ARKIVI:
5 Maj 2025

    Ibrahim Kelmendi, i rebeluari i përjetshëm

    Shkrime relevante

    Shërim të shpejtë Vuçiqit?

    Nga: Lis Bukuroca, Gjermani ___ Sot në mëngjes lexova një shkrim në „Albania...

    Sulmi ndaj të riut Belgin Jashari është i papranueshëm, por jo arsye për politizim

    Nga: Arif Ejupi Më 21 prill 2025, gjatë ndeshjes ndërmjet SHF. Arsenal...

    Malli për ta ndëgjuar këngën e pakënduar

    Nue Oroshi, Kiell, Gjermani Rreth një fushe te gjelbruar ku cicërimat e...

    Shpërndaj

    Intervista është marrë nga libri i Agron GashitLufta për Kosovënnë PDF.

    • Rrëfimi i Ibrahim Kelmendit

    Ibrahim Kelmendi është një nga personalitetet e hershme të lëvizjeve klandestine, organizator dhe pjesëmarrës i shumë aktiviteteve në emigracionin shqiptar në Perëndim. Madje, Kelmendi është një ndër krerët e një prej organizatave me orientim të majtë, siç quheshin atëherë “organizata revolucionare”, e njohur me emrin “Frontin e Kuq Popullor”. Kelmendi, njëkohësisht është cilësuar si një nga bashkëpunëtorët e Jusuf Gërvallës dhe të Kadri Zekës, sidomos kur flitet për aktivitete të mbarështuara në mes të organizatave dhe organizimin e propagandës përmes shtypit, organ i këtyre lëvizjeve. Në këtë rrëfim, Kelmendi përmbledhë përvojat personale dhe veprimtarinë politike, që nga viti 1968, kur edhe fillon aktiviteti politik e nacional në Pejë, e deri në përfundimin e Luftës së UÇK-së. Në këtë intervistë flet për veprimtarinë e organizatave klandestine në emigracion dhe Kosovë, për aktivitetin dhe vrasjen e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, për pajtimet dhe mospajtimet mes organizatave (individëve) dhe për infiltrimin e mundshëm të pjesëtarëve të sigurimit sekret serb. Në këtë rrjedhë kronologjike, Kelmendi rrëfen për organizimin e luftës çlirimtare, aksionet e luftës guerile, pjesë e së cilës ishte guerilasi i hershëm dhe vëllai i tij, Qerim Kelmendi i njohur me nofkën “Dema”, për rolin e Shtabit Qendror të UÇK-së, për sabotimet dhe problemet që i janë krijuar në logjistikë Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit. Kjo është një intervistë plot të pathëna, opinione të drejtpërdrejta dhe dëshmi të hapura, që veç një i rebeluar i përjetshëm di t’i rrëfejë.

    – Kur dhe si filloi angazhimi juaj politik dhe nacional?

    I. Kelmendi: Konkretisht jam angazhuar si 14-vjeçar. Rinia e fshatit Llabjan, Komuna Pejë, e përkrahur nga të rriturit, gjatë nëntorit 1968 u angazhua me përkushtim për përgatitje të manifestimit për festat e Nëntorit. Në fshat kishim Shtëpi kulture, e njëjtësojshme me të shumë fshatrave tjerë. Përgatitjet i bënim pa frikë. Nuk e di, por gjendja duhet të ketë qenë goxha shumë e liberalizuar, sepse dy vjet më parë shumë pjesëtarë të UDB-së ishin goditë si rankoviçistë. Pra, UDB-ja po riorganizohej në SDB (Služba Državne Bezbednosti) Shërbimi i Sigurimit Shtetëror; në vazhdim do përdor vetëm akronimin UDB. E përjetova keq, se njëri nga ata të burgosur ishte djali i xhaxhait të Nanës time, R.I. Duhet të ketë qenë e mërkura e 27 nëntorit 1968, kur u surprizova nga nisma për demonstratës në Pejë. Unë isha në vitin e parë në Shkollë Normale (siç quhej shkolla e mesme 5-vjeçare, që kualifikonte mësues). Vëllai, Zeneli, ishte maturant, në vitin e 5-të. Ai me rreth 12 shokë, në oborr të shkollës, me Flamur kombëtar të ngritur, thërrisnin parolla. Isha në orë të mësimit bashkë me kushëri (Hajria, Bajrami, Muhameti), shokë klase. I pamë, sepse gjendeshim në orë fizkulture.

    Arsimtar e kishim Misha Zvicerin (vëllau i famozit Rade Zvicer). U veshëm përnjëherë. Misha nuk provoi të na pengonte. Iu bashkëngjitëm grupin nismëtar. Nga ata, pos vëllait, Zenelit, më se miri e njihja Demë Mulliqin, meqë kisha biseduar disa herë, si shok i vëllait tim. Nuk e di nëse aty ishte edhe Skënder Kuqi.

    Po prisnim të përfundonte ora e mësimit. Mua m’u kujtua një mashtrim: i luta shokët e klasës të shkonin në çdo klasë e të alarmonin se shkolla ka filluar të digjet. Pati efekt, sepse për pak minuta dolën të gjithë në oborr. Edhe arsimtarët. Njëjtë vepruam edhe në Shkollën bujqësore, që ishte përballë. U nisem drejt qendre të qytetit. Ishte larg rreth 5 km. Për befasinë time të atëhershme dhe të gjithhershme, policia nuk provoi të na ndalonte. Meqë ishte ditë e “pazarit t’vogël”, shumë veta shkuam në “lamë të drithit” dhe i thirrem fshatarë e qytetarë të na bashkoheshin, duke u thënë se po protestojmë kundër “porozit” (tatimit). Sheshi i Korzës qe stërmbush. Mbi kioskën buzë Komune hypen dy veta.

    Sheshi i Korzës qe stërmbushur. Mbi kioskën buzë Komune hipën disa veta, Demë Mulliqi e Skënder Kuqi. Mbajtën fjalime…
    Jemi shpërnda qetësisht, pa ndërhy policia.

    Në mbrëmje, në fshat, kemi filluar të grumbullohemi për manifestimin. Ka ardhë Kryetari i Lidhjes së Rinës Socialiste të Pejës. Ndoshta e quanin Lekë Vuksani. Kur e ka pa foton e madhe të Enver Hoxhës në ballë të sallës, na luti ta hekim, sepse priste që të vinte policia. Këshilloj të thoshim se po përgatisim Festën e 29 Nëntorit…

    – E para, pse me foto të Enver Hoxhës dhe, e dyta ,a e hoqët atë foto? Më pastaj, a mund të themi se këtu edhe fillon orientimi nacionalist në frymën e indoktrinimit, që në organizata të keni emra dhe koncepte tipike majtiste?

    I. Kelmendi: Në vitin 1968 nuk kisha ndonjë formim ideologjik. Edhe për të rriturit nuk kam informacion. Di se Enveri adhurohej si profet për shkak se e dinim që është udhëheqësi i Shqipërisë, se është patriot që e do shumë Ko sovën. Kishte ndikuar shumë propaganda e Radio Tiranës. Nuk më kujtohet të kemi pasë atëherë televizion.

    – Çfarë ju inkurajoi të angazhoheni në veprimtarinë patriotike në fund të viteve ’70-të dhe cilat ishin zhvillimet e para?

    I. Kelmendi: Kur mbaruam vitin e tretë, unë ngela. Ndoshta për arsye se u nda familja e madhe (kulake), me 64 anëtarë dhe na goditi varfëri e gjendje e keqe. Mjafton të them se vëllai, Qerimi, dhe motra Lushe, binjakë, linden në hapësirë që një anë të dhomës nuk kishte mur, por taraba, sepse kur u ndamë, xhaxhai rrëzoi hisen e tij të shtëpisë, me gjithë murin e dhomës ku flinim. Ishte 21 dhjetori 1964. Bora reshte mbi shtrat. Në një shtrat me shavar të tharë flinim 6 fëmijë, bashkë me Nanën. Tashmë u shtuan në 8 fëmijë. Kam luajt rolin e mamisë, deri sa erdhën gratë e fqinjëve…

    Në verë 1971, daja Rexhep (Iberdemaj) më mori në Gjermani, sepse nuk më shkohej në të njëjtë klasë. Punova gati një vit punë fizike, të rëndë. Punëdhënësi gjerman (firma Han Maus në Erlangen) ma rregullojë dokumentacionin që të mbetesha punëtor i përhershëm. Në verë 1972 u ktheva për vizitë në Kosovë. Nuk e kujtoj si m’u mbush mendja të mos shkoja më në Gjermani. U regjistrova në Gjimnaz në Rahovec, po kuptohet, në klasë të tretë. Deshi fati mora nota të mira dhe ma mundësuan të hy në provim “privat” në fund të vitit për t’i dhënë provimet për klasë të katërt. Bëra edhe diplomë në histori. Mesatarja duhet të ketë qenë “shumë mirë” (4). Kështu zura mundësinë të regjistroj vitin e parë të studimeve, Dega Fizikë. U gëzova që u barazova me kushërinjtë, meqë ata kishin frekuentuar 5 klasë të Shkollës normale.

    Meqë ishim të varfër, më mori “ilegal” në konvikt të studentëve vëllai, Zeneli, i cili ishte absolvent në Juridik. Banonte në Konviktin nr.1, dhoma nr.5. Ishin “cimerë” (bashkëbanues) Tahit Rreci (tani avokati) dhe Preshevari me mbiemër Shabani. Rreci e mori “ilegal” Fetah Kajtazin. 5 veta në një dhomë të vockël, me 3 shtretër. Aty pata favorin të merrja pjesë në biseda pothuajse të përditshme.

    Flisnim pa censurë e frikë për çdo gjë, meqë nuk dyshonim se ndokush mund të na spiunonte. Ishte situatë tejet liberale. Me Fetahun, Isuf Bruçajn, Kamer Racin, Zeqir Durakun dhe shumë shokë studentë krijuam rreth shoqëror, si të ishim organizatë. Nuk e di nga e kishim një si këshillë, vetëm mos formonin organizatë apo grup ilegal. Përndryshe, mund të flisnim e vepronim çfarë të donim…

    Në vitin e tretë (nëntor 1975) “aksidentalisht” patëm bërë protestë kundër një profesori serb, sepse menduam se na e ka bë me hile në provim me shkrim. U politizua më tepër se mjaft. Në fund të semestrit të 6-të, në gusht 1976, për shkak se u tuta që do më burgosin, emigrova (ishte një soj arratisje e kamufluar). Në Gjermani gjeta strehë te vëllai, Mustafa e Kunata Sabrie. Në shkurt 1997 ia dola të regjistrohem në Ruhr-Universität në Bochum. Për fat aty kishte Lektorat për Albanologji. Kroato-gjermani, i lindur në Janjevë, i shkolluar në shkolla jezuite në Shkodër, Dr.phil. Lazar Dodic (Doddiq) ishte i vetmi albanolog në Gjermani Perëndimore. Ai u përkujdes të sistemohem në konvikt dhe u interesua për mua
    si t’më kishte djalë…

    Në verë të vitit 1977 shkova me punua të dhëndri Ramush Kastrati në Plochingen (afër Stuttgart’it). Ishte një firmë që prodhonte gurë varresh, nga mermeri. Atje u njoha me Hysen Gegën dhe Bardhosh Gërvallën.

    Në qershor 1978, për hir të 100-Vjetorit të Lidhjes (osmane) të Prizrenit, përgatita pamflet të formatit A2. E shtypa në shtypshkronjë të Lidhjes së studentëve, meqë deshi fati të zgjidhesha anëtar kryesie (AStA). Kisha regjistruar fakultetin germanistikë dhe filozofi. Shtypa në tirazh të madh, meqë e kisha pa pagesë. E rishtypa disa herë. Bashkë me bashkatdhetarë (punëtorë fizikë) i shpërndanim, kryesisht në stacione të trenave, meqë aty sorollateshin Gastarbeiter’et (punëtorët mysafirë). Ky aktivitet ma krijoi njohje me bashkatdhetarë në Dyseldorf. Ishte Haxhi Bega me shokë që i takova në stacion. U bëmë shokë. U informova se kishin formuar Klubin Shqiptar, por se kishin përplasje me konsullatë jugosllave. Kështu iu zu peta veprimtarisë në Gjermani.

    – Me cilët veprimtarë dhe grupe ‘revolucionare’ bashkëpunuat para se të kalonit në Perëndim?

    I. Kelmendi: Deri sa isha në Kosovë, nuk kam pasë kontakt me asnjë grup e organizatë “ilegale” (klandestine). As nuk kam vërejt veprimtari të tyre. Qe folur për ca trakte në vitin 1974, por nuk e pashë asnjë. Duhet të ketë qenë Grupi revolucionar…

    – Kur arritët në Perëndim, si ishin kontaktet tuaja të para me aktivistët e mërgatës shqiptare dhe kush?

    I. Kelmendi: Në kurs për gjuhë e kulturë shqipe, që i mbante në Universitet Profesori Lazar, njoha arkitektin kroat Vinko Knezoviq. Ai ishte enverist. Kishte qenë bashkorganizues i Pranverës kroate 1971, në Zagreb. Ishte arratisur dhe punonte si arkitekt në Gjermani. Vinko me njohu me Besim Rexhën nga Gjakova dhe Xhavit Ramabajën nga Kamenica. Ata dy insistuan të formonim organizatë. E formuam në gusht 1978. Nuk mbaj mend datë dhe arkivat personale më janë “vjedh” disa herë. Ishte pjesëmarrës edhe Idriz Bajra nga Istogu. Pra, katër veta, gjysmanalfabetë, formuam organizatë, me emër bombastik: Fronti i Kuq Popullor (FKP).

    Në Gjermani, Hysen Gega kishte rreth të madh të bashkëveprimtarëve, kryesisht në Gjermani Jugore. Bardhoshi punonte punëtor social pranë OJQ-së gjermane AËO (tani i ka rreth 220 mijë të punësuar). Bardhi paguhej t’i këshillonte punëtorët nga Jugosllavia. E kishte të ndaluar angazhimin politik antijugosllav. Mbante lidhje me Hysen Gegën, nga i cili furnizohej me literaturë të Shqipërisë. Bardhi ishte anëtar edhe në një grup muzikor gjerman, që bënte muzikë çdo fundjavë. I duheshin më shumë të ardhurat financiare.

    Në Dyseldorf ishin polititizuar shumë veta. Më të shkolluarit nga të gjithë bashkatdhetarët që i kam njohur, ishin Hyzri Reka, me shkollë të mesme për teknik dhëmbësh, dhe Samedin Ilazi, i cili pasi ka mbaruar klasën e 3-të gjimnaz në Tetovë, kishte emigruar. Me këta bashkatdhetarë shpërndamë pamfletin e 100-Vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, më vonë edhe organin e FKP-së “Bashkimi”.

    – Mund të na tregoni më shumë rreth formimit të Frontit të Kuq Popullor dhe sfidave që hasët gjatë atij procesi? Pse u desh FKP, kur kishte organizata të tjera në atë kohë? Cilat ishin dilemat tuaja?

    I. Kelmendi: FKP na u desh, sepse ishim idiotë, gjysmanalfabetë, që nuk kishim haber si bëhet organizata. Programin dhe Statutin na ndihmoi ta hartojmë një profesor gjerman (enverist klandestin), me shumë reputacion shkencor në gjithë Gjermaninë. Ai e përpiloi gjermanisht, unë e shqipërova.

    Në verë 1979 Njësia Speciale Gjermane Antiterror GSG9, e dezinformuar nga shkrimi i me nder me thanë Emin Fazlisë (alias Emil Kastrioti), gati më pati vra me sulm të furishëm në konvikt, sepse dyshonin se isha anëtar i RAF (Fraksioni i Ushtrisë Kuqe, organizatë famoze terroriste gjermane). Kolegët gjermanë u përleshen me ata gorilla. Pati të plagosur. Në ndërkohë dyshova se bashkëthemeluesi Xhevat Ramabaja ishte informator i shërbimeve në Beograd dhe informator i LVS, i penetruar në Partinë Komuniste Gjermane / Marksiste-Leniniste (DKP/ M-L). Xhevati kishte shërbye në Gardën e Titos dhe atje e kishin rekrutuar dhe dresuar. Prandaj i shkëputem lidhjet, duke e mashtruar se unë nuk kisha kohë, më duhej të studioja. Por vazhdova fshehtë tij me bashkëveprimtarë tjerë. U bëmë shumë.

    Kur e kemi formuar FKP-në, nuk kishte asnjë organizatë revolucionare në Emigracionin tonë në Evropë Perëndimore. Pasi e patëm formuar FKP ndodhi që Riza Salihu të simuloi formimin e Grupit Komunist, në Stuttgart.

    – Ky, Rizah Salihu, emër i lakuar, duket që herët ka qenë pjesë e grupeve klandestine. A kishit atëherë dyshime për të dhe rolin e tij?

    I. Kelmendi: Riza Salihu nuk ka qenë pjesëtar i ndonjë grupi apo organizate klandestine. Përkundrazi, ai në vitin 1975 është afirmuar si patriot jugosllav, sepse kishte bërë një krim “pikant”. I shoqëruar me Sak Gërvallën e Dubovikut, duke kaluar nëpër oborr të kishës në Shtutgart, ku po mbahej meshë katolike për emigrantë kroatë, një kroat ia ka ofrua revistën “Nova Hrvatska”. Rizai e ka marrë revistën, e ka hedhë përtoke dhe ka nxjerrë gazetën beogradase “Novosti”, duke ia tund para hunde: “Kjo është e vërtetë, e jo ajo paçavurë ustashe-fashiste…” E ka shkel me këmbë revistën kroate. Kroati, i prekur në sedër, ka nxjerrë thikën dhe në ikje e sipër të Rizai, ia ka trus në shpatull. Fatkeqësisht Rizai e ka mbijetuar plagosjen e rëndë. Në spital ka shkua shpesh konsulli jugosllav për ta vizituar e lavdëruar si patriot jugosllav. Edhe shtypi i Beogradit ka pas shkrime glorifikuese
    për patriotizmin jugosllav të Rizës. Këto m’i ka pasë rrëfyer për herë të parë Damir Petriq, kryetar i Lidhjes se studentëve në Universitet të Splitit, i arratisur në vitin 1971 për shkak të Pranverës kroate. M’i pati dhënë t’i lexoj revistat e gazetat që i kishte ruajt, meqë e kisha fqinj në konvikt të studentëve. Pikërisht, ai Riza, në vitin 1978 “formon” Grupin Komunist, duke i mashtruar e shpërdoruar Hysen Gegën dhe bashkëveprimtarët e tij. Duhet të ketë anëtarësuar edhe në Kosovë ca nga ata që u burgosen në vitin 1979.

    – Cilat ishin organizatat kryesore që vepronin në Kosovë në fund të viteve ’70-të dhe fillim të viteve ’80-të dhe sa ishin të fuqishme ato? Me cilën prej tyre keni bashkëpunuar më shumë?

    I. Kelmendi: Nuk kisha informacion për organizata në Kosovë në ato vite. Për fatin tonë të mirë në fund të dhjetorit 1979 në Gjermani erdhi Jusuf Gërvalla. Nga ai u informova për ekzistencën Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ). Ai i përkiste asaj. Pas ca muajve u informova se udhëheqës e kishte “veteranin” Sabri Novosella (rrobaqepës gjysmanalfabet). Vetëm në prill 1981 jam informuar se ekziston OMLK, e cila e kishte kuadër udhëheqës Kadri Zekën. Me organizata të emigracionit politik, i vetëquajtur i djathtë, të cilin ne e quanim emigracion reaksionar, nuk kishim bashkëpunim. Në fakt ato ishin “mall i skaduar”, sepse ishin pleq e pa anëtarësi. Ai emigracion politik ishte emigrua kryesish në USA.

    Me Jusufin kemi bashkëpunuar, meqë LNÇKVSHJ nuk kishte asnjë anëtar në emigracion. Jusufi nuk ndërmerrte anëtarësime, sepse kishte shkëput çdo kontakt me Sabri Novosellën, nga 14 dhjetori 1979 deri me 14 prill 1981. As OMLK nuk kishte anëtarë në emigracion. Më 5 prill 1981, kur jam takuar për herë të parë me Kadri Zekën, jam informuar që nuk kanë anëtarë jashtë Kosove, pos 7 “kandidatë” në Zvicër, siç i quante OMLK ata që i afronte për të bërë fillimisht stazh si kandidat, pastaj, nëse dëshmohen, anëtarësoheshin.

    Nga 5 prilli 1981 vendosem me e bashkua veprimtarinë LNÇKVSHJ, OMLK, FKP, gjegjësisht për të filluar me bashkorganizim demonstratat.

    – Megjithatë, thuhet se ka pasur mosmarrëveshje ne mes të tri organizatave, herë – herë edhe hatermbetje në mes jush? Kush ishte ‘tharmi’ që i prishte këto matematika koordinimi dhe kush katalizatori për t’i tejkaluar këto situata?

    I. Kelmendi: Nuk ka pasë mosmarrëveshje në mes të organizatave, sepse deri në prill 1981 LNÇKVSHJ nuk kishte asnjë anëtar në emigracion në Perëndim, ndërsa Jusufi ishte bllokuar për shkak se nga 14 dhjetori 1979 kishte shkëputur krejtësisht lidhjet me pjesëtarët e organizatës.

    Më mua ka pasë një zënkë aksidentale në qershor apo korrik 1980. Shkak që bërë informimi Jusufi, se në Mynhen duhej ta angazhonim Misin Mavraj e Staraderanit të Istogut. Unë e njihsha atë matrapaz qysh në vitin 1970, sepse ai dhe Musë Berisha i Trestenikut të Pejës ma kishin rrehë djalin e axhës, Imerin, historian, drejtor i shkollës “Rilindja” në Trestenik të Pejës. Misini e kishte shoqëruar karaxhozin Musë. Jemi hakmarrë ndaj Musës. Misinin nuk kishim ku ta gjenim, meqë ishte në Gjermani. Jusufi kishte relata familjare me Misinin, meqë Suzana, bashkëshortja e Jusufit, i ishte dhuruar vëllait të UDBashit, Hajdar Shoshi, nga Kashica e Istogut, nga prindërit e Suzanës me mbiemër Mimunoviq, nga Plava. Falja e Suzanës kishte ndodhur në Shkup, meqë Shoshi dhe Mimuniviqi kishin qenë fqinjë në baraka, duke pritur “vizitat” për shpërngulje në Turqi…

    Jusufit ia pata rrëfyer rastin, duke i treguar se çfarë karaxhozi ishte treguar Misini edhe në Dyseldorf, ku dy-tre vite më herët kishte qenë në punë. U dakorduam që do ta mbanim në distancë.

    Jusufi në janar 1980 pati pësuar traumën e dytë, pas traumës së 14 dhjetori 1979, në Prishtinë, meqë Hysen Gega na informon se kryetari i Grupit Komunist, Riza Salihu, e kishte urdhëruar Hysenin ta vriste Jusufin, me arsyetim se e ka dërguar UDB-ja për ta spiunuar Grupin Komunist. Në prill 1980 kemi pas ballafaqim me Rizain, në banesë të Hysenit, në Esslingen, për ta pleqëruar atë krim. Ishim të pranishëm Jusufi, Bardhoshi, Maksut Saramati, një bashkëbanues i Hysenit (ia paskam harrua emrin, por ia thotë Rizai në intervistë që i ka dhënë Baton Haxhiut në tv-klan). Po kuptohet, erdh edhe Rizai, isha edhe unë. Rizait ia kishim kurdis kurthin. Jusufi gjatë ballafaqimit u përlot, sepse kishte frikë mos po e vrasim Rizain. I vinte gjynah për Rizain, i cili në vaj luste t’ia falim jetën…

    Në atë gjendje, në qershor apo korrik 1980, rastësisht takohemi duke parkuar para pallatit në Mynhen, ku banonin Bali Rexhbogaj i Bllagajës se Pejës dhe Misin Mavraj. Unë me Nazmi Nuhën, Haxhi Begën (të dy nga Jezrci i Ferizajit), Safet Azizin e Davidovcit të Shtimës, po shkonim mysafirë të Baliu, ndërsa Jusufi e Bardhoshi te Misini. Sapo parkuam dhe u syzuam, Jusufi u alarmua: “po dyshoni se jam UDBash, prandaj deri këtu keni ardhë t’më survejoni…” Mezi e qetësuam. U sqaruam se ne po shkonim mysafirë të bashkëveprimtari Bali, prandaj kishte qenë rastësi që njëkohësisht u takuam duke parkuar autot…

    Ai incident ndikoi. Jusufi u hidhërua dhe nuk komunikoi më mua deri në shtator 1980, kur më ktheu përgjigjen në letrën që i pata shkrua. Sërish vazhduam bashkëpunimin për përgatitje të “Bashkimit”. Jusufi ndërpreu botimin e “Lajmëtarit të Lirisë” që kishte filluar ta botonte në qershor 1980.

    Me Kadri Zekën, Jusufi e pati ndërpre bashkëpunimin pasi SN dhe Kadriu qenë grindur në Turqi në tetor 1981, kur qenë takuar për t’ia pre “shiritin” bashkimit mes tre organizatave tona. Për atë rast Jusufi ka shkruar në kryeartikull të numrit të parë të “Zërit të Kosovës”, botuar në nëntor 1981. Fatmirësisht u pajtuan mes tyre në dasmën e Kadriut dhe Saime Jusufit, më 2 janar 1982.

    Jusufi na ftoi të shtunën e 16 janarit 1982 të shkonim Kadriu dhe unë te ai. Takimi në banesën e Murat Kryeziut. Të dielën në agim miratuam bashkimin. Në mbrëmje ndodhi tragjedia…

    – Si e vlerësoni veprimtarinë e Jusuf Gërvallës në këto organizata dhe pse kohëve të fundit e shihni si “të manipuluar” një prijës si ai?

    I. Kelmendi: Jusufi nuk kishte dhunti për të qenë prijës politik. Ai ishte i vetmi intelektual me kualifikime profesionale në gazetari, publicistikë, letërsi, gjuhësi. Kishte shpirt edhe të këngëtarit dhe piktorit. Prandaj e donim dhe e respektonim, siç respektojnë sektaristët profetin e tyre. Ai sapo erdhi në Gjermani pranoi të na e përgatiste “Bashkimin”. I bëri redaktim edhe Programit dhe Statutit të FKP-së, meqë shqipërimi im kishte shumë gabime drejtshkrimore.

    Në verë 1980 filloi ta botonte revistën “Lajmëtari i lirisë”, për shkak se na pati ndodh një zënkë aksidentale, që na kushtoi me ndërprerje gati 3-mujore të bashkëveprimtarisë. Meqë nuk i kishte kapacitetet financiare për ta financuar shtypjen e “Lajmëtarit të lirisë”, e ndërpreu pas tre numrave. Sërish u angazhua në përgatitje të “Bashkimit”. Numrin e fundit e botuam në janar 1981.

    Që të kuptohem, Jusufi nuk ushtronte veprimtari si kuadër i LNÇKVSHJ-së, e as si anëtar i saj, sepse i kishte shkëput lidhjet me organizatë dhe ndihej se nuk kishte të drejtë për veprim autonom. Prandaj, në letrën e 14 prillit 1981 duhet t’i ketë shkruar SN, se i kishte 7-8 shokë që dëshironin të anëtarësoheshin. Me atë rast, Jusufi e pyeste SN, nëse i lejohej t’i anëtarësonte. Në fakt, edhe ata duhet të jenë anëtarësuar në dhjetor 1981, meqë nuk ishin edhe aq të interesuar dhe ishin punëtorë që vizitonin familjet e tyre në Kosovë, prandaj u trembeshin organizimeve “ilegale”.

    Ende nuk kam mund të kuptoj, pse i ka ndodhur ajo fatkeqësi Jusufit, të terrorizohet aq shumë nga SN, i cili tashmë më rezulton se ishte bashkëpunëtor që e komandonte kryeUDBashi Ibush Kllokoqi. Askush nuk e di, kur është anëtarësuar Jusufi në atë organizatë të SN, përmes kujt është anëtarësuar. Asnjëherë nuk ka marrë pjesë në mbledhje të ndonjë organi të organizate, sepse vetëm SN ishte udhëheqës, edhe Komitet Qendror i saj. Jusufi është martirizua pa u informua se kishte qenë viktimë e SN. Apo ndoshta nuk na tregonte.

    – Mbi cilat të dhëna e ndërtoni rrëfimin për SN, siç thoni se “tashmë më rezulton se ishte
    bashkëpunëtor që e komandonte kryeUDBashi Ibush Kllokoqi.”

    I. Kelmendi: Qysh në muajt e parë të vitit 1980 angazhova shumë bashkëveprimtarë, të cilët ishin shtetas të Turqisë, ta gjenin SN në Turqi dhe ta informonin ku gjendej Jusufi. Sabriu ishte tërheq në jetë “private” në Ada Pazar dhe nuk donte të komunikonte me Jusufin. Për arsyet që ende nuk i di, Jusufi e vuante shumë atë shkëputje të komunikimit. Arsyet e vërteta nuk i dija atëherë. Por kur i publikuan letrat e Jusufit, që ia kishte dërguar SN, e mësova një pjesë të fatkeqësisë së Jusufit. Ja si fillon letra që Jusufi duhet t’ia ketë dërguar SN, më 14 qershor 1981:

    I dashuri shok, Bashkim!

    Letrën tënde (një fjalë apo një shenjë sado të vogël) e kam pritur si qorri sytë. Siç do të shohësh pak më poshtë, ajo ka për mua një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, bile rëndësi jetësore. Muajt e parë të arratisë sime u merakosa për efikasitetin e Organizatës sonë.
    Unë, në bazë të bisedave në takimet tona, e dija që organizata ka për detyrë dhe është e zoja të marrë kontakt me anëtarët e vet edhe në rrethanat më të vështira, siç është burgu. Nga ana tjetër, megjithëqë vështirësitë për të marrë kontakt me mua, duke u nisur nga karakteri i hapët i kufirit jugosllav me Perëndimin, i konsideroja vështirësi relative, …për disa muaj rresht s’më vinte fjalë as zë.

    Dhe gjendja e tillë, e cila më jepte dorë ta gjykoja Organizatën, do të vazhdonte deri më sot, sikur ndërkohë unë vetë të mos e bëja një ligësi të kobshme. Ti mund të mos e dish, por shkaktari i arratisjes sate jam unë! Mbase natën që do të jesh arratisur ti, mua më morën në telefon nga UDB – ja e Pejës dhe më bënë presion të çuditshëm, gjithsesi monstruoz, që të tregoja kush është Bashkim Prishtina. As që më ka shkuar mendja se e kisha humbur aq shumë truallin nën këmbë. I përgjumur dhe me gjasë fare i humbur siç isha, në kthetrat e një ligësie të pashembullt dhe fare të huaj për mua deri atë çast, unë rashë në provimin e rëndësishëm:

    kallëzova shokun! Për të “shpëtuar” fëmijët e vëllait, mora në qafë fëmijët e shokut, fëmijët e vëllait, por që nuk na kishte bërë nëna. Dhe në këmbim të kësaj fitova: faqen e zezë dhe barrën e rëndë të ndërgjegjes së ligur si kurrë ndonjëherë në jetë. Atë çast e tutje, jeta edhe ashtu e errët, me strumbullar të vetëm luftën modeste dhe gatishmërinë për flijim në emër të idealit të lartë të lirisë, m’u errësua edhe më. Brerja e rëndë e ndërgjegjes dhe ndjenja e thellë e shkatërrimtare e fajit ndoqën pa mëshirë dhe në çdo hap të gjitha netët dhe ditët e arratisë sime të hidhur, e cila, pas gjestit tim qyqar, e humbi gjithë qëllimin e vet dhe m’u shndërrua në gur të rëndë në zemër.

    Menjëherë pas aktit tim të lig, unë, tashmë i “shpërgjumur”, i bëra telefon një shokut tim në Podujevë që të vinte të të lajmëronte për rrezikun. Por, sigurisht ka qenë vonë për gjithçka.

    Atëherë m’u shfaq një motiv i fuqishëm që për gjestin tim qyqar t’i rrëfehesha shokut të parë që do të takoja. Po shokë nuk kisha. Gjithë natën e gjatë u detyrova t’i shtrohem gjykimit të vëllait të vogël këtu, të shoqes sime dhe, bile, gjykimit të heshtur të djalit tim 12-vjeç, i cili ishte prezent kur ngjau biseda. Më pastaj prisja t’i rrëfehem ndonjërit nga shokët e Organizatës, kur të merrja eventualisht kontaktin e pritur. Ndërkohë dëgjova për arratisjen tënde dhe vendosa që së pari të të rrëfehem ty e pastaj kujt do që e kërkon puna.

    Unë pra, shok i dashur, u korita keq. Me “meritën” time, ti tani do të mund të ishe në duart
    e UDB-së; me po këtë “meritë”, ti u detyrove të dalësh në kurbet, peshën e të cilit e di unë mirë.

    Të mos të flasim për dëmet që i kam shkaktuar Organizatës, e kështu edhe idealit të lartë të popullit tonë të shumëvuajtur. Prandaj s’më bën zemra të kapem pas fjalës së urtë të popullit, që thotë se duhet të jetë‚ i lumtur ai që u korit një herë, për të mos u koritur më kurrë. Sado që jam i sigurt se ligësia e turpi i tillë nuk do të përsëriten kurrë tek unë pa e ngrënë së pari mishin tim e të fëmijëve të mi.

    Tani, fatin tim të mëtejshëm e keni plotësisht në dorë ti dhe shokët. (…)
    Tani, me shpresë se edhe për mua personalisht, në saje të mirëkuptimit të shokëve, do të ketë ndonjë ditë më të bardhë, po e përfundoj këtë letër dhe po të përcjell të fala shqiptare e revolucionare.

    POPULLI YNË ËSHTË I PAMPOSHTUR DHE DO TË FITOJË!

    Sokoli* [Jusuf Gërvalla]
    Untergruppenbach, më 14 prill 1981

    E gjithë veprimtaria e SN, nga prilli 1981 deri në prill 1984, ka qenë veprimtari komplotiste, diversioniste. Për dëshminë e kryepolicit Demë Demaj, për simulimet e 14 dhjetorit 1979, do rrëfej në ndonjë pyetje tjetër, sepse e tejzgjata këtë përgjigje.

    – Në një intervistë keni deklaruar se e dini se kush e vrau Jusuf Gërvallën. Çfarë informacioni dispononi që ju ka çuar në këtë përfundim? Keni ndonjë dokument?

    I. Kelmendi: Po, e kam thënë më shpesh se njëherë, sepse kryehetuesi gjerman dhe gjatë procesit gjyqësor në vitin 1991 në Gjermani, ka rezultuar se vrasës është Riza Salihu (i Mushitishtit). Shoqërues i tij duhet të ketë qenë farefisi i tij, Haxhi Demiri (gjithashtu nga Mushitishti, me banim në Zvicër). Edhe kryetari i trupit gjykues ishte i bindur. Unë isha dëshmitar në atë proces gjyqësor. Procesi qe ndërprerë, me arsyetim se dëshmitarët nga Jugosllavia nuk mund të silleshin në gjykatë.

    – Konspiracione janë thur edhe rreth jush, dilema rreth jush si “i involvuar” janë ngritur edhe nga vetë anëtarët e familjes Gërvalla. Madje, nis e sos, e theksojnë se ju nuk keni qenë i parapëlqyer i Jusuf Gërvallës. Pse i gjithë ky tym e mjegull?

    I. Kelmendi: Vetëm ata që nuk kanë pasë e nuk kanë njohur për veprimtari të shërbimeve jugosllave, mund të krijojnë hamendësime, sepse lufta speciale, diversioniste, e atyre shërbimeve ishte terrorizuese për ata që i kishin shënjestër, meqë mashtronin shumë veta me shpifjet e tyre. Para rreth 15 vjetëve UDBashi, Mehmet Hasku, pati lut të takohemi. Në prani të shumë vetave u takuam në fshatin turistik “Guri i kuq”, në Kuqishte të Rugovës. Ai rrëfeu për detaje si e kishte shpërdor Hysen Gërvallën, për të përhap shpifje kundër meje. Pati kërkuar falje. Por, pikant që mendimi i tij: “Habitëm si e ke mbijetua luftën tonë speciale. Normale ka qenë të të vriste ndokush, të vrisje ndokënd apo të bëje vetëvrasje.”
    [perifrazim]

    Duke anashkaluar për një moment modestinë, ekziston një urti popullore: “Pas atit ngritët kurrjavë, e jo pas magarit”. Vetëm djemtë e Jusufit, Premtoni dhe Ergoni nuk kanë folë e shkruar, publikisht. As fëmijët e Bardhoshit. Përndryshe, Hyseni, Suzana, Donika, kanë shkretuar më shumë se mjaft. Jusufi ka qenë i dënuar të më kishte bashkëveprimtar, sepse në krejt Gjermani nuk di të ketë njohur bashkatdhetar, që kishte të mbaruar gjimnazin. Unë e doja dhe respektoja edhe kur hidhërohej me mua.

    E kam rrëfye në romanin “Atentatet” dhe në librin “Gjurmë dhe fërkem” krejt sinqerisht bashkëveprimtarinë tonë. Shkrimtari Adem Gashi, redaktor i dy librave të mi, pati shkruar se kam rrëfye me sinqeritet fëmije. Kësaj radhe, për këtë tematikë po e mbyll me citimin e fragmentit fillestar të letrës, të cilën Jusufi ma ka dërgua dy ditë para martirizimit, më 15 janar 1982:

    I dashur shok Ibrahim,
    Me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejtë ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. Arsye për të qenë aq gjaknxehtë, mbase nuk kam pasur. Puna e Organizatës në të cilën bëj pjesë nuk shkon aspak keq. (…)
    Të fala vëllazërore e revolucionare
    J.G.
    15 janar 1982

    – Ju gjithmonë flisni për të infiltruar në këto organizata. A keni fakte se në cilën organizatë ka pasur më shumë të infiltruar?

    I. Kelmendi: Fakte?! Se mos ishin shërbimet jugosllave aq diletante, sa t’i dekonspironin pjesëtarët dhe spiunët e tyre?! PKMLSHJ e kishte themeluar kryeUDBashi Abdullah Prapashtica, shefi i Drejtorisë së UDB-së për mbikëqyrje të Universitetit në Prishtinë. Ka kuptim me kërkua të penetruar aty? Ta zëmë, Riza Salihu ishte bërë “yll” i patriotizmit jugosllav me zënkën që kishte pas me “ustashë” kroatë. Në korrik 1980 policia gjermane e ka arrestua në flagrancë.

    Për Jusuf Buxhovin më ka tregua kryeUDBashi Shefqet Hashani, në prani të Jusufit, kur rastisi të takohemi në panair të librit në Frankfurt, në tetor 1979, pranë standit të “Rilindjes”.

    Për SN jam bindur përfundimisht në vitin 2007, kur ka rrëfye kryepolici Demë Demaj (i Katunit ri, Pejë), i angazhuar në Prishtinë. Ai e ka komanduar policinë natën e 14 dhjetorit 1979, kur kryeUDBashi Ibush Kllokoqi e ka urdhërua, sepse duhej të arrestohej SN. Gjithë ai aksion ka qenë vetëm simulim. Për Enver Hadrin ka informuar edhe kryeUDBashi Shefqet Hashani. Të tjerët i kam dyshuar duke ua analizua angazhimet subverzive e komplotiste.

    – Kush është Shefqet Hashani dhe sa janë relevante të dhënat e tij, sidomos kur flisni për Jusuf Buxhovin, i cili në një intervistë, madje ju akuzon edhe për shpifje. Pastaj, po ashtu akuzoheni edhe për shpifje kundër Enver Hadrit. Të paktën, ky i fundit konsiderohet se u vra apo u aksidentua në një atentat të mirëkoordinuar nga SDB?

    I. Kelmendi: Siç rrëfeva shkarazi për Shefqet Hashinin, ai është i lindur në fshatin Greme të Ferizajit. Ka qenë mësues në vite të 1960-ta. Ka kaluar në UDB në Ferizaj pasi ka bërë specializim në Beograd. Ai në vitin 1974 ka qenë njëri nga 5 kryeshefat e UDB-së së KSA të Kosovës, siç ka rrëfye ai, meqë UDB-ja paskësh qenë e sistemuar në 5 drejtori. Drejtoria e 5-të ka pasë mbikëqyrjen e emigracionit. Aty ka qenë shef Shefqeti. Në fund të vitit 1977, Shefqetin e kanë emëruar sekretar të parë në ambasadën jugosllave në Gjermani erëndimore.

    Në vjeshtë 1978 e kam takuar për herë të parë në Klubin Shqiptar në Dyseldorf. Ai kishte njohje me bashkatdhetarë të Komunës së Ferizajit, të cilët ishin bërthama e Klubit. Shefqeti i përkrahte, meqë konsullata jugosllave në Dyseldorf nuk lejonte Klubi të quhej Klub shqiptar. Insistonte të quhej jugosllav. Diplomat në konsullatë jugosllave në Dyseldorf ishin edhe Zenel Syka i Gjakovës dhe Maxhun Raci i komunës së Klinës. Ata dy dhe Jusuf Buxhovi i terrorizonin bashkatdhetarët për emërtim të Klubit. Shefqeti i pati bërë zap.
    Enver Hadrin e kanë vra kolegët e tij serbë…

    KryeUDBashi Shefqet Hashin ka rrëfye për konfliktin që kanë pasë me Beogradin, kur UDB-ja e Kosovës është riorganizuar sipas autonomisë kushtetuese të vitit 1974. Beogradi ia ka dhanë UDB-së në Prishtinë listën e spiunëve në botë të jashtme, që aty e tutje duhej të paguheshin nga buxheti i Kosovës. Paga për Enver Hadrin kishte qenë e lartë. Prandaj, Prishtina ka refuzuar t’ia paguante pagën atij mjerani…

    Shefqetin e kanë burgosur në maj 1981 në aeroport të Beogradit dhe në Beograd e kanë gjykuar 8 vjet e gjysmë burg. I ka vuajt krejtësisht. Komisioni qeveritar Republikës së Kosovës ia ka njohur statusin e të burgosurit politik dhe e ka kompensuar financiarisht.

    Fatkeqësisht, televizionet kanë refuzuar ta intervistojnë, edhe pse Shefqeti ka shpreh gatishmëri.

    – Ju keni njohur Jusuf Gërvallën dhe Kadri Zekën. Dyshohet se kishte një “luftë të ftohtë”, pra në heshtje në mes tyre, se kush ta marrë primatin e aktiviteteve në emigracion. Ai kanë bërë hije njëri-tjetrit, apo thjesht një veprimtar ndeshej me një intelektual të kalibrit të Jusuf Gërvallës? Në sytë e Ibrahim Kelmendit, cili ishte më militant dhe cili ishte më meditant?

    I. Kelmendi: Sinqerisht janë shpifje ordinere që i kanë përhapë ca “tifozë” të Jusufit. Nga prilli 1981, kur kemi fillua më thirrje e organizim të demonstratave, Jusufi mori përsipër të formulonte thirrje dhe traktet që i shpërndanim, Kadriu të përgatiste fjalimet, unë kisha aspektin e organizimit dhe foljen në gjermanisht në demonstrata në Gjermani. Jusufi është angazhuar me tërë qenien të përgatisë 1982 qe pezulluar bashkëpunimi mes Jusufit dhe Kadriut, për shkak të komplotit nga SN.

    Për bashkëveprimtarinë e Jusufit me mua rrëfeva shkurtimisht.
    Nuk kishte nevojë për garë për primat edhe po të donim, sepse LNÇKVSHJ nuk kishte anëtarë, as OMLK, ndërsa FKP e kishte ngri botimin e “Bashkimit” dhe të zgjerimit të radhëve në janar 1981, për hir të bashkimit. Unë po se po, por edhe Kadriu, ishim të gëzuar që e kishim Jusufin për të na përgatit shtyp cilësor.

    – Si u organizuan bisedimet për bashkimin e organizatave dhe cilat ishin pengesat kryesore që hasët? A u bashkuan këto organizata më 16 janar 1982? Çfarë ndodhi më pas?

    I. Kelmendi: Në qershor 1981, pasi filluan pushimet verore, ne prandaj i ndërpremë demonstratat e tubimet. Kadri Zeka na i prezantoi “Tezat e frontit për republikën e Kosovës”. Ia kishin dërguar ata të udhëheqjes së OMLK-së nga Kosova, me arsyetim se atje ishte gjendje e jashtëzakonshme dhe nuk mund të gjendeshin njerëzit kompetentë për bisedime. I mbajtëm një mori takimesh, sepse edhe Jusufi edhe Kadriu ishin goxha “cikërrimtarë” në parime teorike revolucionare. Donin të bëhej një platformë e përkryer. Në fund të korrikut miratuam finalizimin. Jusufi u mor me redaktim drejtshkrimor dhe me faqosje që t’ua shpërndanim bashkëveprimtarëve për diskutim, sepse na duhej mendimi dhe aprovimi i “klasës punëtore”.

    Jusufi pati kërkuar bashkimin e miratuar ta shpallte publikisht veterani SN. Vetëm në fillim të tetorit 1981, Kadriu e Bardhoshi (Gërvalla) munden të shkonin në Turqi, meqë Jusufi nuk kishte pasaportë për të shkuar. Fatkeqësisht, në vend që SN dhe Kadriu të merreshin vesh, ata grinden mes tyre. Pason ndërprerje e bashkëpunimit mes Jusufit dhe Kadriut. Për atë ndodhi ka shkruar vetë Jusufi në kryeartikull të të “Zërit të Kosovës”, në numrin e parë, si organ i LNÇKVSHJsë, i botuar në nëntor 1981.

    Fatmirësisht gjatë dasmës së Kadriut me Saime Isufin, Jusufi e Kadriu më 2 janar 1982, u sqaruan dhe pajtuan. Në ndërkohë në arkiv të Ministrisë së jashtme të Shqipërisë është zbulua radiogrami i 16 janarit 1982, dërguar nga ambasada shqiptare në Turqi. Aty është informimi i diplomatit Bujar (Kadri) Hoxha, i cili informon Tiranën se atë ditë Abdullah Prapashtica ia kishte dorëzuar kopjen e marrëveshjes për bashkim në mes të LNÇKVSHJ-së dhe PKMLSHJ-së, të firmosur nga SN dhe Abdullah Prapashtica.

    Duke mos e pasë atë informim, Jusufi, Kadriu dhe unë e kemi bërë bashkimin e organizatave tona, më 17 janar 1982. Fatkeqësisht protokolli dhe informimi që duhet t’i kenë përgatitur Jusufi dhe Kadriu, duhet të jenë bastisë nga policia gjermane sapo kanë ndodh atentatet dhe ende nuk janë bërë publike.

    – Mund të na tregoni më shumë rreth takimeve dhe ‘marrëveshjeve’ të arritura në Stamboll në vitin 1982?

    I. Kelmendi: Për takimin në Stamboll në tetor 1981 nuk di të informoj konkretisht. Për takimin tonë në Untergruppenbach (Gjermani), sapo rrëfeva se e kemi bë bashkimin në Lëvizje për Republikën e Kosovës, më 17 janar 1982.

    – Cilat janë pistat që duhet të fokusohet policia gjermane për vrasjen e Jusf Gërvallës dhe si mund të zgjidhet kjo e enigmë e vrasjes së trefishtë?

    I. Kelmendi: Fatkeqësisht institucionet gjermane po simulojnë sikur nuk po mund t’i zbardhin vrasjet e Vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka!!

    Ka pasë spekulime se institucionet jugosllave dhe gjermane kanë bashkëpunuar, prandaj duan ta arkivojnë si rast i pa zbuluar. Fatkeqësisht, as familjarët dhe shtetet tona nuk po janë të interesuara për t’i zbardh ato atentate.

    – Si erdhi deri të LPK-ja dhe cilat të arriturat më të mëdha të saj, por edhe mosmarrëveshjet më të theksuara?

    I. Kelmendi: Fatkeqësisht pos atentateve fizike, më 17 janar 1982, na ndodhen edhe komplotet pasuese organizative. Ceremonia mortore zgjati gati tre javë, sepse Suzana, bashkëshortja e Jusufit, pati angazhuar avokat të merrte leje në konsullatë jugosllave në Shtutgart për t’i transportuar kufomat për varrim në Kosovë. Qysh në fillim të ceremonisë mortore, SN e imponoi marionetën e UDB-së makedone, Nuhi Sulejmanin, si “kryeplak”. Ai jo vetëm që ishte gjysmanalfabet, por u bë edhe arrogant. Pas pak ditëve u bë udhëheqës dhe trashëgimtar organizativ i Jusufit, “ylli” i ri i LNÇKVSHJ-së, Xhafer Durmishi, që e mbante nofkën “Skënderi”, me myhyr të sulltanit SN. Sulejmani dhe Xhefer Durmishi (“Skënderi”) mundoheshin të provokonin zënka fizike gjatë ceremonisë mortore, në shtëpi të Gërvallëve. I trembesha, sidomos Naim (Smajl) Haradinajt, sepse ishte i ri i vrullshëm. Deri më 5 shkurt 1982 u sfiduan ata komplotistë. Kryem varrosjen në Shtuttgart.

    Më 17 shkurt 1982 u bë publike simulimi i bashkimit të LNÇKVSHJ-së dhe PKMLSHJ-së. Për këtë simulim mungon radiogrami nga Ambasada shqiptare në Turqi, siç kishte ndodh më 16 janar 1982. Emri i organizatës: Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ) apo Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ).

    Më 15 maj 1982 simulohet bashkimi mes LR(S)SHJ-së dhe OMLK-së inekzistente, e cila tashmë përfaqësohet nga Xhafer Shatri, i cili ishte “arratisur” nga burgu i Prishtinës. Edhe në monografinë për OMLK, Mehmet Hajrizi informon se më 17 janar 1982 ka përfundua ekzistimi i OMLK-së… Rreth emri të organizatës së re pati plas konflikti i parë mes SN e AP. Por edhe rreth mënyrës së bashkimit, meqë SN thotë se aty e tutje nuk kanë organizuar më subjektet që ishin “bashkuar”. AP thoshte se PKMLSHJ do ta ruante organizimin dhe do ta luante rolin si pararojë komuniste.

    Në qershor 1983 mbahet tubim me rreth 65 bashkëveprimtarë. Vendoset të përjashtohet “krahu” i AP (PKMLSHJ).

    Në dhjetor 1983 plas edhe konflikti mes SN dhe Xhafer Shatrit, i cili na shkaktoi edhe të vrarë e të plagosur. Në prill 1984 largohet edhe “krahu” i SN (Xhafer Durmishi, Milaim Zeka, Xhevat Ramabaja, Fazli Mema, Hafiz Gagica…). Në vitin 1996 (vetë)largohet Xhafer Shatri. Në mars 1987 (vetë)largohet edhe “krahu” i Hasan Malës, sepse u diskreditua me flamurin jugosllav në ballë të demonstratave të tyre, i ngritur me “këshillë” të sigurimsit, UDB-ash Ajet Haxhia…

    Në korrik 1997, Lëvizja mban Mbledhjen e parë të përgjithshme, e cila vendosi ta përshtat emrin: Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) dhe miraton Programin e Statutin e munguar deri atëherë, duke u bazuar në “tezat”, që i kishim miratuar në korrik 1981.

    Më 3-4 tetor 1991 mbahet Mbledhje e Tretë në Ujmir të Klinës. Kryetar zgjidhet Gani Syla. Ajo Mbledhje vendosi që anëtarët e moshës vitale të shndërrohen në guerilë çlirimtarë. Por, meqë Gani Syla, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi… dezertojnë, – sepse LDK u ofron favore, – nuk u realizuan vendimet e asaj mbledhjeje.

    Më 26-27 korrik 1993 mbahet në Prishtinë Mbledhja e Katërt. Ajo vendosi formimin e krahut të armatosur çlirimtar dhe e ndryshon emrin në: Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Meqë Lëvizja në Kosovë goditët rëndë nga arrestimet dhe përndjekjet policore, organet e LPK-së, Dega jashtë vendit, e marrin udhëheqjen, siç ishte e normuar në Statut. Në dhjetor 1994 Këshilli i Përgjithshëm (KP) i LPK vendos formimin e Fondit Vendlindja thërret, dhe
    Sektorin e Rëndësi së Veçantë (SRV). KP e ngarkon Kryesinë e tij t’i emëron tre veta në SRV, për shkak të ndjeshmërisë konspirative. Kryesia i cakton Ali Ahmetin, Azem Sylën dhe Xhavit Halitin. Më 17 nëntor 1994 Kryesia e KP të LPK-së (me prani të katër anëtarëve, nga nëntë që i kishte Kryesia) vendosi emërtimin: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Njëherit miratoi Shtabin Qendror, me “koordinator” Nait Hasanin, anëtarë Xheladin Gashi, Rexhep
    Selimi, Selim Bashota. Duhet të kenë vendosur që anëtarë të atij Shtabi Qendror të ishin edhe tre anëtarët e SRV-së, Aliu, Azemi, Xhaviti.

    Fatkeqësisht ai Shtab Qendror dhe Kryesia e sabotojnë dhe komplotojnë zgjerimin dhe konsolidimin e UÇK-së, prandaj marsi 1998 na gjeti pa ushtri, të paktën me 100 ushtarë, as pa asnjë shtab qendror apo të përgjithshëm…

    – Nga të gjithë të intervistuarit, që janë pjesë e proceseve dhe e lëvizjeve klandestine e njohin Nait Hasanin si koordinator, të cilin nominim ju e fusni në thonjëza. Pse? Pastaj çfarë quani sabotim, meqë edhe bashkëluftëtarët thonë se nuk janë shpërndarë mjetet materiale sa dhe si duhet, mungesa e armatimit? Po ashtu, flitet për një reagim edhe të Adem Jasharit, pastaj burgosja dhe rënia e disa nga djemve më të spikatur, me të cilët edhe Qerim Kelmendi kryente aksione. Ku fillon filli i së keqes, cila është e vërteta, apo janë vetëm spekulime?

    I. Kelmendi: Përgjithësisht unë nuk jam marrë me organizimet në Kosovë, sepse nuk mendoja se kanë nevojë për udhëzime e udhëheqje nga unë. Tjetra, unë kisha shumë angazhime për t’u marrë me informim të gjermanëve, sidomos të funksionarëve qeveritarë. Kisha edhe angazhime për përgatitje e shtyp të organit “Zëri i Kosovës”, sepse atëherë nuk kishim pajisje kompjuterike për ta përgatitur vetë. Fatmirësisht kolegët gjermanë të studimeve kishin shtypshkronjën e tyre dhe na ndihmoni ta shtypnim “Zërin e Kosovës” me
    pagesë simbolike, meqë na lenin të merreshim vetë me punët në shtypshkronjë në Bochum, jashtë orarit të tyre të punës. Rinia jonë në Bochum e rrethinë kishte vullnet për t’i bërë ato punë.

    I rashë “trup nga Kina” për të dalë te Naiti.
    Në verë 1996, Kryesisë së Nëndegës së LPK-së në Gjermani i patën ardhur kërkesa nga “grupet guerile” të Drenicës, Llap/Gollakut, Dukagjinit për ndihma financiare, meqë nuk po i përkrahte askush. “Korrierë” që i prunë ato kërkesa ishin Ali Ramaj, Sabri Kiçmari, Ramiz Lladrovci, Sali Kelmendi. Pra, ishin vetë Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqi, edhe Qerimi, që na përgjëroheshin për t’i ndihmuar që të kenë kushte minimale për të kryer aksione guerile. Kryesia, e cila përbëhej nga Fehmi Lladrovci, Xhemajl Fetahaj, Sabri Kiçmari dhe të tjerë, u dërgoi ndihma modeste. Pas pak ditësh, Kryesia më thirri të jepja llogari, meqë mendonin se unë jam ai që nuk merakosesha për ta zbatuar “centralizmin
    demokratik”. Që do të thotë se, ndihmat UÇK-së në Kosovë duhet të dorëzoheshin te kryetari i Këshillit të Fondit, Jashar Salihu, apo të arkëtari i Kryesisë, Gafurr Elshani.

    Siç do ta mësoi gjatë gjyqit që ma bëri Kryesia, të gjitha financat që i grumbullonim, i dorëzoheshin Xhavitit, që ai t’ia përcillte UÇK-së. Në pyetjen, se cilës UÇK po i dërgonte Xhaviti, kur ato tre krahina kishin kërkuar ndihma nga Nëndega në Gjermani, vetë Xhaviti pati thënë se “nuk ndihmohen me ndihma financiare komitët që nuk pranojnë t’i subordinohen Shtabit Qendror…”. Kryesia ma pati dhënë një “vërejtje me shkrim”. Por, edhe unë mbajta qëndrim: “Nëse do na kërkojnë prapë, do t’i ndihmojmë, prandaj duhet
    të financohen të gjithë, përmes të ashtuquajturit centralizëm demokratik.” Ato që i përjetova në atë mbledhje ia pata rrëfyer Jasharit, por i pata paraqitur edhe në Këshill të Përgjithshëm (KP). Nga vera e vitit 1996 deri në dhjetor 1997 në KP kishim debate për sabotimet që po i bëheshin UÇK-së.

    Tani, akoma më konkretisht, lidhur me Naitin: kur u bë publik arrestimi i Naitit, në fund të janarit 1997, dhe funksioni i tij në UÇK, rastisi të jemi mysafir i Këshillit Popullor në Shafhausen të Zvicrës, i cili i kishte anëtarë Xhavit Hoxhën, Jashar Salihun dhe të tjerë. Por anëtarë ishte edhe një farefis i Naitit, emri i të cilit nuk po më kujtohet. Diç si Shafit duhet ta ketë. Por u kujtohet tjerëve. Ai pati shpërthye: “Atë spiun e keni ba komandant të UÇK-së?!” Të gjithë u stepem. E lutnim të mos fliste jashtë atij Këshilli. Unë e keqkuptova si rrjedhojë të ndonjë konflikti farefisnor, prandaj nuk e mora për të vërtetë. Por, ndërkohë i sforcova hetimet, pa u penguar se disa ndiheshin të bezdisur nga vëzhgimet e mia. Bile, Xhaviti, në mbledhje të KP më 9 maj 1998, u mbrojt nga ca akuza që ia bëra: “Je ba si hetuesit e UDB-së”.

    Qysh në shkurt të vitit 1998 pata krijuar dyshimin se Shtabi Qendror, pas arrestimit të Naitit, nuk funksiononte as si deri atëherë, meqë anëtarët tjerë, Xheladin Gashi, Rexhep Selimi, Sokol Bashota ishin në arrati. Spekulohej se edhe Zahiri ishte anëtar, por ishte mashtrim, meqë tashmë Zahiri ishte vra dhe nuk mund t’i demantonte.

    Duke i njohur goxha shumë zhvillimet e brendshme të UÇK-së, kam pas filluar moti me i përdor thonjëzat për Naitin dhe të tjerë “liderë” të UÇK-së. Për Azem Sylën më shumë se njëherë kam thënë e shkruar, kush e ofron vetëm në provë se atë e kemi emëruar, zgjedh apo caktuar për komandant të përgjithshëm, do i jap shpërblimit maksimal, për aq sa do kem mundësi financiare.

    Pasi e kam lexuar aktgjykimin e Naitit me “grup” (të dhjetorit 1997, lëshuar nga Gjykata në Prishtinë), m’u patën shtua dyshimet. Pas lufte, me shkrim e me gojë e kam lutur Naitin të tregonte, sa ndihma financiare i ka marrë nga Fondi gjatë hapësirës kohore, konkretisht nga fillimi i vitit 1994 deri në janar 1997, dhe kujt ia ka shpërnda? Dukej se e kishte urdhëruar “kooptuesi” i tij, Xhaviti, të mos informonte, prandaj m’është humbur edhe ajo pak konsideratë që kam pasë për të.

    Me pëlcet zemra kur i kujtoj ankesat dhe kërkesat e Adem Jasharit, kur guerilët e Llap/Gollakut me shkrim na kishin lutur t’ua dërgonim 300 DM në muaj, që të kishin për benzinë kur shkojnë në aksione guerile. Më kujtohet edhe Viti i Ri i 1997 në bazën e UÇK-së në Tiranë. Ishte banesë që e kishte ble Iliri, vëllai i Adrian Krasniqit. Nuk kishin past të holla ta pajisnin me mobile. Ishin vetëm ca shpuza e batanija në dysheme…

    – Ju flisni shpesh për rolin e Sabri Novosellës dhe Abdullah Prapashticës në mërgim. Është
    subjektive apo objektive qasja juaj ndaj tyre? Keni fakte?

    I. Kelmendi: Kur rrëfehen përjetimet, ato nuk mund të mos jenë të ndikuara nga subjektivizmi. Për AP është publike se ai është dërguar si 15 -vjeçar në shkollën speciale për t’u përgatitur si kuadër i shërbimeve sekrete. Thuhej se ajo shkollë ishte e vetmja në Jugosllavi dhe gjendej në Novisad. Pasi mbaron 4-vjeçaren aty i vazhdon kualifikimet profesionale në fakultetin përkatës në Beograd. Shikuar në këtë aspekt, duhet të ketë qenë kuadri më profesional në UDB të KSAK-së.

    Ai në vitin 1975, ndoshta si 17-vjeçar (meqë ia kam harruar vitin e lindjes), duhet ta ketë “themeluar” PKMLSHJ-në. Kjo duhet të ketë ndodhur nga “detyra e shtëpisë” që duhet t’ia ketë dhanë mësuesi i lëndës përkatës që i mësonte UDBashët si duhet të themelonin organizata ilegale, si masë preventive për t’i luftuar armiqtë politikë të Jugosllavisë.

    Sapo ka mbaruar studimet në Beograd AP është punësuar në UDB në Prishtinë. Nuk më ka rastis të kem lexuar rrëfime të tij, kur e kanë avancuar në kryeshef të Drejtorisë për mbikëqyrje të Universitetit të Kosovës në Prishtinë, por marsi 1981 e gjeti në atë detyrë. Fatkeqësisht, kur duam t’u bëjmë UDBashëve biografi detyrohemi të bazohemi kryesisht në rrëfimet e tyre, meqë tjetër mundësi nuk ekziston, ta zëmë duke pa dosjet e tyre. Se e kanë zënë protestat, demonstratat e rebelimet studentore të pranverës 1981, këtë e ka rrëfyer vetë AP më shumë se njëherë, në kuadër të (vetë)lavdërimit gënjeshtar, se e ka shfrytëzuar atë pozitë për t’i udhëheq studentët.

    E vërteta është se bërthama e studentëve organizues vetvetiu janë shquar si organizatorë, pa pas asnjëri lidhje me asnjërën nga organizatat klandestine. Pra, të paktë jo ata të natës 25-26 mars 1981, të grumbulluar në dhomën e konviktit të Sylë Mujës me shokë. Në mesin e tyre ishin Ali Lajçi, Bajram Kasumi, Avdullah Tahiri dhe të tjerë. Dhe ata, në mëngjesin e
    ditës së 26 marsit 1981 duhet ta kenë plasuar publikisht kërkesën KosovaRepublikë, e cili brenda pak ditëve u bë “popullore”. Ajo kërkesë na është imponuar edhe organizatave klandestine që në platforma të tyre e kishin bashkimin kombëtar.

    Gjatë përkthimeve në gjykatë në Gjermani më ka rastis të jep urdhër gjyqtari që të burgoset polici, i cili ishte thirr dëshmitar. Atë polic e kishin penetruar si informator të kamufluar në skenën e krimit të organizuar në Hamburg, sepse po survejoheshin dy vëllezër shqiptarë, nga rrethi i Gjakovës, të cilët ishin bërë milionerë në Hamburg. Polici kishte gjetur një të ri rugovas, i lindur në Bllagajë apo Nakëll të Pejës, dhe e kishte mësuar si të merrej me kontrabandim të drogës.

    Ai krim kishte shkuar deri atje sa ai polic t’i vendoste drogë në auto viktimës së tij dhe kishte sinjalizuar policinë t’ia zinte priten që ta bastiste. Këtë konstatoi gjyqtari kur e mori në pyetje atë polic, prandaj dha urdhër ta arrestonin duke qenë në seancë, me arsyetim se polici, për të dëshmuar suksesin e tij, ka përgatit e shpërdor një viktimë.

    Kështu duhet të ketë vepruar edhe AP me anëtarësime fiktive të viktimave të tij, të cilët edhe tani i përdor si dëshmi se PKMLSH-ja kishte anëtarë që janë burgos për veprimtari politike. Por, nëse ndonjë gazetar hulumtues do t’i intervistonte ato viktima, mendoj se nuk do të dinin të argumentonin, kur, kush, si, pse, i ka anëtarësuar, prandaj u thuheshin shumë proceseve gjyqësore “procese të montuara politike”.

    AP duhet të ketë “dezertuar” nga UDB-ja ndoshta në maj 1981 dhe ka qëndruar në Kosovë deri në korrik 1981, kur duhet t’i ketë hipë trenit ndërkombëtar, i cili ishte i përditshëm nga Gjermania në Stamboll. Se pse e kanë toleruar AP të “dezertonte” (meqë nuk duhet të ketë qenë i mundur dezertimi pa pasoja ndëshkuese nga shërbimet jugosllave (do të duhej të përgjigjej vetë AP apo ata që kanë më shumë njohuri për mënyrën e funksionimit të atyre shërbimeve).

    Befasues është fakti, si ia doli të shkonte nga Turqia edhe në Shqipëri, nëse është e vërtetë se ka shkua. Në Turqi, gjoja përmes lidhjeve familjare, e kontakton SN në Ada Pazar. Dhe prej atëherë fillojnë të bisedojnë për bashkim, sikur po bashkonin kontinente, nëse kemi parasysh kohëzgjatjen e “bisedimeve” të tyre, për t’u finalizuar në datën 17 shkurt 1982, siç rrëfejnë ata, duke publikuar një paçavure që e quajnë marrëveshje për bashkim, e cila është kontestuar po nga ata dy “udhëheqës” pas rreth 4 muajve. Që do të thotë, SN e begenisi “komunistin” AP, i cili simulonte të ishte kryetar i partisë inekzistente (meqë partitë duhet të kenë shumë anëtarë dhe të kenë organe…), e emërtuar me emër pompoz PKMLSHJ, ndërsa Kadri Zekën e kishte refuzuar, duke e (dis)kualifikua si enverist dogmat, siç ka (dez)informua SN pastaj.

    Qysh kur jam informuar nga Jusufi se SN e kishin udhëheqës LNÇKVSHJ-në, kam pas keqardhje, meqë nuk kisha mundësi të arsyetoja se si një terezi autodidakt, gjysmanalfabet, të bëhet udhëheqës i intelektualit me ato përgatitje të mëdha profesionale dhe dhunti krijuese letrare. Fatkeqësisht Jusufi, i indoktrinuar nga enverizmi, e idealizonte edhe atë si “klasë punëtore”…

    Meqë Jusufi vuante se nuk kishte kurrfarë komunikimi me “udhëheqësin” SN, jam angazhuar për ta gjet SN në Turqi, meqë kisha shumë farefis dhe bashkëveprimtarë të shpërngulur nga Kosova në Turqi. Isha edhe vetë rreth tri javë në Turqi gjatë vere 1980. Më rezultoi se ai tashmë në Turqi po merrej vetëm me biznes privat, nuk merren fare me udhëheqjen e organizatës së tij. Këto informime nuk donte t’i besonte Jusufi, sepse e idealizonte udhëheqësin e tij (siç mund të shihet edhe nga letra që Jusufi duhet t’ia ketë dërguar SN më 14 prill 1981, nëse është autentike). Fatkeqësisht SN ka qenë protagonisti, që na ka shkaktuar herë pas here grindje, sepse unë mundohesha ta bind Jusufin të fillonte
    me jetë aktive organizative, duke anëtarësuar bashkatdhetarë, ndërsa ai priste t’i
    jepte leje e udhëzime SN.

    Mendoj se Jusufi duhet të ketë guxuar, – pa marrë miratim nga SN, – të jepte këshilla për formimin e Komitetit të Deçanit gjatë vere 1980. Por uroj të mos ketë qenë shkas që ai Komitet të zbulohen shpejt, për shkak të raportimit që Jusufi duhet t’ia ketë përcjell SN në prill 1981, në kuadër të flirtit të madh mes tyre për rifillimin e komunikimit, meqë arrestimet e pjesëtarëve të Komitetit të Deçanit, i cili veproi në kuadër të LNÇKVSHJ-së fiktive, ndodhën në maj 1981…

    Që të mos i bie trup nga Kina, siç m’është bërë ves ta (sh)përdori, në vitin 1987, Botuesi “Fokus”, Miku Rasim Selmanaj, ma pati botuar romanin ATENTATET. Kryepolici Demë Demaj, i lindur në katun të ri të Pejës, pasi e ka lexuar romanin e lut kushërinin e tij, Malush Ademaj, të ndërmjetëson për të na takuar, meqë zotëri Demaj e dinte se Malushin e kisha bashkëveprimtar nga viti 1978. Malushi thërret edhe shokun e tij, Bilall Kryeziu, dhe na takon në restorant në Prishtinë.

    Aty ish-kryepolici Demaj na surprizon me dëshmi të tij për ndodhinë e 14 dhjetorit 1979, kur kryeUDBashi Ibish Kllokoqi e kishte urdhëruar ta përgatitë ekipin e policëve për ta arrestuar në agimin e 15 dhjetorit SN. Ishte edhe rrëfim pikant, i teri simulim, që kishte për qëllim SN ta penetronte në Shqipëri, e prej andej në emigracion. Pra, vetë Ibushi e merr me auto SN dhe e vozitë drejt kufirit të Shqipërisë, ndërsa kolegu i tij, me mbiemër Krasniqi, urdhëron kryepolicin Demaj që ta protokollonte gënjeshtrën se SN nuk është gjetur në shtëpi.

    Fatkeqësisht, asnjë televizion nuk e ka ftuar Demajn ta paraqiste atë dëshmi të tij.
    Fatkeqësisht as SN nuk i bëri padi për “shpifje”, siç e sulmonte në rrjet social, që të zbulohej e vërteta gjatë hetimeve dhe procesit gjyqësor.

    Nga ai moment unë u vura PIKË (të madhe të shtypit) dyshimeve të mia të deriatëhershme, duke pranuar të vërtetën e hidhur se SN paskësh qenë marionetë
    klandestine e UDB-së. Prandaj, na i ka shkaktuar gjithë ato komplote, vrasje, plagosje, nga fundi i prilli 1981, deri kur u (vetë)largua nga Lëvizja në prill 1984, pasi na i shkaktuan dy plagosje gjatë manifestimit në Dyseldorf. Protagonist konkret i atij krimi ishte Milam Zeka.

    – Meqë e përmendët Komitetin e Deçanit, njëri nga ish-punëtorët e sigurimit sekret të ish-regjimit, Mehmet Loci, në një intervistë, në mes tjerash provoi të hedhë baltë mbi këtë grup, me theks nënvizoi se kishte të infiltruar, madje një me gradë shkencore. Nuk po i marr si të mirëqena deklaratat e tij, por meqë ju shtroni dilema edhe për disa personalitete të tjera, cili është mendimi juaj?

    I. Kelmendi: E dëgjova tymnajën e Mehmet Locit. Intervistuesi Panduri nuk e pat lënë ta rrëfen deri në fund atë tymnajë. Por unë nuk e kam pasë të qartë, kur jam informuar, si paskësh dhënë udhëzime Jusufi që të formohet ai Komitet, kur vetë Jusufi në Perëndim nuk e ka anëtarësua asnjë bashkatdhetarë deri në dhjetor 1981, sepse mendonte që nuk kishte të drejtë të anëtarësonte pa i dhanë leje udhëheqësi SN. Ja çfarë pyetje duhet t’i ketë bërë Jusufi me letrën e 14 prillit 1981 SN:

    “…në rrethinën e Shtutgartit janë nja 7-8 shokë të gatshëm e të përshtatshëm për punë
    patriotiko-revolucionare. Ata presin ndonjë orientim nga unë. Po unë duke qenë dhe vetë në mjegull për gjendjen time, nuk kam dashur t’i ngashënjej e pastaj t’i lë në gjysmë të rrugës.

    Prandaj u kam folur për gjëra të përgjithshme në çështje të organizimit, të propagandës dhe të agjitacionit si dhe kam bërë përpjekje për t’ua dhënë elementet e domosdoshme shkencore të historisë kombëtare dhe të lëvizjes komuniste shqiptare e ndërkombëtare. Janë punëtorë dhe ma ka marrë mendja se në radhë të parë u duhet një ngritje e tillë ideore, politike e shkencore.”

    Ndoshta ti ke informim, nëse ndonjëri nga të burgosurit e Komitetit të Deçanit e ka komentuar Aktgjykimin e tyre, meqë aty janë rrëfime në detaje, sikur ndokush prej tyre të ketë mbajt ditar.

    Thuhet, kur të hup malli, të hup shpirti, prandaj druaj se Jusufin e ka informuar detajisht ndonjëri i Komitetit, Jusufi ia ka përcjell SN, siç ka vepruar ta zëmë me një raport, i cili i ka 3.424 fjalë dhe mban datën e 31 korrikut 1981.

    Gjithsesi, po me habit fakti se asnjëri nga ata të Komitetit nuk reflekton, çka nëse LNÇKVSHJ ishte formuar nga UDB dhe një terzi halldup ia kishte dalë t’i mashtronte e viktimizonte gjithë ata intelektualë? SN ia kishte dalë t’i përvetësonte të paktën DY MILIONË dollarëve amerikanë, të cilat KQ i PPSHsë ia ka dhanë ndihma LNÇKVSHJ-së; në vitin 1981 dymijë dollarë kishin fuqi të madhe blerëse (atëherë një KË rrymë në Gjermani kushtonte rreth 2 centë, tani kushton rreth 40 centë)…

    – A e konsideroni veten pjesë të themelimit të UÇK-së? A ka pasur grup gueril të UÇK-së që
    ju keni komanduar?

    I. Kelmendi: Vendimin për themelim e ka marrë Mbledhja e Katërt e Lëvizjes, e mbajtur me 26-27 korrik 1993, në shtëpinë e prindërve të Fatmir Brajshorit në Prishtinë. E njëjta mbledhje e ka ndryshuar emrin e Lëvizjes, nga LPRK në LPK. Meqë pas Mbledhjen pasuan arrestime e përndjekje të mëdha, ishte Këshilli i Përgjithshëm (KP) i LPK-së në Emigracion që duhej të merrej me jetësimin e atij vendimi. Prandaj, në fillim të dhjetorit 1993 KP vendosi të themelonte Fondin Vendlindja thërret, për të grumbulluar ndihma financiare për UÇK. Njëherit formon edhe SRV, i cili duhet të ndihmonte në krijimin e lidhjeve mes grupeve guerile që ishin formuar qysh nga tetori 1981, siç kishte dhënë udhëzime Mbledhja e Tretë, e mbajtur në Ujmir të Klinës.

    Unë atëherë isha vetëm anëtarë i KP të LPK-së dhe anëtar Kryesie i Nëndegës së LPK-së në Gjermani. Si të gjithë anëtarët e atëhershëm të LPK-së, edhe unë isha bashkëthemelues i UÇK-së, sepse i kishm përfaqësuesit në Mbledhjen e Katërt. Unë nuk kam komanduar asnjë grup gueril të UÇK-së, sepse nuk kam pasur dhunti përkatëse për të qenë komandant.

    – Kur dhe kush e kyçi vëllain tuaj, Qerim Kelmendin, në UÇK? Cilat ishin vështirësitë për
    aksionet e para të UÇK-së kur mori pjesë Qerimi me grupin e tij?

    I. Kelmendi: Nuk i di detajet. Më mirë të merret për bazë një biografi telegrafike që ka publikuar me rastin e vrasjes së Qerimit, vëllau Mani.

    Me Qerimin pata mundësi kontaktimi në janar 1992, kur ai, Ilir Krasniqi, Sali Kelmendi dhe të tjerë u arratisen nga Kosova në Shqipëri për të marrë armë. Me atë rast jam ndie i detyruar t’i shpërdor mjetet financiare që m’i kishin besuar disa shokë, për të bërë biznes me shtëpi private botuese (e para në Shqipëri), që të financoj qëndrimin e Qerimit me shokë (edhe të Kadri Veselit) dhe t’u jap të holla për t’i paguar armët që i gjenin. Atëherë çmimi i armëve në treg të zi ishte i lartë.

    Njërin kallash nga ata Qerimi ia ka dhuruar Sokol Bashotës. Pas ca kohëve e ka gjet në strehimore të Zahir Pajazitit, meqë i kishte bërë gërvishtje identifikuese. Zahiri e ka informuar se e kishte ble nga Sokoli për 1200 DM…

    – Ju keni qenë pjesë themeltare e LPK-së, ndërkohë përmendët Kadri Veselin, të cilin e paskëshit ndihmuar edhe atë për qëndrim në Shqipëri. Si e keni njohur atë? A ka qenë faktor brenda organizatës? Po Hashim Thaçin kur dhe si e keni njohur?

    I. Kelmendi: Kadriun e kam njohur vetëm nga prezantimi që ia ka bërë Qerimi, si koleg i studimeve dhe bashkëveprimtar klandestin. Kur pat emigrua në Zvicër rrallë e kam takuar dhe nuk jam interesuar të di për veprimtari të tij. Mbaj mend ta kem lut kryeredaktorin e “Zërit të Kosovës” (ZiK), ta angazhon Kadriun në redaksi, sepse më dukej se po jeton i izoluar dhe më vinte keq për te, meqë pata krijuar respekt për te gjatë bashkëqëndrimit në Tiranë në vitin 1992.

    Hashimin e kam njohur për herë të parë në vitin 1994, si pjesëmarrës në mbledhje të KP. Më pat shkaktuar dhembshuri, sepse më dukej i ushqyer keq dhe fakir në oratori e dituri.

    Më ka ardhur keq në qershor të vitit 1999, kur mbajtëm konferencë shtypi në Bundespressehaus në Bonn, ai nuk dinte të thoshte as një fjali të thjeshtë, pa gabime, në gjuhë gjermane, e gati 5 vite i kishte kaluar në Zvicër: atëherë Zvicra shquhej për pagesa të kurseve intensive për gjuhë për ata që fitonin azilin politik.

    Kësaj radhe mjafton ta përsërit faktin, se jam grind me eprorin e Hashimit, Zotëriun serbofil frances D. Arnaud, i cili ishte shef i Drejtorisë për Ballkanin në DGSE-në famoze franceze (shërbim inteligjent ushtarak, i cili e ka rrolin si CIA në USA). Ai pat arrit në Hotel “Maritim” në Këln, më 9 qershor 1999, sapo i patëm sistemuar Hashimin dhe Bilall Sherifin në atë hotel, të cilin e kishte marrë me qira Kancelari gjerman për t’i strehuar përfaqësuesit e shteteve që merrnin pjesë në Samitin ndërkombëtar për Kosovën. Fal serbofilit Arnaud Hashimi nuk e firmosi “marrëveshjen” në Rambuje, u imponua “kryeministër”, u imponua
    drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së, etj., etj. Prandaj “gjykata speciale” duhet të merr dosjen e Hashimit në DGSE dhe t’i bën gjyqe DGSE-së, nëse Hashimi ka bërë krime, sepse asgjë nuk ka bë kokë në vete, pa e komanduar serbofili Arnaud…

    – Më bëri përshtypje një pjesë e përgjigjës suaj ku thoni: “Njërin kallash nga ata Qerimi ia ka dhuruar (e nënvizoj v.i.) Sokol Bashotës. Pas ca kohëve e ka gjetë në strehimore të Zahir Pajazitit. Zahiri e ka informuar se e kishte ble nga Sokoli për 1200 DM…”. Është hera e dytë që dëgjoj që Zahir Pajziti ka blerë armë apo logjistikë nga anëtarët e Shtabit operativ, apo edhe prej bashkëluftëtarëve. Rasti tjetër më është thënë nga bashkëluftëtarët e Zahirit, se po Zahirit, nga anëtarët e shtabit operativ ka blerë një veturë për të kryer aksione? Si është e mundur kjo?

    I. Kelmendi: Për këtë rast të urtit moti përdornin shprehjen, unë të tregoj ukun, ti me flet për fërkemë. Moti e përdor shprehjen e kopjuar nga kryeprokurori amerikan i ZPS-së “ndërmarrje e përbashkët kriminale” (NPK), të cilën ai e ka përdor në aktakuzë të paraqitur në “gjykatë speciale” (Dhoma të Specializuara). Përpara i quaja “shtabi i Rognerit”. Pra, xhavita, azema, rexhepa, hashima, naita, sokola…, po i arkivoj si pjesëtarë të të NPK. Nëse do të kisha qenë kryeprokuror i Kosovës, moti do t’u ngritja aktakuzë. Bile edhe do të kisha urdhëruar të hetohet vrasësit e Zahirit, Hakifit dhe Edmondit…

    – Cili ishte aksioni i parë i Qerim Kelmendit?

    I. Kelmendi: Vërtet nuk di, apo të paktën nuk i kam mbajt mend, nëse m’i kanë treguar, se me duket, në pleqëri të tanishme po më kujtohet ndodhitë e rrëfimet e hershme, po jo këto të viteve të fundit.

    – A planifikonit bashkë aksionet që merrte pjesë Qerimi, apo i bënte vetëm me bashkëluftëtarët e tij?

    I. Kelmendi: As nuk kam pasë informacion kur i planifikonin, kush i planifikonte, kur i bënin. Qysh në vitin 1978 jam përcaktuar të mos komunikoj me familjarë, që t’mos u shkaktoj më shumë vuajtje nga UDB-ja që ia delte t’i zbulonte komunikimet.

    Pas vitit 1992, Qerimin e kam takuar vetëm në dhjetor 1996, kur shkuam me vëllain Daut (me emër zyrtar Asan, siç na i tredhte emrat ofiqari Vukadin, kur i regjistronte lindjet në “zyrën e vendit” në Zahaq), të përkujdesemi për mjekimin e tij, meqë tashmë bashkëguerilët e kishin sjell në Tiranë për ta mjekuar.

    – Thuhet se Qerim Kelmendi është ushtari i parë i UÇK-së, i cili është plagosur. A është e vërtetë kjo dhe kush e solli në Tiranë?

    I. Kelmendi: Po, ashtu kam dëgjuar edhe unë. Por provo pyete Xhavitin apo kUmandant Azemin, sepse ata ishin “bosat” e UÇK-së…

    – Është thënë se ju dhe Qerimi mbante takime të shpeshta me Zahir Pajazitin. Në fakt, si ka funksionuar ky rrjet bashkëpunimi me zonat të tjera? A koordinoheshin nga ju, në Perëndim, apo nga i ashtuquajtur Shtabi Operativ i UÇK-së?

    I. Kelmendi: Zahirin e kam takuar vetëm njëherë, disa minuta, dy-tre ditë pas Vitit të Ri 1997, në Tiranë, të ulur në muri përball Hotel “Dajti”, pa e ditur se është Zahiri, meqë Qerimi e prezantoi si shok të tij, me emrin Ismet. Nuk kemi pasë asnjë bisedë lidhur me veprimtari të tyre.

    – Një pyetje shumë themelore; në kohën kur Qerim Kelmendi kryente aksione kundër policisë serbe, cilat kanë qenë bazat e konsoliduara të UÇK-së?

    I. Kelmendi: Sa më shumë po gjurmoj në këtë tematikë, më shumë po zhgënjehem. Kam ardhur në përfundim që të gjitha grupet guerile që i kishin formuar anëtarët e Lëvizjes, nga tetori 1991 e këtej, nuk janë lejuar të përfshihen në UÇK-në “zyrtare” që e kishin kap Xhavit Haliti dhe Azem Syla, të mbështetur nga Kryesia e LPK-së, e që na ka udhëheq deri në maj 1998, kur u mbajt Mbledhja e Gjashtë. Pra, Xhaviti dhe Azemi kishin formuar një Shtab Qendror me të kooptuarit Nait Hasani “koordinator” dhe anëtarët: Xheladin Gashi, Rexhep Selimi, Sokol Bashota. Ai Shtab i “komandonte” vetëm rreth 7-8 shokë të tyre.
    Kjo del edhe nga aktgjykimi i Naitit, me 17 të tjerë, të cilët UDBa e kishte sajuar si “grup”. [këtu mund të shkarkohet aktgjykimi i Naitit me “grupin”:
    https://fjala.info/vendim-i-gjykates-se-prishtines-per-denimin-e-qerimkelmendit1997/

    Ai Shtab Qendror u zhbë kur u kidnapua apo arrestua “koordinatori” Nait me 27 janar 1997. Xhaviti dhe Azemi vazhdonin t’i mashtronin shokët e tyre në Kryesi se ai Shtab ekzistonte. Kryesia na mashtronte ne në KP. Fatkeqësisht isha pothuajse i vetmi që i (dis)kualifikoja ato mashtrime, në mbledhjet që merreshin gjatë me sabotimet e komplotet që po i bëheshin UÇK-së.

    Që ta përmbyll përgjigjen në këtë pyetje, “gupet guerile” që i komandonin Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqi dhe të tjerë, nuk quheshin pjesë të UÇKsë “zyrtare”, të kapur nga Xhaviti dhe Azemi dhe as nuk u jepeshin ndihma financiare nga mjetet e Fondit Vendlindja thërret. Fatkeqësisht!

     E kisha fjalën për Bazat e UÇK-së në Kosovë.

    I. Kelmendi: Vërtet, unë nuk kam qenë i informuar për ndodhitë e brendshme as të Lëvizjes, as të UÇK-së, meqë të tjerë i kishim të caktuar nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, Dega jashtë vendit. Prandaj, nuk kanë vlerë nëse rrëfej nga ato që i kam dëgjuar, ta zëmë nga intervistat që ke bë Ti me protagonistët përkatës. Por e di që flisnim se tre “grupet guerile”, i Drenicës, Llap/Gollakut, Dukagjinit, në verë 1996 kërkuan ndihma financiare nga LPK, Nëndega në Gjermani. Kryesia e Nëndegës u dërgoi ca ndihma simbolike. Për atë “faj” Kryesia e Degës më pati thirrë në mbledhje të saj me dhanë llogari. E quajtën shkelje e “centralizmit demokratik”, sepse për ta centralizëm demokratik ishte, ndihmat financiare t’i dorëzohen vetëm Xhavit Halitin dhe ai t’i përcjellë UÇK-së në Kosovë. Fatkeqësisht rezultoi se Xhaviti na kishte livadhisë të gjithëve.

    – Atëherë, kujt i përgjigjeshin grupi i Adem Jasharit, i Zahirit, i Adrianit? Dhe, në këtë kohë,
    kush njihej si UÇK “zyrtare”? Mbi të gjitha, flitet se Azem Syla ishte Komandant i
    Përgjithshëm?!!

    I. Kelmendi: Sipas vëzhgimeve të mia Ademi, Zahiri, Adriani dhe 90 % e pjesëtarëve të UÇK-së, nuk kanë pranuar të “koordinohen” nga Nait Hasani, marioneta e Xhavitit. Moti e kam dyshimin, Zahirin e ka dënuar me vrasje Azem Syla, sepse Zahiri, në bisedë që ka pasë me Azemin në fillim të janarit 1997, e ka refuzuar Azemin për komandant të përgjithshëm…

    U përgjigja më herët, nëse dikush ofron provë konkrete, kush, kur, e ka emëruar, zgjedh apo caktuar Azemin për komandant të përgjithshëm, ka shpërblim. Nga procesi gjyqësor në Hagë po kemi rast të informohemi, si janë (vetë)zgjedh pjesëtarët edhe të Shtabit të Përgjithshëm. Dhe, po shpenzohen milona për avokatë, për ta bindur trupin gjykues se UÇK-ja nuk ishte ushtri…

    – Po ashtu, te kthehemi te fondi “Vendlindja…”. Nga sa thoni më lart, i bie që Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe grupi i Adrianit, nuk janë financuar nga ky fond!! Nga shkonin ato para?

    I. Kelmendi: Edhe unë përherë po pyes, cilat “vrima të zeza” i përpinte ndihmat financiare të UÇK-së. Secili anëtar e anëtare i LPK-së në emigracion e kishim obligim t’i jepnim nga 1.000 SFr. / DM në vit, pos 50 DM anëtarësi mujore. Nga vera 1996, me ndërmjetësim të Adem Demaçit, “kryeministri” Bujar Bukoshi ishte zotuar me i dhanë nga 30.000 DM në muaj. Korrier për t’i pranuar ato mjete ishin caktuar Ilmi Muzaqi e Shaban Muja. Ata duhej t’ia dorëzonin Xhavit Halitit. Këto i kam marrë vesh para pak viteve nga monografia “LPK-UÇK”, e autorëve Fazli Velia e Sejdi Gega.

    Po e përsëris hamendësimin: Shtabit Qendror nuk duhet t’i jenë dhanë më shumë se 70.000 DM nga fillimi i vitit 1994, deri në janar 1997.

    Ustah Xhaviti e ka pasë sajuar një truk: “me huazime e kemi ndihmuar UÇK-në”. Dhe, këtë mashtrim e kemi “hangër”. As për bukë për 1400 kryengritës në Tropojë, të ardhur për t’u armatosur në fillim të prillit 1998, nuk ka dhanë financa Xhaviti. Ndërkohë, para pak muajsh, u gjeten ca shënime të Isa Elshanit, kujt i kishte dorëzuar DM të tërhequra nga xhirollogaria bankare në Gjermani, meqë Baca Isë ishte kryetar i OJQ-së DVAD e V. dhe kishte të drejtë të tërhiqte mjete financiare nga banka Sparkasse në Bonn.

    Edhe në fund të vitit 1997, ia kishte dorëzuar Xhavitit 120 mijë DM, nëse e mbajta mend atë shënim. Pra, i janë dorëzuar Xhavitit nga baca Isë, pa qenë të informuar as Jashar Salihu, as Gafurr Elshani, as Xhemajl Fetahaj, që ishte arkatar i Nëndegës në Gjermani. As unë nuk e kam dit, edhe pse isha anëtar i Këshillit të Fondit.

    Kur reflektoj për këto gjera, mrekullohem si vegjëlia çlirimtare ka dalë fitimtare jo vetëm kundër Serbisë, por edhe kundër NPK dhe kundër FARK-ut të Bujar Bukoshit dhe Ahmet Krasniqit!

    – Në momentin e rënies së Adrian Krasniqit, ishte në aksion edhe Qerim Kelmendi? Cili ka
    qenë rrëfimi i tij për rënien e Adrianit? Jo një herë është thënë se nuk është dashur të sulmohet pikërisht në atë kohë, meqë stacioni në Kliqinë, thuhet se ishte sulmuar kohë më parë?

    I. Kelmendi: Nuk i kam mbajt mend rrëfimet e Qerimit për atë sulm gueril.

    – Këtu më dukeni i pasinqertë, meqë ju konsideroheni si njeri me kujtesë të madhe.

    I. Kelmendi: Nuk kam të drejtë edhe unë të jem ndonjëherë i pa sinqertë?!

    – Është një përshtypje se me konsolidimin e grupit të furnizimit me armatim, siç ishte Adriani, Qerimi, Iliri, Hyseni dhe Genci, UÇK shënon kthesën më të madhe? Cila është e vërteta?

    I. Kelmendi: Sektorin i logjistikës ka filluar të ngritej nga janari 1992, nga Ilir Krasniqi me bashkëveprimtarë, meqë Krasniqët e Vranocit kishin kushërinj që ishin dëbuar nga Kosova në Shqipëri. Ishin Vëllazëria Tafaj në Bajram Curr e Durrës. Në ndërkohë në atë sektor u angazhuan edhe Adrian Krasniqi, Ilir Konushevci, dhe të tjerë bashkëluftëtarë të tyre që i përmende edhe Ti. Ata kishin vullnet e potencial të madh, por nuk kishin mjete financiare, meqë mjetet financiare i zhdukte Xhaviti në “vrimë të zezë”, sepse të gjitha mjetet që grumbullonim, i dorëzoheshin Xhavitit që ai t’ia përcjellte UÇK-së në Kosovë. Që do të thotë, ia kishim vjerrë në qafë maçorrit koqet e dashit, që t’i ruante…

    – Ju dhe Qerimi, jo një herë jeni parë si të rebeluar përbrenda LPK-së, por edhe strukturave të UÇK-së? Cilat kanë qenë përplasjet më të mëdha dhe pse ndodhnin ato?

    I. Kelmendi: Përplasjet e para në Lëvizje kanë zanafillë qysh në vitin 1982, kur komplotistët SN, AP dhe Xhafer Shatri u komanduan ta kapnin emigracionin tonë. Por tashmë ato ngjarje janë histori e largët dhe e kam rrëfyer më shumë se njëherë. Përplasjet më serioze kanë ndodhur në verë të vitit 1996, kur u informuam se guerilët e UÇK-së, të komanduar nga Ademi, Zahiri, Adriani dhe të tjerë, nuk ndihmoheshin financiarisht nga mjetet e Fondit Vendlindja thërret. Ajo përplasje ka vazhduar deri në mbarim të Luftës.

    Për përplasjet e Qerimit me bashkëveprimtarët e tij në Kosovë, nuk duhet të kem dëgjuar, por për rebelimet e tij kundër Xhavitit, Azemit, Hashimit, isha i informuar nga viti 1996 e këtej.

    – Cili ishte roli luanin Xhavit Haliti dhe Azem Sylës në komandimin dhe financimin e UÇK-së?

    I. Kelmendi: Fatkeqësisht Xhviti dhe Azemi e kanë kapë UÇK-në qysh në start, me ndihmën e Kryesisë së KP të LPK-së, Dega jashtë vendi. Ata simuluan formim të Shtabit Qendror me marionetat e kooptuara prej tyre. Kryesia dhe Këshilli Qendror i fondit V.Th., në krye me Kryetarin Jashar Salihu, pothuajse 100 % të mjeteve financiare ia kanë dorëzuar vetëm Xhavit Haliti, nga dhjetori 1993 deri në mars 1998. Nga ato ndoshta vetëm rreth 10 % duhet t’i jenë dhanë Shtabit Qendror, për hir të rendit të gjerave, që të mund të vazhdonin sabotimet e komplotet sa më gjatë, pa u zbuluar. Në mars 1998, sapo ndodhi Epopeja në Prekaz, Kryesia u ndërgjegjësua se Xhaviti dhe Azemi i kishin mashtruar e manipuluar, meqë as ai Shtabi Qendror, marionetë, nuk ishte më funksional.

    Prandaj i shkarkuan shokët e tyre, Xhavitin Azemin dhe Aliun nga SRV, të cilët njëheri ishin edhe anëtarë të Kryesisë së LPK-së. Kryesia u përcaktua të improvizonte shtabin, deri sa t’ia delte me e riaktivizua me kompletim të ri Shtabin Qendror.

    Tragjike është se Kryesia as atëherë nuk ia doli t’i disiplinonte anëtarët e saj komplotistë, Xhavitin dhe Azemin. Prandaj i kemi publikimin e Komunikatave nr. 45 dhe 46, të 9 e 16 mars 1998, që nuk përmenden fare martirizimi i Adem Jasharit me familjarë!! Nëse më lejohet të përdor për momentin fjalorin poetik të Poetit Ali Podrimja, as tani nuk ka pidh same të marrë përsipër autorësinë dhe publikimin e atyre komunikatave. [faksimilet e atyre komunikatave janë në monografinë LPK / UÇK, të autorëve Fazli Velia e Sejdi Gega.]

    Hidhërohem në veten time, pse edhe Jashar Salihu, pos anëtarëve të Kryesisë, i besonte më shumë Xhavit Halitit se mua, meqë unë qysh kur u binda në terren gjatë viteve janar 1991-gusht 1992 se Xhaviti ishte kuadër i UDB-së, i komanduar të bënte komplote në bashkëveprim me Hajdinë Sejdinë, po iu thosha gjithë anëtarëve të Kryesisë dhe bashkëveprimtarëve si Jashar Salihu, se Xhavitin na e kishte penetruar UDB-ja në radhët tona.

    Fatkeqësisht, Kryesinë e dëboi nga Tirana Xhavit Haliti nga mesi i prillit 1998, me kërcënimin se do i thoshte KM Nano t’i dëbonte me polici, duke i shpall “persona non grata”. Prandaj, edhe aty e tutje Xhaviti i ka “kullandris” rreth 70% të mjeteve financiare të UÇK-së.

    Që mjerimi të ishte më grotesk, marioneta komplotiste Azem Syla e kishte shpall veten komandant të përgjithshëm, për çka askush nuk ka provë, kush e ka emruar apo zgjedhur, nëse anashkalojmë komandën që duhet ta ketë dhënë UDB-ja e Beogradit.

    – Këto janë akuza të rënda si ndaj Xhavit Halitit dhe Azem Sylës. Për të parin thoni se “na e kishte penetruar UDB-ja në radhët tona”. Për të dytin, lëni të nënkuptoni që mund të këtë marrë “komandën që e ka dhënë UDB-ja e Beogradit”. A është kjo pasojë e perlasjeve të hershme dhe të mëvosnhme, kur juve ju akuzon Xhavit Haliti për tentim atentati, me pagesë. Ose e kam keqkuptuar unë.

    I. Kelmendi: Këto akuza i kam ngritur edhe në Këshill të Përgjithshëm, qysh në vitin 1996.

    Në vitin 1991 deri në gusht 1992 kam qëndruar në Tiranë. Aty i kam vuajt komplotet e Hajdin Sejdisë dhe Xhavit Halitit. Qysh atëherë e kam pasë krijuar bindjen se janë dërguar nga Beogradi për t’i bë ato komplote që të nxitin në Shqipëri urrejtje kundër “kosovarëve”. I informoja ca bashkëveprimtarë që mendoja se duhet t’i informoj. Fatkeqësisht, përditë e më shumë po me rritet dyshimi edhe ndaj atyre që ishin marioneta të Xhavitit, të subordinuara nga shërbimet serbe.

    Për Azemin po përtoj me harxhua fjalë. Është rast tragjik. Më vjen keq që na ka
    ra hise…

    – Në prill të vitit 1998 ju kam takuar në Tropojë, në Vuçidol. Ju ishit angazhuar për furnizim
    me armë, por në një fjalim tuaj para ushtarëve të UÇK-së, atëherë, ju hidhnit kritika në qeverinë shqiptare, e cila dërgonte njësitet e saj policore. Çfarë kishte që nuk shkonte?

    I. Kelmendi: Nëse është fjala për rreth 1400 veta, siç informonte policia në Bajram Curr, duke i degraduar në refugjatë, unë atë ndodhi e kam pasë arkivuar në kujtesë të ketë ndodhë në fund të marsit 1998. Të falënderoj për saktësim të kohës.

    Ilir Konushevci, përmes telefonit satelitor, të cilin ua kishim sjell nga Gjermania, na alarmoi në Tiranë, se nuk kishin mjete financiare për të ble ushqim elementar për ata kryengritës që ishin ardhur vetëm për të marrë armë e municion. Meqë Gafurri ishte në Kryesi, si arkëtar, ia paraqita gjendjen. Ai e lut Xhavit Halitin t’i jep të holla. Xhaviti duhet t’i ketë thënë, kush do kryengritje popullore dhe i fton kryengritësit, le t’i ushqen. Vuthjani i Qeremit të Valbonës, Perlat Gojçi, shoku i ngushtë i Qerimit, vërejti shqetësimin tonë në lokalin e Hotel “Minirit” (përballë Hotel “Tiranës”). Pyeti mos i kishte ndodhur gjë Qerimit e Ilirit.

    Ia rrëfeva gjendjen. Na tha, “ecni hypni në frostrad timen të shkojmë menjëherë, se nuk i
    korit Demën e Mërgimin si nikoqir që janë. Për në javë të gjithë i ushqej unë me mjete të mia financiare. Pastaj i shoh mundësitë.” Vërtet u nisem. Arritëm rreth orës 22. Pelrati e dinte në cilin lokal e kalonte kohën Jonuz Hyka, shefi famoz i Polisë në BajramCurr (i vrarë pas ca vitesh). Ishte gjysmëtapë. Na tha se nuk lejohet t’u dërgohet ushqim refugjatëve, sepse kishte urdhëruar Kryeshefi i Policisë së Shqipërisë, Sokol Bare, të detyroheshi me uri, të pranonin regjistrimin si refugjatë, që të shpërndaheshin në kampe gjithandej  Shqipërisë…

    Të nesërmen, policia na lejoi të bënim vizitë në Viçidol, me porosi që të caktoheshin tre veta prej tyre me të cilët do të bisedonte policia. Erdhëm. Nëse e kam mbajt mend mirë, u zgjodh një junikas, korpulent, që u prezantua arsimtar i anglishtes dhe kryetar i degës së LDK-së në Junik. Ai na pati lutur t’ia mundësonim telefonatën me Ilaz Ramajlin, shef në “ambasadë” të Kosovës në Tiranë. Fanol Bardhaj e mirëmbante telefonin satelitor. Nga livadhi i atyshëm u lidhëm me Ramajlin. Parlofonin e kishte të hapur. Dëgjuam edhe ne që ishim pranë, çfarë përgjigje dha Ramajlit. Ishte e ngjashme me atë që Xhaviti ia kishte
    thënë Gafurrit.

    Në pasmesdite u lidha me Fatos Klosin, atëherë shef i SHISH-it. Më tha ta mashtroja Jonuz Hykën që të shkonim në Tiranë. Ai do të organizonte të ishin në kabinet të tij Sokol Bare dhe KM Nano, që ta shqyrtonin gjendjen dhe të riamendohej ai urdhër. Në buzëmbrëmje u nisem me Januzin Hykën me një xhip që e angazhova si taksi, meqë Jonuzi nuk donte të rrugëtonte me xhipin rrangallë të policisë, me shofer Bislim Demirin (vrasësin me pagesë të Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës). Fatmirësisht pronari i xhipit, kur u sqarua gjatë bisedave të gjata, tha se nuk do merr asnjë qindarkë për atë shërbim. Arritëm rreth orës 23 në zyrë
    të Fatos Klosit. Ndërkohë, erdhi Sokol Bare.

    Të dy thanë se nuk kishin mund ta kontaktonin gjatë gjithë pasmesditën KM Nano. Në bisedë e sipër u përplasen Klosi me Baren. Bari ma komunikoi arrestimin. Klosi e kundërshtoi me goxha agresivitet, meqë tashmë e kishte nxjerr revolen nga fioku. U kthyem pa ndonjë sukses. Në mëngës, rreth orës 10, Jonuz Hyka kishte urdhëruar të
    grumbulloheshin policët në oborr. U mbajti fjalim policëve për t’ua komunikuar urdhrin e pandryshuar. Pas ti fola edhe unë. Mezi e mbajta vajin. Policët shprehen dezertimin, duke arsyetuar se nuk pranojnë ta koritin Malësinë e Gjakovës. Jonuz Hyka m’i hodhi çelësat para këmbëve, duke fërfëlluar: “urdhëro, ushtro detyrën time!” I mora çelësat. U kthyem bashkë në zyrë të tij. Në ndërkohë erdhi me helikopter Njësia speciale.

    Më duket BRISKU e quanin. Një lab hyri si komandos në zyrë dhe u prezantua si komandant i njësitit të sapozbarkuar. Pyeti kush është Ibrahim Kelmendi. Iu përgjigja. Ma komunikoi urdhërarrestin. E pyeta nëse ishte shqiptar apo minoritar. U prek në sedër. Pyeti për çka bëhet fjalë. Ia paraqitja gjendjen. Urdhëroi t’i jepeshin çelësat e xhipit të konfiskuar, i ngarkuar me bukë e djath. Ishte xhip që sapo e kishte sjellë Fanol Bardhaj, të cilin e kishin ble bashkëveprimtarët e Bochumit me rrethinë, si dhuratë Sektorit të logjistikës. Labi foli labërisht: “mos më thënçin shqiptar, nëse dikush mund të më pengon t’ua dërgoi bukën vëllezërve tanë…!” [perifrazim] Me atë rast, Tropoja u çliruar nga kuislingu i Athinës, kryeministri Fatos Nano, i cili tashmë ishte urdhëruar ta pengonte UÇK-në…

    – Është fakt, kam qenë vetë (moderatori i bisedës, A. Gashi). Ne kemi vuajtur për bukë dhe
    tani jam mirënjohës për ata bukë që na keni sjellë. Bukë e zezë, e fortë, por që të 1400 ushtarët nuk u ngopën sa dhe si duhet. Madje, gjysma u kthyen pa armë në Kosovë, duke rrezikuar jetën. Megjithatë, ju na qëndruat afër. Por, ajo që me habit është se shumica e krerëve të UÇKsë thurin lavde për Fatos Nanon për mbështetje ndaj UÇK-së, ju thoni se “ai ishte urdhëruar ta pengonte UÇK-në…”. Kujt t’i besojmë?

    I. Kelmendi: Kur më kujtohet gjendja e juaj dhe kur e kujtoj urdhrin e kryeministrit Nano, që t’ju detyrojë me uri të regjistroheni refugjatë, më vjen të uluras: hapu tokë…

    Në gusht 1998, Kryetari i Shqipërisë, Profesori Rexhep Mejdani na priti neve të Kryesisë në vizitë zyrtare. Pati ndërmjetësuar Fatos Klosi. Ishte i pranishëm edhe Preç Zogaj. Nuk di nëse ishte këshilltar apo protokolues, meqë merrej intensivisht me shënime. Shokët zunë t’i flisnin presidentit me lajka e lavde. Humba durimin dhe grabita fjalën: “Profesor, po të mashtrojnë. Në Shqipëri secilin hap e secilin fishek po detyrohem ta paguajmë shtrenjtë, me valutë të fortë.

    Do ju dënoi historia për këtë tradhti që po ia bënin Luftës çlirimtare të Kosovës…” Shokët e Kryesisë provuan të më heshtin. Profesori Mejdani: “Dua ta dëgjoj Ibrahimin, se kështu i kemi edukua studentët e fizikës…”. Pastaj, iu drejtua Fatos Klosit: “Janë të vërteta këto çka po i thotë Ibrahimi?” Klosi miratoi.

    Mejdani: “Do të thotë paskësh ndodh puçi, e presidenti ende nuk e di. Të kam thënë tua përcjellësh urdhrin kryeministrit Nano dhe ministrit të mbrojtjes Hajdaraga, që t’i furnizojnë UÇK-në me armë e municion, pa pagesë, sa të ketë nevojë dhe ata nuk e paskëshin zbatuar?!” Klosi ia ktheu: “Kanë thënë se e duan urdhrin me shkrim…”
    Këto i heshtin profiterët e luftës, që kanë qenë të pranishëm!!

    – Ju e cilësoni Bislim Demirin, citoj: “vrasësin me pagesë të Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës”. Të tjerë të intervistuar thonë që ajo ka qenë thjesht një grabitje, që “iu është shkuar keq”. Natyrisht, ju dhe bashkëveprimtarët tuaj e keni analizuar në detaje. Nga kush dhe si mund të jetë paguar personi i apostrofuar?

    I. Kelmendi: Nuk ka qenë sulm për grabitje të ngarkesës me armë. Përndryshe, do shihnin nëse kishte deviza Iliri në xhep. Motra ime, Lushja, që ka qenë me e marrë kufomën e Ilirit në spital të Bajram Currit, ka rezultuar se Iliri kishte në xhepa goxha shumë deviza.

    Edhe në dosjen hetimore mund që janë shënimet, çfarë ka ndodhur me armë e municion. Po të lejonte Xhaviti të bënin hetime institucionet e Shqipërisë, kuadrot e SHISH-it dhe Gardës, të paktën dy, që e shoqëronin atë transport, do kishin dëshmuar çfarë ka ndodhur, edhe se ku kanë përfunduar ato armë e municion. Atë nuk ma ka thane as Raif Gashi, që ishte koordinues organizativ i atij transporti, meqë kemi biseduar pak ditë para vrasjeve. Mendoj, atë që thonë se vrasjet kanë ndodhur për plaçkitje, e kanë përhapë versionin dezorientues të Xhavitit, gjegjësisht janë nga ata që i kanë besuar atij mashtrimi. Meqë nuk kemi rrëfime të dëshmitarëve që kanë qenë të pranishëm.

    Uroj SPAK ta procedon për hetim, meqë kryeministri Nano duhet të ketë dhanë urdhër, të ndërpriten hetimet.

    – Si ishte marrëdhënia juaj me Fatos Klosin gjatë luftës çlirimtare?

    I. Kelmendi: Gjatë gjithë lufte kemi pas marrëdhënie korrekte, shoqërore, sepse për herë të parë ishim takuar në banesë te Vuthjanës Vera (Sadik) Bekteshi, prandaj Klosi ishte i mirësjellshëm ndaj meje. Nuk e di kur e ka ndërrua “kasetën” pas lufte, meqë edhe ai duhet të ketë marrë bakshish të majmë korruptiv nga Xhaviti.

    – Si u organizua furnizimi me armatim pas vrasjes së Ilir Konushevcit?

    I. Kelmendi: Pas vrasjes së Ilirit, më 9 maj 1998, Kryesia caktoi Gani Nuhën vazhdues i përgjegjësive të Ilirit. Aty e tutje unë isha përcaktuar që ndihmat financiare që grumbulloheshin në Gjermani të mos i dorëzoheshin më Xhavit, por t’i jepeshin Sektorit të logjistikës dhe shtabeve të zonave në Kosovë. Prandaj, volumi i futjes se armëve u rrit shumë.

    – Cili ishte roli i qendrave stërvitore të UÇK-së në Shqipëri gjatë luftës?

    I. Kelmendi: Nuk jam i informuar. Di vetëm dy fragmente të përjetuara. Me Ilir Konushevcin e dërguam Bekim Shytin të stërvitej për komandos, meqë po i mbante stërvitjet Ushtaraku Kadri Kastrati, në Qerret. Kujtoj, ka qenë 12 marsi 1998. Pas dy-tre ditëve kam shkua për ta vizitua Bekimin, meqë kisha dyshim nëse e duron disiplinën ushtarake ai “aventurier” i Gjenevës. E gjeta kokërruar si gjithë komandosët tjerë, edhe pse Kadriu kishte tumir lutjen të mos ia rruante flokë bistakë pas shpine. Kadriu u arsyetua se Bekimi kishte insistuar. Tha se nuk ka nevojë për stërvitje të gjata, meqë paskësh qenë sportist i shquar në sportet luftarake në Gjenevë. Të tjera stërvitje nuk kam vizitua.

    – Jo një herë ju e akuzoni Sali Berishën për sabotimin e luftës së UÇK-së? Cilat janë të vërtetat kryesore të luftës së UÇK-së që nuk janë thënë dhe nuk janë publikuar deri tani?

    I. Kelmendi: Sali Berisha më ka shkaktuar dëme dhe vuajtje qysh kur është bërë president, prandaj druaj se do hakmerrem nëse përgjigjem. Më mirë po e anashkaloj. Besoj mjaft jemi të informuar për monstrumin Sali Fazlliç!

    – Z. Kelmendi, në një reagim tuajin keni deklaruar se do të ishit krenar po të kishit pasur
    ndonjë kontribut konkret në vrasjen e Ahmet Krasniqit. Çfarë ju shtyu të bëni një deklaratë
    të tillë dhe çfarë mendoni për reagimet që ka ngjallur kjo deklaratë?

    I. Kelmendi: Po, ishte deklaratë pa takt. Ia kam thënë për herë të parë ushtarakut Miftar Ziba, i cili ishte shef i kundërzbulimit në FARK. Ai pas vrasjes së Ahmetit më pat takuar në Tiranë që ta dinte versionin tim. I pata thënë: “kurdo që do zbulohet atentatori, do ia dhuroj tokën që e kam trashëguar nga prindërit…” Zotohem prapë se fjalën do ta mbaj.

    Por, me mendje të sotit, do të përmbahesha nga ajo deklaratë, sepse mileti ynë i pa informuar, të keqkupton, sikur kishim hasmëri personale, me njeriu që nuk e kisha takuar asnjëherë.

    – Të kthehemi, serish te “Dema”, fundi tragjik i tij. Shumë konspiracione, shumë mistere si
    vetë vrasja e tij. Cila është e vërteta? Në fillim akuzuat eksponentë politikë. Më vonë ia adresoni Serbisë. Çfarë dini deri më sot për të?

    I. Kelmendi: Në fillim isha i tronditur. Në ndërkohë u ekuilibrova. Tani di më pak se atëherë. Nuk po di nëse i kemi institucionet e paafta, apo të korruptuara. Vrasjet që i bëjnë shërbimet serbe, goxha vështirë zbardhën.

    K O M E N T E

    1 KOMENT

    SHKRUAJ NJË KOMENT

    Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
    Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu