Engjëll Gishti, historian, Tiranë
Te dashur miq!
Doli nga shtypi libri im.i dyte GJEOGRAFIA HISTORIKE E SHQIPERISE. Libri eshte unik per llojin e vet (askush nuk eshte marre me kete teme ne Shqiperi, pervec Arqile Josifit) dhe trajton kryesisht formimin e fushave perendimore te Shqiperise mesjetare nga lumi Akeloou e deri ne Tivar. Duke u mbeshtetur ne dokumentacionet dhe hartat historike, Libri flet per levizjet e lumenjve, per mbushjen e gjireve, per “zhdukjen e ishujve”, per tharjen e liqeneve dhe kenetave, per rrymat tona detare (qe vijne per here te pare ne literaturen tone), por edhe per detaje historike si ky qe kemi shkeputur me poshte.
Sikurse kuptohet nga ky pasazh i Livit, ne sot mund të themi me bindje se në fund të shek të III para Krishtit, Vjosa jo vetëm ishte pranë Apollonisë, por ishte dhe kaq funksionale sa mund të mbante në këtë pjesë fundore të saj më shumë se 120 anije të mëdha luftarake, plus flotën e konsiderueshme të vetë Apollonisë. Po ku ankoroheshin këto anije? Ku ishte Porti i Apollonisë?
Në studimet e shumta mbi qytetin e Apollonisë, të gjithë studiuesit (duke u mbështetur në dokumentacionin përkatës) na theksojnë se “Apollonia kishte portin e saj mbi Vjosë, vetëm 2 km (në disa raste jepet shifra 1,7 km) në jug, poshtë kodrës në Shtyllas”. Realisht kjo distancë respekton edhe matjet në terren nga muret (apo Porta) e Apollonisë deri tek vendi ku mendohet se ka qënë rrjedha e lumit, por ne mendojmë se ky është një detaj ku duhet të ndalemi shumë më shumë. Kjo sepse ndërsa autorët antikë na e japin këtë fakt me një frazë të thjeshtë si një “distancë prej 10 stadesh”, studiuesit e sotëm, nuk është se na japin ndonjë shpjegim më të thelluar. Sado e çuditshme që mund të duket, në studimet jo të pakta mbi Apolloninë, mungon aneksi i detajuar që duhej t’i përkiste Portit të Qytetit; elementit ndoshta më jetik i gjithë jetës ekonomike (e jo vetëm) të Apollonisë. Që nga leksionet studentore të arkeologjisë e deri tek të gjitha studimet e deritanishme, mund të konkludosh se Porti i Apollonisë nuk ishte gjë tjetër veçse disa shtylla druri të ngulura buzë Vjosës në anën verilindore të Lumit, pra në drejtim të Apollonisë, të cilat shërbenin për lidhjen e anijeve! Por a i përgjigjet një pamje e tillë realitetit? A mund të mendojmë ne sot se një qytet i madh si Apollonia kishte si port realisht disa hunj të ngulur buzë lumit?! Në këto hunj nguleshin flotat romake apo ato mbretërore maqedone kur vizitonin Apolloninë?! Si e përballonin këto anije shtytjen e rrymës së lumit sidomos gjatë të plotave? Monedhat e Apollonisë janë gjetur në gjithë Gadishullin ilirik, çka dmth se ajo ishte një metropol që bënte tregëti me gjithë Gadishullin…, çka dmth Akoma se ajo kishte një flotë të konsiderueshme të vetën që e mbante në Portin e saj ku priste edhe anijet e huaja me të cilat kishte marrëdhënie tregëtare. Po atëhere ajo duhet të ketë patur një port të madh që përballonte këtë fluks kaq të madh lëvizjesh lundruese Pra Porti i Apollonisë duhet të ketë qënë një port i mirëpajisur me kalata ku sistemoheshin anijet, me një system vinçash për narkim-shkarkimin e mallrave, me një numër të madh bankosh, e në fund edhe magazinash që shërbenin për stokimin e malrave. Po ku ishin ndërtuar këto kalata, banko e magazina dhe si mbroheshin ato nga lumi dimëror nëse ishin ndërtuar në brigjet e tij? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, vështirë se na çojnë vetëm në brigjet e Vjosës. Cuditërisht, këto pyetje e ky argument nuk është prekur kurrë nga historiografia jonë!
Shkurtimisht, mendoj se Porti i Apollonisë është një realitet shumë më i ndryshëm nga ai që përshkuhet lehtshëm apo nënkuptohet nëpër studimet e ndryshme mbi këtë qytet. Për herë të parë në historiografinë tonë, ne jemi angazhuar t’i përshkruajmë lexuesit tonë hipotezën mbi Portin e vërtetë apolloniat! Themi “hipotezë” sepse përtej bindjeve, ne nuk kemi mundur të bëjmë gërmime arkeologjike në zonë; por ne kemi studiuar me imtësi morfologjinë e terrenit në këtë vend, si dhe, jemi përpjekur t’i rendojmë në mënyrë më të detajuar informacionet që na vijnë nga antikiteti apo hartat e ndryshme antike! I tillë është edhe ky informacion i Tit Livit. Të futësh e më vonë të ankorosh një flotë ushtarake prej 120 anijesh maqedone (pa llogaritur edhe faktin se edhe apolloniatët kishin anijet e tyre prezente në port), kjo don të thotë se Porti i Apollonisë nuk ishte një sasi hunjsh të ngulur në buzë të lumit, por ishte një port i jashtëzakonshëm për kohën e tij. Mendimet e shumë studiuesve se “nga lumi mund të ngjiteshe deri në Apolloni vetëm me anije të vogla” është një mendim jashtëzakonisht larg të vërtetës që vjen nga mosnjohja e këtij realiteti, dhe hidhet poshtë nga një seri dokumentesh (që do i përmendim edhe më poshtë) të cilat dokumentojnë në mënyrë të përsëritur futjen e flotave ushtarake (pra të anijeve të mëdha shumërremëshe) deri në qytet. Polibi na dëshmon se rreth vitit 216 p.es., Filipi ju afrua me një flotë të madhe (rreth 100 anije) Apollonisë, por në atë moment i vjen një lajm që e frikësoi pa masë: një flotë romake me anije pesërremëshe po vinte drejt Apollonisë në ndihmë të komandantit ilir Skerdilajdit; Filipi tmerrohet dhe largohet poshtë deri në Qefaloni. Është më se e qartë se të paktën sipas gjykimit të Filipit, anijet pesërremëshe romake të asaj kohe, mund të ngjiteshin pa problem nëpër Vjosë deri në Apolloni (ku ai do mund të sulmohej), përndryshe ai as do frikësohej aq shumë e as do arratisej menjëherë. Ky pra është mendimi i asaj kohe për lundrimin në Vjosë dhe parkimin në Portin e saj. Edhe anijet më të mëda të kohës, ato pesërremëshe, nuk kishin asnjë vështirësi në frekuentimin e këtij porti. Pra është shumë e qartë se apolloniatët, për ndërtimin e portit të tyre, kishin realizuar një vepër inxhinierike të përmasave dhe kritereve më të mira për të gjithë Mesdheun. Ka edhe shumë dokumente të tjera që flasin për këto vizita flotash navale deri në qytet, çka nënkupton se ky ishte një qytet me një kanal të gjerë lundrues ku shkëmbeheshin anijet, por edhe me një port që lejonte ankorimin e këtyre flotave, mbi të cilat nuk po zgjatemi. Po ku ishte vendosur realisht ky port i shoqëruar edhe me të gjithë aksesorët e tij?
Në anën jugperëndimore të qytetit, midis kodrës ku është vendosur Apollonia dhe Kodrës së Shtyllasit (mbi të cilën ishte vendosur Tempulli i madh i Posedonit), ndodhet një luginëz e vogël e cila i shkonte pothuaj pingul shtratit të Vjosës (në 70 – 80 gradë). Në gjykimin tonë, kjo luginëz që edhe sot është në të njëjtin nivel me shtratin e Vjosës, ka qënë adaptuar në Portin e dikurshëm të Apollonisë. Pra, ne mendojmë se apolloniatët gërmuan pikërisht bazën e kësaj lugine duke e ulur nivelin e saj të dikurshëm e duke e sjellë në nivelin e bazës së shtratit të Vjosës. Kështu ata kryen një lëvizje dherash të një volumi kolosal për kohën; dhera që me shumë gjasë hidheshin në lum i cili i depozitonte pranë grykëderdhjes së tij duke pushtuar detin. Apolloniatët krijuan kështu një Gji ujor që i ngjitej kësaj Luginëze duke filluar nga shtrati i Vjosës e duke shkuar drejt Lindjes (duke qënë i “fshehur” pas Kodrës së Shtyllasit nga rryma e Vjosës). Rruga karrabile (e pa-asfaltuar) që qarkon edhe sot pjesën e poshtme të këtij gjiri, na tregon se Porti i dikurshëm kishte një formë kuadratike me gjerësi afro 200 metra, çka lejonte jo vetëm ankorimin e anijeve në kalatat në dy anët e portit, por edhe lëvizjen e lirshme të tyre brenda portit sado të mëdhaja të ishin, si në rastin e këtyre 120 anijeve. Gjatësia e gjirit-port është e diskutueshme. Sikurse e shikoni në fig. nr. 19 që ju furnizojmë, gjatësia minimale e këtij gjiri ishte rreth 500 m linear, por nuk është çudi që ky gji të shkonte deri në afro 1.200 m në thellësi të Luginës duke krijuar një port të jashtëzakonshëm për kohën. Madje mendoj se pjesa vazhduese prej 700 m të tjera, duhet të ketë qënë një vazhdim disi më ndryshe i këtij porti, pra me një thellësi shumë më të vogël, çka dmth se përdorej nga varkat e vogla që shërbenin për stokimin e mallrave nga anijet e mëdha të lidhura më pranë Vjosës. Këtë mendim e mbështesim në faktin e gjendjes moçalore të të gjithë kësaj gjatësie deri pak kohë më parë (që në kushtet normale nuk do kishte asnjë sens); si dhe nga vëzhgimi i sotëm morfologjik i terrenit i bërë jo vetëm me sy të lirë, por edhe në mënyrë dixhitale. Me një vëzhgim të kujdesshëm, kushdo mund të dallojë sot (nga ndryshueshmëria e gjelbërimit) se kjo gjatësi akoma ushqehet nga ujëra nëntokësor; fenomen ky që ndodh me të gjitha tokat e reja të mbushura rishtas. Kështu apolloniatët krijuan këtë Gji-Port me ujëra të qeta e larg rrymës së Lumit Vjosë edhe kur ky ishte nën efektin e vërshimeve (të plotave) të tij. Pikërisht kjo gjatësi e portit bën që autorë të ndryshëm antikë, të na japin distancën Apolloni – Port në distanca të variushme. Ky port na bën të kuptojmë më mirë pamjen madhështore të Apollonisë së asaj kohe; na bën të kuptojmë më mirë edhe se pse figurat më të famshme të asaj kohe e quanin “magna urbs et gravis” (qytet madhështor e hijerendë). Eshtë kjo një tjetër dëshmi e ndryshimeve jo të vogla morfologjike të realizuara në atë kohë nga dora e njeriut.