ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Historia e një tregimi! 

Shkrime relevante

Shpërndaj

Bajram SEFAJ 

Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjete e gjysmë!  Ose: Historia e një tregimi! 

Tregim  – 1980 e 05% !* 

Jo, këtë pështjellim shifrash, në trungun e emrit të atij viti atje, të largët, nuk e bëj për mendje të madhe, as mend për të shitur. Së gjëja se ndjek për së lehti, shkeli mbi hijet e të mëdhenjve, se synoj famën e tyre duke ecur gjurmëve të tyre, në yrnek të shkrimtarit  të njohur anglez, atij me emrin  George Orwell (1903-1950). “Kafshët vazhduan të vështronin herë një derr e herë një njeri, pastaj përsëri një njeri e përsëri një derr, por ishte e pamundur ta përcaktoje se çfarë ishte njëri e çfarë tjetri”- “Ferma e kafshëve”- faqe 122 botim i SHB të LSHSH 1992. Tiranë).  Kur u ngatërrua, sapo nisi një shkrim të ri, që kish vendosur t’ia ngjiste titullin 1948, ashtu si planifikonte, dora e instinktit i rrëshqiti e ia qiti 1984! Ashtu si e shënoi instinktivisht, pra, nuk e nguci fare e, vazhdoi të shkruaj. Vazhdimi i mëtutjeshëm i rrëfimit të kësaj sage rastësie, dihet. Është i njohur për të gjithë. Nuk përsëritet. Nuk ka reprizë! Romani 1984, u bë i njohur dhe i popullarizuar, bestseller,  në tërë opinionin lexues botëror dhe, i tillë vazhdon të jetë. Sot e gjithë ditën! Jo, rasti im, është i pafat dhe i dhimbshëm njëkohësisht. Loja e luhatjes, ndërrimit të dy shifrave të fundit të vitit të mbrapsht 1981, e nxorën në një vit edhe më të keq, më katil, të historisë, 1918! Vit që fillon një luftë e ashpër, e njohur me emër e mbiemër, Lufta e Parë Botërore! Po, halli jo i vogël, imi shkrimtar pusit shqiptar. Larg afirmimit dhe famës se Orwell-it, u tregova kryeneç i pandreqshëm, në insistimin, me çdo kusht, që viti 1981, që ia kisha inat, mos të ngel ashtu siç është. Por, për të zi të tij, as 1918, nuk bënte, 1980 e 50, (njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e gjysme) mu begenis. E qita  krahësh dhe, u nisa! 

Para tankeve, që bluanin e drobitnin asfaltin e sheshit kryesor të Prishtinës, para mjegullës e tymnajës, që si tornadot më të çmendura, silleshin vërdallë rrugëve të qytetit, para të rafalëve të thekshme që, me pezëm e hidhërim të skuqur dhe gjithë inat, shqyenin ajrin e periferisë së qytetit, duke sjellë nga atje, në qendër, habere të këqija, ndërmend, me erdhën dy cikërrime që, si të padukshme të ishin, në ato çaste dramatike: e pra, kur shkrimtarit tonë të mirë, më të shquarit në këtë thyerje shekujsh,  ia lypi një cigare duhan. Në vend të një cigareje, shkrimtari njohur*, ma fërfëlloi një paketë të pa nisur cigaresh të markës së njohur, Malboro. Kjo dëshmonte shkallën e lartë të nervozizmit kolektiv, që e veshte me rrobë të zezë ato çaste jetike e fatale, për shqiptarët e Kosovës fatzezë! (Aty e tehu, kurrë më, për jetë të jetëve, prej askujt nuk lypa cigare. Trusi bythën e cigaret i blej vetë, si krejt dynjaja e qortova vetën. Boll janë dy poetët tanë të shquar, (një Azem dhe një Ali!) që, kurrë duhanin s’e ndërronin, sikurse se thuhej me shpoti, përherë tymosnin duhan të huaj! Iku, kjo! Kaq e pat!). 

Rasti i dytë: biseda telefonike me mikun tim në Shkup. Që ka lidhje të ngushtë me atë vit atje, të çartur dhe të prishur kryekreje, mos raft me u harruar!, e riprodhoj besnikërisht, ashtu si kam provuar ta tregoj, në raste tjera. Dy janë arsyet, por jo të vetmet, pse rrëfehet ky rrëfim! E para, (që mund të jetë e dyta!) është së përmes këtij kallëzimi, mbi tregimin “Gjumi i pagjumë”, shprish një ble kujtimesh, (kurrë të përgjumura!) mbi një kohë e një vakt të trazuar, të shkuar, por jo të harruar. Arsyeja e dytë (që mund të jetë e para!), është ideja, origjinale, fisnike, kolegjiale e mikut të shtrenjtë, Nijazi. Është meritë dhe kabahat i tij, barabar. Fajtor, e përgjegjës, jam unë vetë, çfarë rendimenti në mjeshtërinë e rrëfimit, të narracionit, do të arrij! Të shohim! Rrëfimi është ky: kur pasioni, shqetësimi dhe kureshtja ngadhënjejnë mbi arsyen, si të shkelja mbi gaca qarri, i avitëm kabinës telefonike, në sheshin kryesor të Prishtinës. Ishte fillimi i muajt prill të vitit të mbrapshtë 1981. Kur krejt Kosova, veçmas kryeqyteti i saj, ishte në tym të zi e, në flakë verdhë! – Alo, redaksia e kulturës së Flakës së Vëllazërimit? Telefonoj nga Prishtina. Desha të di mbi vendimet e jurisë së gazetës suaj, të konkursit letrar për tregim, për ketë vit! Akoma ende pa e përfunduar mirë fjalinë, nga skaji tjetër i telit, zëri më përgjigjet: po, koleg, tregimi yt, ai me titull “Gjumi i pagjumë”, është vlerësuar me shpërblimin e tretë. Çmimi i parë dhe i dytë nuk janë ndarë fare, sivjet! E mundur kjo! Ngrij, shtangoj në vend. Befasi befasuese. Shkuar saj! Nuk isha prezantuar fare në bisedën telefonike. Tregimi ishte nënshkruar me shifër! Kolegu, ashtu si e njohu zërin tim në telefon, e kishte njohur edhe “zërin e dorëshkrimin” e tregimit tim, në letër! A nuk është kjo, një mrekulli që meriton të veçohej e të shënohej!  Tregimi “Gjumi i pagjumë” atë ditë e sot, për jurinë e respektuar të “Flakës…” dhe lexuesit e saj, ngeli anonim nga se, “trupi gjykues” i jurisë e kishte marrë si shkrim të një autori tjetër. Të atij që, për kohë të gjatë tridhjetëvjeçare, nuk kishte bërë Gjumë të rehatshëm nate. Gjithandej në(për) birucat e zi të burgjeve të armikut shekullor. Ec e paraqitu tash. Ec e dëshmoje autorësinë! Që të rri urtë, të trus e mos të nguc “grejzin me kra’ne, se… ”, me këshilluan edhe shumë miq e dashamirë! “Historia” e këtij tregimi megjithatë përfundon me kreshendo. “Gjumi i pagjumë”, pos që ishte radhitur midis dhjetë tregimet e vëllimit “Rruga deri në kallëzim”, (Rilindja – 1983), shumë vjet më vonë (1995), përkthyer nga z. Sébastien, botohet në frëngjisht. Në numrin 5, të revistës “Encres Vagabondes” – (Céation littéraire et magazine de l’écit) dhe zinte tri faqe (50,  51, 52) të formatit të mesëm, të saj! Dy lexuese, dy hanëme, dy bukuroshe parisiene, tregimi “L’insomnie” (titulli i përshtatur, në gjuhën e tyre!), i lë pa Gjumë, nga meraku i “sevdasë” dhe i “dashurisë” ndaj autorit! (…shumë vjet më vonë, në një natë krejt tjetër), gjallë e dendur, kujtoi atë natë dhe provoj që, nga gjithë kjo, të qes diçka në letër. Përkthimi:… des nombreuses années plus tard, lors d’une nuit totalement autre, vivant et résolu, il se souvint de cette nuit et il tenta d’en sortir quelque chose sur le papier).  Janë këto fjalët e fundit, në shqip dhe në frëngjisht,  që “solemnisht” përmbyllin rrëfimin e tregimit “Një natë e pagjumë”, respektivisht “L’insomnie”. Riprodhohen sa për t’u ndje e shijuar muzikaliteti, timbri i këtyre dy gjuhëve, jo, për tjetër, jo! . “Misteri i dashurisë” së dy lexueseve ndaj autorit Benzhamë (kështu shqiptohet emri im atje, në atë botë të huaj!), zbërthen, gris perden e heshtjes mijëvjeçare. Zbardhet, zbulohet,  bëhet i përbotshëm, si  për të përligjur thënien e Gabriel Garcia Markez – “Tërë bota ka tri jetë: një jetë private, një jetë publike dhe një jetë sekrete…”! Kaq. “Haj kuku, çka m’ka gjet mu, baba dek’, kali çorru’! (Insert nga kënga e trashëgimisë së folklorit tonë të lashtë popullor që,  edhe sot e kësaj dite, këndohet aty-këtu, ndër ne, në çaste sikleti e mërzie!). + Fjala është për shkrimtarin Mehmet Kraja. (Diku në Francë, shtator 2020). 

*Shkëputur nga novele *Kinkaleri”, faqe, 180-185, Faik Konica – 2022. 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu