Nga: Arif Ejupi
Hizdri Halit Gubetini lindi më 8 prill të vitit 1977 në Polenicë, paralagje e Podujevës, e njohur sot si Podujeva e Re. Qysh në fëmijëri, ëndrrat e tij nuk kishin kufij – ai nuk shihte vetëm përtej horizontit, por ëndërronte të sfidonte lartësitë dhe të fluturonte në qiell.
Dashuria e tij për fluturimin nuk ishte thjesht një pasion i çastit, por një thirrje e brendshme, një forcë që e shtynte të sfidonte gravitetin dhe të përjetonte lirinë që vetëm qielli mund t’i ofronte. E, dinte se mjeshtëria e parashutizmit bartte rreziqe të shumta, por asgjë nuk mund ta zmbrapste.
Në Kosovë dhe Shqipëri ku aeronautika nuk ishte një sport masiv, Hizdri Gubetini ishte ndër të paktët që sfidoi vështirësitë dhe punoi me përkushtim për ta popullarizuar këtë disiplinë të rrallë.
Në kushte të rënda pune, me këmbëngulje dhe pasion të pashtershëm, ai përballoi dhe sfidoi pengesat nga më të ndryshmet – duke mos u ndalur kurrë në rrugën e tij për të ngritur këtë sport në një nivel më të lartë.
Vetëmohimi dhe puna e tij e pandërprerë u shpërblyen me sukses të merituar. Hizdri Gubetini u stolis me trofe të shumta, duke shkëlqyer jo vetëm në garat rajonale, por edhe në ato ndërkombëtare. Një nga arritjet e tij më të mëdha ishte ajo në garat prestigjioze ndërkombëtare “Oludeniz Air Games Festival”, të mbajtura më 20-24 tetor 2021, në Oludeniz – Fethiye, të Turqisë.
Në këtë garë me konkurrencë të jashtëzakonshme, ai la pas 55 aeronautistë të njohur të botës, duke dëshmuar talentin dhe aftësinë e tij të jashtëzakonshme.
Ky ishte një moment historik për të dhe një krenari për Kosovën e Shqipërinë, duke e vendosur atë në hartën e aeronautikës botërore.
Garat në të cilat ai mori pjesë përfshinin fluturimet në tandem, si dhe hedhjet “skydiving” dhe “wingsuit”, të cilat janë ndër disiplinat më të vështira dhe ekstreme të aeronautikës.
Përveç përkushtimit të madh dhe guximit të jashtëzakonshëm, këto fluturime kërkojnë një precizitet milimetrik, një kontroll absolut të trupit në ajër dhe një përgatitje të jashtëzakonshme teknike. Hizdri Gubetini zotëroi këto aftësi me mjeshtëri, duke e bërë atë një emër të njohur dhe të respektuar në botën e sporteve ajrore.
Një nga momentet më të jashtëzakonshme të karrierës së tij ishte edhe ai, kur, porsi një dallëndyshe,për pesë orë të plota qëndroi në një lartësi prej 3,000 metrash, mbi malet e Moknës të Burimit (ish-Istogu) duke kryer akrobacione ajrore që mahnitën të gjithë të pranishmit.
Ky akt ishte një dëshmi e përgatitjes së tij fizike dhe teknike, e disiplinës së tij të hekurt dhe e guximit të tij të rrallë.
Po ashtu fluturimet e tij në Llogara dhe Berat të Shqipërisë, si dhe në Prilep të Maqedonisë së Veriut, mbeten të paharrueshme për të gjithë ata që e njohën dhe e admiruan artin e tij të fluturimit. Në këto vende ai sfidoi erërat, lartësitë dhe gravitetin, duke e shndërruar qiellin në arenën e tij të triumfit.
Sukseset e tij nuk mbetën vetëm në kufijtë kombëtarë. Hizdri Gubetini theu rekorde dhe fitoi shumë medalje në garat e zhvilluara në Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Turqi, Itali, Qipro, Serbi dhe Maqedoni të Veriut.
Me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme la pas konkurrentët më të mirë të botës, Hizdriu ngriti standardin e aeronautikës në rajon dhe u bë një ikonë e këtij sporti.
Përveç si pilot profesionist dhe kampion në sportet ajrore, Hizdri Gubetini dha një kontribut të rëndësishëm edhe si instruktor në Federatën Aeronautike të Kosovës.
Ai ndau përvojën dhe pasionin e tij me gjeneratat e reja, duke ua mësuar atyre teknikat dhe sigurinë e fluturimit. Për shumë të rinj që e ëndërronin qiellin, Hizi siç e quanin shokë e miq ishte frymëzim dhe mentor. Ai jo vetëm që ua mësoi artin e aeronautikës,por ua largoi edhe frikën për t’i sfiduar lartësitë të gjithë debutuesve të këtij sporti.
Punën dhe sukseset e Hizdriut edhe sot i vlerësojnë lart të dyja Federatat e Aeronautikës së Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat aktivitetin e tyre e zhvillojnë nën një çati, duke e mbajtur gjallë pasionin dhe vizionin që ai la pas.
Një vlerësim të veçantë të arriturave të Hizdiut, çdoherë ua ka bërë z. Alket Islami, kryetar i Federatës Aeronautike të Shqipërisë. Ai, Hizriun e cilëson si një figurë markante të aeronautikës shqiptare.
Z.Alket Islami në kujtimin të jetës dhe veprës së Hizdriut, çdo vit, në bashkëpunim me vëllezërit Arbër dhe Zyber Krasniqi, udhëheqës të Federatës Aeronautike të Kosovës, organizojnë gara të fluturimeve me emrin e Hizdri Gubetinit.
Ky aktivitet jo vetëm që mban gjallë trashëgiminë e tij, por edhe i motivon të rinjtë që të ndjekin rrugën e Hizdriut.
Trashëgimia e tij nuk ndalet këtu. Pas vdekjes së Hizdriut, me guxim dhe vendosmëri, këtij sporti i është qasur edhe i biri, Almiri, duke ndjekur gjurmët e babait të tij dhe duke vazhduar ëndrrën e tij për të pushtuar qiellin.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Komunës së Podujevës i është propozuar që një rrugë apo një klub i aeronautikës të emërtohet me emrin e Hizdri Gubetinit.
Ky do të ishte një homazh i denjë për një njeri që i dha shpirt aeronautikës dhe që ngriti lart emrin e Kosovës dhe Shqipërisë në sportet ajrore ndërkombëtare.
Ëndrra e Hizdriut për suksese të reja u ndërpre papritur natën e 6 dhjetorit të vitit 2021, kur atë e rrëmbeu vdekja e fshehtë dhe tinëzare derisa ishte duke punuar në dekorimin e oxhaqeve të kamp-shtëpizave në fshatin Delloc të Therandës.