Ishte vjeti 1874 e Shqypnija njatëherë sa zgjohej prej letargie që e kishte kaplluem e pregatitte gurin mâ të çmueshmin djademës mbretnore shqiptare, “Lidhjen e Prizrendit”. Nji ndër pjestarë të klerit katholik shqiptarë Dom Zef Ashta, i vente gurin e parë Shkollës së Shirokës.
Me luftue analfabetizmin me ânën e shkollës — qoftë edhe në veshën e njyrën fetare, me rinjallë e me mbajtë të zgjueme e përherë mâ të kërthnesta njato ndjesi atdhédashunije e kombësije aq fort të ndjekuna e të nëpërkambuna prej sunduesit: ky ishte qellimi kryesuer i këtyne puntorve e lavruesave të gjuhës amtare; me ânë shkollash, shoqnish, uratoresh, mledhjesh fetare së mbshefta e njiherit botnore.
* * *
Me 11 tetuer 1933 mbasi mora në dorzim Shkollën e Shirokës i a nisa të përpiloj historín e shkollës që m’ishte besue. Shfletsova letra e shkresa, akte e rregjistra; pëveta pleq e plaka, të rij e të burrnuem dhe i a dola qëllimit. Prej kësajë shkolle dolën njasish si Filip Noga, minister shtetit, Imz. Gjergj Volaj, Ipeshkëv i Sapës, Shkëlq. Tij At Anton Harapi O.F.M. antarë i Regjencës, At Mark Harapi S.J., At Viktor Volaj, O.F.M. e pjestarët e Shpís Radovani që i dhanë vendit aq njerëz Kishës e Shtetit, meshtarë, rregulltarë, rregulltare etj. etj. Zelli erdh tuj m’u shtue përherë e mâ e sot Shkolla e Shirokës, ka nji histori të shkrueme e nji suazë ku janë rreshtue me fotografi të gjithë arsimtarët që për nji kohë të shkurtë a të gjatë derdhën mundin e djersën në mirërritje të moshës së ré shirokase.
Shkolla e Shirokës âsht hapun së parit me 1874. Kjo datë gjindet e protokolueme ndër akte zyrtare të Famullís katholike të Shirokës. Prej date së themelimit deri në vjetë 1880 mbahet prej klerit katholik shekullarë shqyptarë. Prifti që e themeloi shkollën kje Dom Zef Ashta.
Me 1880 vjen si mësues z. Perikli Bonatti, të cilin e paguen katundi prej arkës së përbashkët, e mëson deri me 1881; me 1890-1 vjen si mësues z. Ndoc Ronkali, i cili së parit paguhet prej arkës së katundit e mandej me 1894 prej Kryekonsullatës Austro-Hungare të Shkodrës; ky zotni qëndron si mësues në shkollën e Shirokës deri në vjetin 1918.
Xânsat e parë të Shkollës kjenë: Pashko Shestani, Ndoc Cini, Palokë Êjlli, Filip Marku, Kolë Koliqi, Jaku i Ton Pavacit, Zef Kolë Nogaj, Pjetër Loro Pulaj, Nuk Shestani, Palokë Nush Koliqi, Êjëll Koliqi, Mati Koliqi.
Shkolla nuk ishte kû â sot por kishte ndërtesën e vet njitë me Qelë të Famullís, pronë e katundit; përveç odës së mësimit, odë e madhe, e naltë e ajrisun mirë, me dyer e dritore të mdha, tavan e dyshême, e pajisun me harta dhe shkrojtore e fëtyra mësimi shikimi, drrasë të zezë gurit, njêhanë, banka pështetëse e ndejse, kathedër e karriga, kishte edhè nji odë fjetjeje, nji zjarri e nji rruginë për banim të mësuesit e të familjes së tij; brî ksajë gjindej edhè Oda e París së katundit, ku mblidheshin, për çdo të dielle a kremte, pleqt e fshatit për të biseduem e rrahë bashkarisht e vllaznisht nevojët e vendit në dobí të përgjithët.
Kasha i lêhej në besim njênit ndër të parë e ky, krye gjashtë mujsh, i nepte llogarí për të hyeme e të dalme Kryeparís e ishte përgjegjës për çdo gjâ. Paguente famullitarin mësuesin e kujdesej për nevojë të kishës, të shkollës e të qelës famullitare. (Duket, mësuesi mirrte 32 napoljona florî në vjetë, me kiste gjashtë mujorë). Fakti se katundi i Shirokës kishte nji arkë të përbashkët, dishmon shpirtin e kolektivitetit e të bashkëpunimit shoqnuer. Të hyemet mâ të parat e të shumtat i siguronte tratka e gjuhcës që shitej n’ankand e gjuhej në Vá të Cinejve si edhè bâmirsinat që dergojshin bashkëfshatarët prej Malit të Zí e Amerike ku kishin vojtë për nevojë gjallimi.
Mësuesi ishte i detyruem me mbajtë trí rende të përbashkta e krye vjeti, në të sosun të mësimevet, bâhej nji shfaqje akademike ku deklamoheshin copa të zgjedhme proze dhe poezije, në prâní të Shkelq. Argjipeshkvit Metropolit të Shkodrës, të Kryekonsullit t’Austri-Hungarís, t’Inspektorit të Shkollave të mbajtuna e të pagueme nga Qeverrija Austro-Hungare, Zot. Gaspër Benussi, të Famullitarit, të Parsis, të Prindve e popullit; bâhej të ndamit e çmimeve shkollore njashtu si veprohej deri tash vonë në Kolegjën Saverjane të Shkodrës. Mësuesi duhej t’ishte shëmbëll e pasqyrë nderi, burrnije, urtije, detyre, përpiknije, mirësjelljeje. Fjala e tij ishte për prind e nxânsa urdhën i pakundërshtueshëm.
Kur plasi lufta Ballkanike shkolla mbet mbyllë për sa e sa muej; si hyne ushtrít ndërkombtare në Shkodër, shkolla u hap përsrí e vazhdoi mësimet rregullisht në ndërtesën e vet. Si u lirue Shqipnija veriore mbas luftës botnore shkolla e Shirokës mbas nji ndërprémjeje së shkurtë u çel rishtazi e vazhdoi paprémas deri sod.
Rrokull vjetve 1920-1921, nuk dihet se për ç’arsye, shkolla u shpërngul andej e kje bartë në ndërtesën e ish-shkollës fêmnore Stigmatine, brî ndërtesës së shpis Koliqi, pronë e familjes Kolesha, të cilën e trashigoi nga prindët e që nji bij e kësaj familje veshi zhgunin e Stigmatineve. Ket ndërtesë të cilen e kishte blé familja Koliqi, i a dhuroi katundit për shkollë. Në ketë ndërtesë nisën me ndjekë mësimet edhè nxânsat e besimit mysliman të cilët deri aso kohe nuk kishin ndigjue me vojtë në mësojtore.
Shkolla âsht mjaft e mirë dhe paraqitet bukur e në zêmër të katundit: e naltë, e madhe, e ajrisun mirë, me tavan e dysheme drrasash, me dy dritore e derë të pershtatshme, banka modeli së rí dyvendëshe, me orendí të nevojituna për mësim; e gjatë m. 9, e gjanë m.6 e m. 3.80 e naltë, edhe ndonjë fëtyrë mësimi sendesh. Oborrin shkolla e kishte të vogël e të pamjaftueshëm, pa asnji pêmë as landë për hije. Vjetin 1935 u nxuer prej Komunës qi disa punëtorë të detyrueshëm komunal vendas, të punojshin për oborr të shkollës dhe u zgjatue prej m. 9 qi ishte deri në m. 32, e gjansi m. 12, u rrethue me mur të thatë nalt m. 1.50. Javën e Drunit t’atij vjeti me ndihmën e xânsavet e t’ish-xânsavet u mbjellën disa druj për hije.
Mbas shumë kërkesash, u mblodhen fotografinat e shenimet e të gjithë arsimtarvet shekullarë e fetarë, sidomos çë prej vjetit 1880 e deri mbë 1939, u renduen në një suazë, kështuqi shkolla t’i kishte parasyshë puntorët e vet të heshtueshëm e njiherit të palodhshëm: fotografinat i dhuroi veterani Kel Kodheli-Marubbi i Cili për të gjallë të vet i u gjet mësojtores me ndihma bujarisht.
Për të mujtë me e pajisë shkollën me fëtyra mësimi jete e kuadri të nevojitun, për çdo 28 Nanduer, kremte kombtare e mbyllje viti shkolluer, kjenë organizuem disa shfaqje njyre edukative-kombëtare e shoqnore; e të falunat në të holla të prindve e bamirsave, këshilli i shkollës, përbâ prej xânsavet mâ të rritshëm e me asistencën e mësuesit, bleu dhe zbukuroi shkollën sa mos me ia pasë laskmi as shkollës mâ të përparueme të qytetit kryevend.
Kryevjeti bâheshin ekspozita e punës së dorës e vizatimit që fëmijt gjatë vitit kishin bâ në mësim e ndër orët të lira. Vetë xânsit e pajisën shkollën me nji kolekcjon të pasun të gjitha fluturave të kapuna në Tarabosh, të landëve-drû e pêmë, të gjithë llojeve të gurve per me trajtuem nji muzé të vogël shkolluer. Për përdorim të xânsavet e t’ish-xânsavet u krijue dhe u pajis me libra dhe fletore të dobijshme, nji bibliothekë e vogël shkollore, në vërtyt të D. L. O. t’Arsimit në fuqí. Me 1935 u gjet nji vend i përshtatshëm brî shkolle dhe u krijue Kopshti Bujqësuer Shkolluer, të cilin vetë fëmijt e punojshin dhe frytet daheshin përpjesisht me numrin e pjestarve të familjes së xânsavet, kështuqi dishiri për nji kosht shpijarë i u shtue setcilit.
Kur Shqipnija mbarë kremtoi XXV vjetorin e Pamvarsís Kombëtare, shkolla e Shirokës në bashkëpunim të ngushtë e me pjesëmarrje të klerit katholik e mysliman, të prindve e të banorve, e luti këtë ditë të 28 Nandorit me nji program të hapët e lulëzim që rrallë herë i âsht pamë shoqi n’at katund: e kta pa asnji lekë kredi prej kërkujt. Po në ketë rasë, me bamirsín e vendasve e të kryetarit të Zyrës Botore së Shkodrës, me punën e pa interesë e shpërblim të vendasve, mujt me u përurue edhe nji palestër e plotë gjimnastike me të gjitha njato vegla që dija e degës këshillon dhe udhëzon. Në ketë fëmijt stërviteshin gjatë orëve t’edukatës fyzike dhe mbas mësimi; palestra pat: unazat me litarë, litarin me u kacavarë, dy shkopijt për t’u njitë, shkallën vendue pjerrtas, shtregullën, paralelën, hekurin m’u sjellë e rrotullue trupnisht pezullë, veglat e këcimit së nalti e së gjani, shtizën, gropën e ranës e drrasën e nevojshme për këcim.
Vjetin 1935/36 u çel edhe Shkolla e Natës e xânsat-shegerta zêjetarë pazarit me gjithse alfabeta të gjithë e ndoqën kujdesshëm, tuj pague vetë prej xhepit shka nevojitej për mësim.
Shkolla pat edhe nji gajthër (palk) për shfaqje theatrore, shenarë e kvinte, por nuk dihet se pse vjetin 1932/33 u pat zhgatrrue.
Ish-xânsat e shkollës me 6. I. 1921 themeluen Shoqnin Bâmirse që kishte për program e qellim me i u vjeftë e gjetë ndër smundje e nevojë mjekimesh, bashkëpjestarve e me 12. XII. 1928 krijuen Shoqnin Gëzimore e cila bâni edhe çfaqje të ndryshme theatrore e pat dy skuadra loje topi të cilët u ndeshën edhe me qytetas.
Popullsija e Shirokës: Pleqt, që i kanë kapërcye të 80 e mâ Shnjergjat, të pëvetun prej meje, kallxojnë se dikuer Shiroka kishte plot 500 shpi, të vendueme në pesë lagjet:
— Âna Ndrecej, prej të himit në Shirokë, ke dy mandat në rrugë të Shkodrës deri ke Prroni i Keq;
— Âna Kolej, prej Prronit të Çezmës e rreth Kishës e Fushës së Shna Rrokut;
— Âna Hoxhej sipri lagjes Ndrecej, deri te Rrasat e Fëllanxavet;
— Âna Burgut, prej Kishe deri te Mandi i Shna Rrokut e te Plepi i Pusit në breg të Ndaljes së Tretë;
— Âna Mbë Hije prej Plepit e gjatë shpatit të malit në drejtim të Prendimit: kjo lagje sot krejt e shueme quhet edhe “Shpijat e Murtajës” e nuk ka asnji banesë veç dy çifliqeve: të Shpís së Çekerdekve ase Buzamdhejve e të Shpís Kokej. Tuj bubrrue aty-këtu dalin në dritë tri statistika të ndryshme: vjetin 1916-18 Shiroka ka 537 banorë të pjestuem në 440 katolikë, e 95 mysliman. Vjetin 1922-1923 janë 72 shpí katholike me 329 vetë e 25 shpí myslimane me 125 frymë. Vjetin shkolluer 1933/34 mbas nji numrimi dhe statistike të cenëshme dalin 80 shpí katholike e 23 myslimane me 497 vendës. Âsht nji fakt i provuem veç se numri i banorve shpijave të katundit të Shirokës ka ardhë dita ditës tuj u paksue prejse shumë kanë mërgue jashtë e shpija me mbiêmnin “Shiroka” gjêjmë jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë, Mal të Zí, Amerikë Veriore, Itali, Kosovë e njeti.
Përditsi i Shkollës: Tue shfletuem Përditsin e Shkollës të përpiluem vjetin shkolluer 1933/34 e vazhdue përpiknisht deri tesh, po çeku disa ngjarje mâ të spikatne që kanë lidhje të ngushtë me jetën e shkollës. Prej vjetit 1918 deri vjetin 1944 ndoqën mësimet në shkollë: 710 vetë që nep mesatarën 27 vetë në vjetë me nji tepricë prej 8 vetësh.
Ndodhjet: me 5. IV. 1923, Prof Mehmet Vokshi, Inspektuer i Arsimit të Shkodërs viziton Shkollën e Shirokës dhe lên nji raportë të shkrueme shum të mirë; prej vjetit 1918-1919 deri në 1933-1934 shkolla ka tri klasë kolektive; me 19. XI. 1934 themelohet Kashëza shkollore e me 20. XI. 1934 krijohet Kopshti Bujqësuer; me 13. V. 1935 lehet e para fletë inspektimi prej Prof. Kolë Kocit, inspektuer i Arësimit të Shkodërs; me 2. VI. 1935, Trupi mësojtuer dhe xânsat e Shkollës së Krujës i bâjnë nji vizitë Shkollës së Shirokës. Me 16. 9. 1935 i shtohet Shkollës e pêsta klasë e me 19. VI. 1936 ka vend i pari provim i Lirimit në praní të Përfaqsuesit t’Inspektoris s’Arësimit të Shkodrës, Z. Angjelin Leka. Me 29 t’atij moji shpërndahen Diftesat e Lirimit me nji shfaqje theatrore. Me 19. II. 1937, Princeshat Mbretnore të Shpís Zogu, vizitojnë Shkollen e dhurojnë fr.ar. 200 me të cillën shumë u bâhen fëmijve nga nji palë tesha dokut dhe nga nji palë të mathuna. Me 28. IX. 1937 krijohet Dita e Prindës e me 25 deri me 28 Nanduer t’atij vjeti lutet shkëlqimisht Jubileu Kombtár i Lirís me çfaqje të ndryshme theatrore në bashkëpunim me Shkollën Fêmnore të Punës së Dorës. Me 28. V. 1938 mësuesi dhe xânsit e Shkollës së Shkodrës “Dugajët e Reja” vizitojnë Shkollën; me 17. VI. 1938, nisin Provimet e dyta për Diftesë Lirimi në prani të Përfaqsuesit t’Inspektoris s’Arsimit të Shkodërs z. Lin Mëshkalla dhe të mësuesit të Shkollës Zogaj, z. Xhemal Xhahysa, e me 30 t’atij moji shpërndahen diftesat e Lirimit. Me 25. 5. 1942, Mkambësi i Mbretit, viziton Shkollën e Shirokës. Me 24.XII. 1939 xânsat e Shkollës së Shirokës marrin pjesë ndër garat krahinore ku del i pari ish-xânsi i Shkollës Ton Pavaci.
KUADRI I MËSUESAVET
Vjeti Êmni-Mbiêmni Cillsija
1874 Dom Zef Ashta themelues
1874-78 Dom Agostin Babbi mësues shkolle dhe besimi
1878-1881 Imz. Ndré Logoreci mësues shkolle dhe besimi
1880-81 Z. Perikli Bonatti mësues shkolle
1881-1883 Imz. Ndré Logoreci mësues shkolle dhe besimi
1883-1884 Dom Tomë Volaj mësues shkolle dhe besimi
1884-1887 Dom Mëhill Naraçi mësues shkolle dhe besimi
1887-89 Dom Gaspër Bufli mësues shkolle dhe besimi
1890-1892 Dom Pjetër Kotrri mësues besimi
1890-1918 Z. Ndoc Ronkali mësues shkolle
1892-1901 Dom Zef Gurakuqi mësues besimi
1901-1904 Dom Pjetër Ivanaj mësues besimi
1904-1906 Dom Gjon Bushati mësues besimi
1906-1910 Dom Ndoc Mjeda mësues besimi
1910-1911 Dom Mati Bregu mësues besimi
1911-1913 Dom Mark Shllaku mësues besimi
1914-1916 Dom Gjon Gjergji mësues besimi
1916-1917 Át Gentile Biella mësues besimi
1917-1918 Dom Aleksandër Sirdani mësues besimi
1919-1922 Z. Kolë Brahimaj mësues shkolle
1919-1944 H. Sait Zaganjori mësues besimi
1922-1923 Dom Mark Shirqi mësues besimi
1923-1924 Z. Nush Kiçi mësues shkolle
1923-1929 Dom Pashko Zojzi mësues besimi
1924-1929 (’31-’33) Viktor Kiçi mësues shkolle
1928-1930 Z. Kolë Mosi mësues shkolle
1929-1933 Dom Luigj Zojzi mësues besimi
1930-1931 Z. Palokë Traboini mësues shkolle
1933-1939 Z. Gjush Sheldija mësues shkolle
1933-1939 Dom Zef Shllaku mësues shkolle
1939-1940 Z. Lin Çurçija mësues shkolle
1939-1940 Z. Pjetër Sheldija mësues shkolle
1939-1940 Z. Zef Tarnaku mësues shkolle
1939-1940 Dom Ndré Plani mësues besimi
1940-1944 Z. Cin Bushati mësues shkolle
1940-1944 Dom Dedë Plani mësues besimi
***
Pseudonimi “Gjeto Kola” (Autori i shkrimit Gjush Sheldija) Shkodër 23-IV-1944
Marre nga Revista kulturore “LEKA”, 1944, nn. 9-10, fq. 438-444
Pregatiti: Arben Marku (Ndreca)