Dilaver Goxhaj , Tiranë
Sazani është ishulli më i madh i Shqipërisë. maja e tij më e lartë është 342 m. Ishulli i Sazanit ka siperfaqe 5,7 km² dhe vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 km.
Emri i ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë mesjetës ishulli kaloi në zotërimin Venecian. Në kohërat e reja së bashku me ishujt Joniane të Greqisë u pushtua nga Anglia. Gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Gjatë Luftës së Parë Botërore ishulli u pushtua nga Italia.
Në folklorin popullor historia për ishullin e Sazanit nis me historinë e detarit ulqinakas Haxhi Aliu, banesa më e sigurt e të cilit ishte shpella, e cila mban edhe emrin e tij: Shpella e Haxhi Aliut.
Sipas historianëve, kjo shpellë emrin e vjetër e ka shpella iliriane. Kjo shpellë iliriane përdorej nga detari me famë, ulqinakasi, Haxhi Aliu, e cila është një dëshmitare interesante e historisë.
Shpella e Haxhi Aliut ndodhet ne gadishullin e Karaburunit, në skajin veriperëndimor të Kepit të Gjuhëzës. Detari i guximshëm shqiptar Haxhi Aliu e ka përdorur atë si strehë mbrojtëse, duke u përleshur me anijet e huaja grabitqare, të cilat tentonin të hynin në Gjirin e Vlorës apo të grabisnin piratisht bagëtitë e vendsave në Karaburun.
Haxhi Alia është vrarë nga piratët e huaj në afërsi të Sazanit. Dhe historinë e tij e ka përjetësuar populli ulqinakas me këngën:
Haxhia Alija me të birin,
Porsi mbreti me vezirin!…
Haxhi Alija u nis me shkue
N’kanal t’detit me luftue,
Bir as bijë mos me i mendue.
***
Haxhi Alija, shehit’ i detit,
Shpata yte lule xhenetit.
Në Tripoli kur të vemi,
Kur të na pyesin, qysh t’ju themi?
“Haxhi Alinë ku e keni?”
Te Liketa, në Sazan,
Ç’po luftojnë dy tartanë!
Haxhi Alinë s’e ban ma nanë!
(Ulqin)
Gjithashtu po nga historia dimë se ishulli i Sazanit, prej vitit 1800 dhe deri në vitin 1944 ka qenë i pushtuar nga shumë forca të huaja.
Sikundër dihet, më 17 dhjeto 1912 filloi punimet Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në të cilën do të vendosej edhe çështja shqiptare. Si rrjedhojë, më 1 prill 1913 Ismail Qemali u nis me një anije të dukës së Qrieanit për një tur diplomatik. “Qëllimi i udhëtimit tim – shkruan Ismail Qemali – ishte që të luftoja për çështjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë pranë Fuqive të Mëdha”. Dhe populli e ka përjetësuar në këngë këtë tur të tij:
O Qemal, kur të pëzunë,
Kur desh të të zin’ Turqia
Dhe një çikë pra të zunë;
Erdh e të mori gjemia,
Brënda në Paris të shpunë,
Atje ku ish katimia.
Seç u ngrit krali më gjunië,
Mbretëresha dhe e bija.
“Cili je ti more burrë,
Që kërkon vulat e mia?”
“Unë jam Ismail Qemali,
Prapa më vjen historia.”
Të shtatë vulat ia dhanë,
Po do mos dojë Turqia.
“Do dojë se s’është punë,
Është e jona Shqipëria!
Sazan e karaburun
Janë vatanet e mia”
(Radhimë – Vlorë)
Konferenca e Ambasadorëve në Londër i mbaroi punimet më 13 korrik 1913, e cila mori vendim mbi organizimin e shtetit shqiptar, duke e lënë Vlorën me gjithë Sazanin nën pushtimin e forcave greke. Prandaj dhe populli i drejtohet Ismail Qemalit:
“Fol, o Smail Be, me gojë!
Merre flamurin në dorë,
Ngule në Sazan e Vlorë”
(Kabash – Gramsh)
Në tetor të vitit 1914 ishullin e Sazanit e pushtojnë forcat italiane, dhe më 25 tetor 1914 dualën në Vlorë, ndërsa në dhjetor pushtuan gjithë rrethin e Vlorës. Dhe populli tregon:
“Ky Adriatiku ndjerë,
Pse s’bën valë këtë herë,
Valë, dallgë dhe furtunë?”
“Sepse Vlorën na e zunë,
Topat në Sazan i prunë,
Kundrejt Kaninës i vunë!”
“Ti Sazan e ti Kaninë,
Ku e kini bukurinë?
Pse nxini kaq nashtinë?
Sikur ju hodhë mavrinë?
A pse shihni Italinë?”
(Dhëmblan-Tepelenë)
Kur u mësua se edhe Konferenca e Paqes që i filloi punimet më 18 janar 1918 e la rrethin e Vlorës nën pushtimin Italian, shpëqrtheu Lufta e Vlorës, duke e hedhur ushtrinë italiane në det :
Piaçentini1) dha kumandë,
Kërkon Vlorën dhe Sazanë.
O burra, o shqipëtarë,
O burra t’u vëmë zjarrë,
Të mos mbetet Italian!
Oxhum përmi italianë,
Të marrëm Vlorë e Sazanë!
(Qeparo – Himarë)
1).Komandanti I forcave ushtarake italiane.
Megjithatë pushtuesit e mbajtën në dorë ishullin e Sazanit.
Gjatë kohës së Konferencëa së Paqes në Paris Esat Pash Toptani u thirr nga serbët në Paris, në funksionin e rremë të kryetarit të qeverisë kukull shqiptare, i cili pranonte që në Shkumbin e poshtë ta merrte Greqia, dhe në lumen Mat e lartë ta merrte Serbia. Si rrjedhojë, Esati u vra nga Avni Rustemi. Mirëpo, siç thotë edhe zakoni shqiptar që: “nipi qet pushkë për dajën”, Ahmet Zogu e vrau Avni Rustemin pas katër vitesh, më vitin 1924. Dhe populli i tha:
Ahmet Zog, o faqezi,
Vdiq Esati, u ngjalle ti,
Tradhëtar për Shqipëri.
(Kurvelesh)
Amanetin, thotë populli, nuk e tret as varri. Çlirimin e Sazanit e kishte lënë amanet edhe Avni Rustemi, prandaj dhe e vrau Esatin qysh në ditët e para kur filloi Lufta e Vlorës. Dhe populli u betua:
Këjo Vlora këtë herë,
Të madh e vuri veremnë,
Që kur vranë deputetnë,
Trim e madh, Avni Rustemnë.
Avni Rustemn’ na e vranë.
S’do t’ia lëm’ hakën pa marrë!
Avniu e tha një fjalë:
“Vlorë të ma bëni varrë,
Bashkë me ‘Smail Qemalë,
Të kem pëkrshi Sazanë,
Karaborun’ e limanë!”
(Dukat – Vlorë)
Në 2 korrik 1944 Komndanti i Përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, i dërgon këtë telegram urgjent Br.12S dhe Shtabit të Zonës I Operative : “Brigada XII do të zërë vëndin e Brigadës VI në sektorin Vlorë-Kurvelesh-Bregdet ashtu siç ka qenë disllokuar Brigada VI . . . Vlora dhe Karaboruni me Sazanin, qëndrojnë si kështjella të hekurta dhe kurrë nuk ka për t’i shkelur armiku” , dhe gjatë periudhës 1945-1990 ashtu u bënë për pjesës perëndimore të Shqipërisë.
U desh Sulmi heroik i Brigadës XII Sulmuese i UNÇSH më 15 tetor 1944 kundër forcave nazi-fashiste për çlirimin jo vetëm të qytetit të Vlorës, por edhe për çlirimin për herë të parë pas 144 vitesh, i ishullit të Sazanit, duke iu kthyer përfundimsht në posedim pronarit të saj, Shqipërisë.
Çështja e ishullit të Sazanit pas 80 vite të çlirim të tij u riaktivizua më 17 marsin e vitit 2024, në Mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Shqiptare, në të cilën u theksua si çështje kryesore, që ishulli i Sazanit t’i jepet një sipërmarrësi të madh amerikan, për të investuar në Sazan një projekt të mëdha elitar turistik. Porsa u njohëm me këtë vendim të Mazhorancës parlamentare, të cilin e miratoi edhe Opozita parlamentare me heshtjen e saj, nuk e shpjegojmë dot, pse na u kujtua kënga popullorë:
O moj Vlor’, e bukra Vlorë,
Me Sazan dorë më dorë,’
Vinë bota të shikojnë,
Kërkojnë të të zaptojnë.
(Lumi Vlorës)
Duke parë zhvillimet politike në Shqipërinë prej vitit 1990 deri sot, prej kur nisi shkatërrimi i të gjitha arritjeve progresive ekonomike – arsimore – kulturore dhe ushtarake gjatë periudhës 1945-1990: eleminimin e Forcave të Armatosura duke vënë në pikëpyetje sigurinë kombëtare; shkatërrimin e 810 veprave industriale; shkatërrimin e fermave bujqësore dhe mbi 500 rezervuare ujitjesh, bashkë me fermat blegtorale; nxitjen prej të gjitha këtyre qeverive të emigracionit galopant duke e çuar Shqipërinë drejt shpopullimit të plotë; marrëveshja me Italinë për sistemimin në Shqipëri të gjithë emigrantëve aziatikë e afrikanë që synojnë Evropën; përzgjedhja e kombësisë në regjistrimet e popullsisë; ndezjen e luftës ndërfetare; diskutimi i pronësisë për për Gjirin detar të Sarandës; çështjen e greqizimit të Himarës; krijimin e Ballkanit të Hapur dhe së fundi dorëzimin e ishullit të Sazanit dhe të Zvërnecit për resorse turistike të huaja, ndërkohë që kemi edhe biznesmenë të fuqishëm vendas etj., të cilat e bëjnë të besueshme profecinë e rilindasit Faik Konica, e bërë qysh në vitin 1923:
”Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se shqipëria – fjalë fatale – vdes, atëherë mund, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: Shqipëria u ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët.”