ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Histori e mbrojtjes së Shqipërisë: Sali Butka dhe çeta e tij dhe disa shënime për heroin kombëtar

Shkrime relevante

Angazhimi kundër terrorizmit global , është angazhim për një botë pa fanatizëm dhe dhunë

Lirim Gashi, Prizren ( shqip , gjermanisht, anglisht dhe norvegjisht) ___ Tragjedia e Magdeburgut...

Meritat dhe dobësitë e Kryeministrit Albin Kurti në qeverisje

Halil Geci, Skenderaj Kryeministri Albin Kurti ka demonstruar një qasje të vendosur...

Kot e keni, mërgimtarët nuk do t’ju votojnë!

Florim Zeqa Shtyrjet e njëpasnjëshme të afatit të regjistrimit të mërgatës sonë,...

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Shkruan: Adil FETAHU Shefqet Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

Në foto: Thoma-Pituli-Spiro-Ballkameni-Myftar dhe Butka

Sali Butka (1852–1938) ishte një nga udhëheqësit dhe luftëtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare. Sali Butka u lind në vitin 1852 në fshatin Butkë të Kolonjës. Ai ishte më i madhi i pesë fëmijëve të Tahir Butkës.

Në dekadat e fundit të shekullit të XIX, Sali Butka u lidh ngushtë dhe bashkëpunoi për shumë kohë me Petro Nini Luarasin, duke e ndihmuar atë për ngritjen e shkollës së parë shqipe në Kolonjë. Saliu, së bashku me Nasuf Bej Novoselën, ishin dy njerëzit që e morën në mbrojtje Petro Ninin nga armiqtë e kundërshtarët e tij që e kercënonin vazhdimisht për të eleminuar fizikisht. Pas mbylljes së shkollave shqipe nga qeveria turke, gjë e cila u bë me ndërhyrjen e Patriarkanës greke, Petro Nini e Sali Butka e vazhduan fshehtas veprimtarinë e tyre për përhapjen e gjuhës shqipe të shkrurar, duke menduar se vetëm prej sa mund të zgjohej ndërgjegjia kombëtare. Në atë kohë, Sali Butka filloi të sillte nga Manastiri dhe Selaniku libra dhe gazeta të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat më pas i përhapte në krahinat e Kolonjës, Korçës e Përmetit.

Në vitin 1905, me nismën e Bajo Topulli, në qytetin e Manastirit u themelua Komiteti “Për lirinë e Shqipërisë”, i cili organizoi çetat e para patriotike. Sali Butka ishte një nga bashkëthemeluesit e atij komiteti dhe anëtar i tij. Ai bëri një punë të madhe për krijimin e degëve të këtij komiteti për përgatitjen e kryengritjes së armatosur kundër pushtimit otoman. Në dhjetor të vitit 1905 Bajo Topulli shkoi vetë në fshatin Butkë, në shtëpinë e Sali Butkës, ku u formua çeta e parë kombëtare dhe u shpall fillimi i kryengritjes së armatosur. Në këtë çetë, me komandant Sali Butkën, bënin pjesë edhe patriotë të tjerë si: Qani Starja, Qamil Panariti, Riza Veleishti, Selim Pojani, Sefer Panariti, Dilaver Lubonja, Hasan Qinami, Myftar Butka, Thoma Pituli etj.

Në vitin 1910, Sali Butka së bashku me 2500 kolonjarë, mori pjesë në mitingun e madh të shkronjave shqipe që u organizua në qytetin e Korçës. Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, Mihal Grameno, në shkurtin e vitit 1910, në gazetën “Lidhja Orthodhokse”, midis të tjerash shkruante: “Gjithë qyteti, burra e gra, kishin dalë për të pritur kolonjarët, që çuditën botën me taktikën e tyre“. Në atë kohë Sali Butka, ishte një nga patriotët shqiptarë që nënshkruan protestën kundër Portës së Lartë, duke kundërshtuar përdorimin e gërmave arabe.

Në fillim të vitit 1911, në Kolonjë u krijua Komiteti Kryengritës me në krye Sali Butkën, si dhe vëllanë e tij, Myftar Butkën dhe Ganiun, të birin e tij. Në mars të vitit 1911 patrioti i njohur, Spiro Bellkameni, u kthye nga mërgimi dhe shkoi në fshatin Butkë duke qëndruar disa ditë në çetën e Kolonjës e cila udhëhiqej nga Sali Butka.

Me qëllim që të zgjerohej lëvizja kryengritëse, Sali Butka i dha Bellkamenit, vëllanë e tij, Myftarin, Ganiun dhe Thoma Pitulin, për të formuar një çetë më vete në Fushë të Korçës, e cila u bë e njohur në luftën e Orman-Çifligut, ku mbetën të vrarë gjashtë pjestarë të saj të cilët më pas u shpallën dëshmorë të atdheut.

Në maj të vitit 1912 Sali Butka mori pjesë në kuvendin e Pejës, i cili mori vendime për fillimin e kryengritjes kundër Turqisë. Pasi u kthye nga Kosova, ai, bashkë me Tajar Tetovën, organizuan në fshatin Frashër një mbledhje të madhe, ku morën pjesë krerët kryesorë të çetave e kryengritëse të Shqipërisë së Jugut. Gjatë rrugës për të shkuar në atë mbledhje, çetës së Sali Butkës, i zunë pritë forcat turke dhe në grykën e Rrungajës, mbeti i vrarë, djali i dytë Sali Butkës, Iljazi, i cili më pas u shpall dëshmor i atdheut.

Në krye të forcave të bashkuara kryengritëse, Sali Butka çliroi Ersekën dhe më pas, bashkë me çetat e Spiro Ballkamenit e të Kajo Babjenit në gushtin e vitit 1912, ato çliruan Korçën. Lidhur me këtë ngjarje, gazeta “Koha” e datës 19 gusht të vitit 1912, midis të tjerash, shkruante: “Në ballë të çetës së dytë ishte kapedani dhe trimi i Shqipërisë, i dëgjuari patriot Sali Butka, burrë i thjeshtë shqiptar dhe me gjithë zemër mëmëdhetar” . Në atë kohë ai organizoi mbrojtjen e shtetit të ri shqiptar nga sulmet e ushtrisë greke dhe lëvizja e andartëve grekë që vepronin në jug të vëndit.

Lidhur me këtë, në atë kohë gazeta “Liri e Shqipërisë”, midis të tjerash shkruante: “Sali Butka ka zhveshur pallën dhe po bën luftra të rrepta. Ai po lufton me grekët nga ana e Naselishtës dhe nga an’ e Korçës dhe po tregon trimërinë e tij si në kohë të Skënderbeut“. Duke parë kontributin e madh në mbrojtjen e krahinave të Jugut dhe Qeverisë së Vlorës, Kryeministri Ismail Qemali e thërriti Sali Butkën në Vlorë dhe e priti atë përzemërsisht. Qeveria e Vlorës e ngarkoi atë që të mbronte Vlorën nga forcat turke të Xhavit Pashës.

Kur ushtritë franceze që kishin okupuar Korçën dhe qarkun e saj, mbështesnin kërkesat e Venizellosit për Shqipërinë e Jugut, Sali Butka, në krye të forcave të tij, që arrinin në 1500 veta u nis drejt Korçës dhe e rrethoi atë. Në krah të tij ishte edhe çeta e Themistokli Gërmenjit me 22 vetë. Të rrethuar, francezët kërkuan bisedime. Themistokli Gërmenji shkoi në Korçë, ndërsa Sali Butka qëndroi me ushtritë e tij në rrethinat e qytetit. Ndërsa bisedimet e Themistokli Gërmenjit me autoritetet franceze po zvarriteshin, Sali Butka u dërgoi atyre kërkesat shqiptare prej 14 pikash për vetëqeverisjen e Kazasë së Korçës nga ana e autoriteteve shqiptare.

Nën presionin e brendshëm dhe sidomos atë ushtarak të forcave të Sali Butkës, autoritetet franceze e shpallën “Vetqeverisjen e Kazasë së Korçës me gjithë rrethet nga autoritetet shqiptare“. Po kjo punë nuk vazhdoi gjatë. Në fund të luftës, autoritetet franceze e kthyen fletën, arrestuan Themistokli Gërmenjin dhe e pushkatuan në Selanik si dhe u përgatitën t’ja dorëzojnë Korçën Greqisë. Atëhere Sali Butka mblodhi forcat që arritën në 20.000 dhe mbasi e rrethoi Korçën, përsëri, i dërgoi komandantit të forcave franceze një ultimatum.

Sali Butka mbrojti jo vetëm Korçën, por të gjithë Shqipërinë Juglindore nga sulmet e forcave greke. Nisur nga kontributi dhe fama e madhe që mori Sali Butka, në 1920 u zgjodh dhe mori pjesë si delegat i Korçës në Kongresin e Lushnjës. Ai mbështi shtetin e ri shqiptar të dalë nga ai Kongresi. Sali Butka vdiq në vitin 1938.

Marrë nga Etimologji.com

SALI BUTKA DHE VOSKOPOJA.
Marë shkas nga statuset që kemi postuar për ju miq mbi figurat e ndritura të rilindjes shqiptare nga Kolonja e Shqipërisë nëpërmjet këtij statusi dëshirojmë që t’ju informojmë dhe t’ju tregojmë të vërtetën e Sali Butkës me Voskopojën. Fotot i përkasin kryetrimit Sali Butka dhe Voskopojës shqipëtare. Në vitin e largët 1916 gjëndja ekonomike dhe politike në jug të Shqipërisë ishte shumë e rënduar kjo si shkak i pushtimit të Shqipërisë jugore nga ushtria greke ku kisha e saj përveç krimeve mostruaze kishte rekrutuar dhe helmuar shumë shqiptarë gjakprishur. Në Korçën e atyre viteve ishin kryer masakra nga më çnjerëzore ku fshatra si Panariti, Luadhi etj pothuajse ishin zhdukur nga reprezalja e politikës nacionaliste e kishës dhe shtetit grek. Të gjitha institucionet pas largimit të autoriteteve turke ishin ozurpuar nga shteti shovinist grek. Propoganda shoviniste greke ishte djallëzore dhe shfarosëse. Ata propogandonin në kancelarite Europjane se në Shqipëri kishte plasur një luftë civile midis myslimanëve dhe ortodoksëve dhe ushtria e saj ishte në mbrojtje të popullit ortodoks se këta sipas tyre ishin bizantinë grek. Në Korçë përveç institucioneve ata aritën të krijojnë një repart ushtarak me banorë vendas dhe propogandonin që rradhët të shtoheshin me qëllim për ti hedhur në luftë vëllavrasëse për ti përçarë shqiptarët e për ta patur më të lehtë aneksimin e të ashtuquajturit Vojo-Epir. Nga kjo elmatosje nuk kishin shpëtuar as banorë të komunitetit vlleh të Voskopojës të cilët nëpëmjet stimujve ishin greqizuar.
Po kush ishte Voskopoja në ato vite?
Voskopoja ka qënë një qëndër e vjetër banimi ku popullsia e saj përbëhej nga myslimanë shqiptarë, ortodoksë shqiptarë dhe arumunë nga vllaqia e largët. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat. Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë (1720), artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brënda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi. Shkatërrimin e parë e ka pasur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916. Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar. Kur Naun Veqil Harxhi vizitoi Athinën ai do të shkruante se Athina eshtë një grup kasollesh rreth Akropulit ndërsa Voskopoja jonë është kasaba tepër e zhvilluar.
Popullsia arumune e Voskopojës ishte lidhur shumë ngushtë me autoritetet shoviniste greke dhe kishin marë në dorë popullin voskopojar. Përveç drejtimit të saj ata ishin kthyer në një bazë e fuqishme që mbështeste ushtrinë dhe ëndrën e ” Megali ideas” që do të thoshte greqi në kufijtë e Perandorisë Bizantine.
Sali Butka në detyrën e komandantit të kryengritjes shqiptare me çetat e tij kishte luftuar kundra turqve dhe kundra grekëve deri në atë kohë. Çetat e tij ishin të përbëra nga myslimanë e të krishterë sëbashku me komandantët e tyre por edhe me banorë të komunitetit arumun. I orjentuar nga patriotët korçarë në cilësinë e komandantit të kryengritjes shqiptare, ai shkon në Voskopoojë dhe u kërkon komunitetit arumun që të bashkoheshin me popullin e Korçës e të mos ndihmonin planet shoviniste greke dhe ushtrinë e saj. Ata jo vetë që nuk pranuan por të nxitur e të ndihmuar nga ushtria greke që fatkeqësisht ishin të strehuar në shtëpitë e tyre ja nisën luftës. Përpjekja me armë bëri që ajo pjesë e Voskopojës të digjej e para kjo më shumë nga banorët dhe ushtarët grekë dhe këtë e bënë për të bërë politikë te autoritetet lokale franceze të Korçës. Arumunët së bashku me ushtarët grek duke parë forcën e madhe të bashkuar të popullit korçar me kryengritësit dogjën edhe shtëpi të tjera jo arumune të Voskopojës shqiptare. Kjo ishte dhe është e vërteta me djeg’jen e Voskopojës. Atë nuk e dogji Sali Butka por komuniteti arumun i shtyrë dhe i përkrahur nga ushtria greke dhe e gjitha kjo vetëm për politikë.
Të hedhësh baltë duke shpikur andralla mbi personalitetin e njeriut më mëmëdhetar në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe është mëkat i madh. Faktet janë fakte që lehtësisht mund të verifikohen nga lidhjet e tij me patriotë e kler të kishës ortodokse shqiptarë apo edhe nga shkrimet e patriotit të shquar korçar në gazetë lidhja ortodokse të Mihal Gramenos mbi veprimtarinë patriotike të tij. Kjo familje e shquar kolonjare nuk kurseu për Shqipërinë as ekonominë e saj, as gjakun dhe as antarët e saj më të mirë. Ky mëmëdhetar i madh i dha dy djem Shqipërisë Iljaz dhe Gani Butkën, vëllanë e të afërm të afërt të familjes. Kurrë nuk u tërhoq nga kauza e tij për Shqipërinë e pa varur. Dhimbjen e njerëzve të tij të zemrës i hodhi në vargje dhe sot populli i Korçës e Kolonjës por jo vetëm u këndon bijve të saj në gëzime e në raste festash. Mos hidhni baltë mbi këtë familje të parë në tërë Shqipërinë jugore por edukoini fëmijët me frymën e atdhe dashurisë. Këtë status për këtë rilindas, patriot, kapedan por edhe vjershëtor do ta mbyll me këto vargje të tij;
Për lirinë, për lirinë,
lumë kush vdes për Shqipërinë.
Është i gjallë kurdo herë,
e ka të pa vdekur nderë.
Sali Butka.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu