ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Kelmendi në bisedë me Lirim Gashin flet për komplotistët dhe komplotet që i janë bërë LPK-së dhe UÇK-së, për islamin politik e të tjera

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Lirim Gashi, shkrimtar, Prishtinë
Lirim Gashi: Ibrahim Kelmendi shumë shpesh ke shkruar për komplotet që i janë bërë LPK-së dhe UÇK-së.
Kush ishin sipas teje komplotistet më të mëdhenj të LPK-së dhe UÇK-së dhe a ishin të gjithë udbash, apo kishte edhe persona të infiltruar nga Shërbimet Sekrete të afërta me UDB-en ?
Ibrahim Kelmendi : Komplotistë të mëdhenj të Lëvizjes ishin Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica në shkurt të vitit 1982, si dhe Xhafer Shatri me 15 maj 1982.
Megjithatë, komploti më i rëndë ndaj Lëvizjes ishte ai i Xhavit Halitit dhe Azem Syles, të cilët shpërdoruan Kryesinë e Lëvizjes për të komplotuar edhe UÇK-në, prej ditës së themelimit e deri sa u zhbë. Komplotit të tyre iu bashkëngjit edhe Hashim Thaçi në prill të vitit 1998.
Nuk e di nëse ishin marioneta të RDB-së (siç e kishin riemrëtuar UDB-në, gjegjësisht SDB-në në Serbi, në vitin 1991), por sabotimet dhe komplotet e tyre kanë qenë tepër të ndyra dhe goditëse.
Ndërsa kanë arritur të na imponohen vetëm pse kishin dresurë dhe mbështetje nga shërbimet armiqësore.
Meqë është vështirë të siguroshë prova konkrete për marionetat konspirative të shërbimeve armiqësore, të mbetet të vrojtosh dhe analizosh angazhimet e tyre. Sepse vetëm sabotimet dhe komplotet ta shkaktojnë dyshimin se janë marioneta; përndryshe, çfarë tjetër bëjnë marionetat e shërbimeve armiqësore, pos sabotime, komplote, dhe krime shumëdimensionale, për të dëmtuar sa më rëndë subjektin që duan ta shkatërrojnë.
Lirim Gashi: Sylë Mujaj një ish i burgosur politik ka deklaruar disa herë publikisht se e ka hequr të zinjtë e ullirit nga Xhavit Haliti, jo vetëm përmes surivijimit që ia ka bërë, por edhe përmes dëshmive të rreme në Prokurorinë dhe Gjykatën themelore udbashe të Pejës së asaj kohe.
A ke biseduar ndonjëherë me Sylë Mujen për përvojat e tij të hidhura me Xhavit Halitin, respektivisht për rolin komplotist të këtij të fundit në demonstratat studentore të vitit 1981?
Ibrahim Kelmendi: Nuk më ka rastisur të komunikoj ekstra me Sylë Mujën për akuzat e tij që paska publikuar për Xhavitin, edhe pse shpesh kemi komunikuar për ngjarjet e Marsit 1981 në “Qytetin e Studentëve” në Prishtinë:
Jo vetëm nga Syla jam informuar se kur Azem Vllasi dhe disa funksionarë të tjerë shkonin në “Qytetin e Studentëve” për të biseduar me protestuesit, Xhaviti ju dukej atyre si një Bodyguard i Azemit. Prandaj Mehmet Bislimi, nga Prekazi, me disa shokë të tij e kishin pas goditur Xhavitin po atë ditë, me shkopinj druri.
Lirim Gashi : Diku kam lexuar se komplotist i këtyre demonstratave ka qenë edhe Gani Thaçi vëllai i ish Presidentit.
A keni qenë të njohtuar në Kryesinë e LPK-së me biografinë e këtyre dy personave enigmatik ?
Ibrahim Kelmendi: Për Ganiun nuk kam pasur deri vonë informacione. Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar i kam dëgjuar për herë të parë bashkatdhetarët e tij nga Drenica të flisnin zi e terr për të, respektivisht ta akuzonin si bazë koordinuese për RDB-në serbe.
Lirim Gashi: Dhe nëse është e vërtetë ajo që thuhet për ta, a ka mundësi që këta dy persona enigmatik të kenë qenë anëtarë të të njëjtit ekip udbash dhe ta kenë ruajtur, vazhduar dhe kultivuar miqësinë me njëri tjetrin dhe bashkëpunimin me UDB-en deri në vitet 1998-99 ?
A është hipotetikisht e mundur që Xhavit Haliti dhe Gani Thaçi të kenë qenë anëtarë të të njëjtit ekip udbash në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar dhe miqësinë e tyre me njëri tjetrin dhe UDB-en ta kenë kurorëzuar me emrimin e Hashim Thaçit si Drejtor Politik i UÇK-së ?
Ibrahim Kelmendi: Nuk kam njohuri, nëse Xhaviti dhe Ganiu kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë gjatë gjithë kohës.
Nuk më besohet se Xhaviti ka vendosur se kush në cilin rang duhet të sistemohet në hierarkinë e komplotistëve. Marionetat nuk vendosin. Vendosin eprorët që i komandojnë.
Lirim Gashi: Dhe nëse nuk është ashtu, atëherë cilat merita dhe referenca të vërteta dhe të besueshme mund ta kenë katapultuar Hashim Thaçin në krye të Drejtorisë Politike të UÇK-së ?
Përveç kësaj di gjë se cilët aktivistë të asaj kohe kanë qenë anëtarë të kësaj drejtorie të udhëhequr nga Hashim Thaçi ?
Ibrahim Kelmendi: U përgjigja, se marionetat nuk kanë autonomi për të ndarë poste, ato komandohen nga eprorët e tyre.
Përndryshe, Hashimi nuk kishte ndonjë vlerë ekstra intelektuale, sepse nuk di të ketë shkruar qoftë vetëm një shkrim serioz historik gjatë viteve 1994-1998, ose ta ketë publikuar në “Zërin e Kosovës”, edhe pse kishte kohë të bollshme si refugjat në Zvicër ku krekosej se kishte qenë student i shkëlqyeshëm i historisë.
Nuk më kujtohen emrat e personave që pretendonin se ishin anëtarë të Drejtorisë Politike. Gjithashtu nuk më besohet se ekzistojnë procesverbale përkatëse, meqë këta komplotistë vepronin bashibuzukqe – për të mos lënë gjurmë të shkruara.
Lirim Gashi: Sa është shuma totale e lekëve që këta njerëz i kanë keqpërdorur në mënyra të ndryshme për përfitime personale ?
Dhe cilët janë keqpërdoruesit dhe abuzuesit më të mëdhenj të lekëve të Fondit “Vendlindja Thërret”në mesin e tyre ?
Ibrahim Kelmendi: Nuk e di se cila është shuma e saktë e lekëve që kjo treshe ia ka grabitur UÇK-së.
Fatkeqësisht po sabotohen publikimet e evidencave, sidomos ato të Këshillt Qendrorë të Fondit “Vendlindja Thërret” (në krye me Jashar Salihajn). Edhe përgjegjësit e Fondit në shtetet tjera, si për shembull në USA, Australi dhe kudo që kishim imigracion shqiptar, mjetet financiare ia kanë dorëzuar kryesisht Xhavitit.
Ndërsa nga Fondi në Gjemani këta komplotistë nuk kanë mundur të grabisin, nga maji i vitit 1998 e deri në qershor të vitit 1999, pos në disa raste kur veprimtarët në Gjermaninë Jugore anashkalonin Zyrën Qëndrore dhe ua dërgonin, duke besuar se ashtu i ndihmonin UÇK-së për nevoja operative dhe logjistike.
Fatkeqësisht edhe mua më paten mashtruar, prandaj në fillim të qershorit të vitit 1999, ua pata dhënë 4 milionë DM Gani Thaçit dhe 4 milionë DM Fatmir Zymerit, apo edhe më saktë këtyre dy argatëve të komplotistëve. Ky i fundit asokohe banonte madje në Oslo.
Megjithatë besoj fuqishëm që 70 % të mjeteve të Fondit “Vendlindja Thërret” i kanë grabitur këta komplotistë.
Këta kanë marrë miliona, si honorar për komplote që po ia bënin UÇK-së, nga ,,Kryeministri” Bujar Bukoshi (vetëkuptohet me urdhër të Beogradit). Kanë plaçkitur edhe goxha shumë mjete që i mblidhnin fshatarët e mashtruar nëpër fshatrat e Kosovës për të blerë armatim në Shqipëri në emër të angazhimin rugovist kinse për “mbrojtjen e pragut të shtëpisë”, e kështu me radhë.
Lirim Gashi: Ibrahim, kush ishin sipas teje urdhëruesit dhe zbatuesit e vrasjeve politike të luftës dhe pasluftës dhe a ka qenë synimi i tyre jo vetëm dobësimi dhe sabotimi i rezistencës ushtarake në kohën e luftës dhe eliminimi i kundërshtarëve politik nga konkurrenca në kohën e pasluftës, por edhe sabotimi sistematik i shtet-ndërtimit?
Siç e dimë kanë ndodhur rregullisht edhe vrasjet e dëshmitarëve të krimeve.
Pra janë vrarë njerëz që kanë qenë jo vetëm dëshmitarë të vrasjeve politike, por edhe dëshmitarë të uzurpimit, plaçkitjes dhe grabitjes së pronës publike, buxhetit të shtetit, taksave, doganave, donacioneve, thesarit të shtetit, fondeve për zhvillim, privatizimit mafioz dhe manipulimit të tenderëve. E madje ka ndodhur edhe plaçka e dhomës së dëshmive.
Çka mendon ti, kush qëndron prapa kësaj çmendurie kriminale dhe anti kombëtare?
A ishte kjo çmenduri e organizuar dhe koordinuar me Shërbimet Sekrete Armiqësore, apo ishte edhe pasojë e edukatës dhe kulturës së dhunshme, primitive dhe kuislinge të njerëzve që ishin 20 vite rresht në krye të shtetit?
Ibrahim Kelmendi: Nuk e di se kush kane qenë konkretisht vrasësit dhe urdhërdhënësit e vrasjeve, gjatë dhe pas luftës.
Fatkeqësisht, dyshoj se në vrasjen e Ali Ukës, Ilir Konushevcit, Behadin Allaqit dhe Mujë Krasniqit me bashkëluftëtarë, kanë luajtur rol të tërthortë, nëse jo të drejtpërdrejtë këta tre kyre-komplotistë: pra Xhaviti, Azemi dhe Hashimi.
Për vrasjet tjera të gjithëllojshme nuk kam informacione konkrete, e as dyshime konkrete, prandaj nuk dua të spekuloj. Rëndom, RDB-ja serbe ka vrarë edhe fëmijë serbë, për të na fajësuar neve si vrasës. Këtë e kanë bërë për të imponuar huti dhe armiqësi brenda nesh në Lëvizje dhe brenda popullit tonë.
Lirim Gashi: Paralelisht me vrasjet e pasluftës ndodhi edhe depërtimi i islamit ekstrem në Kosovë.
Kush e importoi, pse e importoi dhe çka duhet bërë që të eliminohet nga politika, kultura dhe edukata e shqiptarëve të infektuar?
Ibrahim Kelmendi: Islamin politik pas çlirimit e sollen në Kosovë shtetet islamike, në koordinim me Beogradin, meqë ato kishin pasur miqësi shumëvjeçare të cilën e kishin konsoliduar në miqësi tradicionale. Tashmë Serbinë me ato shtete e lidhte edhe antiamerikanizmi. Ky komplot është njëherësh edhe më i dëmshmi për Kosovën.
Lirim Gashi: A ishte normale që të hyhej në bisedime teknike pa parakushte me një humbëse të tri luftërave dhe shkaktuese të tre gjenocideve siç ishte Serbia dhe sikur kjo të mos mjaftonte delegacioni kosovar në një moment të caktuar të kthehej befasisht nga bisedimet teknike me një marrëveshje të nënshkruar për “Asociacionin e Komunave Serbe” me kompetenca ekzekutive, të cilën më vonë Gjykata Kushtetuese e shpalli si anti kushtetuese në 22 pika ?
A ishte normale dhe e logjikshme që bisedimet teknike të ktheheshin në negociata (pazare) për rregullimin e brendshëm territorial pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Uashingtoni, nga pjesa më e madhe e shteteve të Unionit Evropian dhe nga shumë shtete të tjera të fuqishme anë e mbanë globit, e sidomos pas regjionalizimit të prapambetur dhe racist të Kosovës, kur edhe fshatrat me shqiptarë të asimiluar si Mamusha u bënë komuna një etnike ?
Ibrahim Kelmendi: Bisedimet me Serbinë i kanë imponuar Brukseli dhe Vashingtoni, meqë kanë dëshiruar ta stabilizojnë vetëm sipërfaqësisht rajonin. Fatkeqësisht palën tonë e kanë kryesuar kuislingët, prandaj kemi edhe marrëveshje tepër komplotiste.
Lirim Gashi: Si e ke lexuar, kuptuar dhe interpretuar ti në kokën tënde të madhe procesin gjyqësor kundër organizatës fantome “Syri i Popullit”?
Sa kanë bazë reale akuzat dhe si ishte e mundur që Prokuroria dhe Gjyqësori i shtetit ta fusnin pa asnjë dëshmi valide profesorin e nderuar Sadri Ramabaja në një thes me njerëzit me te cilët nuk e lidhte asgjë përveç kujtimeve të përbashkëta për rezistencën heroike të Komandant Kumanovës?
Ibrahim Kelmendi: “Syri i popullit” ishte sajesë naive dhe fatkeqe e njerëzve të traumatizuar. Procesi gjyqësor kundër tij ka qenë proces politik. Natyrisht që Sadri Ramabaja ishte viktimë e pafajshme e këtij procesi politik për motive të ulëta hakmarrëse ndaj subjektit politik të cilit i takon.
Murat Jasharin, i cili në ndërkohë po vuante nga një sëmundje e rëndë psikike, e kishim gjatë gjithë kohës bashkëveprimtarë të përkushtuar dhe të vyer. Fatkeqësisht shqiptarët nuk kanë mirëkuptim për sëmundjet psikike, si ta zëmë për sëmundjet e trurit, përkundrazi njerëzit që vuajnë nga këto sëmundje i diskualifikojnë si “budallenj”. Prandaj nuk u përkujdesen për Muratin, që të mos eskalonte dhe shpërdorej në ato përmasa.
Sadri Ramabaja nuk ishte viktimë kolaterale në këtë proces të montuar politik, por viktimë e përzgjedhur nga krerët e shtetit. Sepse pas fajësimit të tij të pabazë fshihej hakmarrja ndaj udhëheqësve të Vetëvendosjes.
Lirim Gashi: A u ekzekutua vëllai yt Qerim Kelmendi në mënyrë mizore pse dinte shumë, apo çka mund të ishte arsyeja irracionale e kriminelve që e ekzekutuan ?
Ibrahim Kelmendi: Nuk kam informacione konkrete, përse është ekzekutuar aq mizorisht vëllai im Qerimi. Udbashi Baton Haxhiu kishte shkuar aq larg me hulumtimet e tij të dirigjuara nga Beogradi, saqë kishte orkestruar luftë speciale kundër Qerimit, duke intervistuar “dëshmitarë të mbrojtur” në burg. Prandaj besoj fuqishëm se kjo mënyrë e hulumtimit dhe intervistimit e ka shkaktuar atë natë të krimit barbarë nga BIA serbe, qëllimi i së cilës është gjithmonë rritja e hutisë dhe armiqësisë mes shqiptarëve, si dhe zhdukja e gjurmëve të vërteta të krimeve të bëra paraprakisht nga kriminelët udbash shqipfolës .
Uroj, shpresoj dhe lutem që Institucionet e Drejtësisë ta zbardhin sa më shpejtë që është e mundur vrasjen e Qerimit !
Lirim Gashi: Cili ndryshim i vërtetë duhet të ndodh jo vetëm në partitë tona politike, por edhe në edukatën dhe kulturën e shqiptarëve dhe minoriteteve, në mënyrë që popullin e Kosovën në politikën e brendshme dhe të jashtme ta përfaqësojnë njerëzit më profesional, më të besueshëm dhe më atdhetarë të mundshëm ?
Ibrahim Kelmendi: Partitë tona duhet të demokratizohen, sepse partitë kryetarokrate nuk ofrojnë dot rezultate konstruktive. Partitë tona duhet të shndërrohen në parti të shtetaseve të Kosovës, e jo te mbesin parti monoetnike shqiptare. Nëse partitë bëhen demokratike dhe konstruktive, do na japin qeveri konstruktive, që do të dinë se si ta përfaqësojnë Kosovën në bisedime me Serbinë, me BE-në, me USA-në dhe me të gjitha shtetet tjera anë e mbanë globit.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu