Lekë Mrijaj, Klinë
Unë e konsideroj veten time shumë me fat, që kam pasë rastin të njihem personalisht për së afërmi me një Bari të Denjë Shpirtëror të Kishës Katolike Shqiptare të Kosovës siq ishte imzot Mark Sopi. Ai, përveqse ishte një pasardhës i Martirëve të Karadakut, me konkret e them nga këndveshtrimi im, se ishte edhe një Dishepull i vertetë dhe tejët i kompletuar i Kishës Katolike Shqiptare, Atdheut dhe Kulturës sonë mbarëkombëtare. Pra imzot Marku ishte një udhëheqës shpirtëror e famullitar i ish bashkësisë së Famullisë sime “Shën Gjon Pagëzuesi” në Zllakuqan të Klinës, e me vonë Ipeshkëv i denjë i Ipeshkvisë së Kosovës pas imzot Pjetër Bogdanit, imzot Lazër Mjedës e imzot Nikë Prelës.
Imzot Mark Sopi, gjatë periudhave të ndryshme ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e vetëdijes shpirtërore, kombëtare, humanitare, kulturore e në sherbim të ndermjetësimit të faljeve të gjaqeve në vitet ‘90-ta në Kosovë, pra kudo qe ka vepruar si në Kosovë poashtu edhe në Shqipëri, ai, mbetët një sinonim i mirë shpirtëror për besimtarët dhe brezat e meshtarëve e pasardhësit e tij të ipeshkvinjëve në Dioçezën e Kosovës: Prishtinë-Prizren.
Gjatë atyre viteve të veprimtarisë së tij ashtu si në famullinë tonë poashtu më vonë kur me njē Dekret të posaqem ishte Lauruar nga Papa Gjon Pali II-tē (Papa Karol Vojtila) për Ipeshkëv të Kosovës. Ai, ka shpërndarë Deshmit Ungjillore të Apostujve si rreze të përndritshme në mendjet e gjithë grigjës së tij në shumë segmente si në historiografi, gjuhë, etnografi, teologji morale e shpirtërore sidomos reflektoj shumë në kohën e errësirës apo ideologjisë famkeqe të cilët e mohonin edhe Zotin. Kontributi i tij ishte i pashmangshëm edhe në vitet e okupimit, luftës dhe pas luftës së fundit në Kosovë. Ishte edhe një projekt ideator i veniës e bekimit të gurthemelit të Katedrales “Shën Tereza” në Prishtinë.
Imzot Mark Sopi e senzibilizoi edhe më shumë çeshtjën e Kosovës duke vënë lidhje të drejtpërdrejta me shtetet e tjera të Evropës e botës ashtu edhe me Vatikanin, i cili është një shtet me ndikim të fuqishëm dhe i pranueshëm në botë.
Me 18 maj 2005 në Kongresin Amerikan, në seancën dëgjimore veq tjerash kishte thënë: „Është e rëndësishme që Feja të jetë e ndarë nga politikat ditore, dhe është e pa pranueshme përfshirja e eksponentëve fetarë në ushtrimet e politikave të shtetit, bashkë me Liderët e politikës“ njëkohësisht ka shtuar duke thenë se: “Kisha shqiptare katolike në Kosovë, u bë shtëpia e mbrojtjes për qindra familje shqiptare myslimane të cilët u ndien si në shtëpinë e tyre, me gjithë fëmijë”.
Krejt në fund të këtij shkrimi homazh në kuadër të gjashtëmbëdhjetë vjetorit të kalimit në amshim, mund të themi me konkret se nëse me vëmendje lexohen letrat e dëshmitë e kohës sa ishte gjallë imzot Mark Sopi, atëherë pa hezitim mund të themi lirisht se: Imzot Mark Sopi, ishte një prift e Bari i denjë i Kishës katolike në Kosovë i cili kreu me ndërgjegje e dinjitet misionin e vet baritor, kombëtar e të Samaritanit të Mirë deri në kalimin e tij në amshim pra ishte edhe një ambasador e avokat mbrojtes e përfaqësues jo vetëm i klerit katolik në Kosovë dhe i grigjës së tij i Kishës Katolike, por i mbarë shqiptarëve pa dallim feje i cili edhe do të mbetët në mbamendjën tonē për kontributin që ka dhënë për çlirimin, lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës dhe për virtytet e larta shpirtërore, kulturore, njerëzore e kombëtare.