Adem Lushaj
Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, po i mbushë plotë 55 vite pune si dritare e dijes. Nëpër dyert e kësaj shkolle kanë kaluar gjenerata të shumta, që më vonë ishin shndërruar në emra si profesionist të zot në fushat e tyre. Dikur (sidomos në vitet e ’70-ta), nxënësit e këtij institucioni arsimor, kishin privilegje të veçanta për regjistrim në fakultetet e Universitetit të Prishtinës.
“Si nxënës i këtij Gjimnazi, jam pranuar në fakultetin e mjekësisë pa provim pranues, ngase ne ishim të privilegjuar. Ishte koha e artë e këtij gjimnazi apo siç quhej koha e Osman Tolaj”,- shprehët infektologu tashmë i njohur, Prof. Dr. Sali Ahmetaj, që sipas tij nxënësit që merrnin diploma në këtë gjimnaz, ishin dukshëm më të dalluar se kolegët e tyre anekënd Kosovës.
Pragu i shënimit të 55-vjetorit të themelimit të Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, veç është afruar (25 maj 2022), të cilin stafi i kësaj shkolle dhe nxënësit po shpresojnë ta manifestojnë si zakonisht, me program dhe aktivitete të ndryshme, duke mos qenë të penguar nga pandemia e Covid 19. Këtë e pohon vet drejtori i këtij institucioni arsimor Hamid Qorraj, i cili ka prezantuar disa nga projektet dhe arritjet që kishte gjimnazi në periudhën e tij si drejtor, 2018 – 2022. Sipas tij, janë realizuar mbi 46 projekte dhe mund të konsiderohen si të suksesshme për gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, në aspektin e përmirësimit të kushteve të punës për mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Mirëpo, Qorraj thotë se baza e mirë e vendosur nga ish kolegët e tij, ka bërë që rezultatet në mësimdhënie dhe mësimnxënie të jenë larta. Krahas këtyre, është punuar shumë në krijimin e kushteve bashkëkohore për punë në realizim të kurikulës së re, duke u bazuar në përdorimin e metodave dhe teknikave bashkëkohore në fushën e arsimit.
“Kemi realizuar shumë projekte, si: pajisja e shkollës me inventar të ri, molerimi i shkollës, Ura termike që e lidh shkollën me sallën e Edukatës fizike, renovimi i tërësishëm i sallës se edukatës fizike nga donatoret privat, Biblioteka e re, Kabineti i biologjisë, Kabineti i teknologjisë, Kabineti i fizikes, Muzeu i shkollës, Arkiva e shkollës, Kabineti i inovacionit, Kabineti i artit figurativ, Kabineti i gjeografisë, Kabineti i artit muzikor, rregullimi i korridorit të shkollës, si dhe Amfiteatri, i cili mbetet hapësirë e shfrytëzuar për ngjarje dhe programe të ndryshme që i organizon shkolla”,- ka treguar drejtori i kësaj shkolle, i cili shprehë falënderime për të gjithë donatorët që iu dhanë krahë ideve për një pamje dhe strukturë të re kësaj shkolle. Përpos projekteve të lartpërmendura, në gjimnaz është gati në finalizim një projekt tjetër madhor, “muzeu i shkollës”, i cili përpos që do mbetet shenjë e ruajtjes së kulturës, traditës dhe arsimit në gjuhën shqipe. Po ashtu do të jetë katalizator për seleksionimin e shkollës ndër të parat në nivel vendi dhe më gjerë”,-ka sqaruar drejtori i gjimnazit që e mban emrin e pishtarëve të dijes të, Avdyl, Naim dhe Sami Frashëri!
“Referencat e mia gjithmonë janë për ata që japin kontribut të vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit arsimor, e po ashtu edhe për donatorët që “përqafuan” projektet tona për investim të nevojshëm në objektin e shkollës të cilat shpien në ngritje të cilësisë duke bërë shkollën tonë konkurrente me shkollat në nivel vendi dhe më gjerë. Dedikimi im referuar donatorëve është fillimisht për përkrahjen individuale për amfiteatrin e shkollës dhe kabinetin e fizikes, ndihmë kjo nga Sevdije Lataj. Po ashtu s’duhet harruar komunitetin dhe komunën e Deçanit, që nuk hezituan të bashkëpunojnë në përgjithësi për çdo projekt të realizuar. U jam mirënjohës përherë!”, -ka nënvizuar Qorraj, drejtori i këtij tempulli të dijes dhe arritjeve me të cilat krenohet, jo vetëm Deçani.
“Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, është themeluar në vitin 1967, ku drejtori i parë ishte Sahit R. Çeka, këto ditë shënon përvjetorin e tij të 55-të. Pa bërë dallime në kohë, është e pamundshme të mos përmendet koha e artë e këtij gjimnazi (1971-1979), apo siç quhet koha e “Osman Tolaj”, kur ishte bërë emër në gjithë vendin, si institucioni me arritjet më të larta në fushën e dijes”,-ka nënvizuar drejtori Qorraj, i cili me modesti e shpalos vlerësimin personal për mësimdhënësit dhe nxënësit, të cilët si faktorë subjektiv luajnë rol primar në arsim. Gjithnjë sipas tij, epitetet pozitive të kësaj shkolle janë dhënë në nivel Kosove, dhe po përpiqen t’a ruajnë elitaritetin që gjithmonë e gëzoi ky gjimnaz.
“Gjimnazi ynë, në nivel të Kosovës, “rrëmbeu” çmime të shumta, gjithsej 12 çmime, 9 vende të para në lëndët gjuhë, matematikë, histori, gjuhë angleze dhe fizikë. Kjo shkollë ka nxjerrë gjenerata të shkëlqyeshme me profile të larta dhe po vazhdon ta bëj. Secili kuadër që ishte pjesë e kësaj vatre diturie dha kontribut të pashoq. Ndër ta janë edhe ish drejtorët e shkollës të cilët qysh prej themelimit të saj, kontribuuan në funksionimin e mirë të gjimnazit dhe kanë lënë gjurmë për gjeneratat pasuese”,- shprehët Qorraj në vlerësimin i tij për ish kolegët dhe mësimdhënësit e kësaj vatre që për vite lëshon rreze diturie në çdo fushë të jetës njerëzore.