ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

Intervistë me Astrit Rakip Lekën, me banim në Gjenevë, dhënë gazetës METROPOL vite më parë

Shkrime relevante

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Doli nga shtypi libri MALL E DASHURI PËR ATDHE i autorit Florim Zeqa

Sot, nga Shtëpia Botuese “Libri im” në Pejë doli nga shtypi...

Shpërndaj

  • Me Astrit Lekën, komunistin që u bë dëshmitar i mbledhjes së qeverisë së Rexhep Mitrovicës. Debati mes Xhaferr Devës, Lef Nosit dhe Rexhep Mitrovicës për shtypjen e lëvizjes komuniste.[1]

(Një intervistë interesante me Astrit Rakip Lekën, me banim në Gjenevë, Zvicër, dhënë gazetës METROPOL vite më parë.)

Gjatë luftës ka mbajtur pseudonimin “Alariku”, dhe ka qenë mjaft aktiv në lëvizjen antifashiste. Por pas lufte, komunizmi zgjodhi ta mënjanojë. I ndarë mes dy ideologjive, asaj komuniste dhe nacionaliste, Astrit Leka, sot 87 vjeç, do linte studimet në Itali, dhe në moshën 16-vjeçare, pas ndikimit të Qemal Stafës, do të kthehej në Shqipëri për t’iu bashkuar thirrjes së komunistëve në atë kohë. Në ndryshim me vëllain e tij, Agim Leka, më i madh se ai, që do të përfshihej në luftë, por si anëtar i Ballit Kombëtar.

Në një rrëfim të tijin për “Metropol”, Astrit Leka tregon dhe një pjesë të fshehur të ngjarjeve të atyre viteve, që deri më sot janë deformuar në të shkruarën e historisë. Interesant është fakti se mund të jetë dëshmitari i vetëm i mbetur gjallë sot, që ka qenë prezent në mbledhjen e tetorit të vitit 1943, një mbledhje e drejtuar nga Rexhep Mitrovica, dhe ku merrnin pjesë të gjithë krerët e asaj që u quajt “qeveria kuislinge”. Vendimet e asaj mbledhjeje, sipas asaj çka tregon Astrit Leka, në atë kohë 19 vjeç, bënë që të ulej dhe pesha e okupacionit nazist në Shqipëri.

Në këtë pjesë të intervistës Leka flet dhe për marrëdhëniet e tij me Qemal Stafën, rolin e Enver Hoxhës në demostratën e bukës, dhe manipulimin që iu bë fotos së asaj kohe. Flet për atentatin ndaj Mustafa Krujës, mënyrës se si u organizua etj.

Zoti Leka, si i patët kontaktet e para me lëvizjen?

Për herë të pare, emrin komunist e kam dëgjuar në vitin 1935. S’kisha mbushur akoma 10 vjeç. Një kushëriri im, nxënës i shkollës teknike, vjen e më flet për komunizmin, se si do ishim të gjithë njëlloj, si do visheshim të gjithë njëlloj. Atëherë jetonim në Elbasan. Në vitin 1936 u bë greva e bukës, dhe në katër prill të vitit 1939 profesori i gjuhës frënge, jo Enver Hoxha, na shpjegon historinë e Alzasës, kur u pushtua nga Gjermania e Bismarkut dhe u ndalua gjuha frënge për t’u zëvendësuar me atë gjermane. Pasi na shpjegoi këtë, shkroi në dërrasën e zezë “të vdesësh për atdhe është vdekja më e mirë”. Pasi shkroi këtë, unë u ngrita dhe citova “Kush bën dekën për atdhe, s’thonë ka dek, por thonë ka le”. Këto janë fjalët e Fishtës, por ne Fishtën, në atë kohë, e kishim poet kombëtar dhe idhull. Më pas, u ngrit klasa e gjitha, dhe e tërë shkolla dhe shkuam me popullin e Korçës në demostratë duke kënduar “Marsejezën”, që është himni francez, por dhe duke kënduar himnin tone kombëtar etj. Shkova të regjistrohem në batalionin e rinisë që do luftonte në Durrës, por Abas Ermenji[2] nuk më pranoi se isha i vogël dhe pranoi vëllanë tim, Agim Leka, që ishte 16 vjeç. Me mua ka qenë dhe Ali Boletini dhe Anton Çeta, ata i pranoi, mua jo.

Ali Boletini ishte nipi i Isa Boletinit?

Po, ishte djali i Tafil Boletinit, ka vdekur tani vonë. Ka qenë njeri shumë i mirë, gjatë luftës jam njohur më shumë me të dhe i mbajtëm lidhjet deri vonë, madje ky dëshmoi edhe në një dokumentar për ngjarjet e Korçës.

Pra, Abaz Ermenji, organizoi rezistencën e 7 prillit?

Ai, në fakt, ishte profesori i latinishtes, por kishte bërë shkollën e plotësimit, kishte kulturë ushtarake dhe mori në dorë situatën, u bë komandant batalioni e stërviste rininë. Zogu nuk dha armë, dhe mbaroi kjo punë, rezistenca aq e pati, për ne, si lice, por u bë në Durrës dhe porte të tjera të Shqipërisë, ku u derdh dhe gjak.

Si e kujtoni Enver Hoxhën në liceun e Korçës?

E mbaj mend shumë mirë se e kam pasur profesor kujdestar. Kujdestar në një vit edhe profesor lënde, ndërsa vitin tjetër më jepte vetëm lëndën e moralit. Si profesor ishte i butë, madje ne donim të na jepte mësim ai, se nuk kërkonte shumë, pasi nuk e njihte zanatin nga që kishte ardhur nga Franca, ku nuk kishte dhënë provime, ishte pa diplomë. Në liceun e Korçës i japin punë si profesor me orë, jo definitiv. Ne e donim këtë para profesorit tjetër, që ishte shumë kërkues, sepse aq na e priste mëndja me moshën që kishim. Sidoqoftë, ka qenë i butë, është sjellë mirë me ne, nuk dinim gjë fare çfarë thuhet sot për të, ndërsa më vonë, mua më lidhi lufta me të, te dyqani “Flora”, baza e Esat Dishnicës e kështu me radhë.

Më vonë, ju ikët në Tiranë?

Unë ika në Firence, në kolegj. Çfarë ndodhi, një ditë Vasil Laçi qëllon Viktor Emanuelin në Tiranë, dhe njëri prej nxënësve italianë që mbahej si i forti i shkollës, më shau atdheun, ose më saktë flamurin e Skënderbeut, duke thënë që skeptrat e liktorit janë tek të dy krahët e shqiponjës. Nuk e durova, e qëllova dhe ai ra në tokë. U bë problem se shkoi dhe u operua në spital. Gazeta italiane “La Nazione” e Firences, me 518 mijë kopje, në vitin 2005, shkroi për këtë ngjarje ku protagonist isha unë.

Në kolegjin tim erdhi Qemal Stafa. Ai ishte student për vete, student universiteti, por ishte pesë vjet më i madh se unë në atë kohë dhe shumë më i kulturuar se unë. Kishte informacion, kishte lexuar dhe ishte shembull për ne, pavarësisht se sot mund të ketë njerëz që duan ta shajnë dhe i vendosin lloj lloj epitetesh. Por ai ka qenë njeri me një ideal të vetin, të atin e kishte kryetar gjykate, me sa di unë, dhe donte që të zgjidheshin problemet sociale, por dhe nacionale. Qemal Stafa, për shembull, ishte i bindur se Kosova do bashkohej me Shqipërinë, dhe kurrë nuk ka menduar se do ndodhte ndryshe. Se ne ishim nga ata që në këngët tona thoshim “Dhe flamuri kuq e zi, do valojë përsëri në Kosovë e Çamëri”, kështu ishim rritur ne.

Erdhi Qemali, më këshilloi që të mbrohesha “se më kishin cënuar flamurin”. Unë qëndrova, nuk më përjashtuan nga shkolla, vazhdova dhe mora nota të mira, u ktheva në atdhe, vazhdova luftën….

 Ju u kthyet së bashku me Qemal Stafën?

Jo bashkë, ai u kthye për hesap të tij, por në korrik të 1941-it, kishte filluar dhe lufta kundër Bashkimit Sovjetik. U ktheva dhe Qemal Stafa me lidhi me grupet e rezistencës dhe konkretisht me grupin e Shkodrës. Po të flasim drejt, Qemal Stafa nuk ishte shoku im në kuptimin e drejtpërdrejtë, se ishte më i madh se unë, po ama ishte i njohuri im, që më kishte përkrahur në momentet e duhura.

Ju thatë se u kthyet në korrik të vitit 1941. Në nëntor, pra disa muaj më pas u formua PKSH-ja, çfarë mbani mend nga themelimi i saj?

Nga ajo kohë kujtoj se Enver Hoxha ishte në demonstratën e 28 tetorit, mori pjesë në demonstratë, mua me njihte se më kish pasur nxënës, të tjerët jo. Pra, unë e mbaj mend që mori pjesë në demonstratë, por jo atje ku e kanë vënë në fotografi. Në ballë të asaj demonstrate, aty ku shfaqet Enver Hoxha, ka qenë një shok tjetër i luftës, Emrush Myftari, i cili ka qenë dhe në luftën e Spanjës. Atë e vrau “OZNA”, policia sekrete jugosllave në vitin 1945. Ja kanë prerë kokën e Emrush Myftarit dhe e kanë montuar atë të Enver Hoxhës, por e vërteta është se ai ka qenë në atë demonstratë. Pastaj qëlloi që Enver Hoxha ishte në bazën e Esat Dishnicës. Ne me Esatin ishim fqinj, madje hapëm një derë, me qëllim, që po ta rrethonin derën e Esatit, nëpërmjet nesh ai dilte matanë tek Xhevdet Petrela, jashtë Tirane, se në atë kohë tek kiilometri 1 mbaronte qyteti. Sot më duket se është shtëpia e familjeve ushtarake tek rruga e Durrësit, para gjimnazit “Qemal Stafa”.

Sidoqoftë, kjo ishte, pastaj vazhdova luftën si gjithë të tjerët, me Ramiz Alinë, Siri Kodrën, Manush Alimanin, Bahri Shaqirin, Bedri Karapicin, Vildan Luarasin, e sa e sa të tjerë. U vranë 11 dëshmorë nga klasa jonë, nuk është shaka: Thoma Kuqali, Gjergj Frashëri, etj. U futëm në lëvizje se s’mendonim shumë për veten tonë në atë kohë, vetëm për idealin….

Ju thoni që Enver Hoxha rrinte tek dyqani “Flora”….?

Po, te dyqani “Flora” i vinin cigaret, nga fabrika që prodhonte, por Enver Hoxha u bë ilegal që nga 28 tetori. Rrinte te Esat Dishnica, dhe te një shoku ynë i klasës, Zeqi Agolli. A e zgjodhën në krye të PKSH, a u vu vetë, këto gjëra i dinte Partia, as kam qenë unë në gjendje të dija gjë. Por dija nga një kushuri i imi, që ishte roje tek dera e shtëpisë ku u mbajt mbledhja themeluese, se në atë mbledhje, për shembull, ishte Anastas Lulo dhe Sadik Premtja (Xhepi), dhe të tjerë që kishim njohur tek “shtëpia e bretkosave”, që ishte bujtina e arsimtarëve, që u bë dhe baza e parë.

Pra, kur u formua Partia, a kishit dijeni që Enveri ishte kryetar i saj?

Jo, nuk dinim gjë. Të paktën zyrtarisht, nuk ka ditur njeri gjë. Ndoshta ishte bërë midis tyre, dhe e kanë mbajtur të fshehtë, por për kryetarin ne nuk dinim gjë. Ndoshta ishin dhe detaje organizative që ata nuk donin t’i tregonin, por as nuk kam marrë mundimin të pyesja në atë kohë për këtë gjë.

Më pas dhe ju kaluat në ilegalitet?

Po, se dolëm vullnetarë ne, Siri Kodra, Ramiz Alia etj. Mua më çuan anëtar qarkori me Alqi Kondin në Elbasan. Kishte rëndësi Elbasani sepse kishte “Normalen”[3], kishte dhe Labinotin. Ramizin e çuan në Berat, Manush Alimanin në Shkodër, Siri Kodrën në bataljonin “Dumreja” e kështu me radhë, Prokop Murra, Muhamer Spahiu e të tjerë shokë….

Më 5 maj të 42-it vritet Qemal Stafa. Brenda grupeve tuaja, si u interpretua kjo vrasje?

Vrasja ishte e natyrshme në atë kohë. Sidomos për njerëz idealistë dhe të vendosur, siç ishte Qemali. Një kushëri i imi, që fliste për komunizmin e Beqir Minxhozi, ishin bashkë. Italianët i pikasën dhe i sulmuan, kushëriri im u plagos, ndërsa Beqirit i gjetën në xhep kontratën e qirasë. Me anë të asaj kontrate, ku ishte dhe adresa e saktë ku u ndodh atë natë të ishte Qemali, italianët gjetën shtëpinë. Të tjera unë nuk di, se çfarë nuk thonë, e vrau Enver Hoxha. Por mendoj se s’kishte pse ta vriste Enver Hoxha më 5 maj, pak muaj pasi ishte formuar Partia, ndërkohë që kishte kaq shumë nevojë për të. Të paktën për këtë rast, kam bindjen time. Më vonë, se si janë bërë krime të tjera, ku me urdhër të Enver Hoxhës vrisnin njëri-tjetrin prapa krahëve e më the e të thashë, që ka bërë tmerre se ai ishte mizor, ama në këtë rast, kam bindjen se nuk ka gisht. Sepse është e thjeshtë, u gjet kontrata me adresën e saktë, e rrethuan, nuk iku dhe e vranë. Po të kishte ikur, kishte shpëtuar, siç iku “Shulja”[4] për shembull. Qëndroi, luftoi me pistoletë po aq plumba ka ajo, 8 fishekë ka…..

Po në atentatin ndaj Mustafa Krujës, çfarë roli keni pasur?

Atentati ndaj Mustafa Krujës ka qenë interesant në këtë kuptim. Një shoku ynë, Muhamer Spahiu, bie lajmin se Mustafa Kruja do vinte për të mbushur dhëmbët në orën 9 tek doktor Xhevdet Asllani. Ishte kushëriri i tij. Por ne kishim për detyrë, që çdo lajm interesant duhet ta çonim në qendër. Erdhi lajmi.

Aty ishte Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Gogo Nushi, Esat Dishnica. Tetor i vitit 1943 ka qenë, Mustafai s’ka qenë kryeministër në atë kohë, por ishte një njeri, që nga komunistët ishte damkosur si tradhtar. Atëherë u vendos që të bëhej atentati. Po si mund ta bënim? Largësia nga makina e tij, deri tek hyrja e klinikës së Xhevdet Asllanit ishte dy metra apo dy metra e gjysëm. Ishte punë sekondash për të qënë zbuluar. Se në atë kohë kategoria e Mustafa Krujës, ruhesh shumë.

Unë hodha idenë se kjo bëhej vetëm me makinë, se dhe në vend s’mund të rrije, se po të rrijë në vend, rojet e tij që vëzhgonin ardhjen e tij, do dyshonin menjëherë. Atëherë do e organizonim me makinë. Por s’kishim as makina. “Si tja bëjmë?” tha Gogoja. Thashë- i siguroj unë makinat! Mora me aksion dy makina, të agjencisë ASA. Më porositi t’ja jap Shahin Rukës, ky ishte kryetar i njësive guerile të Tiranës. Dhe Shahini mori porosi nga Gogoja që “do marrësh dy makina nga Astrit Leka”.

Ja dorëzova dy makinat. Unë varesha direkt nga Gogo Nushi në raste kur merrja urdhëra, ose isha i pavarur. Kështu qëlloi njësiti im krejt i pavarur në aksione. Dhe bëri goxha punë duke qenë i pavarur. Shahini i mori makinat, ndërsa mua Gogoja më dha porosi që “të rrija të mapoja e Petrelës, që quhej në atë kohë, shiko si do zhvillohen ngjarjet”. Por vetë Shahini nuk ishte në makinë, ka qenë Shyqyri Bërxolli, që e di mirë dhe të tjerë emra, ata që qëlluan dhe e plagosën Mustafain. Në fakt, unë nuk pashë që u plagos apo jo, vetëm dëgjova krismën e armës, u largova dhe raportova që aksioni u krye…. Tani del Shahin Ruka e thotë se e ka bërë vetë. Si ka mundësi që ta bënte vetë atentatin ndaj një njeriu të super ruajtur siç ishte Mustafa Kruja?! Ky njeri nuk thotë të vërtetën. Kush e di targën e makinës që ka qëlluar? E di unë, ka qenë targë e Durrësit, “DR 1940” dhe një targë e shoqërisë A.S.A. Në rast se do informacione, të vijë t’i marrë. Dhe ai e dinte që ja kam dhënë unë, dhe sot thotë emra të tjerë. Ato, pra makinat ishin aksion në vetvete. Megjithatë, pas këtij aksioni, Mustafai u plagos. Ka qenë shok klase me babanë tim në Janinë. Djali i tij ka qenë me mua. Me një plagë mjaftonte. Se Mustafa Kruja, praktikisht, nuk ishte në udhëheqje në kohën e gjermanëve, por mori një mësim që të shikonte punën e vet.

Kjo është një pjesë e historisë, e pjesëmarrjes time në luftë. Por kam keqardhje kur dalin e thonë që mashtroj. Kam në shpinë 44 aksione në Shqipëri dhe Ballkan, deri në Mitrovicë që ishte e Serbisë në atë kohë. Shkupi, që në atë kohë ishte i Bullgarisë, Dibra që ishte akoma shqiptare dhe del dikush[5] e thotë që s’e kemi parë askund. Urdhëroni të ulemi dhe të hapim arkivat.

Kalojmë në një moment tjetër. Ju më treguat një fotografi ku shihen Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Iljaz Agushi, Lef Nosi, Qemal bej Karaosmani, Ahmet Gashi e të tjerë, ndërsa ju po qëndroni në këmbë. Si u ndodhët në atë tryezë, dhe në çfarë date është bërë kjo fotografi?

Është foto e vitit 1943, kanë qenë ditët e para të tetorit…. Kishin hyrë gjermanët. Rrethanat e sollën që unë të isha në atë mbledhje, duke shërbyer si kamarier dhe arrita të dëgjoj bisedën. Dhe biseda qe e çuditshme. Në atë kohë, ishte vendosur nga ana e komunistëve që të vritesh Xhafer Deva. Ibrahim Bej Biçaku, i biri Aqif pashë Elbasanit kërkonte nga Myslim Peza që të vritej Xhaferr Deva, si njeri i gjermanëve.

Në foto: Astrit Leka Me Lef Nosin, Rexhep Mitrovicen, Xhaferr Deven,Iljaz Agushin, Ago Agajn etj krere nga Shqiperia mbledhje ku u diskutua krijimi i nje qeverie shqiptare gjate pushtimit gjerman.

Në këtë mbledhje u mor në analizë gjendja e Shqipërisë pa qeveri dhe me ushtri pushtuese gjermane. U propozua që të ngrihej një qeveri, e cila do kishte për qëllim, sipas të gjithëve, të zbuste okupacionin. Ishte dakort edhe Lef Nosi. E dini, besoj, se Lef Nosi ka qenë ndër firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, ministër në qeverinë e Ismail Qemalit. Kishte dhe të tjerë në atë tavolinë, Rexhep Mitrovica, Qemal Bej Karaosmani, ish sekretar i Ismail Qemalit dhe ministër i Bujqësisë, por s’mori pjesë në qeveri, ishte i moshuar, dhe s’donte të përzihej në politikë.

Ndërkohë Xhaferr Deva tha:

“Më jepni 3 mijë armë dhe uniforma se unë e shuaj lëvizjen sllavokomuniste në Shqipëri, njerëzit i gjej vetë në Kosovë!”.

Lef Nosi u hodh e tha:

“Ndalu pak, se ata janë djemtë tanë, bijtë tanë, janë shqiptarë!”

Dhe, pse e bëri? Ishte planifikuar të vinin 3 mijë shqiptarë të Kosovës, dhe të shtypnin lëvizjen, por çfarë do ndodhte? Lëvizja komuniste ishte si farë hislli, (farë e hithërave) do lindëte prap, por mbrapa do ngeleshin hasmëritë mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë së vitit 1913, ky qe një qëndrim. Ashtu si ndodhi në masakrën e 4 shkurtit, ku u vranë 20 e ca veta, ne thonim 80, se na interesonte, por ngeli shumë gjatë shprehja “si në kohën e kosovarëve” e jo më të kishin ardhur 3 mijë persona e të sheshonin fshatrat tona, kryesisht në jug, se atje kishte bazën më të madhe Lëvizja.

Qe me mend përgjigja e këtyre të tjerëve, që nuk pranuan propozimin e Xhafer Devës. Dhe, kur u mor vesh lajmi që nuk u pranua propozimi i Xhafer Devës, u anulua dhe atentati ndaj tij.

“Jo – tha Lef Nosi!- Ne do bëjmë qeverinë, do na akuzojnë vërtet si kuislingë, por qeverinë do e bëjmë për të ulur peshën e okupacionit. Nuk do lejojmë që gjermanët të sillen si në Serbi, Greqi dhe vende të tjera. Ne e dimë që do na shajnë, e dimë që edhe mund të na vrasin komunistët, por është diçka që duhet bërë. Ne nuk kemi nevojë, as për para, as për gjë, s’kemi nevojë për rrogat e gjermanëve. Dhe ne e dimë, që Gjermania nuk është në ngjitje. Por çfarë do i kërkojmë gjermanëve? E para: Ushtria gjermane këtu të mbahet me paratë e veta, me flori, jo me para letër, që mund të shkaktonte inflacion monedhe. E dyta: qeveria shqiptare nuk do lejojë asnjë ushtar shqiptar të luftojë për llogari të gjermanëve,[6] Për çdo ushtar gjerman, do thyjnë në bankë flori, që do konvertohen nga banka jonë në letër”.

Dhe prunë, vetëm në një ditë, 250 mijë napolona flori gjermanët, nga 6.4 gramë që peshon napoloni, llogarisni sa ton i bie dhe morën letra. Dhe në kohën e Gjermanisë, nuk pati inflacion. Napoloni letër mbajti të njëjtën vlerë, siç e gjeti gjermani, ashtu e la. Pse? Se ari vinte nga Gjermania. Jo siç kam dëgjuar të thonë, që gjermanët kanë bërë kështu e ashtu, jo kanë marrë paratë e tregtarëve e më the e të thashë.

Jo more, gjermanët s’janë marrë me atë punë këtu tek ne. Kanë pushtuar botën, kanë vrarë hebrenj, kanë bërë krimet e dynjasë, por në Shqipëri gjermanët kanë mbajtur qëndrim nga më të butët në shtetet e Evropës së pushtuar, me përjashtim të Borovës dhe Prishtinës, të tjerat kanë qenë luftime sporadike. Asnjë grua shqiptare nuk ka pësuar gjë nga gjermanët, dhe në shtypin e asaj kohe nuk u publikua gjë. Si pasojë e vendimeve të këtyre burrave. Sepse këta kërkuan policinë e tyre, doganat e tyre, arsimin e tyre, gjermanët do rrinin nëpër garnizonet e tyre. Do ishte një shtet, një shtet kuinsling, por një shtet më vete, nën Gjermani. Duke pranuar ushtrinë gjermane këtu, sepse justifikohej me faktin se do mbronte frontin e dytë, që supozohej të ishte nga Adriatiku në Jon ku mund të bëhej zbarkimi.

Pra, pavarësisht se u quajtën kolaboracionistë, këta patën rolin e tyre në mbrojtjen e popullsisë?

Po, në rast se unë jam gjallë dhe flas sot me ju, jam gjallë sepse dhe kur Gestapo donte të më merrte mua, xhandarmëria më mbajti, tha se “ka punë me ne”. Unë kam dokumente këtu dhe mund të them që ministrat lajmërojnë “U arrestua komunisti Astrit Leka. Avionët e aleatëve kaluan mbi Tiranë, por nuk bombarduan”. Pra, ishin raportet e kohës, ku në një anë lajmërohej arrestimi im, dhe në anën tjetër flitej për kalimin e avionëve të aleatëve mbi Tiranë.

U mor vendim në këtë mbledhje për hebrenjtë?

Po, në atë mbledhje u fol dhe për hebrenjtë. Madje Lef Nosi kishte një kushëri të parë që mbante një hebre në shtëpi, tek fabrika e alkoolit, në Elbasan, Labinot. E kam njohur atë person në atë kohë. Unë isha në Qarkor dhe kishim një orientim me gojë, jo me shkrim, që “kujdes me hebrenjtë”. D.m.th. kini kujdes që t’i mbroni, dhe të gjithë shqiptarët i kanë mbrojtur. Është meritë e shqiptarëve, e popullit shqiptar, që i shpëtuan ata në Shqipëri, nuk ishte meritë e Partisë Komuniste. Dhe këta që i quajtën ballistë, kolaboracionistë, etj dhe këta u kërkuan gjermanëve që “këtu mos na ndërhyni” dhe asnjë hebre nuk u dorëzua. Dokumentohet historikisht që vetëm Mustafa Kruja, kryeministri, që na vari shokët tanë, ka shpëtuar 300 hebrenj. I vetmi vend në Evropë. Ajo ishte marrëveshje me qeverinë e asaj kohe. Natyrisht, ne që kishim aktivitet na arrestonin, mund edhe të vriteshim, por hebrenjtë jo.

Qeveria e asaj kohe, kryesisht, është marrë me mbajtjen e rendit dhe në sajë të atij rendi shpëtuan shumë njerëz.

Intervistë në gazetën METROPOl, tetor 2012

Zoti Leka, çfarë i keni thënë Ali Eltarit për Qemal Stafën?

Këtu dua të sqaroj një keqkuptim sepse unë i kam folur Ali Eltarit për raportin midis Zaho Kokës dhe Ramize Gjebresë. Por gjatë bashkëbisedimit telefonik, ai e ka kuptuar sikur flitej për Qemal Stafën dhe Ramizenë. Për këtë gjë i kërkoj ndjesë lexuesve të nderuar, ku z.Eltari ka përdorur emrin tim, kundër Qemal Stafës.

Kur e keni parë për herë të parë Qemal Stafën?

Që në vitin 1938 kur ai ishte i internuar në Breshtan të Beratit. Në atë kohë e kam takuar dhe kam biseduar me të. Ishte shumë i ditur dhe i komunikueshëm. Por ishte edhe i guximshëm. Nuk i trembej syri.

Ju vetë çfarë mendoni për Qemal Stafën?

Unë mendoj se ai është një patriot i ndershëm, një njeri i përgatitur, trim dhe fisnik që rrjedh nga një familje fisnikësh. Babai i tij ka qenë kryetar gjyqi, ndërsa im at prokuror. Qemalin e kam njohur qysh kur isha i vogël në Elbasan, kur ai takohej me kushërirën e tij Shejnaze Juka e cila ishte shoqe e ngushtë e motrës sime. Pastaj me Qemalin jam takuar në Firence. Unë isha në gjimnaz ndërsa ai studionte në fakultetin e Drejtësisë së Firences. Atje më ndodhi një përplasje dhe unë rraha kreun e rinisë fashiste të shkollës. Por Qemali më doli në krah dhe më ndihmoi me këshillat e tij.

Përse e rrahët kreun e rinisë fashiste?

Sepse ai më shau Shqipërinë dhe sidomos më shau flamurin e shqiptarëve. Ngjarja ndodhi kur në Tiranë Vasil Laçi qëlloi mbi Viktor Emanuelin. Atëherë gazetat italiane shkruajtën shumë. Dhe gjatë kësaj atmosfere të tensionuar ai më shau duke më thënë se: “Ju në flamurin e Skënderbeut keni simbolet e Liktorit”. Atëherë unë e qëllova në sy dhe ai ra përtokë, pastaj e çuan në spital dhe mua më bënë problem. Donin të më përjashtonin nga shkolla. Por Qemali, i cili na rrinte pranë, më tha se gjatë argumenteve mbrojtëse duhet të mbahesha tek flamuri ynë. Meqë italianët hiqeshin sikur nuk ishin pushtues në Shqipëri, ata nuk kishin përse të na shanin flamurin. Kjo më shpëtoi. Pastaj unë nisa një disiplinë mjaft të fortë në studimet shkollore dhe dola i pari i klasës. Këtë nuk e bëra që të mburresha vetë, por që ata ta kuptonin se deri ku arrinin përmasat e shqiptarëve.

Si sillej Qemal Stafa në Firence?

Ai ishte i përsosur dhe ishte një njeri model. Studionte shumë dhe ishte fisnik. Mbaj mend se në atë kohë, Qemal Stafa u lidh me komunistët italianë dhe i kërkoi atyre ta ndihmonin që të krijonte Partinë Komuniste në Shqipëri. Por ata i thanë se për shkak të faktit që Italia ka pushtuar Shqipërinë, kjo ndihmë nuk do të tingëllonte mirë për opinionin. Prandaj, ata i rekomanduan të kërkonte ndihmë nga komunistët jugosllavë. Pastaj kur erdhëm në Tiranë, unë për shkak të njohjes  me të, hyra në grupin komunist të Shkodrës. Jemi ende në ditët kur nuk ishte krijuar PKSH-ja.

Çfarë mund të përmendësh tjetër nga Firence?

Mund të përmend kampionatin e futbollit italian, ku në atë kohë shkëlqente një shqiptar i quajtur Lushta. Ai ishte fenomen i futbollit dhe luante me Juventusin. Ishte i paparë dhe ne merrnim shumë emocione me të.

Po në Shqipëri kë kishit në klasë?

Në Shqipëri studiova në një grup me Ramiz Alinë, Manush Alimanin, Prokop Murrën, Siri Kodrën, etj.

Kur jeni bashkuar me lëvizjen komuniste në Shqipëri?

Para korrikut të vitit 1941.

Ku ishit ju më 8 nëntor kur u themelua PKSH?

Unë isha në Tiranë, por nuk isha pjesëmarrës në themelim. Ndërsa, një kushëriri im ishte tek dera e godinës duke bërë roje. Pra, të gjithë ishim pranë ngjarjeve të rëndësishme politike të asaj kohe.

Si e keni perceptuar luftën e Dytë Botërore?

Ishte një luftë heroike dhe kombi shqiptar duhet të jetë krenar për madhështinë e kësaj lufte. Unë nuk perceptoj si luftë civile, megjithëse ndonjëherë pati edhe përplasje midis shqiptarëve, pra midis partizanëve dhe ballistëve.

Të kthehemi tek argumenti i Eltarit: A kishte kjo luftë elemente të imoralitetit?

Elemente të imoralitetit nuk kishte por shfaqje të dashurisë kishte, padyshim. Natyrisht, dashuria ishte disi e ndaluar në radhët e partizanëve por kishte edhe raste të tilla.

A keni parë ju ndonjë rast kur vajzat dhe djemtë putheshin gjatë kësaj lufte?

Kjo pyetje që bëni ju është shumë e padrejtë, në mënyrën se si formulohet. Por unë një herë kur isha në shtëpinë e Ymer Dishnicës, një ditë kur hapa derën e dhomës, pashë atje duke u puthur Ramize Gjebrenë me Nako Spiron. U skuqa nga turpi dhe e mbylla derën menjëherë. Pas pak, doli Nakoja dhe më tha: “Dëgjo këtu more djalë. Ne me të vërtetë e kemi ndaluar dashurinë gjatë luftës, por këtë e kemi bërë që të mos tremben prindërit e vajzave që t’i dërgojnë ato në luftë. Në fakt ne nuk jemi kundër dashurisë dhe përparimit”.

Më sipër ju thatë se Ramizeja me Zaho Kokën kishin lidhje dashurie?

Kjo është vërtetuar tanimë dhe nuk ka sekrete. Por në lidhjen e tyre Zaho Koka gaboi rëndë dhe ia la të gjithë përgjegjësinë Ramize Gjebresë.

Përse gaboi?

Sepse gjatë sqarimit, apo gjatë gjyqit ai tha se: “Ramizeja më provokoi dhe unë nuk kam faj”.

Po Ramizeja çfarë tha?

Ramizeja e pranoi atë gabim dhe u tha atyre se Zahua nuk kishte faj. Pra, e mbajti përgjegjësinë për vete. Pastaj atë e pushkatuan padrejtësisht. Ndërsa Zaho Kokën e vrau ndërgjegja dhe thonë se ai doli në betejë i pambrojtur dhe i zbuluar. Pra, me një dëshirë për të mos jetuar më, pas asaj që i ndodhi.

A ka pasur raste të tjera me pasoja të tilla?

Disiplina, për hir të së vërtetës, ka qenë e madhe. Por lidhjet e dashurisë ndodhnin vetvetiu. Sepse ata ishin të rinj dhe shumë të ndjeshëm për jetën. Natyrisht, që këto raste ishin sporadike por kishin efekte negative prapavepruese. P.sh, mbaj mend se Shejnaze Jukën, mbesën e Musa Jukës, e cila ishte partizane, donin ta pushkatonin, njëlloj si Ramize Gjebrenë. Pikërisht për këtë shkak.

Përse donin ta pushkatonin?

Sepse ajo ishte dashuruar me Met Bajraktarin. Dhe erdhi një orientim për ta ekzekutuar. Pastaj u anullua. Unë vetë, njëherë, kam bërë sherr me Alqi Kondin për Shejnaze Jukën. Sepse ai e quante imorale dhe nuk e lejonte atë që të hynte në strukturat e larta të PKSH-së.  Pastaj Met Bajraktari u vra në luftë, ku gjithashtu u vra edhe Shejnaze Juka.

Po Qemal Stafa a kishte shumë lidhje me femrat?

Jo, Qemali ishte serioz dhe i zgjuar. Ai ishte i vendosur për çështjen e patriotizmit dhe të shpëtimit kombëtar. Ishte modeli i një idealisti dhe trimi të vërtetë. Lidhja e tij ishte publike, pas një fejese që kishte me Drita Kosturin. Ata të dy rrinin bashkë.

Po me Nexhmije Hoxhën a kishte lidhje Qemal Stafa?

Kjo është një gjë për të cilën nuk mund të flasë askush. Këtë e dinë vetëm ata të dy dhe të gjitha gjërat e tjera që thuhen ndaj tyre janë thashetheme.

A mund ta ketë spiunuar Enver Hoxha, Qemal Stafën, për vrasjen e 5 majit?

Jo. Kjo është gënjeshtër e trashë dhe mos u besoni këtyre marrëzirave.

Si u diktua Qemal Stafa që banonte në shtëpinë e Beqir Minxhozit?

Kjo ka ndodhur kështu. Beqir Minxhozi kishte marrë një shtëpi me qira pranë spitalit. Dhe një ditë, kur e kapën fashistët në rrugë, ata i gjetën në xhep edhe kontratën e qirasë së shtëpisë. Pastaj, dyshuan dhe shkuan në atë shtëpi në mënyrë të befasishme.Bënë rrethimin dhe luftuan me Qemal Stafën. Ai nuk u dorëzua dhe luftoi si trim deri në fishekun e fundit. Pastaj, e vranë.

Ju vetë, në cilat zona keni luftuar?

Unë kam qenë komandanti i guerilasve në Tiranë, Pejë, Mitrvcë, Shkup, etj. Pra, kam luftuar në të gjitha trojet tona për lirinë e vendit. Madje edhe jam burgosur prej gjermanëve.

Çfarë ka ndodhur pas burgosjes?

Pas burgosjes, Enveri tentoi të ndërronte robërit gjermanë duke ia kthyer nazistëve dhe të na merrte neve. Mbaj mend se në burg isha unë, Qibrie Ciu, etj.

A e njihni Ilia Plakun?[7]

Po e njoh. Motra ime dhe motra e tij, ishin shoqe të ngushta. Ndërsa Frosina Plaku ishte një luftëtare e lirisë.

Çfarë ndodhi me ju pas luftës?

Pas luftës studiova me korrespondencë në një grup me Shaban Demirajn, Qemal Haxhihasanin, etj. Mbarova dy fakultete brenda një periudhe të shkurtër. Pra, studiova për Gjuhë Letërsi dhe Gjeografi. Gjithashtu, në atë kohë kam studiuar shumë gjuhë të huaja.

[1] Gazeta METROPOL, 24/09/2012 f.8-9

[2] Abas Ermenji ishte professor ne lice

[3] Shkolla pedagogjike

[4] Koçi Xoxe

[5] Kadri Dingu me shokë

[6] Përveç rasteve kur individë nga Balli Kombëtar bashkëpunuan me gjermanët

[7] Ilia Plaku: Astrit Lekën e njoh shumë mire, sepse motra e Astrit Lekës,  Fatmira, ka mbaruar institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe ka qenë shoqe klase me motrën tonë, Agllaia. Pra, ishin shoqe në institutin femëror. Dhe ajo, Fatmira e di mirë historinë e Frosinës me Qemalin. Pra, e di mirë që këtu nuk ka asnjë histori. Jo më fejesë, apo lidhje të tjera që i shpik Eltari. Astrit Leka nuk mund të ketë pranuar se midis Qemalit dhe Frosinës mund të ketë pasur një fejesë.

E përgatiti për Drinin: Bardhyl Adem Selimi, shkrimtar nga Tirana

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu