Lis Bukuroca, Gjermani
Albini është vetëm pasoja kalimtare, por jo shkaktari. Ai është edhe viktimë e vendimeve dhe obligimeve të Thaçit dhe Mustafës. Ne ndryshuam, ndryshoi edhe Perëndimi ndaj nesh! Se e bënë këtë, dëshmohej me mosheqjen e vizave.
Sa mund të shpëtohet, vështirë të thuhet, por Perëndimi me disa koncesione Serbisë, po përpiqet të korrigjojë të kaluarën. Nëpërmjet Kishës Serbe dhe Zajednicës, Serbisë do t’i mundësohet kontrollimi i Kosovës. Ndoshta jam gabim, por tani për tani duket kështu.
Serbia ka investuar shumë për ta bërë Kosovën ashtu si e kemi sot, mu si i konvenon asaj. Distancimi shihej qysh moti, por nuk e besonim.
Nga kjo ditë, se do të rreshtohen në anën serbe, kam pasur frikë qysh nga viti 2004. Lajçak, Hill, Borrel, Escobar… janë në një frekuencë. Krejt Perëndimi do të jetë me ta. Për fat të keq, nuk mund më të na ndihmojë as dreqi, as zoti. Serbia dëshmoi më shumë pasion për ta zotëruar Kosovën, sesa ne për të ndërtuar shtet shqiptar!
Kurti mund t’i shtyjë targat për 10 muaj, do të duhej ta bënte, por kjo nuk do të ndryshojë gjë. Do të kërkohet Republika Serbe, që serbisht e quajtën ZAJEDNICA, shqip BASHKËSI, por që Thaçi e Mustafa ia shitën popullit si ASOCIACION ( për ta mashtruar) me të drejta ekzekutive, ku shkelje 23 herë Kushtetuta e Kosovës. Njeriu me dy palë mend në kokë nuk mund të besojë se ishte pa dashje apo se u firmos nga injoranca: ishte thjesht obligim!
“Asociacione” në frengjisht domethënë shoqatë:
‘Association Cannes-Echecs – Shoqata e Shahut në Kanë
Association des Écrivains et Artistes Révolutionnaires –
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Revolucionarë etj.
Nuk kemi fuqi për ta ndryshuar drejtimin, po as fuqi jo për t’i zbatuar urdhrat. Pas këtij gazepi bipolar pason mposhtja dhe pranimi, domethënë ndryshimi i njerëzve dhe festimi i dështimit si fitore. Më mirë nuk ditëm, më mirë nuk mundëm dhe, shumica nuk është shkëputur kurrë shpirtërisht nga Serbia. Ata tash e 20 vjet kanë investuar më shumë se 10 miliardë euro në ekonominë serbe duke blerë mallra prej tyre.
Historia po na përsëritet, sepse lejuam përsëritjen e mercenarëve. Tani nuk është koha për rezignacion, por të shpëtohet çfarë është e mundur…
Amerika e Clinton-it e pat kuptuar se Serbia nuk funksiononte pa kërcënim konkret. E kuptoi në Bosnje. E kuptoi edhe në Kosovë. Sot diku 30.000 serb në veri të Kosovës po e terrorizojnë një shtet… Amerika e sotshme është e bindur se kemi firmosur vetë dhe duhet të respektojmë detyrimet tona. Albini le ta ftojë Abdixhikun dhe Krasniqin dhe le të firmosin ata pajtimin me Republikën serbe, të cilën e kanë firmosur ish shefat e tyre, Mustafa e Thaçi, dhe, le ta themelojë Luhanskin rus në Ballkan. E deshi Hashim atdhetari, e deshi akademik Mustafa, e ndikuar prej atyre dyve, po e dëshiron edhe Amerika! Jepjani! Në Kosovë katundet me 1500 serb janë shpallur komuna, Presheva me gati 40.000 banorë është shndërruar në katund nga Serbia. Diku në vitin 2013 gazeta gjermane FAZ pat pyetur Daçiqin pse nuk e përfshini edhe Luginën në negociata, ai pat thënë se e kishte refuzuar Thaçi… Pasi të krijohet ajo republikë, do ta kuptojmë se ndryshimi i kufirit na konvenonte, por jo republika serbe brenda…
_____