ARKIVI:
22 Shkurt 2025

Investimet e Qeverisë karshi verdiktit ndryshe të qytetarëve

Shkrime relevante

Ilustrowana Republika (1928) / “E urrej kinemanë!” — Intervista ekskluzive me Aleksandër Moisiun në Lodz (Poloni) –

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Shkurt 2025  “Ilustrowana Republika” ka botuar, të...

Marrëveshja Selia e Shenjtë – Mal i Zi më 1886 në kurriz të Shqiptarëve

Anna Hida, studjuese, Romë (Nusha Zhuba) Në dukje kjo marrëveshje me Selinë e...

Është koha të jemi të bashkuar, si asnjëherë më parë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina 1. Formimi i qeverisë së ardhshme,...

Shpërndaj

Prof. Adem Breznica, historian

Investimet e riinvestimet në asfalte, trotuare e ndriçime solare, në pronat publike e private, përmes së cilave qeverisjet komunale e kanë “arsyetuar” konsumimin e pjesës më të madhe të taksave, në këto 20 vitet e shkuara, nuk sollën zgjidhjen e problemeve bazike përballë qytetarëve: heqjen e pengesave të furnizimit me ujë të pijshëm dhe evitimin e bllokimit të tubave të ujërave të zeza.
Kjo, për faktin se deri më tani qytetarët nuk janë konsideruar si taksapagues ndaj të cilëve administrata ka detyrime reverzibile, por si klientelë e konsumatorë të cilët janë të obliguar të paguajnë edhe për “menaxhimin” e shërbimeve publike.
Megjithatë, problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për dy fshatrat më të mëdha të Fushë Kosovës, Bardh i Madh dhe Sllatinë e Madhe, si dhe lagjes 28 të qytetit, duket se i është gjetur zgjidhja afatgjate.
Me iniciativën dhe këmbënguljen e disa deputetëve të mazhorancës, veçanërisht deputetes së listës GUXO, Jeta Statovci, në projektbuxhetin e Qeverisë për vitin e ardhshëm është paraparë një pako prej 300.000 eurosh për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit edhe për Komunën e Fushë Kosovës.
Ky investim kapital në këto pjesë të Fushë Kosovës bëhet pas më shumë se 40 vjetësh, qysh prej kur ishte shtrirë rrjeti i ujësjellësit, si domosdoshmëri e përditshme e qytetarëve të kësaj ane, veçmas për Bardhin e Madh.
Gjarpërimi i Lumit Drenica rrëzë këtij fshati nënkupton se ky rrafsh ka rezerva të mjaftueshme të ujërave nëntokësorë.
Mirëpo, hapja e Mihjes Sipërfaqësore të Thëngjillit në skajin tjetër të Bardhit të Madh (1963), është argumenti tjetër që nënvizon fatin e ujërave nëntokësore, respektivisht pakësimin e ujërave të puseve (bunareve) në këtë rrafsh, gjë e cila asokohe kishte determinuar që Bardhi i Madh të jetë fshati i parë në këtë regjion që do të përfitonte nga shtrirja e ujësjellësit.
Megjithatë, rritja dhe thellimi i gropës së thëngjillit në afërsi gjithnjë e më të madhe me fshatin, bëri që Bardhit të Madh t’i rëndohej gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm përmes alternativës tradicionale të puseve (shterrja e puseve në masën 70%), duke e bërë rrjetin e ujësjellësit të pamjaftueshëm për banorët në rritje e sipër.
Ndryshimi i trajektores së mihjes së eskavatorëve gjigantë në drejtim të Hades e Sibovcit, sidomos në periudhën e Pasluftës, bëri që benefitet prej 5 milionë eurosh nga Ligji për Zonën e Rrezikuar Mjedisore (05/L-44) të shkojnë ekskluzivisht vetëm për Obiliqin, duke e anashkaluar tërësisht Fushë Kosovën, pavarësisht se 4 fshatra të kësaj komune (Bardh i Madh, Graboc i Ulët, Lismir, Kuzmin), përveç ambientalisht, janë të atakuar drejtpërsëdrejti edhe fizikisht duke ua marrë e shtetëzuar fshatarëve tokat bujqësore, qoftë për mihje qoftë për deponimin e dheut.
Sido që të jetë, futja e Fushë Kosovës në Zonën e Rrezikuar Mjedisore përmes një ligji të ri, të ngjashëm me atë të Obiliqit, ka qenë premtim elektoral i zgjedhjeve të 17 tetorit e 14 nëntorit 2021, në kuadër të ndihmës në terren që zyrtarë të Qeverisë Kurti 2 i jepnin kandidatit të LVV-GUXO, z. Enver Bajqinca, për fitimin e qeverisjes në këtë komunë.
Tashmë, kur ndarja e fondit qeveritar për ujësjellësin në këtë komunë është bërë realitet (madje edhe për fshatin e kryetarit aktual z. Burim Berisha, pavarësisht humbjes së kësaj komune nga të preferuarit e koalicionit në pushtet), e që ishte premtim elektoral nëse kandidati i LVV-GUXO do të fitonte, jep sinjal të mirë për banorët e Fushë Kosovës se komuna e tyre është në shënjestrën e investimeve kapitale të Qeverisë Kurti 2, e cila nuk hakmerret por ka vullnetin për të respektuar premtimet e veta, ashtu sikundër dhe verdiktin paksa më ndryshe të qytetarëve fushëkosovarë.
Përndryshe, të premten, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin 2022, të propozuar nga Qeveria Kurti 2, në kuadër të të cilit përfshihen edhe projekte renovuese, rehabilituese si dhe zgjerim i infrastrukturës primare të ujësjellësit e kanalizimit, mbi e në dëm të të cilave, nga qeverisjet lokale, janë bërë investime terciare, e të cilat në rastin e parë të intervenimeve bazike në ujësjellës, do të kenë nevojë për riinvestime, por që kësaj radhe do të jenë me rend dhe të qëndrueshme.
Përfitues i projektit bazik për ujësjellësin, në lartësinë e 300.000 eurove, nga buxheti qendror do të jetë edhe Komuna e Fushë Kosovës, duke e fokusuar Bardhin e Madh.

  • Prof. Adem Breznica, gazetar i pavarur, Bardh i Madh, Fushë-Kosovë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu