Tradita e festimit ka marrë formë zyrtare në vitin 2017, dhe prej këtij viti nderohet si një ngjarje kulturore me rëndësi të veçantë për komunitetet arbëreshe, në vazhdimin dhe forcimin e rrënjëve, traditës, historisë, gjuhës dhe identitetit arbëresh.
Aktivitetet artistiko-kulturore të këtij viti nisën që në datën 28 gusht.
Hora e Arbëreshëvet me 6.427 banorë, njihet si kryeqytet i arbëreshëve, një nga bashkësitë më të mëdha te komuniteteve historike shqiptare të Italisë, qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Sicilisë, ku ndodhet selìa e peshkopit të Kishës Bizantine Italo-Shqiptare në Sicili, Eparkia (ose Eparhia) e Horës së Arbëreshëvet.
Hora e Arbëreshëvet ndodhet në këmbët e një mali të lartë, 24 km larg nga Palermo. Ajo ka ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin). Banorët janë pasardhës të familjeve shqiptare, duke përfshirë edhe fisnikët dhe të afërmit e Skënderbeut, që u vendosën në Italinë e Jugut gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane në Ballkan. Identiteti arbëror i Horës së Arbëreshëvet është i fortë, në fakt gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe përdoret në gazeta, shkolla dhe radio.
Bashkia përdor në dokumentet zyrtare dygjuhësore gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali.