ARKIVI:
28 Dhjetor 2024

Gllogja, vendi ku mëkohet tradita dhe modernja

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Shkruan: Syrja ETEMI, Tetovë

Në rrugëtimin e beftë përgjatë vendbanimeve të vargëzitur në brezin ylberosh Rrëzësharrit, kësaj radhe – të krahut verilindor të Tetovës, ndali revanin në katundin mjaft pitoresk e të qetë. Ndali hapin aty ku banorët më shumë veprojnë e më pak flasin. Sepse për ta flet me krenari vet puna, djersa dhe angazhimi. Aty ku njerëzit dinë të çmojnë e vlerësojnë, posaçërisht – të mbarën dhe kametin; të bukurën dhe estetiken; historitë dhe legjendat, zakonet dhe traditat, por edhe bashkëkohoren dhe modernen pozitive. Kur futesh më në brendësi të këtyre njerëzve punëdashës, veneron ashiqare se gllogjanët me dashurinë dhe kompetencën më të madhe flasin jo vetëm për të tashmen, por, kurrë dhe assesi nuk lënë mangët pa mos u kredhur edhe në të kaluarën e vendbanimit dhe pa mos të gostitur edhe me dromca meselesh, me ndonjë mahi, madje edhe me ndonjë këngë. E, ty të duket se legjendat në këtë vendbanim s’kanë të sosur, sikur mëkojnë njëra tjetrën. Përcillen e barten nga brezi në brez për të arritur deri në ditët e sotme. Banorët e këtij fshati me shumë kujdes i ruajnë dhe i rrëfejnë ato. E, si mos t’i kesh “zili” këta banorë rezidentë?

DISA TË DHËNA TË RËNDËSISHME …

Në kilometrin e katërmbëdhjetë të rrugës: Tetovë – Jazhincë gjendet fshati Gllogjë – në lartësi mbidetare prej 550 m. Etimologjia e emrit të këtij vendbanimi ka domethënie bizantine, k a ll o gj e r, që do të thotë: murg. (D.m.th. emërtim sacral – me kuptim nga zhargoni fetar)
Nuk posedojmë të dhëna të shkruara se prej kur ekziston ky vendbanim dhe, nëse ka ekzistuar, si është quajtur ai. Së pari e hasim në Dokumentet Turke të sh.XV, përkatësisht në vitet 1481-1482, i cili ka pasur: 31 familje, më 1544-1545, ku për herë të parë janë të regjistruara 7 familje muslimane, 27 familje të krishtera, kurse më 1568-69 ka pasur 10 familje muslimane dhe 15 të krishtera.
Sipas Statistikave zyrtare më të fundit, ky fshat ka 1295 banorë, prej të cilëve 76% (985 banorë) janë shqiptarë. Kufizohet me Përshevcën në perëndim, me Dobroshtin në lindje dhe me Jelloshnikun në veri (i cili sot llogaritet vendbanim i braktisur pa asnjë banor).

DISA TË DHËNA GOJORE NGA BANORËT E FSHATIT

…Me këtë rast, fillimisht do të shtroj disa shënime që i kam “qëmtuar” nga i ndjeri tanimë, z. Shefki Haliti, i cili posedonte dhe ruante disa të dhëna evidente dhe mjaftë të rëndësishme për historikun e Gllogjës, me disa plotësime, në këtë shkrim pretendues.

“Në fillim të sh. 16 (aty ka vitet 1520-1530), d.m.th. para 490 apo 500 viteve, në Gllogjë, në këtë vend me shumë bahçe me florë dhe faunë të pasur dhe me fusha e tokë pjellore në rrafsh dhe me zabele, pyje, male e bjeshkë të begatë, nuk dihet para sa e sa kohësh në thellësi të historisë, është vendosur shqiptari mysliman, Selman (Sulejman) Lika (Lita), i cili paraprakisht duhet të ketë ardhur në fshatin Strazhë të Kaçanikut, mandej, bashkë me nënën e tij, për nja 2-3 muaj përqëndrohet në Parcë, e mëpastaj për t’u ngulitur në Gllogjë, pasi më kishte blerë tokë nga spahiu, Ibrahim Begi (një batakçi dhe njeri i dhënë pas bixhozit).
Selmani pasi “rehatohet” në vendbanimin në fjalë, nga Gllogjani i Kosovës e merr edhe nipin (djalin e vëllaut), Demirin, i cili këtë vend ku jetonte mixha Selman, ia vëndoi emrin prej nga vinte, d.m.th. Gllogj(an). Sipas disa gojëdhënave që janë ruajtur deri në brezat e sotëm, të parët e Likajve rrjedhin nga nënfisi ilir, Likaj, që i përkiste fisit të madh ilir Dalmatët. Në mesjetë, të parët e këtij fisi kanë pasur marrëdhënie martesore me fisin kryesisht shqiptar, Berishë, nga i cili rrjedh vëllamëria Kryeziu. Nga fisi më i madh që përmendëm, pjesëtarë të fisi përhapen në Veri të Shqipërisë (në Buzmadh -200 familje, nga ku rrjedh edhe i pari i themeluesit të Gllogjës), në Kosovë, por edhe në viset shqiptare të Maqedonisë. Konkretisht në Gllogjë, siç përmendëm më lartë (gjithnjë sipas shkrimit të personazhit që përmenda më lartë), së pari vjen Selmani i cili ka patur 5 djem e dy vajza. Djemtë kanë qenë: ISMAILI, ELEZI, HAJREDINI, MUSTAFA dhe ARIFI ….Dhe, prej këtyre emrave janë formuar mëhallë me të njëjtët emra, duke shtuar këtu edhe Demirin (nip i të parit, Selmanit). Familjet më të njohura në Gllogjë janë : selmanallarët që njihen si familia më e madhe, sadikallarët, amitallërt, çuçat, blokat etj”.
Të dhënat e mësipërme kishin të bëjnë me disa thekse që kanë të bëjnë me të kaluarën e fshatit, prejardhjen, dëshmi këto të përligjura me dëshmi të shkruara dhe gojëdhëna të ndryshme, kurse, në vazhdim t’u qasemi edhe disa premisave komplementare të nxjerruna nga prononcimet e banorëve të fshatit, duke filluar nga të dhënat plotësuese për të ashtuquajturat: LAMËT E SPAHIJVE. Kështu nënvizonte në shkrimet e tija vendaliu i këtij fshati, z. Aliti:
“Ky është vendi ku kryqëzohen katër rrugë fushe, ku janë mbledhur nga turqit frutat dhe prodhimet bujqësore, bile edhe oriz e pambuk, madje edhe drithëra, si: grurë, misër, groshë, konop, hashash, etj.

Para shumë vitesh, fshati ka patur furrë buke, pusin e mullirin e fshatit. Më vonë, në kohën e ekupimit serb, prej vitit 1915, ka funksionuar shkolla në gjuhën serbe – në katundin më të afërt, Dobrosht dhe, diku rreth vitit 1925 këtë shkollë e kanë mbaruar dy vajzat e hoxhës, Halit Aliti (motrat: Emine dhe Fikrije-nëna e Prof. Dr. Salajdin Memedit), si dhe Izet Elezi dhe Refet Qazim Aliti (babai i Shefki Alitit, nga i cili janë marrë këto të dhëna).
Fshati ka patur shkollën fillore shqipe prej vitit 1945 – me mësuesin e parë, dibranin, Halil Gola.
Për fenë islame kanë zhvilluar mësimin, Efendi Islami nga Dobroshti dhe Efendi Hasani nga Përshevca, që të dy – me fakultet Teologjik – në Stamboll.
Kur jemi te zhvillimi i aktivitetit fetar në këtë vendbanim, vlen të theksohet edhe fakti se, Gllogja, që para njëqind vitesh ka patur autoritet fetar, përkatësisht, Mulla Musë Efendiun – me Fakultet Teologjik të Stambollit, i cili, akoma në këtë anë përmendet si Musë Klloxha”.
Sipas disa shkrimeve të autorëve sllavë, sidomos ato të viteve 1947,48, Gllogja (në këtë kohë) ka patur edhe shtëpi me banorë krishterë, të ardhur nga vise të ndryshme të kësaj zone, sidomos, karakteristike është popullata e ardhur nga Dufi i Gostivarit, përkatësisht Rekës së Epërme, në këtë kohë: 15 shtëpi (Familja Popoj – familje shenjtorësh), për të cilën, banorët shqiptarë i konsiderojnë si shqiptarë të ritit ortodoksë, të cilët deri vonë në familje apo në shtëpi kanë folur dhe kënduar shqip, por që i ka dalluar vetëm përkatësia fetare.

Legjenda e varrimit të nuseve te vendi Ermish

Legjendat e fjetura sikur zgjohen nga gjumi. Ato sikur janë lidhur nyjë te Dy Vidhat e stërmoçëm. Aty ku shekuj e shekuj pleqtë e fshatit zgjatnin muhabetin deri në netët e gjata të dritës së hënës. Aty rrëfehen meselet e ndodhitë e e që kanë lënë nishan në këto vise, e posaçërisht te vendi i quajtur Ermish. Kështu, mësuesi i këtij katundi sakral, z.Rasim Elezi, i ngërthyer nga dehja e nostalgjisë, kështu e fillon rrëfimin: “Dikur në këtë vend (s’mbahet mend se kurrë),”nji defa krushësh pi ka Nerashti, marën nause pi ktua katundet këndi Klloxhës, e, nji defa qietër xhi kishin mar nause pi kataundet andi ka Odri, zatieken te Di Vejdhët n’Klloxh, ktau te jën sot Vuaret e Krushve. Simas zakuanit t’at’hiershëm, krushët me nause nuk duhet ta liruëjn udhën… Kur zatiekën ktau të di palët, zihen se kush du “çiele udh”. Nejsën lufta e madhe. Krushët faruhan kejt. Jesën vetëm di nauset e rieja. Ma n’fund, ene ktua zihen, ene vrejtën tu dijët. Kejt xhenazet xhi kajn mbiet, i varuasin n’at viend xhi jan vra: Te Vuaret e Krushve”. Ene ner vuan ktau ka ardh era xhak, “era mish”. Për ashtau ktaj viendit ndrejshe i thaujn ene Te Vuaret Ermish”. Për të njëjtën legjendë, prof. Femi Memeti nga po i njëjti fshat, deklaron: Në fshatin Gllogjë është akoma gjallë njeri nga vidhat që para nja 20 viteve është tharë. ( Themi “njëri”, sepse ka patur dy vidha). Ky duhet të ketë mbi 500 vjet vjetërsi. Thuhet se midis tyre qëndron varri i nuseve që, sipas legjendës janë vrarë njëra me tjetrën – pasi të dy palët e krushqive qenkan ngrirë me shpata e thika, për të mos i liruar rrugë, njëri-tjetrit.

VENDEMËRTIMET E GLLOGJËS

Fshati Gllogjë ka një toponimi dhe mikrotoponimi shumë të pasur, e cila të duket se ruan me besnikëri timbrin e emërtimeve të të parëve të këtij vendbanimi. Në vazhdim do të paraqesim disa syresh, dhe që do të jetë një material i vyeshëm për shumë kërkues, studiues e, eksplorues të ndryshëm:
AGAÇE, ARËT E PULËS, ARËT E VAKAUFIT- Kanë qenë djerrina, kurse tani – ara të mbjella me pemë frutore, BAFÇJA MULLEJNIT, BAFÇJA E SHKIEVE, BELLOSHI – Vend me ara në Pollog, ndryshe quhet edhe Sibinka. BRAZDA- Vend me livadhe, në të djathtë të rrugës: Tetovë – Jazhincë. ÇAUKA- Kodrinë në Sharr në atarin e Gllogjës, në bregun e majtë të lumit. ÇESHM’E SLLOGJEVE- Çesmë që gjendet në këtë vend. ÇESHM’E PREJFTIT, ÇESHM’E RUPËVE- Çesmë që gjendet në Rupe. ÇESHM’E VËRBICËS- Çesmë që gjendet në Vërbicë (në fushë).
ÇANËNKA (KODRAKI), DAUÇE, DUBRAVA- Vend me ara pjellore në Pollog, në afërsi të Jegunovcës. GJURISHTJA (Kamenjaçe)- Vend me toka të punueshme në Pollog. DUSHK’I MADH, GJUR’I MADH- Vend ku janë kryer shumë rite të ndryshme. GJUR’I VOGËL, HAJMALIET-Vend me ara në formë trekëndëshi. HAZËRKAT, JARUViEC- Vend me kullota ku fshati merr ujë për pije. KAMERICA, KLENI- Vend me ara, në të djathtë të rrugës: Tetovë-Jazhincë. KOTARI-Vend me livadhe, në të djathtë të rrugës: Tetovë- Jazhincë, TE LËMËT E SPAHIJVE, LIDIN’E BURISIT- Djerrinë rrëzë Sharrit. LIDIN’E MADHE- Djerrinë shumë e madhe rrëzë Sharrit. LIDIN’E VOGËL- Djerrinë e vogël rrëzë Sharrit. LIPA, LIVADHET E PREJFTIT, LUG’I STUPËNIT, LLAGAÇE- Vend me ara në Pollog. LLAZIJA- Vend me ara, livadhe në Pollog; me megje dhe shumë therra. MLLAKA- Gjendet rrëzë Sharrit. Ka burim dhe tokë moçalike. MOMILLKA, MULLEJN’I VJETËR, NDËRORMË- Vend në fushë e me ara, orma dhe moçalishte. OGRADE- Vend me livadhe, në të djathtë të rrugës: Tetovë-Jazhincë. OTAVA, ORMËNET- Orman nga verejshkët në Pollog. PADINA- Vend me livadhe dhe gështenja, rrëzë Sharrit- deri te varrezat. POROVEJSHT- Vend me lym aluvial, në të majtë të të rrugës: Tetovë- Jazhincë. PREKAÇE- Vend me ara në Pollog. PROJ GREJSHTES- Përrockë e vogël që kalon përmes Grejshtes. PEFÇEJNA, REZINA (KALAViESHI), RUPE-Vend me ara e me lagështi. RUPËT E GJATA, SLLOGJE- Vend me ara, livadhe e zabele në Pollog ku ka edhe burime uji. SIBINKA, SIMUNKA, SURIQASE- Vend me livadhe në të djathtë të rrugës: Tetovë- Jazhincë. TE BOTA- Vend me tokë argjilore. TE KSHTËJËT- Vend rrëzë Sharrit me shumë gështenja. TE GJURZIT- Vend me shumë gurëz të mëdhenj të shkaktuar nga lumi i Bistricës. TE VuARET ERMISH (Vendemërtim që lidhet me legjenda të stërlashta), TE VuARET, VuARET E KRUSHVE (Sqarim i mësipërm), TUMA – Vend në lindje të fshatit, në mes Gllogjës dhe Jegunovcës, që në jugperëndim kufizohet me Përshevcën dhe njihet edhe me emrin TE LEKË(T), VËRTIPRAE – Vend me ara në Pollog, VNiESHTËT- Vëreshtët e fshatit, rrëzë Sharrit, VEJA E QIRËS, ZENDELOVA – Orman më verejshka në fushë, ZUKA- Vend me livadhe në afërsi me Jegunovcën – janë të rrethuar me muranë apo grumbuj gurëzish.

Kështu, po e përfundoj shkrimin për këtë vendbanim mjaft karakteristik, duke qenë gjithnjë i vetëdijshëm se nuk janë thënë të tërat. Kanë mbetur edhe shumë gjëra për të shprehur e për të shkruar. Por, mendoj se kjo që është thënë, është bërë me një dashamirësi dhe përkushtim shumë diskret dhe të çiltër, në mënyrë që të lë shkas për ndonjë rast tjetër e për ndonjë reportazh më inkluziv e më gjithëpërfshirës.

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu