Shkëlqesia e Tij Dr. Fuad Asllani është ministri shqiptar në Londër, dhe Zonja Moss është e veja e të ndjerit Sir Edward Moss. — Burimi : The Tatler, e mërkurë, 10 korrik 1935, faqe n°21
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Janar 2025
“The Jewish Chronicle” ka botuar, të premten e 12 korrikut 1935, në faqen n°20, një intervistë asokohe me ambasadorin shqiptar në Londër, Fuad Asllanin, në lidhje me mirëpritjen e investitorëve hebrenj në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqipëria do të mirëpriste hebrenjtë
Mundësitë për emigrantët kapitalistë
Pikëpamjet e Legatës
Burimi : The Jewish Chronicle, e premte, 12 korrik 1935, faqe n°20
Ministri shqiptar në Londër (Fuad Asllani) lëshoi një deklaratë javën e kaluar në emër të qeverisë së tij, e cila përbënte një ftesë për hebrenjtë që të vendoseshin në atë vend dhe të investonin fonde në ndërmarrje bujqësore dhe industriale, duke premtuar lehtësira për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Ministri shqiptar e plotësoi këtë deklaratë gjatë një interviste që pata me të (shkruan një përfaqësues i Jewish Chronicle).
“Qeveria ime,” tha Shkëlqesia e Tij, “e shikon me sy të mirë mundësinë e ardhjes së hebrenjve për t’u vendosur në Shqipëri”. Ai shpjegoi se Shqipëria nuk do t’i mirëpriste hebrenjtë që thjesht donin të vinin në vend, “të bënin një fitim dhe më pas të iknin”. Ata duhet të vijnë me qëllim që të vendosen atje.
Ai theksoi mundësitë që ekzistonin në vend për investimin e kapitalit hebre dhe se qeveria shqiptare do t’i ndihmonte hebrenjtë që të merrnin sa më shpejt shtetësinë shqiptare, natyrisht brenda përcaktimeve të ligjit. “Por,” tha ai, “që të mund të zotërojnë tokën, duhet që sipas ligjit të bëhen shtetas shqiptarë”.
Pavarësisht se kultivimi në Shqipëri nuk është modern, tha ai, një hektar tokë prodhon në fakt 20 deri në 25 kuintalë misër dhe rreth 18 kuintalë grurë. Nëse do të kultivonim duke përdorur metoda moderne, padyshim që mund ta rrisnim këtë prodhim. Shqipëria, më siguroi ai, është e përshtatshme për të prodhuar oriz, duhan, vaj ulliri dhe panxhar. Sa i përket bagëtive, në vend, tha ai, kishte rreth 3 milionë dele dhe dhi dhe rreth 150,000 krerë bagëti. Hebrenjtë, falë lëndëve të para në dispozicion, mund të krijojnë fabrika. Eksporti i vezëve mund të jetë gjithashtu një burim biznesi i mirë. Vendi është i pasur me minerale. Atje shfrytëzohet nafta. Ka shumë mundësi edhe për turizëm.
Ministri deklaroi se nuk kishte asnjë kufizim për hyrjen dhe qëndrimin e një të huaji në Shqipëri, i vetmi përjashtim është punëtori i rastësishëm; nuk kishte asnjë taksë ndaj të huajve dhe nuk kishte absolutisht asnjë dallim race apo besimi. Popullsia përbëhej afërsisht si vijon : 68 % myslimanë; 20 % ortodoksë (grekë); dhe pjesa tjetër katolikë romakë.
Në Shqipëri ka shumë pak hebrenj, por nënkryetari i Bashkisë së Vlorës (10 mijë banorë) është një hebre i zgjedhur nga vetë popullsia. “Kjo, — tha ai, tregon shkallën e tolerancës së popullit të Shqipërisë.”
“Nëse hebrenjtë duan të vijnë në vendin tonë dhe të investojnë kapitalin e tyre, ata janë të mirëpritur.” tha ai në përfundim. Ai e cilësoi klimën e Shqipërisë si shumë të mirë dhe pak a shumë si ajo e Romës.
- Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/the-jewish-chronicle-1935-nese-investitoret-hebrenj-duan-te-vijne-shqiperi-ata-jane-te-mirepritur-intervista-me-fuad-asllanin-ambasadorin-shqiptar-ne-londer/.