ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Gazeta Rilindja, 25 Prill 2005: Bashkësia ndërkombëtare ka marrë vendim që Kosova të jetë e pavarur

Shkrime relevante

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Dje, pasdite, në Gjenevë të Zvicrës, u varros Aktori ynë i njohur Adem Muji

Arif Ejupi Me 21.12.2024 Më 16 dhjetor të këtij viti pas keqësimit të...

Çfarë shkruan Enes Limani, talebani dhe mbetja e njohur osmane…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Shpërndaj

Behlul Jashari, Prishtinë

PRISHTINË, Prill 2024/ Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në 25 Prill 2005 në kryetitullin në ballinë shkruante:

Deklarata, komente dhe qëndrime për Kosovën, të gjithë flasin për pavarësinë:

BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE KA MARRË VENDIM KOSOVA TË JETË E PAVARUR.

E kryelajmi në këndin lart te logoja ishte: PRESIDENTI RUGOVA NË BRUKSEL.

Rilindja në faqet e brendshme, mes tjerash, botonte: Një këndvështrim i ri për Kosovën – shkrim nga Riçard Holbruk në The Washington Post;

Një Kosovë pezull është fitore për Milosheviçin – shkrim nga  Jonathan Steele në The Guardian.

Ndërsa tituj të disa shkrimeve tjera ishin:

GNK: Pavarësia e Kosovës është vetëm çështje kohe (Grupi Ndërkombëtar i Krizave);

Ekspertët serbë thonë se Kosova po shkon drejt pavarësisë;

Kryekuvendari i Shqipërisë angazhohet për zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas vullnetit të popullit;

Rupel është i mendimit se duhet të shpejtohet procesi i bisedimeve për statusin e Kosovës;

Në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s u diskutua për Kosovën;

Presidenti Rugova hedh poshtë mundësinë e bisedimeve me presidentin serb;

Komisioni Evropian: Një e ardhme evropiane për Kosovën;

Statusi i Kosovës në epiqendër të bisedimeve.

NË VIJIM DY NGA SHKRIMET E GAZETËS RILINDJA TË 25 PRILLIT 2005:

Drejtori i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi, Xhejms Llajon 

“PERËNDIMI E KA VENDOSUR PAVARËSINË E KOSOVËS” 

-Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur – Kosova do të jetë e pavarur! Pret vetëm që kjo të shpallet publikisht/

Kosova do të jetë e pavarur për më pak se pesë vjet, vetëm se është duke u diskutuar se nën cilat kushte do të ndodhë kjo, kur dhe në çfarë mënyre, tha në një intervistë për të përditshmen sebe “Veçernje Novosti”, drejtori i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi, Xhejms Llajon.

Kush ju ka thënë dhe pse keni vendosur që pikërisht në këtë moment ta bëni publike. Mos ndoshta ndërkohë janë dakorduar qëndrimet rreth statusit përfundimtar të Kosovës? 

Asgjë e re nuk ka ndodhur. Por, para disa ditësh më pyetën për këtë gjë dhe unë u përgjigja. Të gjithë e kanë të qartë se Kosova ‘de fakto’ është e pavarur dhe kurrë më nuk do të kthehet nën administrimin e Beogradit. Sinjale të tilla, Perëndimi disa herë i ka dërguar në drejtim të Beogradit. Por, disa në Serbi vazhdojnë të flasin se Kosova kurrë nuk do të jetë e pavarur. Siç duket, vetëm Serbia nuk e ka të qartë, por gjithë të tjerët e dinë. 

A është ky vendim i nivelit të lartë apo spekulim i kulisave? 

Vendimi është marrë. Çështja nuk është më se a do të ndodhë kjo apo jo, por në çfarë kushtesh dhe kur. 

Kush konkretisht e ka marrë këtë vendim? A është shkruar e zeza mbi të bardhë? 

Nuk ka: e zeza mbi të bardhë. Nuk kishte mbledhje ku kjo është shpallur. Por ka kaluar një kohë e gjatë e dakordimit të ideve dhe ky vendim është pjekur tek të gjithë faktorët relevantë. 

Njëqind për qind? Pa asnjë votë që e kundërshton? 

100 për qind është qëndrimi pro pavarësisë së Kosovës. 

Kush jua tha juve këtë gjë? Dikush nga Shtëpia e Bardhë? 

Nuk e kam thënë këtë gjë. Nuk dua ta zbuloj burimin. Në fakt janë shumë burime nga BE-ja dhe SHBA-ja. 

Si t’ju besojmë se e gjitha ka marrë fund? 

Nuk ka nevojë të më besoni. Më 20 prill, Komisioni Evropian ka dërguar një raport për Kosovën, në të cilin thuhet se “Kosova duhet t’i bashkohet BE-së në kuadër të programit të Stabilizim- Asociimit. Kjo është shumë interesante dhe indikative, sepse BE-ja këtë procedurë e përdor vetëm për shtetet sovrane. Secili që është pak i mençur, mund ta kuptojë se çfarë do të thotë kjo. Pra kjo do të thotë se BE-ja, edhe pse nuk dëshiron të flasë publikisht për këtë çështje, tregon se çfarë ka vendosur Brukseli për Kosovën. 

Domethënë, kështu i bie që nuk ka nevojë të vendoset dialogu për standardet dhe statusin, nëse e gjitha ka marrë fund… 

Beogradi duhet të përcaktojë interesat e tij dhe të gjejë se çfarë është për të më e përshtatshme, me rastin e realizimit të kësaj pavarësie… 

Çfarë mund të jetë këtu e përshtatshme? Të lusin shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare, që të mos i dëbojnë edhe ata pak serbë që kanë ngelur atje? 

Që të luftojnë për kushtet sa më të mira të jetesës së atyre serbëve që kanë ngelur dhe të atyre që eventualisht kthehen. 

Nëse Beogradi paraqitet me një strategji, që të fitojë të paktën një pjesë të Kosovës, a mund të ndryshojë kjo diçka? 

Jo. Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që Kosova të jetë e pavarur në kuadër të kufijve ekzistues. Ndarja do të ishte e mundshme vetëm nëse serbët dhe shqiptarët bien dakord që kjo të bëhet në mënyrë paqësore, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që kjo të ndodhë në mënyrë të dhunshme. Nëse nuk bien dakord, Kosova do të jetë e pavarur në kufijtë ekzistues. Kjo është shumë më e mundshme, sesa varianti ku shqiptarët do të pajtohen që ta japin një pjesë të Kosovës. 

Jeni shprehur se pavarësia do të ndodhë për pesë vjet. Pse pikërisht brenda kësaj periudhe? Dhe çfarë deri atëherë? Pavarësia e kushtëzuar nën ombrellën e protektoratit? 

Kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Ende nuk dihet natyra e vërtetë e pavarësisë. Për këtë arsye politikanët serbë kanë mundësi të kenë rol në përcaktimin e saj. 

Çfarë mund të përfitojnë më së shumti në këtë përcaktim? Që Kosova të jetë Republika e tretë në kuadër të Serbisë dhe Malit të Zi? 

Kjo ende nuk është vendosur. Nuk dihet se çfarë mund të përfitojnë serbët nga kjo. Asgjë nuk është vendosur, kur është fjala tek procedura. Por, pavarësia e Kosovës në princip nuk do të vihet më kurrë në pikëpyetje. 

Pra, rrëfimi mbi standardet nuk ka më kuptim. Domethënë nuk ka më kurrfarë kuptimi… 

Me sa di unë, bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që parullën “standardet para statusit” ta zëvendësojë me formulimin “statusi me standardet”. Standardet para statusit është një rrëfim joreal, është një parullë dhe jo politikë. Sado që tingëllon shumë keq, bashkësia ndërkombëtare do të insistojë në standarde, por statusin nuk do ta presë për këtë gjë. 

Ndërsa para Beogradit do të lindë dilema e pranimit sa më të shpejtë në BE apo mbijetimit të Kosovës?
 

Jo. Nuk është më çështja shpejt ose më ngadalë, por Serbia nuk do të futet në BE, nëse nuk heq dorë nga Kosova. Dhe pikë.

EKSPERTËT SERBË THONË SE KOSOVA PO SHKON DREJT PAVARËSISË

Në shkollën e gazetarisë në Novi Sad është mbajtur një takim me temën “Çfarë do të ndodhë me Kosovën”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, por edhe të strukturave qeveritare dhe organizatave joqeveritare nga Beogradi.
“Te bashkësia ndërkombëtare, pak a shumë tashmë është marrë vendimi që statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë pavarësia”, ka vlerësuar James Lion, drejtor i zyrës së Beogradit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
“Tani nuk ka dilema nëse Kosova do të bëhet e pavarur apo jo, por çështja është se nën çfarë kushtesh, brenda cilit afat kohor dhe çfarë do të fitonin të dyja palët nga ajo pavarësi. Gjykuar sipas të gjitha gjasave, me siguri që ora do të fillojë të numërojë aty nga fillimi i vitit 2006 dhe kjo mund të zgjatë deri 3 vjet. Afatet kohore ende nuk janë përcaktuar”, ka thënë Lion.
Beogradi një kohë të gjatë ka luajtur në letrën e ndarjes së Kosovës, dhe për këtë, partnerin e ka kërkuar në Tiranë, por në këtë fatmirësisht nuk ka patur sukses, ka deklaruar Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
“Tashmë ekziston një atmosferë në rajon, e cila shkon në favor të pavarësimit të Kosovës , dhe mendoj se është shumë me rëndësi që Beogradi në këtë moment të përcaktojë një politikë konstruktive,” tha Biserko.
Kemi elitë të papërgjegjshme të njerëzve, të cilët nuk e bëjnë publike të vërtetën e plotë për Kosovën, konsideron Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizimin.
“Na gënjejnë për diçka, e cila kurrdo që të jetë, një ditë do të na kthehet mbi kokë. Këtu nuk është fjala vetëm për pushtetin, por edhe për opozitën,” tha Popov.
Ndërkaq kryetarja e komisionit të Kuvendit të Serbisë për Integrime Evropiane Gordana Çomiq, konsideron se është e domosdoshme të jepen përgjigje në këto pyetje.
“Kush e ka përgjegjësinë për dështimin evident të projektit, i cili nuk solli përmirësime as në Bosnjë 10 vjet pas Dejtonit, e as në Kosovë 6 vjet pas bombardimeve? Partitë politike në Serbi do të duhet të jenë partner i mirë në ato bisedime, madje edhe në bisedimet për të cilat askush nga ne nuk dëshiron të mendojë,” ka thënë Çomiq, në takimin në Novi Sad me temën “Çfarë do të ndodhë me Kosovën”.

(Behlul Jashari – kryeredaktor i Gazetës tradicionale të Kosovës RILINDJA nga Janari 2002 deri në numrin e fundit të shtypur të 30 Dhjetorit 2008 – vitit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik dhe ridaljes simbolike pas 10 vitesh botim digjital në 31 Dhjetor 2018) 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu