Analiza/ Fjalimi politiko-filozofik i Vaclav Havelit është model edhe sot për cilëndo shoqëri post-komuniste ose siç e quan ai shoqëri post-totalitare. Edhe pse kanë kaluar 32 vjetë nga shëmbja e Murit të Berlinit, ish-vendet e lindjes vazhdojnë të jetojmë brenda gënjeshtrës komuniste dhe jo të vërtetës historike –30-vjetori i vizitës së parë të Vaclav Havel-it në Washington –
Më duket si jo më larg se dje. Ishte pikërisht 21 Shkurti, 1990, kur ish-Presidenti i Çekosllovakisë, Vaclav Havel për herë të parë vizitoi Washingtonin dhe Zërin e Amerikës. U prit nga Presidenti i atëhershëm Xhorxh Bush i vjetri dhe mbajti një fjalim historik para dy dhomave të Kongresit amerikan, një nderim i rradhë që Kongresi u akordon udhëheqësve më të dalluar të botës. Vetëm katër muaj më heret, Vaclav Havel kishte qenë në burg për aktivitete anti-komuniste. Havel ishte i pari udhëheqës i një vendi të ish-bllokut sovjetik që pritej në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, pas shembjes së Murit të Berlinit.
Në fjalimin para Kongresit amerikan, Vaclav Havel, ish-disidenti anti-komunist çek, u foli ligjëvenëse amerikanë për rrugën e tij të jashtëzakonshme të presidencës së tij duke thënë se, “Kur më arrestuan më 27 Tetor, unë jetoja në një vend me një qeveri ndër ato regjimet më konservatore komuniste të Evropës lindore, ndërkohë që shoqëria jonë vuante nën thembrën e një sistemi totalitar sovjetik. Sot, më pak se katër muaj më vonë, unë jam duke u folur para jush si përfaqsues i një vendi që ka vendosur rrugën e vet të pakthyeshme drejt demokracisë, të një vendi që gëzon plotësisht lirinë e fjalës, një vendi i cili po përgatitet për zgjedhje të lira dhe një vendi që do të zhvillojë një ekonomi tregu dhe të ketë politikën e vet të jashtme, të pavarur.
Të gjitha këto zhvillime janë shumë të jashtëzakonshme…”, u tha Presidenti Havel, anëtarëve të Kongresit, në vizitën e tij të parë në Washington si President i Çekosllovakisë. Çekosllovakia po i këthehet Evropës, është shprehur ai, por në vend që të kërkonte ndihmë për vendin e vet, Vaclav Havel i kërkoi Shteteve të Bashkuara që të ndihmonin Bashkimin Sovjetik, në të njëjtën rrugë, drejtë demokracisë. “Shpëtimi i botës nuk gjëndet askund tjetër përveçse në zemrën e njeriut dhe se lufta e ftohtë duhet të zevëndsohet me një periudhë, në të cilën të gjithë ne, pa dallim — të mëdhej e të vegjël — do të kemi mundësi të krijojmë atë që Presidenti juaj i madh, Abraham Linkolni e ka cilësuar si, “familjen njerëzore”, është shprehur Havel, në fjalimin e tij para Kongresit amerikan, 32jetë më parë.
Fjalimi i Vaclav Havelit pasqyronte, ndër të tjera, frymën e esesë së tij të famshme politiko-filozofike, “Fuqia e të Pafuqishmëve”, një artikull i gjatë kritik, ku trajtohen çështjet shoqërore, politike dhe kulturore të asaj kohe në Çekosllavaki, por është aktuale edhe sot për cilëndo shoqëri post-komuniste ose, siç e quan ai shoqëri post-totalitare, në përgjithësi. Në atë ese, dramaturgu Havel ka shqyrtuar në hollësi natyrën e regjimit komunist të asaj kohe, jetën brenda një regjimi të tillë dhe se si — për nga vet natyra totalitare e regjimeve të tilla — nga qyteteraë të thjeshtë, ato krijojnë disidentë dhe kundërshtarë të regjimit.
Duke thekësuar fuqinë e qytetarëve të rendomtë, të cilët para një regjimi të tillë totalitar, mund të konsiderohen si të pafuqishëm, Havel nënvijon, në atë ese, idetë dhe veprimet e mundëshme për organizmin e komuniteteve dhe individëve të ndryshëm kundër regjimit, të lidhur me një kauzë të përbashkët, siç ishte rasti i Kartës 77, një organizatë kjo çekosllovake e të drejtave të njeriut, në kohën e komunizmit.
“Fuqia e të Pafuqishmëve” është në të vërtetë një manifesto që bënte thirrje për disidencë anti-komuniste në Çekosllovaki e Poloni, por edhe në vende të tjera me regjime komuniste të asaj kohe. Se si të rezistohej sistemi totalitar dhe post-totalitar, ishte një mision që e preokuponte shumë Vaclav Havelin dhe bashkpuntorët e tij disidentë të asaj kohe. Për “sistemin post-totalitar”, Vaclav Havel ka shkruar se, “Unë nuk dua të them se me parashtesën “post”, nënkuptohet se sistemi për të cilin flasim nuk është më totalitar. Përkundrazi, unë dua të them se ky sistem (komunist) është totalitar, në një mënyrë që është krejtësisht i ndryshëm nga diktaturat klasike”. Biografi i Vaclav Havelit, Xhon Kiinë e përcakton kështu botën post-totalitare sipas Havelit: “Brenda sistemit, secili individ bie në një grackë, brenda rrjetit të dendur instrumentash qeveritarë të shtetit…”. Në një sistem të tillë, post-totalitar, ka shkruar Havel, marrëdhëniet midis të fuqishëmve dhe qytetarëve të thjeshtë – “mund të cilësohen si një labirint influencash, shtypjesh, frikësimesh dhe vet-cenzure, që i gëlltit të gjithë brenda tij, ose në minimum, një labirint i tillë i bën njerëzit të heshtin përball paragjykimeve të padëshiruara të gjithëfuqishmëve”, pushtetarëve totalitarë.
“Sistemi i post totalitarizmit prek njerëzit në çdo hap, por këtë e bën me dorëzat e tij ideologjike”, ka shkruar Havel. “Kjo është arsyeja pse jeta në atë sistem është kaq e përshkuar me hipokrizi dhe gënjeshtra: qeveria me burokraci, quhet qeveri popullore; klasa punëtore skllavërohet në emër të klasës punëtore; degradimi i plotë i individit paraqitet si çlirimi i tij përfundimtar; privimi i njerëzve nga informacioni thuhet se po ua ve në dispozicion informacionin; përdorimi i fuqisë për të manipuluar, quhet kontrolli publik i pushtetit, dhe abuzimi arbitrar i pushtetit quhet respektimi i kodit ligjor; shtypja e kulturës, quhet zhvillimi i saj; zgjërimi i ndikimit perandorak paraqitet si mbështetje për të shtypurit; mungesa e shprehjes së lirë konsiderohet si forma më e lartë e lirisë; zgjedhjet qesharake bëhen forma më e lartë e demokracisë; ndalimi i mendimit të pavarur bëhet më shkencori i pikëpamjeve botërore; okupimi ushtarak bëhet ndihmë vëllazërore. Për shkak se regjimi është rob i gënjeshtrave të veta, ai duhet të falsifikojë gjithçka. Post-totalitarizmi, falsifikon të kaluarën. Ai falsifikon të tashmen dhe falsifikon të ardhmen. Falsifikon statistikat. Pretendon se nuk posedon një aparat policie të gjithëpushtetshëm dhe joparimor. Ai pretendon të respektojë të drejtat e njeriut. Pretendon se nuk përndjekë askënd. Pretendon se nuk ka frikë nga asgjë. Pretendon të mos pretendojë, asgjë”, ka shkruar Vaclav Havel në esenë, “Fuqia e të pafuqishmëve”, për sistemet post-totalitare, një ese, që në atë kohë ka shkundur themelet e komunizmit.
Sidoqoftë, ka shumë për të shkruar për Vaclav Havelin dhe për idetë e tija politiko-filozofike kundër totalitarizmit dhe post-totalitarizmit të çfarëdo ngjyre qoftë, për diçka që unë nuk e konsideroj veten të aftë, por e përmendë këtë ese – me rastin e 30-vjetorit të vizitës së Vaclav Havelit në Washington –edhe si një shembulli i qytetarëve çekë, në atë kohë, të cilët, bazuar në idetë politiko-filozofike të Vaclav Havelit, i treguan botës se “të pafuqishmit” mundën të shembënin regjimin totalitar komunist, me mënyra paqësore. Shëmbja e komunizmit nuk është arrijtur lehtë dhe nuk është realizuar pa përpjekje të mëdha prej dekadash, nga disidentë anti-komunistë si Vaclav Havel me shokë. Për këto veprimtari, Vaclav Havel ishte dënuar me burg edhe gjatë vitit 1989, viti i fundit i komunizmit, për të disatën herë. Katër muaj pasi të lirohej nga burgjet komuniste, në fund të atij viti, dhe pas “Velvet Revolution” ose “Revolucionit (paqësor) të Kadifesë” në Çekosllovaki, që zgjati nga 17 Nëntori deri me 29 Dhjetor,1989 — Vaclav Havel u zgjodh president i vendit të tij, duke i dhënë fund një herë e mirë regjimit komunist prej 41 vitesh në Çekosllovaki. Një triumf historik ky si pasojë e demonstratave popullore dhe i “Fuqisë së të pafuqishëmve”, siç e ka cilësuar Vaclav Havel. Në këtë 32-vjetor të vizitës në Washington, analiza politiko-filozofike e sistemeve post-totalitare e Vaclav Havelit është edhe sot më aktuale se kurrë më parë, për cilëndo shoqëri post-totalitare qoftë, sidomos për disa vende ish-komuniste, të cilat Haveli do të thoshte se në botën e tyre post-komuniste ose post- totalitare – madje edhe pas 32-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — vazhdojnë të jetojnë, brenda gënjeshtrës komuniste dhe jo brenda të vërtetës historike! (Ribotim )
Fuqia e të Pafuqishmëve sipas modelit të Vaclav Havel