Nga: Fitim Çaushi, Gjirokastër
Në protestën e akademikut Tole, ndaj dokumentarit “Gjurmë Shqiptare”, dhe Simpozimit të Shoqatës së “Labërisë”, Nderi i Kombit, lexojmë: “Synimi i dosjes ishte që të regjistrohej në UNESCO trashëgimia me shumë zëra e shqipërisë që përfshin Toskërinë dhe Labërinë”. Synimi duket i mirë, por mjerisht Tole nuk ka regjistruar në UNESACO trashëgiminë me shumë zëra të Shqipërisë, ka regjistruar “isopolifoninë” e sirenave greke. Kjo konfirmohet edhe në videon e titulluar “The Albanian Iso-Polyphony”, e përfshirë në faqen zyrtare të UNESCO-s, me titra në gjuhën angleze, e lëshuar, në emër të Republikës së Shqipërisë, Radio-Televizioni Shqiptar dhe Këshilli i Muzikës Shqiptare, ku, e ashtuquajtura “Iso-Polifoni” kushtëzohet nga mitologjia e sirenave.
Këtë video e konfirmon edhe Enciklopedia e Iso-polifonisë: “Dosja e përgatitur nga pala shqiptare përfshin:
1.Kërkesën zyrtare të Komisionit Kombëtar Shqiptar të UNESCO-s.
2. Bibliografinë e punimeve të autorëve të huaj për isopolifoninë.
3. Bibliografinë e punimeve të autorëve shqiptar për isopolifoninë.
4.Të dhëna dhe botime zyrtare ku kondohet në iso-polifoni.
5. Pesë format e tjera të propozuara siç kërkohet në formularin e aplikimit
6. Studimin e plotë shkencor për iso-polifoninë nga Vasil S. Tole.
7. Studimin Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve isopolifonike të Epirit, 2005 nga Vasil S. Tole.
8. Harta të ndryshme të Shqipërisë.
9. Një video profesionale e tipit korsive e titulluar Albanian Iso-polyphoni, 10 minuta e cila pasqyron elementët më të rëndësishëm të dukurisë muzikore të Iso-polifonisë.
10. Autorizime dhe dokumente që provojnë të drejtën e autorit për materialet e mëposhtme. (Enciklopoedia e Isopolifoinisë Shqiptare, Uegen, 2007, f. 128-129)
Sikundër shihet, vidioja profesionale është futur në UNESCO nga Vasil S. Tole, i cili ka botuar edhe autorizimet për të siguruar të drejtën e autorit. Madje gjithë materiali letrar është përpiluar nga Vasil S. Tole, duke paraqitur lista të falsifikuara të etnomuzikologëve dhe studiuesve shqiptarë dhe botërorë me botime për “isopolifoninë”, ndërkohë që asnjë nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj nuk ka shkruar për “isopolifoninë”. Midis këtyre listave është depozituar edhe libri i Toles “Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit.” Në këtë libër, të katër elementët e kopertinës, Odisea, Sirenat, Isopolifonia dhe Epiri, konsiderohen prej Toles me origjinë etnike greke. Po sjellim dy detaje të etnitetit grek të këtyre elementëve prej akademikut Tole: “Iliada” dhe “Odisea”, përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkon aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë”. (S. Tole, Odiseja dhe Sirenat, vep. e cit. f. 65) Sikundër shihet polifonia shqiptare studiohet mbi një libër – “Odisea” – që flet për parahelenët. Këtu qartësohet problemi dhe të katër elementët bazë që dominojnë librin e Toles janë etnitete greke, jehonë e parahelenëve dhe jo e parailirëve, ndonse Homeri i konsideron trojanët Dardani.
Argumenti dytë; Tole shkruan: “Në mitologjinë e lashtë greke sirenat paraqiteshin si qënie gjysmë zogj dhe gjysmë gra.”( Vasil S. Tole, Odiseja dhe Sirenat…vep e cit. f. 10) Tole pohon se sirenat kanë prejardhje nga mitologjia greke, çfarë lidhja ka polifonia e popullit shqiptar me mitologjinë e sirenave greke?
E falëndojmë akademikun Tole për konfirmimin, se Dosjen për UNESCO, e kryeson kërkesa zyrtare e Komisionit Kombëtar Shqiptar të UNESCO-s. Për këtë komision, Tole sqaron: “Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore, është organi më i lartë në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore. Ligji “Për trashëgiminë kulturore” i vitit 2003, neni 5, pika 3, konfirmohet se Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore kryesohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe përbëhet nga drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e TKRS, drejtori i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, drejtori i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, drejtori i Institutit të Kulturës Popullore, Sekretari i Komitetit Kombëtar të UNESCO-s pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, përgjegjësi i Sektorit të Trashëgimisë Shpirtërore në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e TKRS”.(Enciklopedia e isopolifonisë , vep e cit. f.162)
Sipas radhës kanë qenë: Ministri, drejtori i Trashëgimisë Kombëtare Vasil Tole, drejtori i inventarizimit Koço Gjipali, drejtori i Veprimtarive Folklorike Ermir Dizdari, drejtori i Institutit të Kulturës Popullore prof. Afërdita Onuzi, Sekretari i Komitetit Kombëtar të UNESCO-s pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme…? dhe specialisti Arian Avrazi.
Tre drejtorët nuk kanë patur dijeni për dërgimin e kësaj dosjeje: Mjeshtri i Madh Ermir Dizdari, i cili më 31 tetor 1997, me shkresën Nr. 254, Ministria e Kulturës Arta Dade, e emëron me detyrën e specialistit në Drejtorinë e Arteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve, ndërsa në shkurt të vitit 1998, emërohet drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Kulturore Artistike. Më 9 shkurt të vitit 1999, me Urdhërin Nr. 49, Ministri Edi Rama e ndryshon emërtesën në “Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike” dhe me urdhërin e datës 20 prill 2000, me Nr. 142 Prot. Ministri shpall Komitetin Organizator të Festivalit Folklorik Gjirokastër 2000, kryetar të të cilit emëron drejtorin e Qendrës së Veprimtarive Folklorike Kombëtare, Ermir Dizdarin.
-
Z. Edi Rama emërohet President i Festivalit.
-
Z. Ermir Dizdari emërohet Kryetar i Komitetit Organizativ të Festivalit.
Me këtë status, Drejtori i Qendrës së Veprimtarie Kombëtare Folklorike, Ermir Dizdari, ka qenë automatikisht anëtar i Komiteti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore. Por Tole e ka shmangur Ermir Dizdarin, sikundër pohoi ai në dokumentarin “Gjurmë shqiptare”. Vasil Tole ka shmangur edhe Drejtoreshën e Institutit të Kulturës Popullore, prof. Afërdita Onuzin dhe drejtorin e Inventrizimit të Monumenteve të Kulturës, Koço Gjipalin, të cilët kanë pohuar, se nuk kanë asnjë dijeni për këtë dosje të UNESCO-s. Mbetet engmë, a ka patur dijeni vetë Ministri dhe Sekretari i Komitetit të UNESCO-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme!
Tole ka shkruar tek “Enciklopeda e isopolifonisë”, se Dosja u përgatit për në UNESCO nga shteti shqiptar. Përderisa aplikimion e ka bërë Shteti Shqiptar, përse i janë dashur Vasil Toles autorizimet dhe dokumentet për të vërtetuar autorësinë e tij në UNESCO?! Si mundet ta ketë bërë aplikimin në UNESCO shteti shqiptar, kur Tole shkruan: “Si ekspert i etnomuzikologjisë në vitin 2005, Vasil Tole përgatiti dosjen e isopolifonisë popullore shqiptare, e cila u shpall nga UNESCO “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” (Enciklopedia, vep e cit. f. 320). E ka dokumentuar vetë Vasil Tole, se dosjen e ka përgatitur vetëm Vasil Tole, jo grupi i punës. Përse dosjen ta përgatiste një fillestar i etnomuzikologjisë, që nuk kishte botuar asnjë studim shkencor deri në vitin 2003 dhe jo kolegjialisht me specialist të vërtetë të Institutit të Kulturës Popullore?
Tole pohon, se dosja është shkruar nga Qeveria Shqiptare! Cila qeveri, se rezulton që nga grupi i punës ka mbetur vetëm Ministri, Vasil Tole dhe vartësi i tij, inspektori Arjan Avrazi, i cili ka mbaruar për kompozicion në Konservator, por që doli krejtësisht i paaftë dhe hëngri bukë nga babai, Artisti i Popullit Gaqo Avrazi, një nga intelektualët dhe muzikantët e shquar, që ka vënë gurin e themelit në Fondin e Artë të Kulturës Kombëtare. A ishte Arjan Avrazi anëtar i Komisonit Kombëtar të UNESCO-s në vitin 2003? Vallë ky Këshill Kombëtar e ka urdhëruar Vasil Tolen të përgatiti dosjen për “isopolifoninë” greke, ndërkohë që harta e saj shtrihet deri në Shkumbin! Po të ishte kështu, s’kishte pse ta mbronte vetëm Vasil Tole këtë pjellë të nëmur, e mbronin edhe anëtarët e tjerë të Këshillit Kombëtar.
Cili shtet shqiptar e ka autorizuar Vasil Tolen ta tjetërsojë trashëgiminë shqirtërore të popullit shqiptar si “isopolifoni” dhe ta paraqesë si huazim nga krijimtaria e popullit grek me harta deri në Shkumbin? Tole ka futur në dosje studimet dhe librin e tij për sirenat, pse nuk futi edhe studimet e etnomuzikologëve Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, apo librin “Polifonia Labe” të Spiro Shitunit, për të marrë karakter institucional, jo individual?
Për të fshehur problemin kryesor, Tole sulmon: “Tendenca e kundërshtuesve është që të rrudhin e zvogëlojnë shtrirjen gjeografike që përfshin kjo traditë e jashtzakonshme vetëm në një zone të caktuar, kurse qëllimi i aplikimit te shtetit shqiptar në UNESCO, ishte që e gjithë zona natyrale e këndimit me shumë zëra në Shqipërinë e Jugut, të ishte e përfshirë…”
Tole qëllimisht nuk e motivon karakterin e kundërshtimit nga studiues, muzikantë, intelektualë dhe shoqata “Labëria” ndaj diversionit të tij. Duke bërë “patriotin”, Tole akuzon kundërshuesit, sepse nuk pranojnë shtrirjen e “isopolifonisë” greke në territorin natyror shqiptar, e ca më pak deri në Shkumbin, ku Tole ka shtrirë hartën e “isopolifonisë”! Përse Tole e shtrin hapësirën e iso-polifonisë së sirenave greke deri në Shkumbin, kur Epiri është me origjinë arbërore? Përse kjo koincidencë e “isopolifonisë” së Toles me pretendimet e shovinizmit grek për territor deri në Shkumbin, ndërkohë që ende mbahet i ngrehur Ligji i Luftës?
Është ky diversion politik i Toles (formë provokacioni) që kundërshtohet prej vitesh dhe jo se Shoqata “Labëria”, kërkon ta rrudhi polifoninë popullore shqiptare, e cila shtrihet edhe më lart Shkumbit, deri në Strugë e Kërçovë, madje edhe më lart, në Veri të Shqipërisë për të cilën studiuesi boshnjak Cvjetko-Rihtman në vitin 1954 ka shkruar: “Prania e polifonisë dyzërëshe në këto zona mund të shpjegohet si një trashëgim i huazuar nga fiset e lashta ilire, ose e kanë ruajtur ilirët e sllavizuar në këto treva” (Cvjetko Rihtman, – “O ilirskom porjeklu polifionia oblika narodne muzike, Bosnje i Hercegovine. Rad Kongresa Folkoorista Jugoslavije”. Na Bjelalnici, 1955. I u Puli 1952. Zagreb. 1958, f. 99)
Nëse, për mungesë provash objektive, nuk mund të thuhet asgjë e sigurtë mbi kulturën etnike të Epirit dhe Ilirisë, përse Tole e emërton “isopolifoni te grekët e Epirit në Greqinë Veriore”, ndërkohë që termi Greqi Veriore sot, i përgjigjet një nocioni politik, jo etnik, për shkak të vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në 1913. Çfarë intelektuali është ky matrapaz, kur për studime etnomuzikologjike antike, përdor harta politike të Shqipërisë së vjetër, pa Çamërinë dhe Kosovën brenda, sikurse harta e faqes 311 te Enciklopedia e isopolifonisë?
Në studimin monumental “Arbërit e Jonit”, Akademiku Pëllumb Xhufi, duke sjellë mijra dokumente veneciane dhe greke, e ka përjashtur përfundimisht Epirin si territor grek qysh përpara 1000 vjetëve.
I zënë në çark, se i është hequr peta lakrorit, Tole në reagimin e tij ndaj dokumentarit “Gjurmë Shqiptare” të datës 25 mars, shkruan: “Në asnjë rresht të dosjes nuk ka shprehje që polifonia jonë rrjedh nga muzika bizantine dhe të arrish në konkluzion të tillë, duke u nisur nga kjo, është qartazi abusive dhe keqdashëse…Për këtë mjafton të shihni sitin zyrtar të UNESCO-s: Albanian folk Iso-Polyphony – intagible heritage –Culture Sector UNESCO…”
Në faqen zyrtare elektronike të UNESCO, me adresë https://ich.unesco.org/en/RL/albanian-folk-iso-polyphony-00155, në referencën “Iso-Polifonia Popullore Shqiptare” është përcaktuar: “Termi ‘iso’ i muzikës tradicionale polifonike shqiptare lidhet me isonin e muzikës kishtare bizantine.” Po në këtë faqe, pas klikimit mbi fotografinë ku duket një grup prej shtatë këngëtarësh, shkruhet në tre gjuhë të huaja; anglisht, frëngjisht dhe spanjisht: “E prejardhur nga muzika kishtare bizantine, iso-polifonia shqiptare…” në fund të së cilës shfaqet sigla personale Vasil S.Tole. Nëse Tole ka bindjen, se dosja e futur në UNESCO, nuk e ka këtë dëshmi, ai duhet të kishte vrapuar në UNESCO dhe ta sqaronte, përse ekziston ky kushtëzim në faqen zyrtare të saj?
Për të dhënë garanci, se Tole nuk ka lidhje me korin e kishës bizantine, në protestën e tij shkruan: “Studimet e profesorëve të nderuar Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Spiro Shituni, dhe pas tyre edhe unë, ndajmë të njëjtin mendim, se kënga popullore e Shqipërisë së Jugut, është shumë më e vjetër se kultura e re muzikore bizantine.” Nëse Vasil Tole do të ndante të njëjtin mendim me etnomuzikologët shqiptarë për prejardhjen, jo nga kori kishtar bizantin, përse nuk e ka të njëjtin mendim me ta, edhe për “isopolifoninë”?
Në këtë Enciklopedi, Tole sqaron: “Futja e isopolifonisë në listën e kryeveprave që mbrohen nga UNESCO, do të sjellë më shumë mbështetje financiare për grupet popullore dhe studimet për isopolifoninë”. (Enciklopedia e isopolifonisë, vep. e cit. f.129) Pyesim ku kanë shkuar fondet financiare që ka dhënë UNESCO, në llogarinë e Shtetit Shqiptar apo në llogarinë e ndonjë individi?!
Pas vdekjes së profesorëve Ramadan Sokoli dhe Beniamin Kruta, Vasil Tole shpalli në 2005 “Isopolifoninë” e shpifur, ne po e ballafaqojmë me shkrimin në gazetën “Koha Jonë” të prof. të Universitetit Kolombia, etnomuzikologun e ndershëm, që ndëroi jetë para dy vjetësh në Amerikë, Spiro Shitunin, për të cilin Tole shkruan se “jemi në një mëndje”: “Siç duket, sapo u bë i njohur, nocioni iso-polifoni, u prit me irritim të madh, si nga qarqet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe nga qarqet shkencoro-artistikë në veçanti. Punonjësi shkencor i ish-Institutit të Kulturës Popullore, studiuesi i mirënjohur etno-organolog, Pirro Miso, erdhi me një numër artikujsh shkencorë, brenda të cilëve çështja vështrohej në gjerësi e thellësi. Për të përgjithësuar estetikisht mendimet mbi përdorimin ose mos-përdorimin e nocionit iso-polifoni, Presidenti i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, kompozitori i mirënjohur, Limos Dizdari, organizoi një diskutim të gjerë me studiues, kompozitorë, muzicienë, vjershëtorë, këngëtarë, instrumentistë nga i gjithë vendi. Në tërë këtë sagë, u vërejt se, vazhdimisht në bisht të situatës qëndroi Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, ndonëse është i specializuar për studimin e aspekteve të identitetit etnik të kombit shqiptar! Po ashtu, as Ministria e Kulturës e Shqipërisë s’e ka luajtur deri më sot rolin e saj përkatës administrativ!
Nocioni iso-polifoni u përdor gjerësisht, për herë të parë, në librin me titull Folklori muzikor: Polifonia shqiptare (Tole 1999), të etnomuzikologut Vasil S. Tole. Duke qenë se libri përmban gabime parimorë aq të shumtë e aq të mprehtë, pyesim: Në çfarë rrethanash është botuar vallë ky libër?! A janë marrë, apo nuk janë marrë, reçensa nga studiues të fushës së etnomuzikologjisë?! Me librin e tij të titulluar Folklori muzikor: Polifonia shqiptare, etnomuzikologu Vasil S. Tole, si papritur e pakujtuar, u shfaq si një kalorës i guximshëm polemist, i paparë ndonjëherë në historinë e etnomuzikologjisë shqiptare! Qysh në Parathënie-n dramatikisht të shkurtër, ai erdhi me një varg deklaratash të tejskajshme, të cilat, janë, në radhë të parë, sa profesionalisht të gabuara, aq edhe moralisht të shëmtuara! Tole u shfaq si mohues i tërë veprimtarisë kërkimoro-shkencore etnomuzikologjike të kryer nga studiuesit etnomuzikologë shqiptarë të mëparshëm, të vdekur ose të gjallë. Me arrogancë të shquar dhe jashtë çdo natyre akademike të një libri me pretendime shkencorë, ai ecën vendosmërisht në rrugën e mohimit të arritjeve të mëparshme etnomuzikologjike. Vallë, i ka lexuar studiuesi artikujt, studimet, monografitë e derisotme etnomuzikologjike mbi muzikën tradicionale shqiptare?! Vallë, a ka bërë ai ndonjë ekspeditë kërkimoro-shkencore në Gegëri, Toskëri, Labëri, etj., për të regjistruar këngë tradicionale fshatare e qytetare?! Siç duket, në çdo rast, studiuesi i shpreh mendimet e tij plotësisht jashtë përvojës kërkimoro-shkencore. Ky është cinizëm i pashembullt! Tërheqin vëmendje nocione të pakuptimtë, absurdë, si: “iso-polifoni;” “fenomen elitar i të menduarit muzikor shqiptar e më gjerë;” etj. Përsa i takon nocionit iso-polifoni, shpjegimi i përmbajtjes së tij, nga ana e studiuesit, mjerisht, është ndoshta absurditeti profesional më i madh i parë ndonjëherë në etnomuzikologjinë shqiptare deri më sot! Nocioni iso-polifoni shkon hapur kundër pikëpamjeve të studiuesve të tjerë etnomuzikologë e muzikologë shqiptarë, të djeshëm ose bashkëkohorë. Nocioni iso-polifoni, mjerisht është përdorur subjektivisht, personalisht, arbitrarisht… Por shkenca e etnomuzikologjisë shqiptare nuk mund të përparojë asnjëherë përmes fantazisë. Janë vetëm idetë e shëndosha teoriko-estetike me anë të të cilave ajo mund të ecë përpara. Terminologjia nuk mund dhe nuk duhet të jetë, në asnjë mënyrë monopol i ndonjë studiuesi të veçantë. Tole mendon gabimisht se, nga pikëpamja e vlerave estetike në përgjithësi dhe e tipareve melodiko-modalë në veçanti, muzika tradicionale shumë-zërëshe shqiptare qëndron më lart sesa muzika tradicionle një-zërëshe shqiptare, d. m. th., sipas tij, ajo është një “dukuri elitare.” Të pranosh se muzika tradicionale shumë-zërëshe e Shqipërisë së Jugut është elitare në krahasim me muzikën tradicionale një-zërëshe të Shqipërisë së Veriut, s’është veçse një qëndrim i njëanshëm estetik, një interpretim i gabuar i tipareve të tyre melodiko-modalë, një paragjykim pa asnjë bazë teorike ose praktike. Mediokritet i plotë”!
Vasil S. TOLE
Vasil Tole e mbyll protestën e tij me optimizëm: “Muzika shumëzërëshe e Shqipërisë së Jugut prej 18 vjetësh është aty ku e ka vendin e saj te nderit …” Ne i themi Toles, se muzika shumëzërëshme e Shqipërisë së Jugut, do të jetë aty, ku e ka vendin e nderit, jo si isopolifoni greke, por si polifoni popullore shqiptare.
Në faqen zyrtare elektronike të UNESCO, me adresë https://ich.unesco.org/en/RL/albanian-folk-iso-polyphony-00155
Traditional Albanian polyphonic music can be divided into two major stylistic groups as performed by the Ghegs of northern Albania and the Tosks and Labs living in the southern part of the country. The term iso is related to the ison of Byzantine church music and refers to the drone accompanying polyphonic singing. The drone is performed in two ways: among the Tosks, it is always continuous and su…
ich.unesco.org
|