Jusuf Osmani, historian nga Prishtina
Banjska shtrihet në bregun e majt të Ibrit, 10-12 km në veriperëndim të Mitrovicës. Është vendbanim me burime uji të nxehtë mjekues dhe për pije.
Është vendbanim i vjetër antik, e ndoshta edhe shumë më i vjetër. Në lokalitetin e këtij vendbanimi janë gjetur mbishkrime të shkruar në gurë të kohës së sundimit romak në trevat ilire-dardane, si: D(is) m(anibus) / Voconia [Epi] caris vix(it) /annis XV[-e]ros mae(i) /si[bi et] coniugi/ pientissimae.
Në Bajë (Banjskë) ekziston kisha e ngritur në mes të viteve 1313-1317 nga mbreti Millutin, mbi themele të një kishe të lashtë ilire, muret e së cilës kanë qenë ende të qëndrueshme.
Banjska nën sundimin osman bjen në vitin 1422. Në te hynë rastësisht Mehmet Ali Pasha Jedreneli, duke shkuar për gjueti. Në atë kohë tërë Banjska ka qenë e banuar me popullatë shqiptare të ritit fetar ortodoks.
Udhëpërshkruesi turk Evelija Çelebi (i lindur më 1611), për Banjën shkruan: “Ilixha e Banjskës” është një fortesë katërfaqësore e ngritur më 1618. Kjo fortesë e ka rojën prej 50 ushtarësh, ka topa, depo, mjaft ushqim, xhami dhe banonin ndër te. Në qytet gjenden 300 shtëpiza të të varfnjakëve të mbuluara me tjegulla, e kanë xhaminë”. Edhe udhëpërshkruesi Engellov më 1782, e përmend Banjskën si vend ku mbaron filli i Bosnjes dhe niset filli i Rumelisë. Ndërsa, Ami Bue e përmend Banjskën si fshat me 50 shtëpi që zënë vend në rrugën postale në mes të Mitrovicës dhe Jeni Pazarit. Në vitin 1891 Banjska kishte 60 shtëpi shqiptare e asnjë serbe, ndërsa në vitin 1903 kishte 73 shtëpi shqiptare.
Sipas sallnamës turke të vitit 1900, thuhet se në afërsi të Mitrovicës, rreth 3 orë larg është fshati Banjska, në të cilin buron një ujë mineral i cili rrjedh në një gjatësi prej 10 m dhe 6 m. gjerësi. Ky vend nuk është i rregulluar. Uji nga aspekti mineral ka përbëje të hekurit. Uji ka veti shëruese për shumë sëmundje. Ky vend është njëkohësisht edhe vendbanimim me 60-70 familje. Ka një xhami, një shkollë, disa dyçane dhe kafene, një kala të vjetër të rrënuar. Shpenzimet e transportit vëhen në fondin e xhamisë, shkollës dhe kalasë.
Banjska vendbanim gjatë kohës së sundimit osman ishte qendër ekonomike e kulturore e kësaj treve, ishte vend udhëkryqi ku kalonin tregtarët me karavanet e tyre, të cilët pandërprerë me mallin e tyre komunikonin në mes të Kosovës dhe Bosnës. Në në kohën e Perandorisë osmane, kur Banjska ka qenë më e zhvilluara ka pasë 9 hane, disa kafiteri, shumë punëtori manifakturale, 12 dyqane etj. Pra, Banjska ishte qytezë ku lulëzonin tregtia e turizmi. Ajo kishte medresën, pastaj më vonë shkollën shqipe (1916-18) etj.
Deri në vitin 1912 në Banjskë ka jetuar vetëm popullata shqiptare dhe pastaj filloi të vendoset popullata serbe. Prej vitit 1912 dhe deri në vitin 1923 popullsia shqiptare e Banjskës fillojë të emigroi në Turqi. Kështu vetëm në vitin 1923, e braktisën Banjskën 54 shtëpi shqiptare. Shumica e popullsisë të dalur prej Banjskës u vendosën në qytezën Evrengjik të Turqisë. Deri në vitet 1944-45 në Banjskë kanë jetuar 17 shtëpi shqiptare, të cilat po në atë vit u shpërngulën dhe u vendosën në Mitrovicë, ku disa mbajnë mbiemrin Banjska. Tërë kjo ishte si pasojë e shtypjeve nga qarqet e hegjemonistëve serbomëdhenjë. Çetniko-komunistet e luginës së Ibrit, në periudhën 1941 deri më 1953 ndërmorën akcione spastruese, ku masakronin shqiptarë. Nga ky vendbanim janë larguar 121 familje me 1.084 anëtarë. Dëshmi për këtë, përveç tjerash janë edhe varrezat dhe mbishkrimet në te. Kështu, sipas regjistrimit serb të vitit 1991 kishte 326 banorë serbë, 1 malazias, 2 shqiptarë dhe 1 të tjerë.
Duhet theksuar se edhe shumë vendbanime të tjera të pjesës veriore të Kosovës kanë qenë të banuara me popullatë shqiptare.
(Për shkak të natyrës së punimit, referencat janë hequr)