Gazeta Rilindja 19 Mars 2004-shkrim Behlul Jashari – foto Behlul Jashari
Nga Behlul Jashari, Prishtinë
-Gazeta tradicionale Rilindja, që është histori e Kosovës, doli edhe në kushtet kur nuk mund të dilte, botim i jashtëzakonshëm për ngjarjet – trazirat e marsit 2004 në Kosovë… Në ballinë editoriali që kam shkruar me mbititullin MESAZHET E KOSOVËS e me titullin PËRGJAKJA E KOSOVËS VËREJTJE PËR TË GJITHË/
-22 Mars 2004: Duke u përgjegjur në një pyetje nëse pas ngjarjeve të fundit, pavarësia e Kosovës është vënë në rrezik, Presidenti Ibrahim Rugova e mohoi këtë pikëpamje, duke thënë se shtypi ndërkombëtar dhe personalitetet e ndryshme pohojnë se është e domosdoshme dhe është urgjente pavarësia e Kosovës, por edhe vetë këtë e thekson vazhdimisht. “Këto ngjarje mund të dobësojnë imixhin e progresin e Kosovës, por të gjithë e kanë kuptuar se pavarësia është e domosdoshme”, nënvizoi Presidenti Rugova/PRISHTINË, 17 Mars 2024/ Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, para 20 viteve, në ditën e 19 Marsit 2004, në botim të jashtëzakonshëm në kryeartikullin në ballinë kishte mbititullin ZHVILLIME DRMATIKE E TRAGJIKE NË KOSOVË, DHJETËRA TË VRARË E QINDRA TË PLAGOSUR dhe kryetitullin APELE: VETËPËRMBAJTJA DHE QETËSIA JANË INTERESI MADHOR I KOSOVËS.
Kryelajmi në këndin lart ishte TRUPA SHTESË TË NATO-s ARRIJNË NË KOSOVË.
Tituj të tjerë në ballinë që paralajmëronin shkrime nga faqet e brendshme të gazetës ishin: HOLKERI: POLITIKA E UNMIK-ut NUK KA NDRYSHUAR; PRESIDENTI RUGOVA: PROTESTAT JANË KUNDËR PAVARËSISË; SHQETËSIM I THELLË I KUVENDIT TË KOSOVËS PËR ESKALIMIN E PROTESTAVE; QEVERIA FTON QYTETARËT QË MENJËHERË T’I NDALIN PROTESTAT.
Gazeta Rilindja 19 Mars 2004-shkrim Behlul Jashari – foto Behlul Jashari
Editoriali që kisha shkruar e botuar në ballinën e gazetës Rilindja me mbititullin MESAZHET E KOSOVËS e me titullin PËRGJAKJA E KOSOVËS VËREJTJE PËR TË GJITHË i plotë është ky:
MESAZHET E KOSOVËS PËRGJAKJA E KOSOVËS VËREJTJE PËR TË GJITHË
Behlul JASHARI:
Dhuna dhe destabiliteti janë tragjike për të gjithë në Kosovë, do të ishte mesazhi i parë i ngjarjeve të fundit të përgjakshme, që ishin edhe sinjal alarmi për mungesat në sigurinë e qytetarëve.
Tmerrin e mungesës së sigurisë e shpalosi në mënyrën më tronditëse mbytja barbare e tre fëmijëve shqiptarë, që si reagim u pasua me revoltën, me vrasjen e dhjetëra qytetarëve të tjerë të Kosovës, me plagosjen e qindra të tjerëve, si dhe me zjarrvënie.
Të gjithë ata që kujdesen në mënyrë të veçantë për sigurinë e serbëve në Kosovë tashmë duhet ta shohin e ta ndiejnë edhe më qartë mesazhin se nëse nuk ka siguri për shqiptarët nuk mund të ketë siguri as për serbët. Se, siguria dhe lëvizja e lirë duhet të mbretërojnë për gjithë qytetarët e Kosovës dhe nuk mund të arrihen me enklavizime e ndarje etnike, as duke paralizuar jetën me bllokimin e rrugëve.
Mesazhet u drejtohen atyre që sigurinë e kanë përgjegjësi të rezervuar, UNMIK-ut, KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, misionit aq shumë të dashur e të kërkuar nga kosovarët, veçmas nga shqiptarët, që nga koha kur goditeshin egërsisht nga gjenocidi dhe spastrimi etnik.
Por, ato mesazhe nuk drejtohen me djegien e veturave të UNMIK-ut dhe me plagosjen e ushtarëve të KFOR-it.
Shumica e kosovarëve, më shumë se të gjithë, e dëshirojnë një përfundim të suksesshëm të Misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Dështimi i Misionit të UNMIK-ut do të ishte edhe më shumë dështim për Kosovën.
Mesazhet iu drejtuan edhe liderëve e institucioneve të Kosovës, që të kryejnë punët që duhen kryer, e që të përmbushin obligimet që kanë marrë para elektoratit që i ka votuar. Disa liderë dhe institucione morën edhe mesazhin se duhet të reflektojnë edhe pse nuk kanë ndikimin që mendojnë se e kanë kur u drejtohen qytetarëve me thirrjet e tyre në rastet kur revolta shpërthen.
Zhvillimet e fundit në Kosovë, edhe për ndërkombëtarët, edhe për vendorët, kanë edhe mesazhin se nuk duhet të lejohen skenaret, manipulimet dhe dirigjimet nga Beogradi. As strukturat paralele, as organizimet e qendrat e shërbimeve të fshehta serbe, që janë vazhdimësi e një kohe e një regjimi që gjykohet në Hagë. As synimet e Beogradit për t’u futur me forca në Kosovë dhe për ta shfrytëzuar situatën më të re për ndarjen përfundimtare të Kosovës.
Për të gjithë, e në veçanti për ata që shohin ëndrra për rikthimin e Serbisë në Kosovë është mesazhi: E ardhmja e Kosovës nuk mund të ndërtohet pa vullnetin e kosovarëve.
Por, tash, mënyra më e mirë për përcjelljen e këtyre mesazheve dhe për të gjitha mesazhet e angazhimet e tjera për të mirën e Kosovës është: Rikthimi i qetësisë dhe paqes në Kosovë.
Dhe, është koha që të gjithë të jenë kundër dhunës. Asgjë nuk mund të arrihet me dhunë.
Dhuna nuk arsyetohet. Zgjidhjet e kërkuara do të gjenden në qetësi.
NË BALLINË ME SHKRONJA TË BARDHA NË TË ZEZËN BOTOHEJ EDHE KY REDAKSIONAL:
BOTIM I JASHTËZAKONSHËM, “RILINDJA” DEL EDHE NË KUSHTET KUR S’MUND TË DALË
“Rilindja” edhë në situatën që është dëshiron dhe është e përkushtuar t’i kontribuojë qetësisë, stabilitetit, demokracisë, tolerancës, orientimeve evroatlantike, aspiratave të Kosovës, të sotmes dhe të ardhmes më të mirë të qytetarëve të saj.
Është e përkushtuar për një informim të drejtë, profesonal, të jetë në nivel të proceseve e të standardeve për Kosovën.
Prandaj, “Rilindja”, që është histori e Kosovës qe 60 vjet, del edhe në kushtet kur nuk mund të dalë, botim i jashtëzakonshëm për ngjarjet e fundit në Kosovë. Ky numër u përgatit me llaptopë personalë, në mungesë të mjeteve për punë, e në shtëpi – në mungesë të lokaleve të punës, në një situatë të jashtëzakonshme, për të cilën opinioni është i njoftuar.
Besojmë e shpresojmë se së shpejti do t’i jepet fund mbylljes së gazetës tradicionale të Kosovës “Rilindja”, se do t’i krijohen kushtet për punë me kthimin në shtëpinë e saj në Pallatin e Rilindjes ose në lokale alternative. Presim të realizohen premtimet dhe zotimet e UNMIK-ut e të institucioneve të zgjedhura të Kosovës, realizimin e përkrahjes për të drejtën tonë të shprehur në një letër që na ka dërguar PSSP, Harrri Holkeri, që e vlerësojmë një ngjarje të madhe për “Rilindjen”.
SHËNIM NGA KRONIKAT E KOHËS – VITI 2004:
16 mars 2004: Në veri të Mitrovicës, tre fëmijë shqiptarë nga Çabra mbyten në ujërat e lumit Ibër, ndërsa pohimet e para të një fëmije tjetër që ka mbijetuar flasin se “ata janë ndjekur me qen prej serbëve dhe janë detyruar të hidhen në lumë”…Për tri ditë, 17-19 mars, Kosova përballet me ngjarjet më të rënda të pasluftës, të njohura si ngjarjet e marsit të vitit 2004…
NGA RAPORTIMET E MEDIAS – QENDRËS PËR INFORMIM TË KOSOVËS NË 20 E 22 MARS 2004:
PRESIDENTI RUGOVA, KRYEMINISTRI REXHEPI DHE KRYEPARLAMENTARI DACI KANË MIRATUAR MBRËMË NJË DEKLARATË TË PËRBASHKËT
Prishtinë, 20 mars 2004 – Tre udhëheqësit e institucioneve më të larta të Kosovës: Presidenti Ibrahim Rugova, Kryeministri Bajram Rexhepi dhe Kryeparlamentari Nexhat Daci kanë miratuar mbrëmë një deklaratë të përbashkët, me të cilën kanë vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë po përmirësohet.
Ata njëkohësisht kanë kërkuar që të shtohen përpjekjet për të kthyer gjendjen në suazat e normalitetit në Kosovë. Në një deklaratë të përbashkët të cilën e lexoi Presidenti Rugova thuhet se sulmet ndaj pjesëtarëve të pranisë ndërkombëtare janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, sikurse edhe akte të tjera të dhunës dhe të rrënimeve, që kanë ndodhur ditët e fundit në Kosovë.
“E përsërisim se sulmet ndaj pranisë ndërkombëtare civile dhe ushtarake janë krejtësisht të papranueshme dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat jetike të Kosovës. Me këtë rast edhe njëherë theksojmë se shkatërrimet e objekteve fetare dhe kulturore, pasurisë publike dhe të shtëpive janë të papranueshme për popullin e Kosovës dhe të dënueshme”, thuhet në deklaratë.
Ndërkaq, kryeparlamentari Nexhat Daci tha se nuk do të ketë gjendje të jashtëzakonshme, që të shpallet nga dikush për shumë arsye. “Nuk mundet një vend që nuk i kontrollon vetë kufijtë, që nuk e ka ushtrinë e vet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, por këtë e kishim në shqyrtim”, ka thënë Daci. Ai shtoi se admirali Xhonson e bëri të qartë para gazetarëve që ngritet shkalla e masave të ndërmarra dhe ishim në pajtueshmëri të plotë.
PRESIDENTI RUGOVA KA ANULUAR VIZITËN E PARAPARË NË SHBA PËR SHKAK TË ZHVILLIMEVE TË FUNDIT NË KOSOVË
Prishtinë, 20 mars 2004 – Për shkak të zhvillimeve të jashtëzakonshme të këtyre ditëve në Kosovë, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ka anuluar një vizitë të paraparë për javën e ardhshme në SHBA.
Presidenti Rugova ka pasur një ftesë nga guvernatori i Pensilvanisë për të vizituar këtë shtet, ndërsa qëndrimi i tij në SHBA përfshinte edhe takime të nivelit shumë të lartë në Uashington D.C. dhe takime të rëndësishme në Nju Jork, njofton Zyra e Presidentit të Kosovës.
NË KOSOVË MBËRRIJNË FORCA SHTESË TË NATO-s
Prishtinë, 20 mars 2004 – Në Kosovë po mbërrijnë përforcime për paqeruajtësit e NATO-s dhe aleanca është zotuar të vërë në kontroll dhunën që shpërtheu mes shqiptarëve dhe serbëve.
Më shumë se 2 mijë ushtarë amerikanë, britanikë, francezë, gjermanë, italianë dhe finlandezë, u dërguan për të ndihmuar 17 mijë trupat e alenacës që ndodhen në Kosovë.
Ushtarët britanikë po vendosen në pikat strategjike për të ndihmuar në vendosjen e rendit, pas shpërthimiet të dhunës etnike që la të paktën 31 njerëz të vrarë dhe 500 të tjerë të plagosur, duke përfshirë edhe 61 paqeruajtës.
Komandanti i NATO-s për Evropën Juglindore, admirali Gregori Xhonson, i përshkroi përleshjet e përgjakshme jo shumë të ndryshme nga spastrimi etnik dhe tha se ato duhet të marrin fund sa më parë.
LDK NË NJU JORK: KONFRONTIMI ME FORCAT E KFOR-IT DHE TË POLICISË ËSHTË RREZIK PËR TË ARDHMEN E KOSOVËS
Nju Jork, 20 mars 2004 – Çmimi, të cilin po e paguan Kosova nga zhvillimet e fundit në Kosovë, të cilat u kurorëzuan me mbi 30 të vdekur e mbi 600 të plagosur, si dhe me dëme të mëdha materiale e pronësore, është një çmim tragjik për Kosovën dhe për përpjekjet e saj në ndërtimin e demokracisë e të pavarësisë.
Apelojmë te qytetarët e Kosovës, – thuhet në një deklaratë të Degës së LDK-së në Nju Jork me rrethe, duke shtuar se po rrezikohet e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës dhe duke apeluar për gjakftohtësi dhe të përfillen kërkesat e institucioneve të Kosovës.
“E kuptojmë thellësisht shqetësimin dhe revoltën e qytetatëve të Kosovës pas ngjarjes tragjike të fëmijëve në lumin Ibër në Mitrovicë dhe solidarizohemi me dhembjen e tyre.
Poashtu e kuptojmë pakënaqësinë e tyre të thellë me bllokimin e rrugëve nga bandat e ekstemistëve serb dhe inskenimet e tyre të ndyta, por, në të njëjtën kohë, kërkojmë që pakënaqësitë e dhe protestat e qytetarëve me zhvillimet e kohëve të fundit në Kosovë të shqiptohen me rrugë paqësore dhe përmes institucioneve legjitime të Kosovës”, thuhet më tutje në këtë deklaratë dhe theksohet se “manifestimet e dhunshme, mbi të gjitha konfrontimi me forcat e KFOR-it dhe të policisë së UNMIK-ut e të SHPK-së si dhe aktet e djegieve e të shkatërrimit të shtëpive e të pronave sjellin para rrezikut të ardhmen e Kosovës”.
“Këto ditë, kur Kosova është duke kaluar nëpër ethet e rënda të një gjendjeje të jashtëzakonshme, mbi të gjitha duhet të mbretërojë arsyeja dhe veprimet e matura, vetëpërmbajtja nga aktet dhe manifestimet e dhunës. Sepse veprimet e dhunshme krijojnë imazhin për Kosovën si për një vend të dhunës, imazh ky për të cilin mbi të gjitha janë të interesuar armiqtë e popullit shqiptarë”, thuhet në deklaratë.
Në fund të kësaj deklarate, Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Nju Jork me rrethe, edhe njëherë i bëb apel qytetarëve tanë që të udhëhiqen nga udhëzimet e lëshuara nga institucionet legjitime të Kosovës, në krye mer Presidentin Ibrahim Rugova dhe që në bashkëpunim me organet e rendit e të sigurisë, me ato vendore dhe ndërkombëtare, t’i kontribuojnë normalizimit të situatës e të gjendjes së sigurisë në Kosovë dhe që kërkesat e tyre t’i shqiptojnë me anë të rrugëve institucionale.
SOT DITË ZIE NË KOSOVË NË NDERIM TË QYTETARËVE QË HUMBËN JETËN GJATË TRAZIRAVE TË FUNDIT
Prishtinë, 22 mars 2004 – Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka shpallur ditën e sotme ditë zie në Kosovë për nderim dhe kujtim të qytetarëve që humbën jetën gjatë trazirave të fundit në Kosovë.
PRESIDENTI RUGOVA VLERËSOI SOT PARA GAZETARËVE SE GJENDJA KA FILLUAR TË NORMALIZOHET NË KOSOVË
Prishtinë, 22 mars 2004 – Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova pati sot një takim me gazetarë të vendit dhe të huaj në të cilën foli për situatën aktuale në vend.
Pasi përkujtoi se sot është ditë zie në Kosovë për të kujtuar dhe nderuar viktimat e trazirave të javës së kaluar, Presidenti Rugova vlerësoi se gjendja ka filluar të normalizohet, duke thënë se ishte më qetë gjatë këtyre ditëve në gjithë Kosovën.
“Ne do të fillojmë shqyrtimin e shkaqeve dhe të pasojave që u paraqitën në këto trazira.
Do t’i shqyrtojmë raportet me UNMIK-un që të jenë më produktive dhe më efikase”, tha më tutje ai. Presidenti theksoi se objektet e dëmtuara kulturore e historike, ato publike, si dhe shtëpitë e qytetarëve do të rindërtohen dhe në lidhje me këtë përkujtoi se Qeveria tashmë ka marrë një nismë në këtë drejtim.
Duke pasur parasysh progresin që ka arritur Kosova gjatë pothuajse pesë vjetëve të kaluara, Presidenti Rugova tha se vazhdimisht ka kërkuar të bëhet njohja formale e pavarësisë së Kosovës, duke nënvizuar se pavarësia është një çështje vitale për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Pra një Kosovë e pavarur, demokratike e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, si dhe në marrëdhënie të mira me të gjitha fqinjët”, theksoi ai.
“Pavarësia i duhet Kosovës për të përshpejtuar zhvillimin e saj demokratik dhe ekonomik, sepse do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha Presidenti Rugova, duke shprehur optimizëm se do të kapërcehet gjendja e krijuar në vend pas trazirave.
“Jam optimist se do të tejkalojmë shpejt këtë gjendje dhe do të vazhdojmë progresin dhe afirmimin e Kosovës në botë”, u shpreh zoti Rugova.
Duke u përgjegjur në një pyetje nëse pas ngjarjeve të fundit, pavarësia e Kosovës është vënë në rrezik, Presidenti Rugova e mohoi këtë pikëpamje, duke thënë se shtypi ndërkombëtar dhe personalitetet e ndryshme pohojnë se është e domosdoshme dhe është urgjente pavarësia e Kosovës, por edhe vetë këtë e thekson vazhdimisht. “Këto ngjarje mund të dobësojnë imixhin e progresin e Kosovës, por të gjithë e kanë kuptuar se pavarësia është e domosdoshme”, nënvizoi zoti Rugova.
Në pyetjen tjetër në lidhje me përpjekjet për ndërtimin e një Kosove multietnike dhe nëse pas ngjarjeve të fundit mund të ketë reperkusione, Presidenti Rugova tha se Kosova është si çdo vend tjetër në Evropë. Është një vend ku ka shumicën shqiptare dhe grupet etnike, minoritetet…
Koncepti multietnik do të thotë komunikim brenda shoqërisë, kurrsesi një inxhiering i popullsië të një vendi, tha ai. “Pra, unë kam thënë shpesh se edhe sot Kosova është multietnike, ka shumicën shqiptare, ka minoritetet, ato që ekzistojnë në Kosovë, prandaj perspektiva është që do të ketë komunikim mes të grupeve etnike, popullit të Kosovës, qytetarëve të saj”.
Duke komentuar raportet me UNMIK-un dhe ndërkombëtarët, Presidenti tha se këto çështje shpesh i ka theksuar, dhe UNMIK-u është dakord që këto raporte të shyrtohen, për të pasur marrëdhënie më produktive, më efikase, siç tha, në kuptimin normal të fjalës dhe jo në kontekst të këtyre ditëve. “Pra çështja e kompetencave, pastaj e institucioneve dhe autoriteteve të Kosovës dhe çështjet e tjera që të kemi një efikasitet më të madh të dy palët”.
Mars 2004 , Kosove
I pyetur për 24 marsin, për bilancin e pesë vjetëve të kaluara në Kosovë, Presisdenti Rugova tha se është një bilanc pozitiv dhe është shënuar progres i madh në të gjitha fushat e jetës vazhdimisht. Pra 24 marsi është një datë e shënuar, tha ai, duke shtuar se të rinjtë e Kosovës e kanë quajtur “ditën e shpresës”. “Një respekt dhe një nderim i madh për NATO-n, për focat e KFOR-it, të cilat prej pesë vitesh që ndodhen në Kosovë po bëjnë sigurinë e vendit”, tha ai.
Rioters on Mitrovica – Bridge, March 2004
Në pyetjen tjetër, rreth pohimeve për ndarjen e Kosovës, dhe nëse bashkësia ndërkokmbëtare mund të bëjë ndonjë kompromis për pavarësinë dhe ta ndajë Kosovën, Presidenti Rugova u përgjegj:
“Këto janë spekulime të ndryshme, të cilat nuk vijnë në konsiderim as për bashkësinë ndërkombëtare as për ne.
Pra kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Dhe askund nuk janë prekur kufijtë e mëparshëm. Çdo lëvizje në këtë drejtim do të shkaktonte probleme të reja dhe çështje të reja”, tha Presidenti Rugova, duke ritheksuar se kufijtë janë të paprekshëm dhe të pandryshuar.
“INDIPENDET”: FUQITË E MËDHA DUHET PATJETËR TË CAKTOJNË DATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS
Londër, 22 mars 2004 – Gazeta “Indipendent” e Londrës ka botuar një koment në të cilin përkujtohen fjalët e Riçard Hollbrukut që kishte paralajmëruar serbët se duhet të zgjedhin Kosovën apo Evropën, duke konkluduar se nëse zgjedhin Kosovën do të humbin të dyjat.
Në tekstin e Markus Tanerit, i cili më herët ka qenë korrespondent nga Ballkani i kësaj gazete, e tani bashkëpunëtor i Institutit për Luftën dhe Paqen, theksohet se politikanët e Beogradit nuk po tregojnë publikisht kurrfarë shenje se ky paralajmërim i Hollbrukut ka arritur deri në veshët e tyre.
Të gjithë druajnë, shkruan “Indipendent”, madje edhe nëse paralajmëroni diçka të tillë, Kosova me të vërtetë do të jetë e humbur. Tani Serbia rrezikon sërish të karakterizohet si vend jostabil, ngapak tmerrues dhe i pasigurt për investime.
Dhe, siç pritet, nëse në zgjedhjet presidenciale në Serbi fiton partia ultranacionaliste, e cila angazhohet për kthimin e të gjitha territoreve serbe të humbura gjatë viteve nëntëdhjetë, atëherë sheqetësimi vetëm sa do të rritet.
Autori në “Indipendent” përfundon se fuqitë e mëdha duhet patjetër të caktojnë datën për pavarësinë e Kosovës dhe të punojnë në këtë drejtim se si të sigurojnë autonomi për bashkësinë serbe në Kosovë, ose të ofrojnë ndonjë alternativë madje edhe nëse do të nënkuptonte ndarjen në vija etnike.
NË PROTESTAT E FUNDIT NË KOSOVË KANË HUMBUR JETËN 24 PERSONA DHE 551 JANË PLAGOSUR
Prishtinë, 22 mars 2004 – Sipas bilancit më të ri të KFOR-it në Kosovë në protestat e fundit kanë humbur jetën 24 persona dhe 551 janë plagosur, prej tyre 22 në gjendje të rëndë. Në mesin e të plagosurve janë edhe 98 pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së, si dhe 55 pjesëtarë të KFOR-it.
Ndërkaq, anembanë Kosovës janë djegur 27 makina të UNMIK-ut, 19 makina të SHPK-së dhe 24 makina të civilëve. Kështu kanë theksuar burimet e administratës së UNMIK-ut në Kosovë.
KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN NË ÇIKAGO APELON TË RUHET MIQËSIA E KRIJUAR ME MUND ME SHBA-të
Çikago, 22 mars 2004 – Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan i Illinois-it, me seli në Çikago, në bashkëpunim me partitë politike dhe organizatat që veprojnë në këtë shtet, denon ashpër përshkallëzimin e dhunës dhe prishjen e rendit dhe qetesisë publike në Kosovë, kurse familjeve të viktimave u shpreh ngushellimet më të thella.
Ky komunitet, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë me Kosovën dhe me popullin e saj. Prandaj, ai apelon te populli i Kosovës që të mos bjerë në provokimet dhe kurthat e sherbimeve të huaja të cilat gjatë kohe janë të përgatitura dhe planifikuara nga qeveria serbe në Beograd që me çdo kusht të pengohet Pavarësia e Kosovës.
Ky komunitet apelon te populli i Kosoves që institucioneve te saj dhe atyre ndërkombetare t’u japë përkrahje të plotë në zgjidhjen e problemeve dhe në normalizimin e situates.
Ky komunitet denon ashper sulmet ndaj forcave ndërkombetare te KFOR-it dhe te UNMIK-ut si dhe djegjet e monumenteve fetare ne Kosove dhe fton popullin e Kosoves të jetë me tolerant ne situata të vështira.
Ne i kuptojmë veshtiresitë dhe pengesat e popullit te Kosoves, por, jemi të bindur se ekzistojne forma tjera demokratike per realizimin e qellimeve kombetare, te cilat , nuk kane kurgje te perbashket me dhunen.
Populli i Kosoves është i vetëdijshem për kontributin e Shteteve te Bashkuara te Amerikes dhe të aleatëve të saj në çlirimin e Kosoves. Prandaj, ky popull duhet të jetë i përgatitur të sakrifikojë edhe durimin. Populli i Kosoves, me institucionet vendore dhe ndërkombetare duhet të bashkëpunojë maksimalisht me qëllim që të ruhet miqësia e krijuar me mund, sidomos me ShBA-të.
Presidenti Ibrahim Rugova – Prishtinë- 22 mars 2004
LAJMI QË KAM SHKRUAR NË 22 SHTATOR 2006: KOSOVË, ARRESTOHEN SHTATË VETA PËR NGJARJET E MARSIT 2004
Në Kosovë janë arrestuar dje shtatë persona të dyshuar për pjesëmarrje dhe kryerje të veprave gjatë trazirave të marsit 2004. Zyra për informim e Shërbimit Policor të Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi është kryer me autorizimin e prokurorit, ndërsa hetimet janë zhvilluar nga hetuesit e SHPK-së dhe ata ndërkombëtarë. Policia ka bërë të ditur se hetimet janë të mbikqyrura nga prokurori kompetent, pa dhënë hollësi të tjera.
Deri tash për ngjarjet e marsit 2004 janë gjykuar dhe kanë marrë dënime të ndryshme rreth 240 persona. Trazirat e marsit, ku humbën jetën 19 veta e pati qinda të plagosur, pasuan një ngjarje tragjike të mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në veri të Kosovës.
Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë ka publikuar emrat e 11 shqiptarëve e 6 serbëve të vrarë gjatë protestave më 17 e 18 mars, si dhe emrat e tre fëmijëve shqiptarë të mbytur në Ibër më 16 mars, në rrethana ende të pandriquara.
…Poslje Tita-Tito!
Po shume e ke dashte Titen o Behlul!
Jo vec ti ejjjj…