Në protestën e organizuar para pallatit, ku dikur punonin, ish-punëtorët e gazetës “Rilindja” kanë kërkuar që t’u ndahet 20-përqindëshi i vlerës së shitjes së pronave të paluajtshme të kësaj ndërmarrjeje. Punëtorët thanë se mjetet janë bllokuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila ka kryer procesin e shitjes
Zeqir Bekolli, që për një kohë ishte drejtor i “Rilindjes”, kërkoi që ish-punëtorëve të gazetës t’u jepen mjetet që u takojnë, e të cilat ai pretendon se janë ndarë nga Qeveria, por ende nuk janë ekzekutuar nga AKP-ja.
“Kërkojmë nga qeveria e Republikës së Kosovës, por edhe nga AKP-ja që mjetet të cilat janë destinuar për 20-përqindësh të jepen sa më parë”, ka deklaruar Bekolli.
Përpilimi i listave përfundimtare të punëtorëve që do të përfitojnë nga ky 20 përqindësh u bë në fund të vitit të kaluar. Kryetari i Sindikatës të punëtorëve të Rilindjes, Besim Kajtazi, vlerëson se procesi është zgjatur shumë.
“Mjetet tashmë është dashur të gjenden në kontot e punëtorëve të Gazetës “Rlindja”, të cilët kanë lënë çdo gjë në këtë gazetë, edhe jetën e tyre disa dhe tash presin që një pjesë e punës së tyre të kompensohet siç i është kompensuar shumë ndërmarrjeve të tjera”, ka theksuar Kajtazi.
Ish-redaktori në gazetën “Rilindja”, Gani Mehmetaj, thotë se ajo që po kërkojnë punëtorët u takon me ligj.
“Ne kërkojmë të drejtat elementare tonat. Të na e pranojnë pensionin që na takon edhe të na e pranojnë 20 përqindëshin që po ashtu na takon, sepse ne jemi ata që e kemi ndërtuar këtë pallat, nuk e ka ndërtuar as kjo qeveri as e kaluara. Ne e kemi ndërtuar, prandaj nëse këta e kanë marrë me metoda shtetërore atëherë duhet të na i japim të paktën 20% të kontributit”, është shprehur Mehmetaj.
Ligji për Agjencinë Kosovare për Privatizim parasheh se në rast të shpronësimit të pronave të paluajtshme të Ndërmarrjeve Shoqërore, 20-përqindëshi i vlerës së shitjes duhet t’u ndahet punëtorëve të ndërmarrjes.