ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

Gjuetia prokuroriale serbe ndaj shqiptarëve në Mitrovicën e 1998-ës

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Feti TUNUZLIU , Mitrovicë

Dosje

Edhe në vitin 1998, pra, vetëm një vit para fillimit të bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO-ja (1999), vijonte intensifikimi i politikës serbe të abuzimit të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë me synim “disiplinimi” të ashpër e pa kusht të shqiptarëve të “padisiplinuar”. Kjo realizohej, veç tjerash, edhe përmes politikës së hetimeve penale dhe akuzave penale. S’do mend se, ky intensifikim ishte  pjesë integrale e strategjisë së politikës hegjemoniste serbe përgjatë dekadës përmbyllëse të shekullit XX. Me ushtrimin e planifikuar sistematik të terrorit dhe jo vetëm përgjatë këtij dhjetë vjetshi në kuptim të shkeljeve të rënda të lirive e të drejtave elementare njerëzore të shqiptarëve nga regjimi serb, në fakt, synohej që përmes kësaj forme të dhunës e shtypjes së popullatës shqiptare kjo popullatë të nënshtrohej ende dhe të hjekë  dorë nga lufta e saj për liri e drejtësi në historinë më të re politike të shqiptarëve në Kosovë. Për më tepër, kësisoj, përthellohej kryeneqësisht status quo-ja deri në shkallë mosdurimi kombëtar shqiptar dhe nxitej eskalimi i tij me metoda dhe provokime më të pista vetëm e vetëm që të pasojë hakmarrja e çmenduar shtetërore. Liritë dhe të drejtat e njeriut së koti ishin të garantuara aq sa garantonin këto,  sepse “u reformuan” me ligje millosheviqiane. Implementimi i këtyre ligjeve specifikisht nga ana e organeve të jurisprudencës serbe të instaluar në mënyrë kundërkushtetuese në Kosovë në fund të vitit 1989, përkatësisht kah mesi i vitit 1990 ishte më se barbar. Së këndejmi, këto ligje sollën aparthejd e gjenocid, vlerësonte popullata dhe intelegjencia shqiptare në Kosovë e përtej saj.   

Në këtë kontekst rrethanash tejet të elektrizuara, një “Raport për punën e Prokurorisë së Qarkut dhe Prokurorisë komunale në Mitrovicën e Kosovës për vitin 1998” me shenjën A, nr. 27/98 i datës 22 shkurt 1999 (RP/SM) i cili del të jetë hartuar pikërisht nga prokurori publik i Prokurorisë Publike të Qarkut në Mitrovicë, (sot, pozitë ekuivalente me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore), Risto Pecel, prezanton  në fakt, përndjekjet e egra penale dhe akuzimet e inskenuara penale me të cilat organi i akuzës iu mbërthye shqiptarëve gjatë vitit 1998 në qytetin afër minierës “Trepça” vetëm një vit pa filluar sulmet ajrore të forcave ushtarake aleate në Republikën Federale të Jugosllavisë më 1999.  

Në këtë Raport pune, kryeprokurori pretendon të shpalos të dhëna që shenojnë, veç tjerash, edhe gjendjen e kriminalitetit politik, që është kryefjalë e këtij shkrimi, në tërë territorin juridik në të cilin shtrihej kompetenca territoriale (tokësore) e Prokurorisë Publike të Qarkut (PPQ), përkatësisht e Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, kinse duke u thirrur në  legjislacionin procedural penal të kohës.  

Raporti prokurorial prej gjithsej 27 faqe, mëton t’i trajtoi “Veprat penale  me të cilat cenohet rendi kushtetues dhe siguria e vendit” të kryera në vitin 1998, prej faqes 12-17, vepra këto të inkriminuara me dispozitat e Kapitullit XV të Kodit Penal të Republikës Federale të Jugosllavisë (mëtej: KPJ). 

Vetëm kalimthi të theksojmë se në literaturën juridike të shkencës së drejtësisë penale, në praktikën gjyqësore, diskursin profesional por edhe në shkrime mediale, për këto vepra penale përdoret dendur togfjalëshi: vepra penale politike. E në letërsinë e shkencës së të drejtës penale konsiderohej se karakteri politik i këtyre veprave derivuon jo vetë nga objekti mbrojtës por edhe nga motivet për të cilat kryheshin ato. 

Në pjesën e Raportit e cila i referohet ekskluzivisht gjuetisë së kriminalitetit politik për vitin raportues (1998), me gjuhë statistikore fokusohen  këto gjetje: në kallëzime penale janë përfshirë gjithsej 198 persona dhe kundër të gjithëve PPQ ka kërkuar hetim penal nga gjyqtari hetues; kundër 2 të pandehurëve ishte pushuar ky hetim; kundër 76 të tjerëve ishte ndërprerë përkohësisht hetimi i filluar deri në kapjen e të arratisurëve; kundër 91 të pandehurëve ishin ngritur aktakuzat për këto vepra penale politike: Cenimi i tërësisë territoriale (neni 116); Terrorizmi (neni 125) dhe Bashkimi me qëllim të veprimtarisë armiqësore (neni  136). Poashtu, prej 198 personave të pandehur, në paraburgim kanë qenë 97, në arrati 99, ndërkohë që, vetëm njeri ishte dënuar me 18 muaj burgim. 

Lënda penale “më karakteristike: KT nr. 37/98” 

Prej numrit të përgjithshëm të lëndëve të kriminalitetit politik të vitit 1998, i pari i PPQ, në Raport veçon lëndën: “KT nr. 37/98”, duke e quajtur “lënda më karakteristike”. Këtu nuk specifikohen arsyet përse pikërisht kjo lëndë cilësohet “më karakteristike” ndër  të gjitha lëndët politike. Mirëpo, sikur krijohet përshtypja që lexuesi vet mund t’i identifikoi këto arsye bazuar në shumësinë e fakteve dhe rrethanave që plasohen në tekstin e kësaj pjese të Raportit prokurorial. Disa sosh edhe mund të nënkuptohen si arsye konkrete për t’u cilësuar kjo lëndë “më karakteristike” nga të tjerat. Ç’është e vërteta, faktet dhe rrethanat e sipërpërmendura,  nuk qëndrojnë plotësisht të shkëputura kuptimësisht njera nga tjetra sepse kanë lidhje të ndërsjellë logjike e përmbajtësore. 

Në këtë kuptim, në vijim të Raportit, eprori prokurorial shkoqit detaje nga gjuetia prokuroriale. Potencon se PPQ ka  kërkuar  hetimin penal kundër 15 personave të përfshirë në kallëzimin penal. Me kërkesën prokuroriale ka filluar hetimi penal kundër 9 të pandehurëve dhe njëkohësisht ndaj tyre është propozuar masa e paraburgimit, masë kjo e fundit dhe më rënda në kuadër të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurëve gjatë procedurës penale.  Pas përfundimit të hetimit nga gjykata si autortitet kompetent, këta 9-it janë akuzuar me akuzën publike penale sipas KPJ për vepra penale politike të sanksionuara me nenet: 125 (Terrorizmi); 136  (Bashkimi me qëllim të veprimtarisë armiqësore) dhe neni 33 (Ligji për  armë e municion). Nga këta 15 persona, pra, 9 janë akuzuar, ndërsa kundër 6 të tjerëve hetimi I filluar është pezulluar me mundësi rifillimi të hetimit sapo të njejtit të privohen nga liria.  

Në tekstin e këtij Raporti, tutje prezentohen detajet “inkriminuese” nga aktiviteti i grupit të akuzuar prej 9 anëtarësh. Ndonëse nuk zbulohen emrat e përvetshëm të asnjerit prej të akuzuarëve, në Raport saktësohet se “dy prej të pandehurëve formuan bashkimin terrorist – njesinë e muxhahedinëve, të ashtuquajturin “Abu bekir Sidik” themeluar  nga fundamentalizmi islam.”  Prej gjithsej 110  anëtarëve të “Bashkimit terrorist”, këtu kanë qenë “edhe 35 shtetas të huaj”.  

E çmoj të nevojshëm të theksoj se Raporti i organit akuzues vë në pah rrethanën se gjatë kësaj gjuetie prokuroriale ka rezultuar se “ky bashkim ka vepruar në kuadër të Organizatës terroriste të ashtuquajtur  “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (UÇK), locuar në fshatin  Prekazi i Ulët, komuna e Serbicës” (sot: Skenderaji) e cila paska qenë e themeluar  kah mesi i qershorit  1998.  

Pastaj, në Raport identifikohet edhe armatimi dhe paisjet tjera të poseduara nga grupi “terrorist”, duke konstatuar se “të gjithë kanë qenë të armatosur me armë automatike, zola, minahedhës,  granata, bomba dhe paisje tjera” dhe shton se “kanë patur  pesë vetura të veta, 2 telefona satelitor e 1 mobil, telefaks, sasi të madhe ilaqesh e material saniteti etj.”  

Pasi nënvizon se të gjithë kanë patur pseudonime, shpalos prejardhjen dhe shpërndarjen e armatimit si dhe ndërlidhjen e grupit “kriminal” me UÇK.  

”Me armatim janë furnizuar nga Shqipëria duke kaluar ilegalisht kufirin. Një pjesë të armatimit ia kanë dhënë organizatës terroriste “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shumë vende  në Kosovë e Metohi.”, nënvizohet tutje në Raportin zyrtar.  

Raporti për gjahun prokurorial bën fjalë edhe rreth të hyrave, armatimit  dhe organizimit të grupit “kriminal”. Rrjedhimisht, pasi saktëson se ky grup ka marrë nga jashtë rreth 400 mijë DM dhe se armatimin modern dhe paisjet luftarake i ka transportuar ilegalisht nga Shqipëria, zbulon se grupi më vete, si një organizatë është shumë mirë e organizuar.  

Poashtu, në këtë Raport hedhet dritë për një “spektër të gjerë” veprimesh që i referohen personave që kanë mbajtur pozicione komanduese në UÇK, stërvitjeve ushtarake  dhe aktivitetit ushtarak në terren. Në këtë kontekst, theksohet se, në Prekazin e Ulët stërvitjet ushtarake i kanë udhëhequr shtetasit e huaj; se, janë organizuar gjuajtje me municion luftarak; se, ushtarët  janë aftësuar përmes  shkathtësive luftarake; kanë bërë rojë; se, kanë marrë pjesë në hapjen e gropave dhe ndërtimin e bunkerave; se, kanë përcjell policinë dhe kanë mbajtur mbledhje fetare e ligjerata dhe se kanë kontaktuar me udhëheqësitë e organizatave terroriste nga rajoni i Drenicës dhe Shalës.  

Raporti tërheq vëmendjen  e lexuesit me të dhënën se të pandehurit janë bërë anëtarë të bashkimit armiqësor për një apo disa fshatra dhe anëtarë të të ashtuquajturës “Ushtria Çlirimitare e Kosovës” e cila vepron në tërë territorin e “Kosovës e Metohisë”. .  

Të dhënat tjera të dala prej Raportit të organit të akuzës, zbulojnë se anëtarët e grupit “terrorist” kanë kryer edhe një mori aktivitetesh ushtarake deri te vrasjet e qytetarëve  dhe jo vetëm. Kështu, theksohet se; në organizatën “terroriste” ka patur ndarje rolesh dhe detyrash: disa kanë furnizuar me armë dhe paisje, disa kanë hapur kanale  dhe ndertuar bunkere e ndertime tjera, disa kanë bërë roje dhe kanë vëzhguar lëvizjet e policisë e të pjesëtarëve të Ushtrisë jugosllave  dhe për çka kanë lajmëruar  udhëheqësinë e organizatës terroriste. Poashtu, Raporti vë në dukje se skenat e dhunës të pjesëtarëve të organizatës “terroriste” që kanë sulmuar dhe vrarë persona të uniformuar: policë e pjesëtarë të Ushtrisë së  Jugosllavisë sikundër edhe persona civilë: serbë, malazezë dhe shqiptarët, kanë burgos dhe ushtrue dhunë ndaj një numri të madh personash, kanë dërgue në drejtime të  panjohura dhe kanë kryer edhe plaçkitje. Në Raport konstatohet se as sot nuk dihet për fatin e numrit të madh të këtyre personave.  

Të gjithë të pandehurit kanë miratuar planin dhe programin  e organizatës “terroriste” të quajtur “UÇK” me qëllim që të ndërmarrin akte të dhunshme  organizimi e koordinimi të inspiruara nga  motivet politike e të orientuara në rrezikimin  e rendit kushtetues  dhe sigurisë së RFJ, theksohet në Raportin prokurorial. Ndryshe, qëllimi final i të akuzuarëve rezultuar përfundimisht nga gjuetia e prokurorëve publik serb është që – territori i Kosovës dhe Metohisë si dhe territoret tjera të populluara me pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare të shkëputen nga RFJ dhe të formohet shteti i veçantë e më pas ato t’i bashkangjiten Republikës së Shqipërisë. 

Sfidat prokuroriale dhe rrethanat  të të pandehurëve 

Në këtë Raport zyrtar, autori veçon si sfidë vërtetimin e gjendjes faktike të veprave penale. Specifikisht flet për aktin e këqyrjes së vendit të ngjarjes nga zyrtarët e autorizuar, që i bie nga gjyqtarët, prokurorët publik dhe policët duke bërë të ditur se këta rrallë herë kanë realizuar këtë veprim hetimor procedural sepse “shkaqet e sigurisë këtë nuk e kanë lejuar.” I njejti nxjerr në pah rrethanën se në shumicën e lëndëve penale, e vetmja provë ka qenë pranimi i kryerjes së veprës nga të pandehurit, madje, në disa lëndë, veç pranimit, ka patur edhe prova të tjera, nënvizohet në Raport. 

Përkitazi me aspektin nacional të të pandehurëve, moshën, vendbanimet dhe gjendjen materiale, në Raport konstatohet se të gjithë kryesit e veprave penale kanë qenë pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare prej 18-60 vjeç dhe se shumica e tyre kanë jetuar nëpër fshatra në gjendje të varfër apo të mesme ekonomike.   

Raporti, kah fundi i pjesës që trajton kriminalitetin politik, tërthorazi vë theksin edhe në dështimin e organeve të zbulimit sa i përket arrestimeve. Kështu, aty theksohet se PPQ përmbyll vitin 1998 pa kapur edhe 129  kryes të veprave penale politike të cilët ende nuk janë privuar nga liria për t’iu proceduar gjyqtarit hetues në cilësinë e të pandehurëve dhe ende vazhdojnë së qëndruari n’arrati. 

Fare në fund të themi se nga shkaku i dështimit të hartuesit, Raporti në fjalë nuk përmban asnjë të dhënë të vetme edhe për punën e Prokurorisë Publike Komunale të Mitrovicës për vitin 1989, ndonëse ky i fundit përmendet në titullin i cili  figuron në kopertinën e këtij  Raporti e që s’do mend se do t’ishte me interes, në radhë të parë,  për opinionin shqiptar. 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu