ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Gjurmët shumëshekullore të shqiptarëve të ikun nëpër botë – Shën Merkurjali dhe Pjetër Bardhi – Durrësaku

Shkrime relevante

Histori për Xhenkiz Khanin dhe sulmin e tij ndaj qytetit të Buharasë, në Uzbekistanin e sotëm

Agim Vuniqi, New York Kur komandanti mongol Xhenkiz Khan sulmoi qytetin e...

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Shpërndaj

Daniel Gàzulli, tashmë i ndjerë, më 03/12/2017.

  • Në foto është me shkrimtarin dhe publicistin Paul Tedeschini, që jeton në Itali.

Beteja e Fushë-Kosovës më 1389 shënon fillimin e natës së gjatë osmane jo vetëm për kombin tonë, po për të gjithë popujt ballakanikë. Nga ky vit e deri në pushtimin përfundimtar, barbarët aziatikë turq-otomanë fillimisht pushtuen, por edhe bashkpunuen me princë vendas, që pranuen vasalitetin për pak përfitime e pushtet, por praktikisht gjysëmhana kishte fillue ta thante barin kudo ra ajo.

Nga viti 1389 e deri në 1453 pushtuesit turq nënshtruen plotësisht Bullgarinë dhe pjesën ma të madhe të Greqisë, kurse në vitin 1520 konsiderohet pushtimi i plotë i gjithë siujdhesës Ballkanike. Çerekshekulli i lavdishëm i Gjergj Kastriotit kishte qenë vetëm një vetëtimë e shkelqyeshme në qiellin e përgjakun shqiptar. Mërgimet biblike të ballkanasve, veçanarisht të shqiptarëve e grekëve drejt Perëndimit, drejt botës së  krishtenë (sidomos në siujdhesen Apennine), kishin fillue me kohë, e ikjet ma të shumta ishin nga bregdeti shqiptar dhe siujdhesa e Peleponezit (Moreja – arvanitasit). Shqiptarët që u tretën në dhé të huaj jo rrallë lanë gjurmë të thella edhe në trevat ku shkuen. Për njenin prej tyne, krejtësisht i panjohun në historiografinë shqiptare, do të flasim sot. Quhej Pjetër Bardhi prej Durrësit (Pietro Bianco da Durazzo).Në historinë e qytetit të Forlì, në qender të Romanjës (Romagna) – Italia Veriore bregdetare adriatike, dy janë figurat ma të shqueme shqiptare: Shën Merkuriale (San Mercuriale) dhe pikërisht Pjetër Bardhi nga Durrësi.

I pari, Shën Merkuriale, me origjinë shqiptare – siç e përshkruejnë të gjithë historiografët vandas italian, ka jetue në shekujt IV e V dhe ka qenë Peshkopi i parë i qytetit Forlì (Itali). Eshtnat e tij ruhen si një relikë e shejtë në Kishen e Shën Trinisë, që ishte në atë kohë Kisha në qendër të qyetetit. Ndërsa në periferi të qytetit ishte Abacia me kuvendin, që edhe sot mbajnë emnin “Abacia San Mercuriale”. Me zgjanimin e vazhdueshem të qytetit Forlì, kjo abacì u perfshi në qytet dhe sot ajo ban pjesë në sheshin kryesor të qytetit. (Shih “Storia di  Forlì, 1996; “Abbazia di San Mercuriale in Forlì”, 1998). Per San Merkurialin do te shkruej ne nji shkrim te veçante.

Kurse historia e Pjetër Bardhit nga Durresi, shpesh e përzieme në mes kronikës, legjendës dhe mistikës, siç ka qenë e natyrëshme për personazhet dhe ngjarjet e mesjetës, fillon aty nga viti 1445, kur një mërgimtar i ikun nga Durrësi, ndoshta i vetmi që u kishte shpëtue dallgëve të detit te ikurve nga mizoria osmane (Sa jetë na ka marrë deti !), gjendet diku në bregdetin e qytetit Ravenna i veshun me një rrobë krejtësisht të bardhë.

Deti – miku dhe anmiku i shqiptarëve të ikun nga hordhitë osmane, nuk ishte ma për Pjetrin, prandaj ai vendosi të largohej prej tij e të hynte diku ma në thellësi te gadishullit italik në kontinent.

Gjatë rrugës, diku në një pyll në afërsi të qytetit Forli, thuhet në kronika, ai kishte gjetë mbi një pemë një pikturë me Shë Mërinë dhe Jezusin.

Ikjet e atëherëshme janë shpesh të përzieme me legjenda apo mistifikime figurative. I tillë asht bie fjala fluturimi i Zojës së Shkodres mbas ramjes së qytetit të Rozafës nën shpatat e osmanëve për në Gjenacan (Genazzano), në afërsi të Romës. Me siguri, për ta shpëtue nga dhunimi i turqëve, pikturen e Zojës së Shkodres do ta ketë marrë me vete ndonjë mërgimtar.

Tue pa pikturen e

Shën Mërisë në Tempullin e Fornò-së (shtatë kilometra nga Forlì), ndërtue pikërisht nga Pjetër Bardhi, vetiu lindin disa supuzime krejt të besueshme.

Piktura asht e stilit bizantin. Pra, ka shumë mundësi që Pjetri ta kishte sjellë me vete nga Durrësi. Dallgët e detit i kishin marrë ndoshta shumë shokë të fatit e të fatkeqësisë, por i kishin lanë atë pikturë, së cilës ai i kushtoi një prej Tempujve ma të bukur të shekullit XV në Europë. Aq i ligshtuem ishte nga udhëtimi në det, thuhet në kronika, sa mezi mbahej në kambë, e megjithate pikturën nuk e lëshonte.

Durrësaku ynë, që mbante në trup vetëm një këmishë të bardhë, u strehue në një barakë në periferi të Forlisë, po shumë shpejt baraka e tij u ba vend pelegrinazhi. Historianët e kohës, ndër të cilët Andre Bernardi, që shkruen se ka qenë për gjashtë vjet berber i tij (e në atë kohë nuk asht për t’u çuditë që historiani bante edhe punën e berberit, ashtu edhe berberi ate të historianit), na thotë se tek ai vinin njerëz të panumurt, kush për t’u këshillue me të, kush për t’i kërkue të lutej për të, e shumëkush për të pa një Shejt të gjallë.

Ishte koha kur nuk priteshin shpallje nga Vatikani të shejtnimit të figurave të shqueme të krishtnimit. Ndodhte që atë titull, para Kishës vetë, ia jepte populli, e titullin Shejt Pjetër Bardhi prej Durrësit e kishte marrë qysh në të gjallë.

Kronikat e kohës na sjellin jehonen e figurës së tij, pa na përshkrue qartë cili qé roli i Pjetër Bardhit në jetën forlìveze  në mes viteve 1445-1477: Vendasit shikonin tek ai një figurë të shejtë, po mbas asaj figure, pa dyshim, ishte një vepër e madhe.

(Në foto: Rruga nga Forli drejtë Ravenes asht nji fshat me emnin “DURAZZANINO” dhe asht pikrisht rruga që ka ba “Pjeter Bardhi nga Durrësi” mbas zbarkimit në portin e Ravenes në drejtim të qytetit Forli)

Aq e vështirë iu ba jeta në Forlì prej vizitave të shumta, sa ai vendosi të largohej nga qyteti e të ndërtonte një Tempull pak ma larg, në një pyll, në fshatin që sot quhet Fornò. Tempulli asht një godinë madhështore, po për këte do të flasim në vijim. Ndërtimi i tij kërkonte një projekt vërtetë prej arkitektësh të shquem: arkitekt i saj ishte vetë Pjetri. Kërkonte fonde, shpenzime e punë gjigande: Nuk kishte si ta bante një vetmitar i vorfen, siç ishte durrësaku ynë. Përtej legjendave, kuptohet se autoriteti i tij ishte aq i madh, sa të mundësonte ndërtimin e një Tempullit të tillë. Një vepër të tillë mund ta linte vetëm një njeri (qoftë edhe shejt ky) që ka lanë shumë vepra të denja me jetën e tij.

*

Le të kthehemi pak tek “takimi” me Pjetër Durrsakun. Ishte një mbasdite e nxehtë tetori e vitit 2011 kur gjatë udhëtimit në Veri të Italisë iu afruem qytetit Forlì dhe bashkë me një mikun tim nisemi në rrugën që të çon në Cervia, qytezë bregdetare e një nder qendrat ma të bukura të plazheve romanjole. Vetëm mbas fare pak kilometrash (saktësisht shtatë) miku im ngadalson shpejtësinë e makinës. Në një tabelë lexojmë: “Via Pietro Bianco da Durazzo”. Marrim atë rrugë dhe mbas rreth një kilometri gjendemi përpara Tempullit kushtue Shën Mërisë, por i njohun në populli si “Santuario di Pietro Bianco da Durazzo”. Godina gjashtëshekullore të imponohet menjëherë. Tempulli asht në formë rrethore. Në arkitraun e portës kryesore shkruhet: “Viti jubilar 1450. Unë Pjetër Bardhi prej Durrësi fillova këte Kishë të Shën Mërisë dhe bana të gjithë zbukurimet e afresket, që të jetojë në shekuj e t’i falemi shpëtimtarit tonë, Birit të Saj”. Si thamë, Tempulli asht në formë rrethore, e diametri i të cilit asht 33,83 metra, kurse muri rrethues i ndertesës së tempullit asht 15 metra i naltë. Papritë ndeshemi me një dukuni arkitektonike unike: Në qendër të Kishës asht një godinë tjetër tetëkandëshe, me rreze 7 metër, por që del mbi çatinë e Tempullit, sepse kjo godinë tetëkandëshe asht e naltë 20 metër, pra edhe pesë metër ma e naltë se Kisha vetë. Në ballë të saj asht shtatorja e Zojës prej mermeri të bardhë Karrare, kurse kudo gjenden afreske të punueme me mjeshtri. Në qendër të godinës së mbrendëshme tëtëkandëshe, mbi një altar të thjeshtë, gjendet piktura (fugurja, si thuhej dikur) e Shën Mërisë, stil i pastër bizantin, që, simbas legjendës, Pjetër Bardhi e kishte gjetë mbi një pemë pikërisht të pyllit të këtushëm ndërsa i afrohej Forlisë, por që të gjitha gjasat janë se ai e kishte sjellë që nga qyteti i tij në anën tjetër të Adriatikut. Por ajo që më tërheqë vëmendjen menjëherë asht një afresk i madh, kopje e zmadhueme e origjinalit të Shen Mërisë, po e quejmë bizantine, dhe Pjetri ynë, veshë krejtësisht në të bardha, ulë në gjunjë para saj tek lutet. Në të djathtë të Tempullit gjendet një sarkofag. Aty ruhen eshtnat e Pjetër Durrsakut, Pietro  Bianco da Durazzo. Sarkofagu asht ndërtue dy vjet mbas vdekjs së Pjetër Bardhit – Durrësakut (1477), pra në vitin 1479, nga sundimtari i Forlì, Pino III Ordelaffi (1453-1480).

Sarkofagu i Pjetër Bardhit (ne foto)

Vijnë për të vizitue këtë Tempull nga anë e anës.

Themeluesi i tij asht i njohun jo vetëm në Forlì e në Romanjen mbarë, por edhe ma gjanë. Vetëm në Atdheun e dhunuem nga gjysëmhana osmane nuk kujtohet kush për të. Një ikanak (i arratisur) i madh (por i harruem) i shekullit XV, kur mbi trojet iliro-shqipatre shkeli kamba shkretnuese e otomanëve. Si shumë ikanakë (te arratisur) të tjerë ndër shekuj, bashkëatdhetarë të tij, nga Marin Barletti, Marin Becikemi tek  Leonik Tomeu; nga të parët e De Radës tek ata të Françesko Krispit. Si ikanakët e vitit 1991 apo 1997. Po këta të fundit, nga se ikën?

Vallë hija e osmanëve bani të largoheshin përsëri nga Atdheu mbasardhësit e Pjetër Durrësakut? Nga brigjet e Adriatikut drejt Perëndimit ka gjithmonë ikanakë (te arratisur). Hijet e së shkuemes, që zgjaten herë mbas here mbi Ballkan, i detyrojnë të ikin. Por të paktën të mos i harrojmë. Ishin dhe janë bijë të kësaj Toke, bijë të trojeve të Heroit Kombetar GJERGJ KASTRIOTIT !

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu