Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve – Demokracia në Veprim (DnV), përmes një konference për media, sot ofroi vlerësimin për fushatën elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në Kosovë, duke u fokusuar në çështjet si respektimi i masave kundër përhapjes së pandemisë, ofertat programore dhe mënyra e shpalosjes së tyre, kandidaturat dhe shpenzimet e kandidatëve të subjekteve politike.
Tridhjetë ditët e fushatës zgjedhore treguan se mënyra tradicionale e të bërit fushatë me tubime të mëdha, është eklipsuar nga fushata dixhitale. Transformimin dixhital të fushatës padyshim e imponuan masat kufizuese anti-COVID, por edhe fakti që platformat ‘online’ ofruan një potencial shumë më të madh, më efikas e më ekonomik në arritjen e masave dhe votuesve. Platformat “Facebook” dhe “Instagram” janë shfrytëzuar masivisht nga kandidatët për kryetarë të komunave dhe për ata për kuvendet komunale për plasim të informatave, shpalosje të ofertave programore, shpalosje të aktiviteteve e thirrjeve për votim. Ndonëse shumica dërrmuese e këtyre postimeve ishin të sponsorizuara, transparenca për koston financiare të fushatave dixhitale mungon.
Edhe pse në fillim të fushatës disa subjekte politike u zotuan për shkurtimin e ditëve të fushatës, në praktikë kjo nuk ka ndodhur. Fushata zgjedhore nisi me takime me grupe të vogla të qytetarëve dhe me respektim relativisht të kënaqshëm të masave anti-COVID. Megjithatë, respektimi i masave dhe i kufizimeve për numrin e pjesëmarrësve në takime pothuajse u braktis në të gjitha takimet e ngjarjet e organizuara në javën e fundit të fushatës. Në këtë përshkallëzim të situatës kanë pasur ndikim edhe kontrollet dhe inspektimet e pamjaftueshme të institucioneve përkatëse.
Ndryshe nga fushatat e kaluara zgjedhore, kësaj here shpalosja e programeve politike është bërë që në fillim të fushatës, element të cilin kandidatët duket se e kanë vlerësuar si përparësi konkurruese në garë. Ofertat e qarta programore, një pjesë e madhe e së cilave kanë qenë të qasshme për publikun, kanë qenë tipar pozitiv i kësaj fushate për shumicën e kandidatëve. Debatet televizive janë organizuar me kandidatët për kryetarë të të gjitha komunave me shumicë shqiptare, ndërsa debatet kanë munguar në komunat me shumicë serbe. Po ashtu, debate janë zhvilluar edhe në mes të kandidatëve për kuvendet komunale, duke përfshirë bartësit e listave, si dhe në disa raste vetëm me kandidatet gra për kuvendet komunale. Forma e organizimit të debateve televizive, me pjesëmarrje të shumë kandidatëve dhe diskutimit të temave të ndryshme në një periudhë të kufizuar kohore, nuk ka mundësuar elaborim të thukët të programeve nga kandidatët apo “përballje” përmbajtësore të pikëpamjeve midis tyre.
Investimet kapitale ishin kryefjala e programeve politike të shumicës së kandidatëve, me programet me potencial transformues që ishin karakteristikë e shumë komunave, posaçërisht shtatë qendrave të mëdha. Sidoqoftë, në disa raste kanë munguar detajet për planin e zbatimit të programeve, koston dhe burimet financiare për realizimin e tyre. Vlerë e shtuar e programeve të një pjese të kandidatëve janë projektet ambientaliste, duke përfshirë ndërtimin e parqeve të reja, shtigjeve për biçikleta dhe promovimin e transportit alternativ, si dhe projektet e karakterit zhvillimor në fushën e teknologjisë informative, të tilla si ‘lab’-et e qendrat për IT.
Edhe pse shumica dërrmuese e premtimeve të kandidatëve janë brenda fushëveprimit dhe kompetencave që kanë komunat, edhe në këto zgjedhje nuk kanë munguar rastet kur kandidatë të caktuar kanë dhënë premtime apo kanë përfshirë në programet e tyre çështje që janë kompetencë e nivelit qendror. Këto premtime kanë ardhur kryesisht nga kandidatët në radhët e subjektit politik që udhëheqë me Qeverinë, të cilët kanë ndërlidhur zbatimin e projekteve të caktuara me ndihmën potenciale të ofruar nga ekzekutivi. Edhe në këtë fushatë nuk kanë munguar premtime të dhëna nga ana e kandidatëve për kuvendet komunale, të cilat shpeshherë janë jashtë përgjegjësisë dhe kompetencave të kuvendeve komunale.
Fushata përgjithësisht është karakterizuar me një gjuhë të relaksuar mes kandidatëve, e pa ndonjë rast serioz të përdorimit të gjuhës së urrejtjes mes kandidatëve. Megjithatë, gjatë ditëve të fundit ka pasur një tendencë të ashpërsimit të gjuhës mes kandidatëve, por që ka mbetur në suaza të rasteve të izoluara.
Sa i përket fokusit në raport me kandidaturat, DnV vlerësonqë, sikur edhe në proceset e kaluara zgjedhore, ka pasur një koncentrim dukshëm më të madh të aktiviteteve të fushatës në promovimin e kandidatëve për kryetarë komunash, duke lënë në hije kandidatët për kuvendet komunale. Kandidatët për kuvende komunale janë parë më shumë si “dekor” gjatë aktiviteteve apo takimeve të subjekteve politike. Gjithsesi, vlen të theksohet se është shënuar avancim i konsiderueshëm sa i përket hapësirës mediale që u është ofruar kandidatëve për kuvendet komunale, me të cilët janë organizuar vazhdimisht debate televizive. Grave u është ofruar hapësirë optimale për pjesëmarrje në debate, në proporcion me numrin e kandidateve. Kurse, përfshirja e grave gjatë aktiviteteve të subjekteve politike ka qenë në nivele jo të kënaqshme. Karakteristikë e kandidaturave në këto zgjedhje është edhe garimi i kandidatëve për kryetarë njëkohësisht edhe si bartës të listave për kuvendet komunale. Rreth një e treta e kandidatëve për kryetarë komunash, përkatësisht 50 sosh, janë edhe bartës të listave për kuvendet komunale.
Edhe në zonat me shumicë serbe, sikur edhe në mbarë vendin, nuk u organizuan tubime të mëdha me qytetarë për shkak tësituatës me pandeminë. Në dhjetë komunat me shumicë serbe, fushata dixhitale ishte ndër format më të shprehura të të bërit fushatë. Mirëpo, edhe në këto komuna, subjekti politik Lista Serbe por edhe kundër-kandidatët e tyre, nuk kanë munguar takimet derë më derë dhe takime me grupe të targetuara. Në takimet e mbajtura me prani fizike, ka pasur respektim relativisht të kënaqshëm të masave anti-COVID. Sa i përket ofertave politike, fokusi i programeve të subjekteve dhe kandidatëve në komunat me shumicë serbe ka qenë çështja e punësimit, kurse shumica e problemeve të adresuara ishin të nivelit lokal.
Pas një gare zgjedhore me një ofertë relativisht të pasur programore, DnV fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote të dalin në zgjedhje për të votuar institucionet e tyre lokale për katër vitet e ardhshme, duke u kujdesur që votimin t’a bëjnë në përputhje me masat anti-COVID. DnV po ashtu kërkon që masat anti-COVID të respektohen në mënyrë strikte edhe nga stafi zgjedhor.
DnV do të përcjellë procesin zgjedhor përmes 110 vëzhguesve, të cilët do të shpërndahen në nivel vendi, bazuar në një mostër të bazuar statistikore.