ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Gjakovës i mungon edhe diçka tjetër, shumë e domosdoshme, një monument për kolosin Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752)

Shkrime relevante

Shpërndaj

Kamber Kamberi
___
Këto ditë, përkatësisht me rastin e 28 Nëntorit (Ditës së Flamurit) në Gjakovë u vu gurthemeli për monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Andaj, i përgëzoj të gjithë ata që kontribuuan për realizimin e këtij projekti! Dhe, në veçanti zt. Gjergj Prenkoçaj për gatishmërinë e financimit.
Por, Gjakovës i mungon edhe diçka tjetër, për të thënë e domosdoshme. Mbase, është dashur të kryhet që prej kohësh, po sidoqoftë “Më mirë vonë se kurrë”. Fjala është për një monument të kolosit nga Gjakova, GJON NIKOLLË KAZAZI (1702-1752).
Pse? Kush ishte ai?
1. Klerik shqiptar i shkolluar, me kulturë të gjerë, që kreu shumë detyra me rëndësi, jo vetëm në trojet shqiptate si: Prizren, Gjakovë, Shkup, por edhe gjetiu.
2. Është zbuluesi i Librit të parë në shqip “Mesharin” e Gjon Buzukut më 1740.
3. Është doktori i parë i shkencave në teologji dhe filozofi nga Gjakova, që doktoroi në Romë në vitin 1743.
4. Ishte vizitator apostolik i Kryeipeshkvisë së Sofjes dhe Ipeshkvisë së Nikopolit të Bullgarisë.
5. Më 1743, me dekretin e Papa Benediktit XIV emërohet kryeipeshkv i Kryeipeshkvisë së Shkupit.
6. Në vitin 1743 botoi një katekizëm që e përktheu dhe përshtati në gjuhën shqipe, me rëndësi edhe në fushën e gjuhësisë.
7. Dëshmohet edhe si etnograf i shquar.
8. Njihte mirë të folmet e shqipes që fliteshin në territoret shqiptare.
9. Nga informacionet që njihen (sepse në rrethana të dëshimta, pas vdekjes iu dogjën dy arka me plot shënime) si fragmente, letërkëmbime, relacione, përkthime, fragmente nga shkresa të ndryshme, në gjuhë të ndryshme, dëshmohet një personalitet me një kulturë të gjerë.
10. Bashkëpunoi ngushtë me komunitetin shqiptar pa dallim fetar. Ishte edhe mësues, sipas rrethanave të kohës. Është i njohur kontributi i tij në shërbim të njerëzve në shërimin dhe parandalimin e përhapjes së murtajës, pa dallim besimi.
11. Gjendja e vështirë dhe robëria e shqiptarëve ishte brengë e përhershme e Gjon Nikollës deri në fund të jetës së tij.
12. Aktiviteti i tij atdhetar dhe fetar ishte në përcjellje të rreptë nga regjimi otoman.
Vdiq më 5 gusht të vitit 1752 në moshën 50 vjeçare. Në rrethana të vështira, pothuajse krejtësisht ilegale varroset në kodrën e Çabratit (Gjakovë).
Këto të dhëna (shkurt) na bëjnë “borxhli” të gjithëve, që këtij personaliteti të shquar të kulturës shqiptare, t’i ngritet një monument midis Gjakove.
Ashtu qoftë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu