Nga: Zeqir Bekolli, Drenas
___
Qeveria këtë fundvit vendosi të bëjë një tjetër hajgare me pensionistët e diskriminuar, duke shpallur një ndihmë prej 100 eurosh për secilin pensionist, pavarësisht nivelit të pensionit që marrin. Kjo “dhuratë” nga paratë e taksapaguesve u paraqit si një sukses i madh, ndërkohë që për shumëkënd nuk është gjë tjetër veçse një pagesë elektorale e kamufluar. Përmes këtij veprimi, qeveria trajtoi njësoj ata që marrin pensione të plota dhe ata që jetojnë me 120 euro në muaj – një pabarazi e dukshme që vetëm sa thekson diskriminimin ekzistues.
Pas shpalljes së lajmit, filluan të shpërthejnë lavdërimet për këtë “bujari” të qeverisë, por askush nuk guxoi të përmendë të vërtetën e hidhur: qeveria ende nuk e ka përfillur rekomandimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka cilësuar diskriminuese praktikën e tanishme që përjashton nga pensionet ata që nuk kanë plotësuar 15 vite të regjistruara të punës. Kjo padrejtësi prek sidomos ata që kanë punuar jashtë sistemit serb nga viti 1990 , ose që u larguan nga puna për shkak të represionit të asaj kohe.
Një “sukses” i vërtetë i qeverisë nuk do të ishte një pagesë simbolike në fund të vitit, por hartimi i një ligji që do të eliminonte diskriminimin e trashëguar nga një sistem i padrejtë. Një ligj që do të njihte të drejtën për pension për të gjithë ata që kontribuuan gjatë viteve më të vështira, kur mbijetesa ishte një sfidë e përditshme.
Në vend të kësaj, qeveria zgjodhi rrugën më të lehtë dhe më populiste, duke dhënë një lëmoshë që nuk e zgjidh asnjë problem real të pensionistëve. Këto 100 euro nuk mund të mbulojnë asnjë shpenzim të madh, e lëre më të përmirësojnë jetën e atyre që jetojnë në kufirin e varfërisë.
Nëse qeveria dëshiron të tregojë seriozitet dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve të saj, ajo duhet të trajtojë çështjen e pensioneve me një strategji afatgjatë dhe të drejtë, që siguron barazi dhe dinjitet për të gjithë pensionistët – jo me hajgare sezonale që vetëm sa thellojnë ndarjet dhe pakënaqësitë.