ARKIVI:
15 Nëntor 2024

Hisori nga jeta e Mulla Zekë Berdynajt, luftëtarit të madh të lirisë shqiptare

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim gjeneralin Wesley K. Clark

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim...

Gjenerali Vesli Clark me të birin takojnë Albin Kurtin, ZKM jep detaje

Pamje nga takimi Gjenerali Clark me të birin takojnë Kurtin, ZKM: Ushtaraku...

Jerusalemi – nga 20 janari 2025 kryeqendër e hemisferës perëndimore?

Sadri Ramabaja. Prishtinë Duke ndjekur rikthimin e Donald Trumpj, në shtëpinë e...

Shpërndaj



Nga: Prof. Fahrush Rexhepi
  • Rrugët e jetës së Mulla Zekë Berdynajt të Radafcit

(Fetar, kombëtar, arsimdashës në gjuhën shqipe)

Mulla Zekë Berdynaj (1908-1987)

“Pas një gjykimi publik të organizuar në sallën e kinemasë të qytetit të Pejës, ai dënohet me 16 vjet burg të rëndë me motivacion “Nacionalist Shqiptar, që përpiqet të bashkojë Kosovën me Shqipërinë dhe të shkatërrojë vllaznim bashkimin…”
Mulla Zekë Berdynaj u lind rreth vitit 1908, në fshatin Novosellë të Pejës, në një mjedis të prapambetur në aspektin kulturor e arsimor, ku nuk funksiononte asnjë mejtep e shkollë dhe mbizotëronte analfabetizmi. Emrin e vërtetë Zekë Berdynaj e kishte Zenel, Zenel Zymer Berdynaj. Zekë Berdynaj kishte lindur në “shtëpinë e madhe” të Tahir Lush, Berdynës. Kësaj familje i kishte dalë zani në kohën kur “i zoti i shpisë” ishte Sylë Azllan Berdynaj, pjesëmarrës i Luftës së Nokshiqit. Pra, Zeka rrjedh nga një familje e traditës, e fisit të Krasniqes së Radacit, të Pejës. Në vitin 1926, Zekë Berdynaj e filloi medresenë në Pejë. Këtë shkollë-mejtep e kishte hapur arsimdashësi e patrioti Bekë Rama, nga lagja Pelaj nga fshati Novosellë e Pejës. Në këtë shkollë ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, punoi edhe hoxha patriot Haxhi Kahreman Zajmi (1885-1960). Pas përfundimit të Medresesë në Pejë, Zekë Berdynaj vazhdon ndjekjen e mësimeve në Medresenë e Gjakovës tek myderrizi Fahri efendiu. Kështu Zeka u përgatit që edhe ai t’u japë mësim të tjerëve. Ai përveç gjuhës shqipe që e kishte gjuhë amtare, mësoi të lexonte e të fliste serbishten, turqishten, arabishten dhe persishten. Pra, Zekë Berdynaj qysh në moshë të re shfaqi aftësitë dhe talentin e tij, jo vetëm për mësimet mbi fenë islame, por u formua edhe si polyglot e intelektual me informacione nga fusha të ndryshme të dijes të cilat i vuri në shërbim të popullatës dhe besimtarëve. Mulla Zeka lexonte libra nga më të ndryshmet, posaçërisht kishte interes për vargje dhe vepra të rilindësve. Libri i tij më i preferuar kishte qenë ‘Lahuta e Malsisë’. Nga këto vepra ai frymzohej kombëtarisht dhe frymzimet e tij i ndante me të tjerët.
Kosova dhe shqiptarët jo rrallë herë kanë kaluar nëpër kohë dhe rrethana të vështira, gjatë historisë dhe zhvillimit të tyre edukativ, arsimor dhe politik kombëtar. Kishte periudha kur shkollat laike shqipe qenë mbyllur nga ligjet e rrepta të pushtuesit me qëllim pengimi të arsimimit të brezave të rinj në gjuhën amtare, dhe në fund me synim asimilimi të gjeneratave të reja. Por, në këto rrethana, pati edhe mësues dhe intelektual të njohur të fushave të ndryshme të shkencës, si në gjuhë dhe letërsi shqipe, histori, matematikë, gjeografi etj. Një nga mësuesit që e kreu shkëlqyeshëm këtë detyrë, ishte edhe Mulla Zekë Berdynaj, i cili ngriti një mejtep në fshatin Radavc, në vitin 1938, i cili përveç lëndëve të besimit dhe të gjuhës amtare, shkencave shoqërore me karakter kombëtar, u mësonte nxënësve edhe lëndë nga psikologjia. Në këtë mejtep kishin fillu t’i ndjekin mësimet fetare e jo fetare fëmijë, të rinj nga Radaci dhe Jabllanica e Madhe.
Zekë Berdynaj shquhej edhe për kontributin e tij, në parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, të cilët detyroheshin të shpërngulën nga dhuna dhe presioni i pushtetit serb për në Turqi. Duke e ndier presionin e popullatës të rrezikuar nga regjimi serb dhe me qëllim të njohjës së rrethanave të mundshme për t’u shpërngulur, në vitin 1929, Zekë Berdynaj bashkë me Tahir Alushin kishin shku për në Turqi. Atje takuan shumë shqiptar të shpërngulur si rezultat i dhunës dhe represionit të pushtuesve serbë e malazezë. Madje në Turqi kishte edhe shumë shqiptarë të besimit islam të zhvendosur nga krahina shqiptare e Çamërisë, të cilët ishin larguar si pasojë e dhunës dhe represionit me përmasa gjenocidi që kishte ushtruar shteti grek. Ata, nga jeta dhe kushtet e rënda të shqiptarëve që i kishin parë atje gjatë vizitës, ishin ndarë shumë të dëshpruar. Kur u kthyen nga Turqia, mulla Zekë Berdynaj dhe Tahir Alushi filluan të organizojnë tubime për t’i bindur të afërmit dhe vendasit e tyre se shpërngulja për në Turqi, nuk është zgjidhje e mirë për shqiptarët. Në tubimin që organizuan në Shatërvan të Pejës ata haptas kishin deklaruar se: “Atje nuk ka kushte elementare për jetë (në Turqi). Më mirë të rezistohet në atdhe të qëndrohet dhe të luftohet për liri e bashkim kombëtar se sa të iket pa adresë në nji vend të pa shpresë.” Në njërin nga takimet tjera të organizuara mulla Zeka dhe Tahir Alushi ju drejtuan masës së tubuar me këto fjalë: “Vëllezër, shëtitum krejt Anadollin por Kosovë kërkund nuk gjetëm”, “Nuk duhet ta lëmë vendin tonë e të shpërngulemi sepse anmiqtë tanë këtë e donë…burra e shëtitëm Turqinë e Radac nuk gjetëm”, “si atdheu jonë nuk ka” …
Pas kapitullimit të Jugosllavisë, forcat policore dhe ushtarake të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, u larguan nga Kosova, më 14 prill 1941. Fashistët italian me dekretin e 7 gushtit 1941, bashkuan trojet etnike shqiptare nën administrimin e Italisë. Bashkimi i Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, me Shqipërinë edhe pse u bë nga pushtuesit fashist, megjithatë pati një ndikim dhe rëndësi të madhe për popullin shqiptar, sepse u vunë kontaktet ekonomike, politike, arsimore, kulturore, e shpirtërore në mes pjesëve të copëtuara të kombit shqiptar. Edhe pse ky bashkim nuk i përfshiu të gjitha teritoret etnike, megjithatë shprehte një aspiratë të kamotshme të shqiptarëve për të jetuar në një shtet dhe për të krijuar Shqipërinë Etnike.
Në administratën e viseve të bashkuara u vendosën nëpunësit shqiptar, u hapën shkolla shqipe, u hapën radio stacione, u kremtuan festa kombëtare etj. Këto veprime Italia fashiste i ndërmori më qëllim që mos të armiqësohej skajshmërisht me shqiptarët, por duke bashkuar viset shqiptare, të krijohet një simpati për shtetin Italian. Megjithëkëtë, shqiptarët ishin të bindur se duhej luftuar kundër çdo pushtuesi e më këtë rast edhe kundër italianëve.

Sandzak Albania - Mula Zeka Berdynaj ( Mulla Zekë... | FacebookZekë Bërdynaj me bashkëluftëtarët e tij gjatë luftës në Sanxhak (Masbjeshkë)

Më 1 korrik 1941, majori i qeverisë shqiptare Kolë Bibë Mirakaj, i cili ishte përfaqësues ushtarak e administrativ e emëroi Zekë Berdynën udhëheqës civil e komandant ushtarak të bajraqeve të Dukagjinit prej Vermice e deri në bjeshkën e Moknes. Zekë Berdynaj, si udhëheqës i luftëtarëve vullnetarë mori pjesë në shumë luftëra kundër çetnikve të zhvilluara në: Çakorr, Smilevicë, Kacuberr, Livadhi i gjakut, Rozhajë, Senicë, Dugopolanë, Pazar të Ri, Shekullar, Kolashin, Ribariq etj.
Nga viti 1941 e deri në vitin 1944 Zekë Berdynaj, mori pjesë aktive në frontin e Rozhajës dhe të Novi Pazarit, duke iu kundërvënë çetave çetnike me njësitë vullnetare. Sipas disa të dhënave në Luftën e Pazarit brenda një periudhe të shkurtër u vranë dhe u plagosën shumë ushtarë nga të dy anët. Forcat që mbronin Pazarin e që kryesishtë përbëheshin nga shqiptarë e pak boshnjak patën rreth 144 të rënë në beteja. Sipas novopazarasëve një nga njësitë vullnetare që bëri luftë pakompromis, që u shqua për trimëri ishte ajo e hoxhës së urtë e trim Zekë Berdynaj nga Radaci, i cili udhëhiqte 400-500 ushtarë vullnetarë. Njësitë vullnetare u dhanë shpresë banorëve dhe i mbrojtën ata nga sulmet e koordinuara dhe të rrepta të 15.000-20.000 mijë çetnikëve. Historia e Luftës së Pazarit nuk mundë të shpjegohet pa kontributin e madhë të Shaban Polluzhës zbarkimi i të cilit kishte ndryshuar rrjedhat e përballjes. Në njërën prej këtyre betejave, në vitin 1943, në masakrën e Bihorit, plagoset rëndë edhe hoxha, Zekë Bërdyna, i cili ishte në detyrën e komandantit të përgjithshëm të çetave vullnetare. Në vitin 1948, burgoset dhe kalon nëpër burgjet e rënda të ish-Jugusllavisë të “Bello Kuça-s”, në Nish, ku kaloi katër vite, dhe në Goli Otok nga vitet 1952-1960, i dënuar me motivacion të shpifur propagandues prostalinian. Atje, mulla Zeka i qëndroi burrërisht torturave më të egra, duke qëndruar i pathyer dhe i nderuar. Në një rast duke kujtuar momente nga burgu i Goli Otokut ai pati thënë:“Më e vështira për mua ishte të bartë gurë…! Po të ishte për të ndërtuar diçka do ta bëja me dëshirë…! Por ne ishim të detyruar t’i bartnim gurët sa në një anë sa në anën tjetër”.
Zekë Berdynaj, ishte komandant i forcave vullnetare në mbrojtjen e Rugovës me rrethinë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1943 në Razanac, në ballë të luftës, plagoset rëndë në krah dhe dërgohet të shërohet në spitalin e Mitrovicës, ku qëndroi 49 ditë dhe me të dalë nga spitali, nuk kthehet në shtëpi, por shkon drejt në front te shokët e vet. Po në këtë vit në masakrën e Bihorit të organizuar nga bandat çetnike serbo-malazeze, ai niset për në Tiranë me disa shokë të tij. Me vete mori mbi 40 arka të mbushura me pjesë që kishin mbetur nga trupat e fëmijëve, si: duar, sy, vesh, kafka etj, për të protestuar në qeverinë e atëhershme. Nga ai udhëtim nuk pati asnjë ndihmë, përveç se zhgënjim të plotë. U dëshpërua shumë sa që pa fije vullneti kishte qëndruar para bashkëluftëtarëve pa qenë në gjendje t’u jap ndonjë shpjegim shpresëdhënës.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pas aneksimit të dhunshëm të Kosovës nga Serbia, pas administrimit ushtarak në Kosovë, pas vrasjeve e burgosjeve, maltretimeve e pushkatimeve, Zekë Berdynaj inkuadrohet sërish në organizatën-lëvizjen gjithëkombëtare, në partinë “Nacional Demokratike Shqiptare” dhe vepron në mënyrë aktive deri në vitin 1947, kur si shumë patriotë të tjerë edhe mulla Zeka arrestohet. “Pas një gjykimi publik të organizuar në sallën e kinemasë të qytetit të Pejës, ai dënohet me 16 vjet burg të rëndë me motivacion “Nacionalist Shqiptar, që përpiqet të bashkojë Kosovën me Shqipërinë dhe të shkatërrojë vllaznim bashkimin…” dhe se kohët e fundit ka përqafuar idetë e Stalinit, pra akuzohej edhe si stalinist” (akuzë kjo absurde e kohës).
Pas kapitullimit të Italisë fashiste, përfaqësuesit ushtarak gjerman morën prefekturën e Pejës, pa ndonjë rezistencë. Pushteti gjerman u shtri gradualisht në gjithë zonën e pushtimit italian në territoret shqiptare. Më 16 shtator 1923, filloi punimet Kuvendi themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e cila ishte organizatë politiko-ushtarake dhe kishte për qëllim realizimin e interesave kombëtare shqiptare. Ajo i vuri themelet e saj, në shtator të vitit 1943, me angazhimin e rreth 45 përfaqësuesve nga qytete të ndryshme të hapsirës etnike shqiptare. Kjo lidhje e kishte formu degën e vet edhe në Pejë. Degën e Pejës e udhëhoqën Selim Qehaja, nga Peja, Lokra nga Shqipëria dhe Can Murati, nga Peja kurse sekretar i degës ishte zgjedhur Zekë Berdynaj nga Radaci. Përveç detyrës së sekretarit të degës së Lidhjes për Prefekturën e Pejës, mulla Zeka kishte ushtru edhe detyrën e sekretarit paqtues-islihatit në fund të janarit të vitit 1942, kur në Pejë ishte formuar Gjyqi paqtues-islihati me kryetar Haxhi Bajraktari i Vranocit.
Mulla Zeka ka pasur korrespodencë me revistën “Drita” që botohej në Bursa, të Turqisë. Ishte bashkëpunëtor i ngushtë i krerëve të Rugovës, të Pejës e Drenicës, sidomos me Shaban Polluzhën.” Ai që vdes për atdhe duke mbrojtur kufirin mbetet dëshmor i kombit. Nuk ka më kënaqësi sesa të vdesësh për atdhe! E lus Zotin për çdo ditë, e çdo mëngjes, që pushka e parë e armikut të më marrë mua dhe të jem dëshmor i parë në mbrojtjen e atdheut”, spikatë Zekë Berdynaj.
Zekë Berdynaj ka qenë anëtar dhe bashkëpunëtor i revistave të ndryshme, si të asaj “Kultura Islame”, që botohej, në Tiranë etj.
Tani po i paraqesim edhe disa vargje të kënduara nga Ukë Bërdynaj dhe të shkruara nga Qerim Berdynaj, me titull: “Kush poi prinë luftës në Pazar”.

“Kush poi prinë luftës në Pazar,
Mulla Zeka me shallë të bardhë,
Po kush është ky Mulla Zeka?
Ne kamë i rrinë Malsi e Reka.
Ne kame presin tane Rugova,
Me dorë në zemër e pret Kosova,
Peshe e bajne shkolla e trimnia,
Ja merr patin shiptaria.
Mulla Zeka një atdhetar,
Kur filloj lufta në Pazar,
Kur u que peshë Serbia,
Kur me gjak u la Shqipëria,
Ky burrë burri në kame është çue,
Një za të fortë paska leshue,
Kush është djal qe vjen me mue,
Vllazneve tane me u ndihmue,
Mos te priton me dekë pa marre
Me u dalë zot tokave shqiptare
Po, ça u ba në Pazar te Ri?
Prej çdo ane në vato e vi
Shqipria ja ka mrri.
Lufte e madhe po fillon,
Sikur lumi gjaku shkon
Ike armiku npikë të vrapit,
Para sulmit të shqiptarit
Mulla Zeka me shokët e vet
Me za të naltë bjen shahadet.
Në gjuhë të nanës i lutet zotit,
Me i pshtue tokat e Kastriotit.
Lufte e madhe u ba në Pazar
U mbush me varre nji hektar
Te tan trim, që dëshmuan veten
Per atdhe e kan dhanë jetën
Mulla Zeka i Radavcit
Kthehet ne shpi ne shpinë të kalit.
Pas plagosjes në Lufte t’Pazarit
Ai nuk ndalet as ne xhami
Niset N’front në Mal te Zi…
Ndërmjet këtyre vargjeve vihet në spikamë trimëria e rrallë e atdhetarit Zekë Bërdynës, në luftë kundër Serbisë dhe në mbrojtje të Shqipërisë Etnike. Vargjet simbolizojnë heroizmin e Mulla Zekës në luftën e Pazarit, të cilën e udhëheq ai vetë, ku bien edhe dëshmorë shumë luftëtarë.
Mulla Zekë Berdynaj ndërroi jetë pa e përjetuar lirinë e popullit shqiptar dhe bashkimin e trojeve etnike për të cilën ishte munduar gjatë gjithë jetës. Ai vdiq më 12 janar 1987, në moshën rreth 80 vjeçare. Në varrimin e tij morën pjesë mijëra njerëz, nga anë të ndryshme jo vetëm të Kosovës, por edhe nga trojet tjera shqiptare.

***

Ps!
Për shkak të natyrës së publikimit, burimet dhe literaturën nuk i kemi prezantuar.

Dokumentar kushtuar Zekë Berdynajt, shihe videon e mëposhtme:

(2) Facebook

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu