ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Historia, rrjedha historike dhe individi Zekeria Cana

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Nga: Kadrush Radogoshi
___
Shkrim dedikuar Zekirja Canës
___
Tre përbërësit e titullit të këtij shkrimi paraqesin tri pikëvështrime prej nga do të vështrohet figura e Zekirja Canës. Termi histori nënkupton njohjen objektive, vlerësimin objektiv dhe shkrimin për rrjedhën historike, ndërsa rrjedha historike nënkupton vargonin e gjatë dhe të pashkëputshëm të ngjarjeve nëpër kohën ekzistenciale të një populli. Në kontekstin e dy përbërësve të parë do të shikohet roli i individit të veçantë si studiues i dalluar i historisë dhe si pjesëmarrës në rrjedhën historike, qoftë si figurë vepruese, qoftë si kronik.
Profesori i historisë dhe studiuesi i shquar i saj, Zekirja Cana lindi më 15 mars 1934 në qytetin e Gjakovës, i cili në dy shekujt e fundit ishte shndërruar në njërën nga qendrat më të rëndësishme ekonomike e kulturore shqiptare. Duke qenë i tillë, ky qytet ishte shndërruar edhe në njërën nga qendrat më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare. Duke qenë bashkëqytetar i figurave të mëdha historike, Zekirja Cana u rrit me ndjenjën se vendlindja e tij Gjakova për më shumë se dy shekuj nuk kishte konsumuar histori, por e kishte krijuar historinë. Kjo vetëdije historike e tij ishte përcaktuese për vendimin e tij që ta studiojë historinë në Universitetin e Beogradit, ku i kreu edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në vitin 1975, duke mbrojtur tezën e tij “Lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë 1909-1912 dhe qëndrimi i Serbisë ndaj kësaj lëvizjeje”. Tezën e doktoranturës “Socialdemokracia serbe dhe çështja shqiptare 1903-1913” e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1984. Gjatë studimeve në Beograd ishte njëri ndër anëtarët më aktivë të Shoqatës kulturore të studentëve shqiptarë “Përpjekja”, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm. Në atë kohë filloi të botojë shkrimet e tij në shtypin shqip të asaj kohe: “Rilindja”, “Flaka e Vëllazërimit”, “Përparimi”, Gjurmime albanologjike” etj. Pas kryerjes së studimeve punoi profesor historie në shkollat e mesme të Gjakovës dhe Prishtinës dhe pastaj punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës – Sektori i historisë dyzet vjet me radhë. Në vitet 1968-1976 ishte sekretar shkencor i këtij instituti. Pos tezës së magjistraturës dhe doktoranturës ka botuar edhe veprat: “Gjenocidi i Malit të Zi ndaj shqiptarëve 1912-1913 (Dokumente)”, “Shpalime historike 83-98”, “Ditari i luftës 1999”, “Ditari i robërisë 1 e 2” etj.
Zekirja Cana nuk ishte vetëm studiues i historisë sonë kombëtare, por edhe aktor me një rol të rëndësishëm në rrjedhën e ngjarjeve të historisë më të re të Kosovës. Pas demostratave të mëdha të vitit 1981, kur e tërë makineria politike dhe policore jugosllave e mbështetur edhe nga ushtria jugosllave u sul për ta nënshtruar Kosovën dhe për ta rrënuar autonominë e saj, figura e Zekirja Canës doli në skenën historike, duke e kundërshtuar atë fushatë antishqiptare. Pos arrestimeve dhe dënimeve drakonike me burgim të rëndë të rinisë shqiptare (e cila e kishte vrarë frikën njëherë e përgjithmonë) dhe inteligjencies, filloi vrasja e ushtarëve shqiptarë në të ashtuquajturën Armata Popullore e Jugosllavisë, trupat e të cilëve silleshin në arkivole të blinduara me arsyetimin cinik: ka bërë vetëvrasje. Familjarët e viktimave urdhëroheshin, që mos t’i hapnin arkivolet dhe t’i varrosnin djemtë e tyre ashtu në arkivole të pahapura. Por, krimi shtetëror jugosllav ndaj ushtarëve shqiptarë duhej të argumentohej dhe njëri ndër intelektualët, që ngulnin këmbë se arkivolet e blinduara duhej të hapeshin ishte Zekirja Cana. Arkivolet filluan të hapeshin dhe u dëshmua fakti se ata ishin vrarë me nga disa plumba e disa edhe ishin masakruar. Në prag të aprovimit të ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i ish Krahinës Autonome të Kosovës më 24 mars 1989, të cilat suprimonin autonominë e Kosovës, në mesin e intelektualëve shqiptarë, që e kundërshtuan këtë akt ishte edhe Zekirja Cana, i cili e hartoi “Apelin e Intelektualëve shqiptarë” dhe ua dha 215 intelektualëve shqiptarë për ta nënshkruar. Zekirja Canën nuk e burgosën për këtë veprim sepse ishin të vetëdijshëm për reagimin e madh të opinionit ndërkombëtar, por më 28 mars 1989 u arrestuan 237 intelektualë shqiptarë, që ishin shquar me kundërshtimin publik kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, duke i dërguar në izolim fillimisht në Burgun e Leskovcit e pastaj duke i shpërndarë nëpër burgjet tjera të Serbisë. Në mesin e tyre ishte edhe autori i këtij shkrimi. Pyetja e parë që na bëhej ishte: a e ke nënshkruar Apelin e 215-tëve? Kjo pyetje dëshmonte se ky apel e kishte shqetësuar pushtetin serb. Po këtë ditë të arrestimit tonë ndodhën demonstrata të përgjakshme anë e kënd Kosovës dhe u vranë rreth 20 demonstrues anekënd Kosovës (Zhur, Deçan etj.).
Rrënimi i të gjitha institucioneve të Kosovës, nxjerrja e sistemit arsimor kosovar në gjuhën shqipe jashtë sistemit për shkak se shqiptarët nuk pranuan, që fëmijët e tyre të mësonin me plan programet e Serbisë, futja e masave të dhunshme nëpër fabrika dhe nxjerrja e punëtorëve shqiptarë nga puna, numri i të cilëve ishte mbi 200.000, popullin shqiptar në Kosovë e mbështeti për muri dhe këto akte të pushtetit serb ishin vazhdim i zbatimit të projektit shtetëror për zbrazjen e Kosovës dhe zhdukjen biologjike të popullsisë shqiptare. Në një gjendje të tillë rinia shqiptare ndërmori nismën për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave në mes të shqiptarëve. Njëra prej nismëtarëve të këtij aksioni Nurie Zekaj nga rrethi i Deçanit e pagoi me jetë angazhimin e saj. Këtë nismë të rinisë e përkrahën intelektualë si Anton Çeta, Zekirja Cana e shumë të tjerë. Falja e gjaqeve u përcoll me manifestime të mëdha publike (në Tubimin për faljen e gjaqeve te Verrat e Llukës morën pjesë afër një gjysmë milioni njerëz) në të cilat u bë homogjenizimi i popullit shqiptar. Në to u mbajtën fjalime demaskuese kundër pushtetit serb, të cilat e homogjenizuan popullin shqiptar dhe e përgatitën atë për të gjitha format e rezistencës kundër okupimit klasik serb. Në këto tubime u shqua me fjalimet e tij Zekirja Cana, oratoria e të cilit ishte shumë mobilizuese. Reagimet e tij për të mbrojtur të rinjtë shqiptarë nga policia serbe në këto manifestime janë të njohura.
Ndonëse në moshë mbi gjashtëdhjetëvjeçare ai mori pjesë në rivarrimin e 52 anëtarëve të Familjes Jashari në mars të vitit 1998, në ato ditë të rënda për Prekazin dhe tërë Kosovën. Për të dëshmuar se sa i rëndësishëm ka qenë roli i Zekirja Canës në sensibilizimin e opinionit amerikan dhe botëror për nevojën e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë për ta shpëtuar popullsinë e saj nga shfarosja tregon edhe artikulli i gazetarit amerikan Tracy Wilkinson me titull “Shqiptarët i rivarrosin viktimat e sulmit, 52 trupat e nxjerrë nga varreza masive e bërë nga policia serbe” (“Albanians Rebury Victims Of Atack 52 Bodies Recovered From Mass Grave Made By Serb Police”) të botuar në gazetën “Los Angeles Time”, e enjte, më 12 mars 1998. Ndër të tjera në këtë artikull autori shkruan: “ Ne sot jemi duke varrosur martirët tonë” tha Zekirja Cana, një mësues me flokë të thinjura, pas thirrjes për të mbajtur një minutë heshtje. Fshatarët i përulen kokat dhe shqiptuan me zë: Lavdi!”
“Ne sot jemi duke varrosur fëmijë, foshnja, gra plaka, burra pleq”, Cana tha dhe vazhdoi gjatë ceremonisë së shkurtë: “ Një masakër e tmerrshme siç po e sheh bota e civilizuar!”
Shumica e afër dy milion shqiptarëve, të cilët përbëjnë mbi 90% të popullsisë së Kosovës e kanë kundërshtuar me hidhërim autoritetin policor serb, i cili iu është imponuar atyre dhe duan një shtet të pavarur.”
Individi Zekirja Cana ishte shumë i afërt e komunikues me njerëzit, pra ai ishte e kundërta e shumë shokëve të tij intelektualë, të cilët asnjëherë nuk arritën të çliroheshin nga lëvozhga e tyre snobiste. Përkundër kësaj kategorie intelektualësh të mbetur në gjysmë të rrugës në aspektin profesional, por që paraqisnin “autoritetin intelektual zyrtar” nga ish sistemi, Zekirja Cana ishte përkrahës i gjeneratës së re intelektuale, e cila po thyente klishetë dhe tabutë. Në këtë kontekst po e sjellë një fakt nga përvoja ime personale. Në vitet 1993-1994 Adem Demaçi e botoi javoren politiko-kulturore “Forumi”. Ai e kishte porositur Abdullah Konushevcin, që të ma përcillte kërkesën për të dërguar shkrime për botim. Ishte hera e parë që mund të botoja shkrime në një revistë pa kurrfarë censure. Pasi kisha botuar disa shkrime në këtë revistë, të cilat i karakterizonte vetëdija kritike, qoftë në aspektin e zgjedhjes së temave, qoftë në aspektin e trajtimit të tyre, në një mëngjes të ftohtë dimri pak para fillimit të luftës në Kosovë më erdhi për vizitë në shtëpinë time Zekirja Cana së bashku me Behar Kryeziun. Duke e pirë kafenë më tha troç: “Kam ardhur të përgëzoj për shkrimet, që ke publikuar kohëve të fundit”. U ngrit dhe shkoi te makina ime e shkrimit dhe lexoi titullin e shkrimit që kisha filluar. “Të lumtë! Vazhdo!, gjithashtu ta kam sjellë librin tim “Gjenocidi i Malit të Zi ndaj shqiptarëve 1912-1913 (Dokumente)”, më tha ndër të tjera. Vizita e tij zgjati përafërsisht një orë, por më mbeti në kujtesë përgjithmonë.
Në katër vjetorin e vdekjes së Halil Alidemajt, intelektualit, veprimtarit të shquar, ish të burgosurit politik dhe nxënësit të tij ndër të tjera tha: “Profesori i mirë i mëson nxënësit, por edhe mëson nga nxënësit e tij. (…) Atdhetarët e mëdhenj ose vdesin të varfër ose vriten”. Zekirja Cana nuk u vra nga pushtuesit, por as nuk krijoi pasuri për vete dhe familjen e tij. Në kontekstin e këtij mendimi të tij mund të përfundojmë se figura e profesorit, që i mësoi nxënësit dhe po ashtu mësoi nga nxënësit e tij, Zekirja Cana është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me historinë e Kosovës dhe rrjedhat historike të saj në gjysmën e dytë të shekullit të XX jo si spektator pasiv apo statist, por si aktor me rol të definuar qartë si studiues i historisë, pjesëmarrës aktiv në rrjedhat historike dhe kronik i besueshëm i tyre.

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Shkrim shume interesant me deshmi historike te perjetume.
    Kishe dashte me dijte nji gja prej juve, qe i keni perjetu dy pushtuesit:
    Cila asht ndryshimi ne mes pushtuesit serb dhe pushtuesit turk? Pra cili ka qene ma i eger e cili ka qene ma i bute?

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu