Florim Zeqa
Arsyetimi i kompanisë “Red Mill”, e cila e ka dizajnuar logon e Ditës së Pavarësisë: “një simbol që nuk përfaqëson vetëm dizajnin, por edhe shpirtin e një kombi”, nuk qëndron për faktin se ajo i gjason akronimit të partisë në pushtet-VV-së e jo shpirtit luftarak të popullit shqiptar të Kosovës.
Edhe pse publikimi i logos zyrtare të 17-vjetorit të Pavarësisë nga ana e Qeverisë së Kosovës është pa përmbajtje, janë sakrificat e paunmëta dhe gjaku i derdhur për lirinë e vendit tonë që i dhënë kuptim, formë dhe përmbajtje shpirtërore Ditës së Pavarësisë.
17 vjet shtet pa njohje nga BE dhe OKB
Republika e Kosovës ditëlindjen e 17-të është duke e pritur pa Qeveri të Re dhe me 1001 probleme të vjetra; me krizë sociale, me fusnotë* në vend të Republikës, me territor dhe status të papërcaktuar gjeopolitik, me sanksione ekonomike dhe me dialog të hapur me Serbinë i cili e ka dëmtuar të ardhmen e shtetit në arenën ndërkombëtare.
Sikurse në të kaluarën, edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, liderët e shtetittë Kosovës do të shkojnë me fusnotë* në bisedimet e Brukselit dhe në mbledhjet e KS të OKB-së, ku nuk prezantohen si përfaqësues të shtetit të pavarur, por si përfaqësues të subjektivitetit 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa të njëjtit liderë para opinionit të brendshëm kosovar me entuziazëm paraqiten si liderë të shtetit të pavarur dhe përtej kësaj edhe si çlirimtar të pjesës veriore të vendit nga ‘bandat kriminale të Serbisë’!
Si rezultat i personalitetit të dyfishtë të liderëve shtetërorë, Kosova që 17 vjet vendnumëron dhe rrotullohet rreth boshtit të pavarësisë së 17 shkurtit 2008, duke i kaluar 17 vjet pa njohje nga BE dhe OKB, pa mirëqenje qytetare dhe pa asnjë perspektivë zhvillimore.
Albin Kurti mes pranimit të realitetit dhe deçertifikimit të marrëveshjeve politike
Për dallim nga presidentja Vjosa Osmani e cila për katër vite në krye të shtetit qëndroj e heshtur dhe e mbyllur në lëvozhgën e saj, kryeministri Albin Kurti u përball me realitetin e krijuar pas 17 shkurtit 2008 në veri, përkatësisht të ballafaqimit me përgjegjësitë politike që ka marrë Kosova nga marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Asociacionin e Komunave Serbe në Veri të vendit, por jo edhe me pasojat e Demarkacionit me Malin e Zi.
Kështu pra, Albin Kurtit i kanë mbetur vetëm dy rrugë; njohja e realitetit të krijuar dhe implementimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ose delegjimitimi i tyre në mënyrë të njëanshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës!
Ikja nga realiteti i krijuar, edhe pse ishte i pamundur, doli të jetë me pasoja të rënda për shtetin e Kosovës. Gjendja para një situate të tillë, apo thënë ndryshe, të jesh ose të mos jesh, jam i bindur se Albin Kurti me dëshirë do ta zgjidhte këtë të fundit, por edhe këtë e ka të pamundur shkaku i pamundësisë së arritjes së kuorumit të nevojshëm në Kuvend për deçertifikimin e vendimeve të legjislaturave paraprake për Demarkacionin me Malin e Zi, për Asociacionin dhe Gjykatën Speciale, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit!
Albin Kurti jo vetëm që nuk arriti ta deçertifikojë asnjë vendim, e çertifikojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit, vendim të cilin e kishte kundërshtuar fuqishëm si opozitarë vite më parë!
Klasa politike e ardhur në pushtet pas 14 shkurtit 2021 apo politikanët me personalitete të dyfishta e humbën besimin tek qytetarët, pasi tek bashkësia ndërkombëtare ka kohë që e kanë humbur kredibilitetin politik.
Janë raportet e ftohura me SHBA-të dhe sanksionet ekonomike nga BE-ja dhe vota qytetare e 9 shkurtit 2025 që e dëshmojnë konstatimin tim.
Lidershipi aktual i shtetit, respektivisht presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti edhe pse paraqiteshin të bashkuar para opinionit të brendshëm kosovarë, me dualizmin e qëndrimeve të tyre të ndara para bashkësisë ndërkombëtare i kanë vënë në lajthitje SHBA-të dhe miqtë tjerë evropian, çliruesit faktik të vendit tonë dhe sponsorizuesit e pavarësisë së Republikës së Kosovës!
4 vjet “vdekje klinike” e politikës së jashtme
Mosarritja e asnjë njohje të vetme nga ‘Qeveria Kurti’, përjashto njohjen nga Izraeli në Washington më 4 shtator 2020, mosarritja e asnjë njohje nga tri qeveritë paraprake dhe përgjatë katër viteve të qeverisjes së fundit flet shumë për katandisjen e politikës së jashtme të Kosovës.
Siq dihet, njohja e fundit e Kosovës para se të ndodhte njohja nga Izraeli, kishte arshur pikërisht në shkurt të vitit 2018 nga shteti i Barbados. Kështu pra, në këtë përvjetor të 17-të të shtetit të Kosovës duhet ta kujtojmë edhe “vdekjen klinike” të politikës së jashtme.
Nga ajo kohë e deri më sot asnjë njohje ndërkombëtare si produkt i politikës së jashtme inekzistente, gjegjësisht të Ministrises së Punëve të Jashtme, kryediplomates Donika Gërvalla-Schwarz, e cila asnjëherë nuk ishte në nivelin e përgjegjësisë politike.
Ministria e Punëve të Jashtme cila më shumë i ngjante një “byroje politike” sesa një diplomacie të mirëfillt të një shteti të pavarur dhe sovran!
Nga katër vitet e “vdekjes klinike” apo të abortit politik, një ishte moratorium për mos aplikim të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, e cila deri diku e bën të justifikueshëm dështimin e politikës kosovare. Ndërsa tre vitet tjera mund të konsiderohen si dështim total i politikës së jashtme të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pa asnjë sukses evident në politikën e jashtme.
Emërimi i anonimëve politik në krye të përfaqësive tona diplomatike dhe hapja e konsullatave fiktive, jo funksionale dhe të pa shfrytëzueshme nga mërgimtarët e ka ulur imazhin e shtetit në vendet respektive. Inskenimet e tilla nuk i bëjn nder shtetit të Kosovës dhe as mërgimtarëve!
Kjo ka ndikuar në trajtimin jo dinjitoz të mërgimtarëve kosovarë nga disa shtete evropiane, anipse me pasaportë dhe shtetësi kosovare, mërgimtarëve tonë në lejet e qëndrimit u vihet kodi fiskal “118” i ish Jugosllavisë në vend të kodit “160” të Kosovës. Për fat të keq një dukuri e tillë është duke ndodhur në vijimësi prej disa vitesh dhe asnjë reagim nga shteti i Kosovës, anipse për këtë problem dy herë me letra publike ju kam drejtuar ministrave paraprak të Diasporës dhe kësaj në largim në cilësinë e ministres së punëve të jashtme, por gjithnjë kam mbetur pa përgjigje.
Unë nuk kam mbetur keq pse nuk kam marrë përgjigje prej tyre, por ndjehem keq si shtetas i Kosovës kur i shoh dokumentat e bashkombasve të mi më kodin fiskal të ish Jugosllavisë së vdekur prej tre dekadash.
Në 17 vjetorin e pavarësisë, në vend të urimit, politikës së jashtme dhe diplomacisë inerte dhe jo funksionale kosovare duhet t’i thurim homazhe me rastin e largimit nga qeverisja e vendit, pasi nuk e la asnjë gjurmë pozitive në politikën e jashtme të shtetit të më të ri në Ballkan.
Gëzuar për jetë e mot pavarësinë e Republikës së Kosovës!
Me 16 Shkurt 2025
P.S: Në dy fotot e bashkangjitura të këtij shkrimi vërehet qartë trajtimi i Kosovës nga vendet e BE-së, si territor me status të kontestuar. Madje në hartën gjeopolitike, Kosova trajtohet si territor gjeografik brenda Serbisë!
Kjo duhet të jetë shqetësim serioz për qeverinë në ardhje të Republikës së Kosovës.