Shqipërisë – Agjenisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Raportimet për zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare kosovare shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë. Zyra e telexit u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe në Kosovën e asaj kohe, që nisi të dalë nga 18 janari 1991, me përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, duke sfiduar ndalimin e dhunshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja. Edhe duke vendosur bashkëpunimet e para me ATSH-në edhe me marrjen e botimin e lajmeve nga kjo agjenci kombëtare-zyrtare shqiptare themeluam bashkëpunimet e para të medias Kosovë-Shqipëri, që nisën e zhvilloheshin përkundër se ishin të ndaluara nga regjimi okupues serb në Kosovë.
Me falënderimet e vlerësimet për raportimet, që doja t’i përmbyllja me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, më kishte ardhur në telex nga ATSH edhe ftesa për të vazhduar me punën e nisur të korrespondentit në Kosovë…Dhe, raportimet vazhduan mëse çerek shekulli, gjysma e këtyre viteve, të paraluftës, luftës, etj, pa pagë -vullnetarisht.
Para e gjatë luftës së përfunduar në Qershorin 1999 dhe disa vite pas saj raportoja edhe për RTSH – Radio Tiranën…
FOTOGRAFITË:
1. Gazeta Bujku – faqe 5 – data 5 Maj 1992, ditë e Martë
2. Gazeta Bujku – faqe 1 – data 5 Maj 1992, ditë e Martë
3. Tiranë, 2 Maj 1992: Gazetari Behlul Jashari në mes, në anën e djathtë të tij gazetari Bedri Sadiku dhe majtas shoferi Bilall Demiri – Fotografi e fotoreporterit Ilaz Bylykbashi