Shpendi Topollaj, Durrës
Intervistë e përfytyruar me Faik Konicën
(titulli i vënë nga unë- B.S)
– Faik be! Nuk dua të bisedoj me ju si shkrimtar, se ndihem keq, por lejomë të flasim si kolonjarë, pasi origjina ime është nga Novosela.
– Ore! Mos je ai oficeri që i ke thënë njëherë Skënder Luarasit se Kolonja ka bërë për Shqipërinë atë që bëri Skënderbeu për Evropën?
– Po. Dhe ai u kënaq shumë, por shtoi: Ah! Sikur këto fjalë t`i thosh dikush që nuk është nga Kolonja.
– Mirë paska thënë. Pas shekullit të XV – të në Konicë vërshuan shumë nga Kolonja, Leskoviku dhe Frashëri si punëtorë bujqësie. Aty ka qenë edhe shtëpia e Hankos, nënës së Ali Pashait. Në gjithë shekullin e XIX – të e deri nga fillimi i të XX – it në teqenë e Konicës, zhvillohej fshehtazi një veprimtari kulturore që nxiste dashurinë për atdhe dhe urrejtje ndaj sundimit osman. Shumica e popullit musliman, kur u bë shkëmbimi i vitit 1923 u larguan. Janë dhe dy fshatra të tjerë Korsacka dhe Pilkati që është i banuar nga shqiptarët ortodoksë. Greku ka punuar shumë për t`i asimiluar dhe deri diku ja ka arritur. Nuk e harroj Vojdomatin, lumin që merr rrugë nga Pindi…
– Më 3 janar të vitit 1899 tek “Albania” keni shkruar se: “Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm: një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë”. A nuk u duket se edhe tani pas 122 vjetësh këto fjalë mbeten aktuale?
– Më shumë se aktuale, pasi ne kemi përvojë jo të vogël dhe nuk na falet të mbetemi ende të tillë. Duhet të kishim nxjerrë mësime nga historia jonë të paktën. A nuk ka qenë e mjaftueshme “miqësia” me italianët, jugosllavët, rusët e kinezët?
– Ashtu është. Ju dikur keni shkruar për këtë dhe keni thënë diçka të pamohueshme: “Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t`i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka parë për të egër e për të humbur”. Paradoks apo jo; kur të parët e tyre…
– Ishin shpellarë thuaj. Ata çuditërisht edhe sot, ashtu pak a shumë na konsiderojnë. Natyrisht që bota ka ndryshuar shumë dhe Shqipëria nuk është ajo e një shekulli më parë, por kançeleritë evropiane asnjëherë nuk morën mundimin të ndreqin me kurajë gabimet e gjyshërve të tyre që e trajtuan Shqipërinë si plaçkë tregu. Na kanë lënë të ndarë në disa shtete dhe nuk e kuptoj frikën a ligësinë e pengimit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kjo është jashtë çdo dyshimi një vepër mizore, por ama edhe politikanët tanë i ke parë ndonjëherë të prononcohen për këtë? Sikur kanë turp, sikur druhen, sikur mendojnë se do t`i quajnë shqiptaro – mëdhenj a nacionalistë. Ose, ose, si prishës të ekuilibrave në Ballkan. Nuk thosh më kot Bismarku se “Politika prish karakterin”. Serbit e grekut nuk duan t`ia prishin qetësinë. Kanë politikat e tyre dhe nuk i dihet asnjëherë se ku i del tymi.
– Dhe nuk është vetëm kjo. Ata këtu në emër të traktateve po bëjnë ligjin. Del një zyrtar i huaj a ambasador dhe fjala e tij është fjala e Zotit. Po shteti a duhet të ketë një dinjitet, një sovranitet fundja.
– Jo, fundja, a duhet të ketë një reciprocitet në marrëdhëniet me të tjerët. Duhet ta dish se unë studimet e larta në vazhdim i kam kryer në Universitetin e Harvardit në SH.B.A. Atje kam kryer dhe detyrën e ambasadorit të vendit tonë. Shqipërinë e varfër dhe të vogël, thuajse nuk e njihnin fare, por mua më vunë në krye të të gjithë ambasadorëve të tjerë: kam qenë Dekan i Ambasadorëve. Por edhe ambasadorët amerikanë te ne, si ai i pari Ulysses Grant Smith që erdhi në 22 shtator 1922, si Charles Hart që e pasoi në 1925, asnjëherë nuk i imponoheshin qeverisë tonë. Model i një ambasadori plot dije dhe mik i madh i shqiptarëve, një njeri që i dinte mirë se deri ku shkonin detyrat e tij qe Herman Bernstein të cilin e kam pasur mik besnik. Ai mbajti qëndrimin dashamirës ndaj popullit tonë dhe shprehte admirim për mbretin Zogu i Parë. Madje, ai kishte shumë konsideratë për të, dhe jo si unë që e pata sharë, dhe kudo që shkoi i mbronte si askush interesat tona. Dha kontribute sidomos për arsimin dhe e donte megjithë shpirt përparimin e kombit tonë. Megjithë këtë, italianët e shihin me dyshim veprimtarinë mëse normale të tij. Më kujtohet sesi një herë ambasadori italian në Washington, Augusto Rosso mbaj mend se quhej, i shkruante Romës se më duket se ambasadori amerikan i tejkalon kufijtë e detyrës së vëzhguesit, për të hyrë në atë të këshilltarit politik e promovuesit, edhe në fusha të tjera. Dhe vazhdonte: “Çfarë do të mendonte Washingtoni sikur një Ministër italian, në vende si Kuba ose Nikaragua të fillonte të bënte “politikë aktive”. Në analizat e tij brilante ai kujton me neveri se Shqipërinë e kanë pas njohur me emrin “Toka e harruar e Evropës” dhe bënte thirrje për investime dhe turistë në “Cepin e fundit të pazbuluar të Evropës”. Por është për të ardhur keq kur sheh se pak a shumë vendin tonë e kanë harruar edhe sot. Ose më drejtë, e shohin si koloni të tyren. Si mund të japë urdhra një ambasador, sikur të ishte guvernator, tamam si Francesko Jakomoni gjatë pushtimit fashist. Kam dëgjuar se shumë shkojnë e kërkojnë zgjidhje të problemeve që kanë në ambasadën amerikane. Gabim, shumë gabim. I shkruajnë asaj për ç`do hall që kanë. Ku ka ngjarë kjo? Frenat janë lëshuar deri atje sa edhe drejtësinë po e komandojnë ata. Jemi miq, u duam shumë, ndofta më shumë se kushdo, por jo deri këtu. Pastaj, kanë të drejtë edhe të tallen, se faji yni është.
– Po ajo loja me “Persona non grata” si u duket Faik be?
– Mirë e the; loja. E do shqip: nuk ka më keq. Lojë e pandershme me shqiptarët. Askujt nuk i duhet se ç`bëjnë vetë shqiptarët me këdo, qofshin këta dhe liderë, se kështu po i quani ju ata tani. Kush ka faj, le të marrë atë që i takon nga populli i tij, po qe se e meriton. E jo të themi: e di ai babai atje larg. Këtu mesa di unë ka voluntarizëm, për të mos thënë arbitraritet. E si mund të ndërmarrë dikush, kushdo qoftë ai, në atë vend demokratik, një veprim të tillë? Për të përkrahur palën tjetër, apo për të futur ngatërresa. Mjaft të tilla kemi. Ju e dini mirë se shpallja “non grata” e një njeriu me reputacion gjatë përmbysjes së komunizmit dhe viteve të demokracisë, nuk kalon lehtë. Të paktën gjysma e popullit e vlerëson lart atë dhe nuk mund të pranojë që ai të poshtërohet pa fakte. Merret edhe si shpallje lufte ndaj forcës politike që ai ka përfaqësuar. Dhe luhet me djallëzi lehtësisht të kuptueshme, kur thuhet se ne nuk japim fakte, por kemi opinione nga çfarë thonë gazetat e ku di unë. Pra nga thashethemet. Ai për shumicën e shqiptarëve ka qenë simboli i orientimit nga miqësia me SH.B.A. Ju ndofta nuk e dini se sa drejtues të lartë të partisë komuniste dhe punonjës sigurimi kanë marrë shtetësinë amerikane. Kjo të çorodit dhe nuk ke sesi t`u shmangesh shumë pyetjeve.
– Ju keni thënë se “Liria është të jetë njeriu zot i vetvetes, pa ndonjë urdhërues mbi kokë”. I qëndroni kësaj mesa duket edhe tani. Unë desha t`u sjell në kujtesë vitin 1964, kur Presidenti i Pakistanit Muhamed Ajub Khan, dhjetë vjet para se të vdiste thosh: “Me qenë mik i SH.B.A. – së është e rrezikshme, me qenë me ta neutral është me interes, kurse me qenë armik me ta, nga një herë është e dobishme”. Dimë ç`është bërë në shumë vende të botës, ku ata kanë pasur interesa. Po ne u kemi hapur dyert deri bazave ushtarake të tyre dhe i quajmë seriozisht aleatë strategjikë…
– Ndofta nuk e ke dëgjuar, por e di se ç`ka thënë vetë Presidenti Ronald Reagan për politikën? E ka quajtur profesionin e dytë më të vjetër në botë dhe se tani po ndërgjegjësohem se i ngjan më shumë të parit. Por më pyete në i qëndroj asaj thënies për lirinë e njeriut. Po të përgjigjem që i qëndroj gjithçkaje kam thënë në këtë drejtim. Më kujtohet se kam shkruar edhe një vjershë për këtë.
– Lejomëni t`u them nja dy strofa: “E në vend tuaj të rroni / Si të doni e si të thoni!”
– “Nuk ju lanë as pakë nderë / Q`e keni pasur përherë”.
– Ç`doni të thoni Faik be?
– Ti o kolonjar e kupton fare mirë. Shqipëria duhej të qe në B. E. para shumë vendeve të tjera. Vuajti ajo gati gjysmë shekulli nën çizmen komuniste. Gjithmonë e ka dashur Perëndimin dhe i ka qenë mirënjohës si askush SH.B.A. Ka qenë Amerika me në krye Presidentin e nderuar Wilson që e shpëtoi nga copëtimi përfundimtar, për të kënaqur orekset e fuqive të mëdha. Pastaj, si mund të mos e vlerësojmë futjen e saj në luftë në krye të forca të N.A.T.O. – s, me falangat barbare sërbe, dhe që në bashkëpunim me gjithë UÇK – në i dhanë fund dhunës më të pashoqe mbi një popull të pafajshëm, pa harruar këtu rolin e rëndësishëm që luajti i ndjeri Ibrahim Rugova me urtësinë dhe mençurinë e tij? Por kjo s`do të thotë që të mbajmë sehir kur ata, që prej tridhjetë vjetësh luajnë si macja me miun me ne: keni bërë përparime, por do t`u vemë dhe ca detyra shtëpie. Ka një kufi çdo gjë, siç ka një kufi edhe durimi e sedra e një populli. Në kuadrin e marrëveshjeve, traktateve apo interesave të përbashkëta, ne me korrektesë i përmbushim zotimet dhe detyrimet tona. Në na quajnë muslimanë, e për këtë nuk na pranojnë, gabojnë rëndë. Unë me kohë e kam thënë se “Shqipëtarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare”.
– Po mos ndofta ende besojnë se ne i kemi sytë nga Lindja? Se edhe kjo mund të ngjasë. A nuk e dinë ata se Rusia mban qëndrimin pro serb në çështjen e ndjeshme të Kosovës. Si mund t`u lëpihemi atyre?
– Ashtu është. Por ama kujtdo i duhet bërë e qartë, se vendin tonë do ta bëjmë po ne, bijtë edhe bijat e tij. Ajo thënia e Euripidit, atij poetit nga Salamina, se ty të pëlqejnë këta, vlen edhe për ne shqiptarët: “O, kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut”. Ti e sheh vetë; unë kam 79 vjet që kam vdekur dhe përsëri ngrihem nga varri për të thënë dy fjalë për vendin tim.
– Po, keni deklaruar se “Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t`i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes (shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin). Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë”. Lejomë tani Faik be, t`u pyes në i ndiqni zhvillimet letrare te ne? Keni thënë se “Qytetaria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Le të ecim me hap titani drejt bukurisë së mendimit”.
– Bukur e paskam thënë. Sa për letërsinë, patjetër që e ndjek me shumë dëshirë. Si të mos e ndjek. Po ku ka tjetër rrugë veç kulturës për t`i treguar botës identitetin e atdheut tënd. Në kushtet kur mbrojtja jonë garantohet nga aleatët, pra kur për të buxheti nuk rëndohet, Ministra e Kulturës a si e quani ju, duhet të jetë shumë e rëndësishme. Asaj i duhen dhënë fondet e duhura që të nxisë, të përkrahë dhe promovojë artistët, sportistët e sidomos shkrimtarët. Mua më duket se edhe për ata që shkrinë jetën për ndriçimin e mendjeve, nuk tregohet interesi i duhur. Do t`ua gjejnë se s`bën ndonjë të metë dhe kaq mjafton t`i denigrojnë e t`i harrojnë. Gjithkush ka edhe anët e veta të errëta, madje edhe Hëna. Ti më pyete për letërsinë e sotme. Dëgjo; jam i lumtur që keni fatin e madh të keni një gjeni si Ismail Kadareja. Çdo gjë që ai ka shkruar mban erë Shqipëri e cila identifikohet me të. Keni humbur shumë edhe me ikjen e Dritëroit. Por jeta kështu është. Tani nuk po përmend emra, pasi do më zemërohen ata që nuk i zura me gojë. Se mjaft më janë zemëruar sa qeshë gjallë. Rëndësi ka që sot bëhet një letërsi dinjitoze e cila nuk ka pse të turpërohet para asaj evropiane. E keqja është tjetër kund; lexohet pak. Kjo do parë e do ndrequr.
– Ju Faik be keni shkruar edhe një stigmatë për disa që pak a shumë i keni quajtur kalemxhinj apo ngatrrestarë.
– Jo. Jo, i kam quajtur hyzmeqarë të penës.
– Po, këta hyzmeqarë të pendës i quani se ushtrojnë zanatin e larove të pendës. Mendoni se edhe sot ka të tillë?
– Si nuk paska. Apo nuk i shihni sesi dalin e lehin çdo natë nëpër televizione disa prej tyre. Të zgjuar janë, se i zgjuar është edhe shejtani. Por çorodisin miletin duke mos folur ndershmërisht, por sipas avazit të atyre që i paguajnë. Kjo nuk është gazetari. Faj ka edhe publiku që i beson ata. Irlandezi Oscar Wilde thosh për këtë: “Publiku ka dëshirë të pangopur të mësojë gjithçka, përveç atyre që ia vlen të mësojë. Gazetaria e di këtë dhe, duke pasur ndërgjegje tregtare, kënaq kërkesën”. Ajo që më çudit më shumë është mbrojtja prej servili që i bëjnë qeverisë edhe kur ajo gabon. Të përsëris diçka që e kam thënë një herë? “E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s`qaj dot”.
– Dhe jo vetëm kaq, por ju keni bërë edhe zbërthimin e vesit tonë shekullor që po na ndjek si mallkim edhe në këto kohët moderne: “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t`i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”.
– A nuk e pësuam nga dashuria e verbër ndaj Enver Hoxhës. Ai vri e pri, për tekat e tij dhe sigurimin e pushtetit, populli i bënte duart gjak duke e brohoritur. Edhe sot pak a shumë kjo po ngjet. Kapemi pas parti prisit dhe të nxjerrim sytë po e kritikove atë. Nuk kam parë në ndonjë seancë të Parlamentit të diskutohet për doktrina, për ide, për ekonominë e për garantimin e jetës së shtetasve. Vetëm bërtasin, shahen dhe akuzojnë njëri – tjetrin. Deputetë që duhet të merreshin me estrada e jo me politikë. Kurse vetë individi, kur hipën në pushtet, duhet të jetë i drejtë, për të gjithë njësoj dhe jo t`u krijojë favore të vetëve. Kështu do ta duan, respektojnë e ndjekin masat atë me meritë. Besoj e ke lexuar Salustin. Aty jepet një rast proverbial drejtësie ndërsa ai përshkruan momentin kur Tit Manl Torkuati në vitin 430 para erës sonë ekzekutoi të birin, pasi ai theu urdhrin duke dalë nga radhët e ushtrisë për t`u ndeshur me një luftëtar armik. Nga ana tjetër, në asnjë mënyrë drejtuesit nuk duhet të vinë me vota të blera a të falsifikuara. Dhe meqenëse iu referova periudhës romake, e di ti se atje ekzistonte Ligji Kalpurnia sipas të cilit ai që manipulonte votat, përveç se merrte një gjobë të madhe, përjashtohej përjetësisht si nga mundësia e zgjedhjes në detyra shtetërore, ashtu edhe nga senati. Epo të mbetet ende ky problem për ne shqiptarët, sikur nuk shkon.
– I nderuar Faik be. Ju përmendët rastin e ekzekutimit të djalit nga Torkuati për një shembull të madh në një moment vendimtar. Por kjo puna e vrasjeve në Shqipëri sikur është bërë diçka normale. Edhe këtë kishim mangut.
– Po u pyes unë: a nuk u bën përshtypje shpejtësia me të cilën gazetaria njofton publikun për krime. Mbushen faqe gazetash dhe ekrane televizionesh me vrasje, hakmarrje, përdhunime, vjedhje, burgosje, aksidente, grindje e ku di unë, kurse sapo botohet ndonjë libër i ri apo zhvillohet ndonjë veprimtari kulturore, me pak përjashtime, askujt nuk i shkon mendja ta pasqyrojë. Pse ky është roli i mediave? Jo, ata duhet, siç thamë, të ndërgjegjësojnë njerëzit për të mirën e të bukurën. Ata duhet të mbjellin optimizëm e besim në popull. Edhe këtë e kam trajtuar dikur.
– Po. Keni thënë se: “Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten”. Po si do kapërcehet kjo, megjithë se ju e keni dhënë përgjigjen. Jeni shprehur se: “Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; por më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë”.
– E kam thënë në rrethana të tjera. Por është e pafalshme që edhe pas një shekulli të mbesë i pazgjidhur problemi i dashurisë për njëri – tjerin. Ndjenja kombëtare që ka aq rrënjë të forta në zemrat e shqiptarëve, nuk mund të ketë sukses pa këtë bashkim e dashuri vëllazërore.
– Nuk dua t`u lodh më gjatë Faik be, ndaj tani në fund të kësaj bisede veç falenderimit, lejomëni t`u them se nuk jeni treguar aq i rreptë dhe i ashpër në gjykimet tuaja, sa ç`u mbajnë mend. Ju ka zbutur koha?
– Jo, por koha ka sjellë ndryshime. Unë qortoj e bëj vrejtje se dua që atdheu im të zerë vendin që i takon në familjen evropiane, pra të ndreqë patjetër disa gjëra jo aq të vështira për t`u arrirë. Shqiptarët sot, nuk janë ata të kohës time, kur Noli i madh ua vinte në dukje aq bukur mangësitë. Këtu ka djem e vajza të shkolluar nëpër universitete. Drita, rrugë, ndërtime, makina shumë më tepër nga ç`kishin gomerë atëherë, teknologji e sofistikuar ngado, dyqanet plot… Por ende ka vend për përmirësime, për punësime në radhë të parë, rritje të mirëqenies me qëllim që njerëzit të mos e kenë mendjen të largohen rrugëve të botës. Ja, për këto meraqe nuk do të më tresë dheu.
– Nuk do t`u tresë dheu, se ju jeni gjithmonë i gjallë në mendjet dhe zemrat tona. Edhe një herë u faleminderit për kohën që më kushtuat, duke folur si kolonjarë!
– Po. Si shqiptarë.