ARKIVI:
17 Nëntor 2024

Interesat e Shqipërisë dhe Parlamenti i ri

Shkrime relevante

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen

Prishtinë, 14 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot...

Mendime rreth deklaratës së Aleksander Vuçiq për deklaratat e Vesli Clark

Gani I. Mehemti Vuçiq për deklaratat e Clark: S’e kuptoj se në...

Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranoj nënshkrimet e kriminelëve, janë të pavlefshme

Aurel Dasareti Nëse kuislingu Hashim Thaçi nuk ishte kriminel, pse jeton në...

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, në shënjestër të qëllimit të njëjt

Nga: Ryzhdi Baloku, Pejë Nga ngjarjet e përjetuara të gjeneratave të kohës...

Shpërndaj

Romeo Gurakuqi, Tiranë

Interesat e Shqipërisë dhe Parlamenti i ri kryetarët e partive dhe të votuem nga elektorati i dorëzuem vendimit të tyre arbitrar, jotransparent dhe jostatutor, u betuan në Parlamentin e Tiranës. Një histori projektimesh artificiale të përfaqësisë që përsëritet prej shumë kohësh. Një Parlament që nuk përfaqëson ma vendin, por veç interesat private të pak familjeve, që, përmes liderëve të partive që nuk njohin dhe nuk respektojnë interesat publike të Shqipërisë, sundojnë këtë vend duke djegur në varfëri, mjerim, dëshpërim dhe pasiguri breza të qytetarëve shqiptarë.

Parlamenti i ndërtuar kështu nga “arsyetimet” e panjohura të kryetarëve nuk përfaqëson ma vendin, por grupe interesash oligarkike, që përmes partive që operojnë jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore rregullatore, kontrollojnë dhe sundojnë më dorë të hekurt të gjithë jetën politike, ekonomike, ende atë gjyqësore, prirjet e jetës së vendit, krijojnë krizat dhe i zgjidhin ato me gjysmakërinë tipike orientale që i karakterizon. Si në asnjë vend tjetër në rrugën e demokracisë dhe europianizimit, mbledhja e parë, konfirmimet, votimet, grisjet dhe rrahjet e pakuptimta të tavolinave, u zhvilluan pa praninë e përfaqësuesve diplomatike të Aleatëve Strategjikë të Shqipërisë, të lodhur tanima me “senjorët” dredharakë të skenës “teatrore” në Tiranë.

Ndodh sërish kështu të mos kemi një Parlament përfaqësues, elitar, zonjash dhe zotërinjsh që dinë rregullat dhe etiken e sjelljes, sepse:

1. Reformimi i kuadrit ligjor, mbi të cilin funksionojnë partitë politike, ngrihen burimet njerëzore elitare dhe qytetare, nuk u pranua të kryhej në ditët e qershorit 2020. Për rrjedhojë, fasada e pluralizmit dhe e përfaqësisë e garës së prillit 2021 mbeti e gozhduar njëlloj mbi të njëjtët binarë antidemokratikë të pilotimit të kotësisë në organin sovran;

2. Reforma Elektorale, ajo që do të transformonte vullnetin e familjeve të kryetarëve, grave, kunetërve, fëmijëve me rreth të fortë, në vullnet të qytetarëve, nuk u realizua asnjëherë, në marrëveshje të plotë mes krahëve të politikës;

3. Ligji kundër korruptimit elektoral enkas nuk u vendos kurrë në rendin e ditës për t’u aprovuar nga udhëheqësit, që nga mëngjesi deri në darkë bërtasin për zgjedhje të lira dhe të ndershme;

4. Emigrantët, të pakontrollueshmit nga partitë, edhe një herë në mënyrë të koordinuar në heshtje, u penguan të votonin për fatet e atdheut, që ata e dëshirojnë aq shumë të jetë një Arbni Adriatikase;

5. Zhbalancimi administrativ antikombëtar i Shqipërisë mbeti ashtu siç e kishte realizuar PS, e lirë nga opozita në përsheshjen e vendit. Për këto arsye dhe të tjera të nënkuptuara, vendi ndodhet i ngrirë në kuadrin institucional, politik dhe zhvillimor, sikur ka qenë katër vite ma parë, duke pritur përsëritjen e të njëjtave skena në Parlament. Ndaj, një shfaqje teatrale si ajo që po ndodh në këto orë e ditë në Tiranë, mund të inskenohet vetëm në këtë vendin tonë, në selinë kryesore sovrane të tij, të kthyem në modelin tipik të një Bazari Allishverishesh, në të cilin interesat publike të Shqipërisë prej 30 vitesh nuk përkufizohen aksiomatikisht, për rrjedhojë, lihen mënjanë ose shtypen brutalisht.

Është kjo arsyeja pse, publikut, në të shumtën e rasteve, në mënyrë të turbulluar, interesat sovrane të Shqipërisë iu shfaqen enkas të ngatërruara me interesat e individëve të gjithëpushtetshëm, që një ditë janë pro amerikanë dhe pro europianë, ndërsa pas një jave bëjnë të kundërtën nga brigjet e Azisë, ose nga resortet e dhuruara nga oligarkët në bregdetin Adriatikut dhe Jonit. Në çdo vend institucionalisht të perëndimizuar, Parlamenti ka virtyte përfaqësuese, mirëpo në Shqipërinë tonë reformat që do t’i duhet t’i jepnin fund regjimit plutokratik të krijuem nga kontrollorët e mëdhenj, ushqyesit e tyre me para, nuk u realizuan; rregullimet që do të duhet të përfaqësonin komunitetet përbërëse të kombit nuk u respektuan; pengesat ligjore që ndalojnë individët pa shkollime të rregullta të zënë vendet në organin e naltë sovran, u kapërcyen në heshtje, përderisa vetë zotat e punëve janë mbartës të shkollimeve jo të qarta, të tejzgjatura dhe asnjëherë të përfunduara në kohë. Kësisoj, as Parlamenti i vitit 2021, sipas gjykimit tim, nuk përfaqëson vendin, krahinat, komunitetet kulturore, njerëzit e Shqipërisë, por është një strukturë e imazheve dhe interesave të kryetarëve miliarderë, që nuk dinë cilën banesë të zgjedhin më parë për rezidencë zyrtare për ta regjistruar në sistemin e transparencës publike.

Mbase kësaj here, në Parlament nuk ka njerëz me precedentë penalë, por ushqimi dhe lejimi nga ana e kryetarëve firmatarë të listave, e familjarëve të të njëjtëve, angazhimi i tyre në zhvendosje, dorëheqje të papritura dhe hapje rruge për përfaqësuesit e të fortëve në atë institucion, e shpie rezultatin në situatën e para dekriminalizimit. Kjo do të thotë që Procesi Dekriminalizues ishte veç një lojë politike në duar të njerëzve joseriozë, kulima, të pavërtetë, syluajtës, por jo një program parimor drejt ndërtimit të një Parlamenti elitar. Dhe s’ka si të ndodhte ndryshe me njerëz të pilotuar nga askundi në majë të drejtimit të ekzekutivëve, pa shënuar asnjë ditë pune në sistemin publik shqiptar të punësimit dhe pa i njohur askush në këtë vend. Edhe shpresa e publikut që Reforma në Drejtësi do të jepte efektet e veta në çmontimin e këtij kontrolli piramidal nga këto pak duar, ende nuk ka pasur impaktin e duhur, pavarësisht gjithë angazhimit të jashtëzakonshëm të perëndimorëve, për shkak të frenimeve procedurale të padukshme edhe në formimin e organeve të reja të drejtësisë, gabimeve metodike në programim e rekrutimit të burimeve njerëzore.

Dhjetëra të rinj shqiptarë të shkolluar me cikël të plotë ndër universitetet perëndimore në drejtësi, enden rrugëve pa shpresë punësimi, sepse baballarët socialistë të reformës, i kanë përjashtuar nga e drejta e shërbimit ndaj vendit të tyre. Ndaj, Republika vazhdon të jetë një ndërtesë shumëkatëshe oligarkike, me kasta të mbylluna robsh pa lidhje mes vedit, të vendosun nën urdhna të kryefamiljarëve që i kanë pilotue (e dinë ata se si), në Parlament dhe Qeveri e kudo ku kontrollohet shpërndamja e pasunive të Shqipërisë dhe mbrohet i paprekun Kontrollori i madh respektiv i linjës politike. Publiku nuk pret asgja të re nga shumë prej këtyre protagonistëve, që nuk kanë shkëlqyer as në profesionet e tyre të para, përveç se për bindjen e verbër për të votue çdo koncesion, çdo falje taksash ndaj oligarkëve, mbi Portin e ndërtuem në Muret Antike të Dyrrachium-it, në tokën e Teatrit Kombëtar dhe gatishmërisë për të rrëshqit me buton prej Parlamentit kur nuk duhej me kenë të pranishëm në mëkatet qeveritare të faljes së taksave ndaj oligarkëve.

Askush nuk harron koordinimin perfekt të padronëve, kur vinte puna për të ndihmuar të “mëdhenjtë e ekonomisë”, nga të cilët varen. Kontrollorët e Mëdhenj të Teatrit Parlamentar vërtet mund të jenë yjet e oligarkëve të caktuar, mbase edhe personazhe kalimtare të projektuar nga dikush për të pastruar rrugën e Shqipërisë drejt një vendi të sigurt dhe serioz në Aleancë, por ato nuk janë në asnjë rast modelet e udhëheqësisë së një Shqipërie të lirë, laike, të balancuar kulturalisht dhe krahinarisht, demokratike, parlamentare dhe Perëndimore, të cilën kombi e ka fuqinë dhe mundësinë e vërtetë me e krijue me aq shumë njerëz të ditur dhe vullnetmirë në dispozicion. Ata vërtet mund të jenë kujdesun me i paraqitë interesat e tyne të ngushta sikur janë interesat e Shqipnisë dhe qytetarëve, por në fakt asgjë të tillë nuk ka pasur në thelbet e qëndrimeve të tyre. Ndër grupimet politike që ata drejtojnë, ose mungon urtësia dhe guximi me folë lirisht, ose ajo është në minorancë.

Kudo ndër sjelljet dhe veprimet e tyre mungon respekti ndaj rregullave të vendosuna, mungon besnikëria e arsyeshme ligjore dhe korrektësia qytetare ndaj kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, mungon vendimmarrja e përcaktueme mbi bazë të kolegjialitetit. Thikat pas shpine, inskenimet dhe kurthet e gatshme përbëjnë mjetet e tyre për të siguruar heshtjen e përhershme të “kryengritësve” potencialë brenda radhëve. Në mënyrë të njëllojtë, Kontrollorët Politikë të Shqipërisë e përdorin për mbrapshtë zgjuarsinë që u ka falë natyra, për të krijuar rrjete njerëzish shërbenjës terminalë, për veten, klanin e tyre dhe bizneset e tyre të lulëzuara, ndërkohë që popullin e thjeshtë, fëmijët tanë, rininë e Shqipërisë, e kanë demoralizuar, hutuar, dëshpëruar dhe vënë në rrugën e ikjes nga sytë këmbët nga atdheu.

Nga ana tjetër, sundimi kaq i gjatë i personazheve të këtyne familjeve oligarkike, që interesat publike të partive i konceptojnë bazuar mbi interesat e tyre private, të qenies ose mosqenies në tavën e politikës, përulja e njerëzve ndaj një të keqeje që e shohin dhe vijojnë ta ndjekin mbrapa, tregon se jena një shoqni e paaftë me u organizue vetvetiu, krejt e ndryshme nga ajo që ditën dhe realizuan të parët tanë; ne sot jemi një shoqni qe nuk i qëndrojmë më besnikë ligjit, rregullit, parimeve themelore, mbi të cilat ndërtuan shtetin tonë të përbashkët etërit tanë në dekadat e agimit të lirisë.

Kjo, sepse kontrollorët politikë, mbasi na kanë lidhur me bukën e gojës dhe mbijetesën, kanë fshirë nga prioriteti, nga respekti dhe nga zbatimi, tërësinë e parimeve të interesave shqiptare, të brendshme dhe të jashtme, të shkrueme nga Sami Frashëri, Faik Konica, Pader Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Mid’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Padër Anton Harapi etj., etj. dhe që në vitet 1912, 1918, 1920, 1930, u vunë në jetë në një masë të madhe, pavarësisht devijimeve sekondare.

Ne prej kohësh shohim drejtues të vetëquajtur të djathtë, por asnjëherë nuk kemi vërejtur që atyre t’u shkojë ndërmend, që detyra kryesore e nji partie konservatore është respektimi i njimendtë dhe i qëndrueshëm i parimeve themelore të ndërtimit të Shqipërisë, interesave të saj strategjike perëndimizuese, demokratike dhe laike; ata nuk e dijnë dhe mbase nuk dojnë ta dijnë, se janë aty për me drejtue politikisht shoqërinë, me shpëtue çka ka pasë të mirë e kaluemja dhe njiheri me përgatitë të ardhmen, me një politikë gjeneroze, modernizuese dhe konstante (dhe jo me hope sipas interesave të shfaqjes personale), pro europiane dhe pro amerikane.

Nji ndër objektivat që do të duhej të kishte parasysh në program një forcë politike konservatore, duhet të ishte një reforme e njimendtë për krijimin e një shërbimi civil të shkëlqyeshëm. Ndërkohë, ne nuk shohim askund që ai objektiv të na shfaqet në programet politike. Dhe kjo na ban me mendue, se njëlloj si socialistët, ata mendojnë, se në një ditë të nesërme fitoreje, do të mbajnë në kambe regjimin e rekomandimit dhe tarafit. E papranueshme në këndvështrimin qytetar, shkatërruese në aspektin e efikasitetit të veprimit governativ. A kemi pa ne të shkrueme në rreshta të thukët dikund, se cilat janë interesat shqiptare, të brendshme dhe të jashtme, në mënyrë që kur të vihemi para kërkesave për strehime të pafundme refugjatësh nga Lindja, të dimë si t’u përgjigjemi dhe si të sillemi me aleatët, për të qenë njëkohësisht edhe humanë e civilë, por, edhe konform bazamenteve dhe ekuilibrave të ndërtueme me kohe?! Askund!

Spontaniteti dhe Përulja Servile ka qenë dhe mbetet i vetmi motor që vë në veprim fjalën dhe vendimmarrjen e këtyre njerëzve pa konstitucion formativ dhe civil, që nuk njohin vendin dhe janë të mbarsur me paragjykime dhe urrejtje ndaj komponentëve të caktuar kulturorë të Shqipërisë. Vetëm mënyra se si e kanë pilotuar përfaqësinë, ose asgjësuar atë përfaqësi reale në Veri të vendit, është një shembull i mjaftueshëm i konstruktit formativ të tyre. Dhe vijmë në fund te sjellja parlamentare: Ai institucion siguron konstitucionalisht rend dhe dinjitet në kuvendim. Mirëpo, ne edhe dje, pamë sjellje të improvizueme dhe krejt foshnjarake, pamë së në organin sovran, si prej kohësh të kalueme të tranzicionit, kemi dëmtue mësimin e themeluesve për shfrytëzimin e ndenjjes aty për rrahjen e çështjeve publike me kompromis.

Të metat që ka mekanizmi ynë konstitucional bajnë që debati parlamentar të marrë trajtën e një lufte të organizueme në dy kampe ose kasta të mbylluna, të mbarsuna me urrejtje të mëdha, që në pamje të parë ngjajnë të papajtueshëm. Mirëpo, mua nuk e di se si kjo e pardjeshmja në Parlament më ngjan me një teatër me aktorë të pavërtetë, inskenuar enkas për një ditë të veçantë, ku luheshin paralelisht dy “drama”. Mirëpo, ata janë aq të errësuem sa nuk shohin se njerëzit e Shqipërisë janë të lodhun prej diskutimeve të tyre të vjetra dhe gjakftohtësia e kombit është ezauruar.

Mbase ato e dëshirojnë këtë lodhje, këtë dorëzim pa kushte të opinionit publik, të intelektualëve dhe qytetarëve që e dojnë vendin e tyre, sepse ky ezaurim i lejon ata me vijue punën e nisur, shfaqjen e radhës në teatrin e tyre të dashur, pa të cilin nuk jetojnë dot. Dhe pyetja që të gjithë bajmë në këto ditë përplasjesh të jashtëzakonshme, asht kjo: A do ketë Shqipnia në këtë mandat një Parlament të bazuem në luftën e mirësjellshme politike të partive prezente në ketë institucion? Në qoftë se një ndërhyrje themeltare nuk ndodh për të ndërprerë këtë teatër rrënimtar të këtyre figurantëve, për të vendosur një listë reformash prioritare për interesin e vendit, zgjidhjesh të sakta politike të përgjithshme dhe krahinore, rivendosjes së kompetencës në drejtimin legjislativ dhe ekzekutiv për një periudhë tranzitore deri në rikthim të sovranitetit në “Atdheun Legal”, unë mendoj se edhe më tutje nuk do kemi korrigjim të pamjes së shëmtuar të dhuruar prej shumë vitesh në publik nga Skena e Parlamentit të Shqipërisë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu