ARKIVI:
25 Dhjetor 2024

Heshtja dhe komunikata e tradhtisë ndaj Republikës së Kosovës

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

Prof.dr. Eshref Ymeri

Para disa ditësh, përmes internetit, qe bërë e ditur se Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian “i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të votojnë në referendumin kombëtar të Serbisë, në një deklaratë të përbashkët të tyre, për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi” (Citohet sipas: “QUINT-i i kërkoi Kurtit ta lejojë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë”. Faqja e internetit “Portalb”. 14 janar 2022).
Ishte fjala për referendumin e 16 janarit. Madje theksohej se shtetet në fjalë “kanë mirëpritur këtë referendum, duke shtuar se reformat janë hap para drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane” (po aty).
Ky informacion ishte “interesant” deri në befasi. Po si shpjegohet që kryepolitikanëve të shteteve në fjalë nuk u paskej shkuar ndër mend absolutisht që, të paktën, para se t’i drejtoheshin qeverisë së Republikës së Kosovës me thirrjen e mësipërme, meqenëse Beogradi paskej menduar të bënte ndryshime kushtetuese, t’i kërkonin atij prerazi të shfuqizonte paraprakisht nenin me përmbajtje shoviniste, në të cilin Kosova vlerësohet si pjesë e Serbisë?
Do të ishte mirë që ndaj thirrjes së Brukselizmit dhe të Vashingtonit, Prishtina zyrtare të reagonte dhe të njoftone se do të bëjë regjistrimin e të gjithë minoritetit serb, me qëllim që të nxirrte në pah se sa janë dhe cilët janë ata serbë që janë vendosur me banim në Kosovë pas qershorit të vitit 1999, duke theksuar se nëse ka të tillë, atëherë ata janë sjellë qëllimisht aty si kolonë, me aprovimin e kryetradhtarit Thaçi, i cili largoi me dhunë nga Veriu i Mitrovicës 14 500 shqiptarë rrënjës. Pra, nëse ka serbë, të zhvendosur nga Serbia dhe të vendosur me banim në Kosovë pas qershorit të vitit 1999, atëherë ata duhet të rikthehen në vendin e tyre dhe 14 500 shqiptarët të cilët kryetradhtari Thaçi i pati shpërngulur me dhunë nga Veriu i Mitrovicës në shkurt të vitit 2000, të rithehen në vatrat e tyre. Sepse vetëm në këtë mënyrë vendoset drejtësia.
Të gjithë qytetarët shqiptarë me ndërgjegje të lartë kombëtare, në mbarë trojet tona etnike, me siguri që e ndiejnë veten shumë krenarë me treshen udhëheqëse Vjosa Osmani, Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe me Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili, në mbledhjen e datës 15 janar 2022, me 76 vota pro, mori vendimin në vijim:
“Kuvendi i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare… Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së Kosovës.” (Citohet sipas: “Miratohet nga Kuvendi rezoluta kundër referendumit të Serbisë në Kosovë”. Faqja e internetit “Drini”. 15 janar 2022).
Partia e kryetradhtarit Thaçi, me urdhrin e marrë prej tij, e braktisi Kuvendin para marrjes së vendimit, duke e prezantuar veten në sytë e popullit shqiptar të Republikës së Kosovës, si një formacion politik kokë e këmbë në shërbim të serbosllavizmit, si një tradhtare e pështirë e mbarë kombit shqiptar.
Megjithatë, nuk ka asgjë për t’u habitur nga kërkesa e shteteve të Bashkimit Evropian, drejtuar Prishtinës zyrtare për zhvillimin e referendumit të serbëve të Kosovës. Sepse Brukselizmi vazhdon ende të jetë nën ndikimin e “hashashit” të tradhtisë së Hashim Thaçit, i cili ka më shumë se një vit që prehet në qelitë e Hagës. Gjatë një periudhe 12-vjeçare (2008-2020), dialogu i kryetradhtarit me damkë Hashim Thaçi me Serbinë, i pati interesuar kryekëput Serbisë. Sepse atë dialog me kastën politike të bandës së Thaçit, Serbia, me mbështetjen dhe përkrahjen e gjithanshme të Brukselizmit, e pati kthyer në “pëlhurë të Penellopës”, me të vetmen arsye që Kosovën, në përputhje me kushtetutën e Serbisë, të vazhdojë ta konsiderojë pjesë të territorit të saj. E theksoj përkrahjen e gjithanshme të Brukselizmit për Serbinë, sepse kam parasysh deklaratën e ish-Shefit të UNMIK-ut Lamberto Zanieri, i cili, këtu e shumë vite më parë, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, pati deklaruar:
“… pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet sipas: Lamberto Zanieri. “Kosova ka mbetur në mes të rrugës”. Faqja e internetit “Radio Evropa e Lirë”. 16 prill 2011).
Sigurisht që ajo bashkësi ndërkombëtare evropiane, me kryeqendër sot Brukselizmin, ka pas qenë tradicionalisht armike e betuar e kombit shqiptar, prandaj edhe trojet etnike na i copëtoi në mënyrën më kriminale në vitin 1878 dhe në vitin 1913, kurse në vitin 1915, me Traktatin e fshehtë të Londrës, dhe në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919, pati hartuar plane edhe më kriminale, për fshirjen e tij krejtësisht nga harta e Evropës. Dhe ato plane të egra shoviniste, kryesisht për paaftësinë skandaloze të shqiptarëve për vetorganizim mbarëkombëtar, do t’i kishte vënë në jetë me siguri, sikur të mos kishte qenë ndërhyrja vendimtare e Presidentit amerikan Uilson (Woodrow Wilson – 1856-1824).
Brukselizmi dhe Vashingtoni mirë bëjnë që theksojnë se “reformat janë hap para drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane”. Por ama duhet pranuar haptazi se ky qëndrim i tyre është krejtësisht i pamoralshëm, është flagrant antishqiptar. Kjo për arsye se me lejimin e zhvillimit të referendumit të lartpërmendur, po kërkohej që, me përafrimin e Serbisë me Brukselizmin, të bëhej kurban sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe, tërthorazi, të hidhej një hap më tepër drejt krijimit të bashkësisë së komunave serbe, çka, siç është përmendur shpeshherë, s’është gjë tjetër, veçse krijimi i një mikroshteti serb brenda shtetit të Republikës së Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës bëri shumë mirë që mbrojti sovranitetin e vendit, duke e hedhur poshtë kërkesën e sipëcituar, për të mos lejuar që ai të bëhet “parcelë eksperimentale” e kujtdoqoftë.
Por shumë i habitshëm, madje tronditës, është qëndrimi i politikës amerikane ndaj Republikës së Kosovës, një politikë që ishte rreshtuar kryekëput përkrah Brukselizmit me thirrjen drejtuar Prishtinës zyrtare për lejimin e zhvillimit të atij referendumi.
Dihet që Republika e Kovës arriti të bëhej e pavarur dhe sovrane falë kontributit të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara për çlirimin e saj nga fashizmi serb. Por kohët ndryshuan. Me ardhjen në pushtet të Trampit (Trump) dhe të administratës së tij në vitin 2016, busulla e politikës amerikane, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, mori një kahje tjetër. Ajo u rreshtua përkrah Moskës dhe Beogradit, dy kështjellave tradicionalisht tejet armiqësore deri në ditët tona ndaj kombit shqiptar.
Kështu, i kapluar keq nga afshet e fushatës zgjedhore të vitit 2016 për postin e presidentit, Trampi qe shprehur publikisht se për të gjitha fatkeqësitë e Serbisë, fajin e paskej administrata e Klintonëve. Domethënë Trampit nuk i patën bërë pështypje absolutisht masakrat, vrasjet dhe shkatërrimet barbare që bisha fashiste serbe kishte kryer në Kosovë në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që kaloi. Prandaj ai pati deklaruar:
“Pikërisht ata (Klintonët – E.Y.) organizuan kaosin në Ballkan dhe në Kosovë. Shikoni se çfarë bënë ata në Serbi me bombardimet nga lartësi të mëdha. Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë. Ndërkohë, Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i politikës së jashtme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet sipas:“Trampi i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Marrë nga faqja e internetit “stihiya.org”. 25 dhjetor 2015).
Këtë informacion e ka pasë transmetuar edhe Radiostacioni “Zëri i Amerikës”, në datën 13 tetor 2016.
Dhe me të vërtetë: Trampi, si mik i Putinit, e ndryshoi krejtësisht kursin e politikës amerikane në raport me kombin shqiptar në tërësi dhe me Republikën e Kosovës në veçanti.
Faktin që Trampi ishte pozicionuar përkrah politikës së rusoserbizmit në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, e dëshëmon edhe një tjetër informacion, në të cilin shprehet hareja e Moskës për zgjedhjen e tij president. Në atë informacion thuhej:
“Deputetët e Dumës Shtetërore (parlamentit E.Y.), gjatë mbledhjes plenare, lajmin për fitoren e Donald Trampit në zgjedhjet për president në SHBA, e pritën me duartrokitje. Për këtë njofton “Interfaks”” (Citohet sipas: “Në Dumën Shtetërore duartrokitën për fitoren e Trampit”. Faqja e internetit “Novosti”. 09 nëntor 2016).
Por dale, se ka edhe më:
“Udhëheqësi i partisë liberal-demokrate ruse, Vladimir Zhirinovski, në Dumën Shtetërore shtroi një banket me rastin e fitores së Trampit në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Gjatë pushimit të seancës, në tryeza u mblodhën deputetë dhe gazetarë. Për qerasje u paguan 100 mijë rubla. Për gostitje u shtruan sallam, mish pule, sallatë, çokollata, shampanjë. Zhirinovski ngriti dolli për politikën e re të brendshme dhe të jashtme të SHBA dhe për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë”. (Citohet sipas: “Zhirinovski shtroi banket në Dumën Shtetërore me rastin e fitores së Trampit në zgjedhje”. Faqja e internetit “RBK Group”. 09 nëntor 2016).
Tani shikojmë se edhe politika amerikane e Presidentit Bajden (Biden), për fat të keq, është e rreshtuar në krah të Serbisë. Me sa duket, Departamenti i Shtetit, i kryesuar nga Blinkeni, po ecën në shinat e Sorosit, çka dëshmohet si më poshtë:
“Për Blinken-Soros dhe lidhjet e tyre të vjetra mund t’i gjeni të pasqyruara më mirë në “World Tribune”, të datës 21 Qershor 2021, nën titullin “Lidhjet Familjare të Sekretarit të Shtetit Anthoni Blinken dhe George Sorosin”, ku në vazhdim thuhet:
“Blinken, më shumë se punën e Departamentit të Shtetit, po bën atë të Sorosit…”.
Po kështu, flitet edhe për lidhjet e ngushta familjare të Donald Blinkenit, ish-ambasador i Amerikës në Hungari, lidhje që reflektohen edhe në gazetën hungareze “Hungarian Spectrum”, e cila ka publikuar se në vitin 2015, arkivës së “Shoqërisë së Hapur” të Universitetit Qëndror Evropiann (një nga universitetet e Sorosit), iu dha emri “Vera dhe Donald Blinken” (pra, i prindërve të Anthoni Blinkenit), në vlerësim të kontributit financiar që ky çift i ka dhënë këtij universiteti. Ndërkohë, së shpejti do të publikohet libri i autorit të mirënjohur Matt Palumbo, me titullin “The man behind the curtain” (inside the secret network of the George Soros), pra: “Burri prapa perdes” (në brendësi të lidhjeve sekrete të George Sorosit)” (Citohet sipas: Dr. Zekri Palushi. “Foltoret një ringjallje shpresash për Kombin Shqiptar”. Gazeta “Nacional”. 16-23 tetor 2021).
Në këto kushte, normalisht, duhej që atdheu amë, Republika e Shqipërisë, të dilte publikisht në mbrojtje të sovranitetit të Republikës së Kosovës, duke e kundërshtuar haptas thirrjen e Brukselizmit dhe të Vashingtoni. Por, fatkeqësisht, Tirana zyrtare, me Ramën në krye, bëri të paditurin, zgjodhi variantin e heshtjes tradhtare dhe para Brukselizmit dhe Vashingtonit u struk si miu në ferrë. Dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe, përderisa Rama, duke ndjekur shembullin e kryetradhtarit Enver Hoxha në marrëdhëniet me Beogradin gjatë viteve 1944-1948, në marrëveshje me kriminelin e Kosovës Aleksandër Vuçiç, me Ballkanin e Hapur ka për qëllim shndërrimin e Republikës së Shqipërisë në koloni ekonomike të Serbisë dhe as që i bëhet vonë fare për sovranitetin e Republikës së Kosovës. Madje vetë Rama, i rreshtuar përkrah Moskës dhe Beogradit, e ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e Republikës së Kosovës. Në këto kushte, duhen vlerësuar si të arta fjalët e shkrimtarit dhe të publicistit të njohur Kim Mehmeti, i cili, në një bisedë që zhvilloi pak ditë më parë me disa të rinj për Çështjen Kombëtare të Çamërisë, deklaroi se Rama ka më shumë kënaqësi kur takohet me Vuçiçin sesa kur takohet me Albin Kurtin.
Ky qëdrimi i heshtur, prej servili të neveritshëm i Ramës dhe i kastës së tij tradhtare, për të mos dalë në mbrojtje të hapur të sovranitetit të Republikës së Kosovës, dëshmon se Tirana zyrtare është zhveshur kokë e këmbë nga dinjiteti kombëtar, ka rënë në bark para Beogradit, para Brukselizmit dhe para Blinkenit, si mik i ngushtë i Sorosit. Ky qëndrim servil i Ramës ndaj Vuçiçit është kopje e qëndrimit servil të kryetradhtarit Enver Hoxha ndaj Titos dhe ndaj Bashkimit Sovjetik, i cili, sipas trurit të tij të mykur ng tradhtia kombëtare, ishte uji, ajri dhe dielli për popullin shqiptar, siç pati deklaruar në fillim të viteve ’50.
Por servilizmi i Ramës ndaj Blinkenit të Departamentit të Shtetit, mbart në vetvete një komedi të lezetshme, sepse ky lloj servilizmi, i shpalosur me aq “afsh përvëlimtar ndaj Amerikës”, në thelb, nuk përmban në vetvete as edhe një shkëndijë të vetme të simpatisë dhe të respektit të vërtetë për Tokën e Premtuar. Sepse Rama dhe banda tradhtare rreth tij, si pasardhës të partisë kriminale të punës dhe të kryeargatit të serbosllavizmit Enver Hoxha, në të vërtetë, në heshtje, janë antiamerikanë të thekur. Por “afshin e dashurisë për Amerikën” ua do puna ta shfaqin me një komedi të shpëlarë, për të vetmen arsye se Departamenti i Shtetit e shpalli “non grata” Prof.dr. Sali Berishën. Se në këndvështrimin e bandës në fjalë dhe të të gjithë bandës sorosiste në Shqipëri, armiku kryesor i tyre është Prof.dr. Sali Berisha. Sigurisht. Se Prof.dr. Sali Berisha dhe baza e partisë demokratike në përkrahje të tij, mund t’i hedhë në erë themelet e narkoshtetit kriminal që Rama po e mban në këmbë që prej shtatorit të vitit 2013. Prandaj Rama dhe eunuku i tij politik Basha, po bëjnë ç’është e mundur që, në ligjin për dekriminalizimin, të bëjnë një shtojcë, ku të thuhet se atyre që janë shpallur “non grata” nga një shtet tjetër, t’u hiqet e drejta për t’u zgjedhur deputet, duke theksuar se kjo shtojcë ka edhe fuqi prapavepruese.
Sigurisht, Rama mund ta bëjë këtë shtojcë në ligj, se dihet që ai e ka edhe mbështetjen e deputetëve të eunukut politik Basha, meqenëse të dy e kanë tmerr praninë e Prof.dr. Sali Berishës në Kuvend. Por në këtë mes lind një pyetje thjeshtë: agai i politikës Rama dhe eunuku tij politik Basha a do të jenë në gjendje që Prof.dr. Sali Berishën, po ia hoqën mandatin e deputetit, ta detyrojnë të tërhiqet nga politika përfundimisht, të shkojë në shtëpi dhe të merret vetëm me lexime librash që ka në bibliotekën e tij të pasur? Po sikur të ndodhë e kundërta, sikur edhe pas heqjes së mandatit të deputetit, përkrahja, respekti dhe simpatia e bazës demokratike të vijnë duke u shtuar edhe më shumë për Prof.dr. Sali Berishën? Sepse, siç është bërë e ditur publikisht, ai gëzon përkrahjen e jo pak senatorëve dhe kongresistëve amerikanë që janë shprehur kundër shpalljes së tij “non grata” dhe Departamentit të Shtetit i kanë kërkuar fakte dhe prova.
Pra, urrejtja e egër e Ramës edhe e Bashës ndaj Prof.dr. Sali Berishës, është arsyeja e vërtetë e “miqësisë aq të madhe” të tyre, të bandës sorosiste rreth tyre dhe të të gjithë vulgut të servilizmit gazetaresk ndaj ambasadores Yuri Kim, e cila po e përkrah Lulzim Bashën me një zjarr të papërmbajtur. Por kjo ambasadore, të cilën Blinkeni me Sorosin e kanë vënë të kryejë misionin e një kukulle mjerane, nuk është në gjendje ta kuptojë se çfarë roli qesharak po luan në Shqipëri në sytë e shumicës së opinionit publik. Asaj i punon truri keq deri në atë shkallë, saqë s’është në gjendje të kthjellohet dhe t’i thërrasë mendjes se po bën një marrëzi, po përkrah Lulëzim Bashën, një njeri të tredhur dy herë politikisht: herën e parë e trodhi Rama politikisht natën e 17 majit të vitit 2017, herën e dytë e trodhi politikisht foltorja e Prof.dr. Sali Berishës dhe vulën përfundimtare ia vuri Kuvendi i Partisë Demokratike i 11 dhjetorit dhe referendumi i 18 dhjetorit. Pra, ambasadorja Yuri Kim nuk është në gjendje të arsyetojë dhe të vijë në përfundimin se Blinkeni dhe Sorosi e kanë vënë në rolin e një dordoleceje diplomatike, sepse ajo është duke përkrahur një eunuk politik të dyfishtë, si Lulzim Basha. Asaj dikur do t’i përfundojë mandati dhe shqiptarët kanë për të sajuar për të lloj-lloj anekdotash zbavitëse. Madje që tani shqiptarët i kanë vënë nofkat teze Kimetja dhe teto Kimetja.
Po të kishte sadopak respekt për vetveten, Yuri Kim duhej të jepte dorheqjen, duke ndjekur shembullin e ambasadorit aq dinjitoz amerikan në Bjellorusi në vitet 1992-1994, David Shvarc (David Heywood Swartz – 1942). Ky ambasador me aq dinjitet të lartë, burrëror, për të cilin e vërteta, autoriteti i politikës së jashtme amerikane ishin shenjtëri mbi të gjitha shenjtëritë në shërbimin diplomatik, dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj qeverisjes diktatoriale të presidentit Lukashenko, ndaj të cilit Vashingtoni mbante një qëndrim të heshtur.
Një rast tjetër i mercenarizmit dhe i servilizmit të kastës tradhtare në udhëheqjen e politikës shqiptare me Ramën në krye, u vu re edhe në ditën e parë të këtij viti, kur ministria e jashtme, më 01 janar 2022, botoi një komunikatë, në të cilën theksohej se vendi ynë do të fillonte zyrtarisht mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në atë komunikatë deklarohej në mënyrë idiote se mandatin Shqipëria do ta përdorte, demek, për avancimin e “çëshjes së Kosovës”. Kjo deklaratë është një idiotësi me brirë, se “çështja e Kosovës” është zgjidhur që më 17 shkurt të viktit 2008. Por Rama, si kryetradhtar i kombit shqiptar dhe argat i verbër i Vuçiçit, kërkon të jetë në një gjatësi vale me shovinizmin serbomadh dhe rusomadh, dy armiq të egër tradicionalë të kombit shqiptar, të cilët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Nënkuptohet që në krah të Ramës, në heshtjen e tij ndaj thirrjes së Brukselizmit dhe të Vashingtonit, drejtuar Prishtinës, si edhe për komunikatën e ministrisë së jashtme që vinte në pikëpyetje sovranitetin e Republikës së Kosovës, qe radhitur edhe Lulzim Basha, që ende po e mban veten për “kryetar” të opozitës, i cili, me përkrahjen e gjithanshme që po i jep ambasadorja Yuri Kim, është trimëruar tej mase, çka e dëshmoi më së miri më 08 janar në selinë e Partisë Demokratike që e kishte shndërruar në bunker. Por Basha harron që këto muajt e fundit e dëshmoi shkoqur fare para opinionit të shëndoshë mbarëshqiptar se s’është gjë tjetër, veçse një brashnjë e neveritshme politike që kundërmon vetëm erë pabesi, erë tradhti.
Së fundi, dëshiroj të theksoj se në marrrëdhëniet me një shtet tjetër, qoftë ai edhe supershtet, si Kina, India, Shtetet e Bashkuara apo Rusia, pavarësisht se mund të jesh një shtet i vogël, pa kurrfarë ndikimi në politikën botërore, nuk do të thotë absolutisht se duhet të jesh i zhveshur kokë e këmbë nga dinjiteti kombëtar. Dihet shumë mirë, për disa arsye të njohura tashmë, që Shqipëria Londineze dhe përgjithësisht mbarë kombi shqiptar, kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqejnë një simpati dhe respekt të veçantë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por kasta politike e Ramës në pushtet, këtë simpati dhe respekt e ka degjeneruar deri në nivelet e një servilizmi të gërditshëm, me nota të theksuara vetëposhtërimi kombëtar. Madje puna pati arritur deri në atë derexhe, saqë ambasadorja Yuri Kim shkoi në selinë e Partisë Demokratike dhe kërkoi haptas se po nuk u përjashtua Berisha nga grupi parlamentar, kërcënoi me fjalët “keni për të ngrënë bar”. Mendoj se ky ka qenë skandali më i rëndë dhe më poshtërues diplomatik që një ambasadore e huaj ka mbajtur në qëndrimin ndaj mbarë kombit shqiptar, si kombi më dashamirës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Normalisht, po të kishim në pushtet një klasë politike me dinjitet të lartë kombëtar, ambasadorja Yuri Kim do të merej me punët e veta brenda ambasadës dhe nuk do të sillej në Tiranë jo vetëm si guvernatore faktike, por edhe si një anëtare e asamblesë së partisë neokomuniste të Ramës. Kërcënimi i ambasadores Yuri Kim ishte një shpërdorim shumë i rëndë që ajo i bënte kodit të etikës diplomatike dhe sidomos simpatisë dhe respektit të popullit shqiptar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, po e përsëris, po të kishim një klasë politike qeverisëse me vetëdije kombëtare shembullore, pas atij kërcënimi poshtërues që ajo ambasadore i lejoi vetes ta bënte ditën në drekë para selisë së Partisë Demokratike, ajo e meritonte plotësisht të shpallej e padëshirueshme dhe të kërkohej largimi i saj nga vendi ynë. Yuri Kim kërcënoi Partinë Demokratike në opozitë. Por opozita është pjesë e pandarë e popullit shqiptar. Ajo është kundërshtare politike e Ramës, por nuk është armike e Ramës. Heshja e Tiranës zyrtare para kërcënimit të ambasadores Yuri Kim, vërteton pa mëdyshjen më të vogël se Rama ka shkelur rëndë traditën e kodit moral të shqiptarëve, në të cilin thuhet “mikun nderoje, por mos e bëj zot shtëpie”. Pra, Rama, duke qenë vetë i zhveshur kokë e këmbë nga dinjiteti kombëtar, me heshtjen e tij, ka cenuar rëndë dinjitetin kombëtar të shqiptarëve.
Kur qeverisja e një vendi të vogë nuk respekton dinjitetin kombëtar, ajo bëhet objekt nëpërkëmbjeje nga ana e shteteve të tjerë dhe sidomos e supershteteve.
Në nderim të lexuesve, po përmend dy raste kuptimplotë që lidhen pikërisht me nëpërkëmbjen e dinjitetit të Republikës së Shqipërisë nga ana e ambasadës amerikane. Të dy rastet kanë ndodhur në kohën e qeverisjes së partisë neokomuniste me mbulojë socialiste. Rasti i parë ka ndodhur këtu e 20 vjet të shkuar dhe lidhet me ish-ambasadorin amerikan Limprecht. Në një informacion nga një faqe interneti, thuhet:
“Limprecht mbahet mend për atë se vdiq në 2002, në Shqipëri, gjatë një feste në Lurë… Qeveria amerikane nuk i pagoi as shpenzimet e funeralit të ambasadorit të saj. Ishte Qeveria e Shqipërisë, e kryesuar në atë kohë nga Pandeli Majko, që pagoi shpenzimet e arkivolit të Limprechtit dhe të transportit të tij në SHBA” (Citohet sipas: Kastriot Myftaraj. “Cila është ambasadorja e re e Shqipërisë në SHBA”. Faqja e internetit “Thasari”. 23 shkurt 2015).
Lexuesi ka të drejtë të dyshojë vetvetiu se Pandeli Majko, si një kryeministër i formatit të servilit shembullor, pa kurrfarë shtylle kurrizore, me siguri që i ka kërkuar vetë ambasadës amerikane që shpenzimet e arkivolit dhe të transportit të kufomës t’i përballonte qeveria shqiptare. Megjithatë, ambasada amerikane nuk duhej ta lejonte një gjë të tillë. Me sa duket, i ka pasë ardhur shumë për zemër servilizmi i shpifur i Pandeli Majkos. Por kur një shteti të madh i vjen në osh servilizmi i kryepolitikanëve të një shteti të vogël, kjo do të thotë se ai ka nëpërkëmbur dinjitetin e gjithë popullit të këtij të fundit.
Rasti i dytë lidhet me vizitën e Eskobarit në Tiranë në dhjetorin që kaloi. Gjatë asaj vizite u vu re një shkelje e çuditshme e protokollit diplomatik. Në informacionin që u dha për atë vizitë, thuhet:
“Si fillim ishte renditja që iu bë Bashës në axhendë, kur iu la i pari një takim me Eskobarin. Zakonisht, gjatë vizitave të tilla, zyrtarët e lartë planifikojnë takimet me krerët e institucioneve dhe në fund kalojnë nga selitë e partive të opozitës. Këtë radhë ndodhi e kundërta” (Citohet sipas:“Vizita e Eskobarit. Pse Bashës nuk i mjaftojnë përkëdheljet e amerikanëve në prag të 11 dhjetorit”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 09 dhjetor 2021).
Por Eskobari nuk u mjaftua vetëm me shkeljen e protokollit diplomatik të vizitës së tij. Prandaj në informacionin e lartpërmendur theksohet:
“Eskobari artikuloi publikisht ftesën për ta pritur Lulzim Bashën në Vashington. Një tjetër shkelje syri për kreun e Partisë Demokratike, tregues i zemërgjerësisë me të cilën ambasada në Tiranë kishte vendosur ta trajtonte atë sot” (Po aty).
Pra, Blinkeni i Departamentit të Shtetit, përmes Eskobarit, opinionit publik shqiptar i la të kuptojë se Vashingtoni përkrah Bashën fuqimisht, çka do të thotë se ai përkrah Ramën po aq fuqimisht, sepse Basha, siç u theksua më lart, është faktikisht eunuku politik i Ramës, i mikut të Sorosit. Ajo ftesë e Eskobarit ishte një sfidë e hapur për bazën e gjerë të Partisë Demokratike, e cila, gjatë zhvillimit të foltoreve, e demaskoi me fakte Bashën si tradhtar dhe si argat të bindur të Ramës.Vetvetiu del përfundimi se Departamenti i Shtetit na qenka çifligu i Sorosit. Nuk do ta besoja kurrë një gjë të tillë, por kjo qenka një e vërtetë e kulluar, çka dëshmohet fare shkoqur nga një burim amerikan
Në njërin nga mjetet e informimit masiv amerikan – “Creative Destrucion Media, CD”, thuhet:
“CD media ka kronizuar vazhdimisht korrupsionin e Departamentit të Shtetit të SHBA në të gjithë Evropën Lindore. Shqipëria është një nga rastet më të këqija të ndërhyrjes në politikën lokale, për të cilën ishte i famshëm ish-ambasadori i SHBA, Donald Lu” (Citohet sipas:  “Media amerikane: Yuri Kim po zbaton axhendën e Sorosit, mbështet Bashën dhe Ramën, lufton Berishën”. Faqja e internetit “Syri”. 10 dhjetor 2021).
Madje ndodhi edhe diçka tjetër, jo më pak e çuditshme. Ambasadorja Yuri Kim e ngriti shumë lart stekën e vetëveprimit dhe në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në internet, mashtroi, deklaroi të kundërtën, sikur Eskobari gjoja i pati filluar takimet me krerët e institucioneve dhe në fund me kryetarin e opozitës. Pra, ajo i dërgoi Departamentit të Shtetit një informacion të rremë. Për t’u njohur më me hollësi me rolin e dyfishtë të vizitës së Eskobarit në Tiranë, edhe si i dërguari i Departamentit të Shtetit, edhe si i dërguari i Sorosit, si edhe me mashtrimin e ambasadores Yuri Kim, lexuesit e nderuar le të ndjekin në youtube emisionin e analistit dhe të publicistit të njohur Kastriot Myftaraj, të titulluar: “Ju flet Moska – Sekreti i vizitës së z. Eskobar, i zbuluar pa dashje nga ambasada amerikane”. Kanali tv “Ora”. 10 dhjetor 2021.
Tani nuk e dimë se cila është e vërteta. Po të kemi parasysh atë çka ambasadorja Yuri Kim ka pasqyruar në njoftimin zyrtar të ambasadës në faqen e internetit, duhet të mendojmë se Blinkeni e pati dërguar Eskobarin për ta kryer vizitën në Tiranë në përputhje me protokollin diplomatik. Por kur dihet që ambasadorja dhe Eskobari nuk e zbatuan protokollin diplomatik për shkak të simpatisë së madhe që ushqejnë për Bashën, atëherë vetvetiu del përfundimi se në Departamentin e Shtetit s’e marrka vesh qeni të Zotin, se atje qenka më i rëndë bishti se sqepari.
Në mbyllje e quaj të arsyeshme të nënvizoj se në marrëdhëniet ndërkombëtare, faktikisht, nuk ekziston kurrfarë miqësie midis shteteve. Miqësia “e flaktë” që kryeservili Enver Hoxha reklamonte me Jugosllavinë titiste, me Bashkimin Sovjetik apo me Kinën Popullore, ishte një shfaqje e theksuar vetëpërulësie dhe servilizmi të krupshëm, që ia ulte keq dinjitetin vendit tonë. Sepse marrëdhëniet mes shteteve të ndryshme, në mbarë botën, kanë në themel jo miqësinë, por interesat e ndërsjellë. Në qoftë se ndonjëherë në Tiranë do të vijë në pushtet një klasë politike me autoritet kombëtar, ajo duhet të ketë parasysh se edhe në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përparësi kanë vetëm interesat, kurrfarë miqësish. Prandaj ajo klasë, po erdhi në pushtet, le të mbajë shënim fjalët e veteranit të politikës së jashtme amerikane Henri Kisinger (Henry Alfred Kissinger – 1923), i cili ka deklaruar:
“Amerika nuk ka as miq as armiq të përhershëm! Amerika ka vetëm interesa të përhershme!”.

Kaliforni, 24 janar 2022

K O M E N T E

7 KOMENTE

  1. Nje analize e mrekullueshme ! Faktet qe pershkruan profesori i nderuar z. E.Ymeri jane te verteta ,te ditura dhe me kete situate jo te favorshme per rajonin tone ,mbetet qe qeverite ,partite e dy shteteve Kosove e Shqiperi te jene me te bashkuar se kurre.Ata qe s’duan mirekuptimin jane trathtare te interesave te atdheut.Dhe shume qarte tregon me siper se kush jane trathtaret. Analiza e tij eshte e kompletume e s’ke cfare te shtosh pervec nje falenderimi per autorin e mesiperm !

    • E nderuara dhe e respektuara Zonja Rita,
      Ju falënderoj nga zemra dhe ju shpreh mirënjohjen time të thellë për komentin Tuaj. Më gëzon shpirti dhe më qesh zemra që në personalitetin tuaj shikoj një intelektuale të formatit nacionalist, me dinjitet të lartë kombëtar. Pikërisht intelektualë të tillë i duhen sot jo vetëm Republikës së Dardanisë dhe atdheut amë, Republikës së Shqipërisë, por edhe mbarë kombit shqiptar. Kjo për arsye se ne jemi i vetmi komb në rruzullin tokësor që vazhdojmë ta kemi të pazgjidhur Çështjen Kombëtare Shqiptare – ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur. Është fatkeqësi e rëndë kombëtare që nga gjiri i kombit tonë, si më i lashti në mbarë kontinentin, kanë dalë dhe vazhdojnë të dalin në skenë jo pak tradhtarë.
      Ju uroj shëndet dhe të gjitha mbarësitë.
      Eshref Ymeri
      Kaliforni, 25 janar 2022

  2. Sa kenaqesi eshte kur lexon shkrime te mira, me autore te mire e, komentues te mire !
    Ju pershendes, autorin e shkrimit dhe komentuesen Ritë !
    Sinani, Suedk

  3. Eshte kenaqsia ime komenti juaj i mesiperm ,i nderuar z. I Ymeri.I sakte ne percaktim si i “formatit nacionalist ” Po ,jam teper krenare qe pata nje baba qe luftoi kundra gjermaneve e partizaneve bolshevike ( 1944) ,nje ushtar 20 vjecar i Ballit Kombetar.Por kete krenari mundohen ta zbehin ata nostalgjike te diktatures qe kane paturpsine te mohojne faktet ,e te mos kene guximin e burrerine te kerkojne ndjese per viktimat e atij pushteti ku prinderit e tyre ishin ekzekutuesit. Anashkalimi i fjales ” Ndjese ” per tre dekata ka sjelle kete situate ,komike,tragjike, kaotike.Gjermania dhe sot kerkon falje per viktimat e shkaktuar nga Hitleri.Kurse tek ne punohet nen rrogoz per rehabilitimin e “Hitlerit ‘shqiptar , vellait te M.Popovicit ,studentit ne France me “Dipllome “, gjirokastrit djall.

  4. Moj e nderuara Zonja Rita, moj e bekuara e Hyjnisë!
    Më shumëfishohet respekti për Ju, si një Zonjë me prejardhje nga shtresa e të përndjekurve politikë, si përfaqësuesit më fisnikë të popullit shqiptar. Nënkuptohet që nuk mund të pritet ndjesë nga pasardhësit e diktaturës komuniste, ndër më kriminalet në rruzullin tokësor që vendosi në vendin tonë njeriu me emrin “askushi”, siç e pati etiketuar publikisht Mustafa Kaçaçi kryebastardin Enver Hoxha në Konferencën e Labinotit të vitit 1943. Por dihet shumë mirë se kur askushi merr pushtetin, atëherë ai, si qenie e torturuar nga kompleksi i inferioritetit, shndërrohet në kryediktator, në kryekriminel, në kryetradhtar, në kryeservil dhe në kryeargat i atyre që e sollën në pushtet, siç u shndërrua njeriu pa kulturë universitare Enver Hoxha në kryeshërbëtor i Miladin Popoviçit, i Dushan Mugoshës dhe i mbarë serbosllavizmit. Pra, pasardhësit e asaj monstre nuk mund t’u kërkojnë ndjesë të përndjekurve politikë, se në dhjetor të vitit 1990, demokracia nuk buroi nga poshtë, nga baza, nga populli. Përkundrazi, ajo u injektua nga lart, nga krimineli Ramiz Alia, i cili, në dy fjalime që pati mbajtur në nëntor 1989 dhe në dhjetor 1990, pati deklaruar:
    “Le të krijojnë parti sa të duan, programet do t’jua bëjmë ne… E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e shkëlqyer”.
    Prandaj, në disa analiza të mia në internet, të ashtuquajturën “demokracia dhjetoriste”, unë e kam pasë etiketuar “demoshëmtia dhjetoriste”.
    Uroj nga zemra të keni jetë dhe shëndet dhe \Ju falënderoj me gjithë shpirt Juve dhe zotërinë e respektuar Sinan Kastrati për përshëndetjet që më përcolli në këtë Portal të nderuar të gazetarit të shquar Bajram Kabashi.
    Eshref Ymeri
    Kaliforni, 25 janar 2022

  5. Respekt per ju z.E.Ymeri !Cka shkruani jane te dokumentuara. Plotsoj dhe respektin per kryeredaktorin , ,gazetarin z.B.Kabashi .Qe sfidon pothuajse te gjithe shtypin shqiptar per hapsiren pa kufi te lirise se fjales.Nuk e dij por eshte nje xhentelmen qe numerohen me gishta.Shembullin e tij te ndjekin gazetat simotra per t’u cliruar nga censura e detyruar apo ideollogjike. Shendet e gjithe te mirat. Rita.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu