MSc. Adem Lushaj, drejtor i Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan
____
Manastiri i Deçanit në krye të së cilit qëndron “kleriku” politikan, Sava Janjiç, këto dy ditë lëshon apo shpërndan deklarata (komunikata) rreth zhvillimeve në Banjska të Zveçanit, ku kriminelët serbë sulmojnë zyrtarët e policisë së Kosovës, me ç’rast është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Në komunikatat e lëshuara nga Manastiri i Deçanit, në asnjë mënyrë nuk distancohen nga sulmet terroriste, pos asaj që shprehin ngushëllime për vrasjen e rreshterit Bunjaku, sikurse që shprehin ngushëllime për terroristët e vrarë. Në deklarimet e tyre për media, “klerikët” mundohen që t’a mohojnë faktin se në hapësirat e manastirit në Banjska, kishin gjetur strehim kriminelët në krye të së cilëve qëndronte Milan Radojçiç, sikurse që ishte gjetur armatim i shumtë i sjellë nga terroristët, prapa të cilëve padyshim qëndron shteti i Serbisë.
Sava Janjiç dhe kolegët e tij, me deklarata mundohen të amnistojnë Kishën Ortodokse Serbe, kinse nuk kanë të bëjnë me sulmet kriminale ndaj policisë së Kosovës, e aq më keq kur këto deklarime gënjeshtare, largohen (shlyhen) nga faqja e postuar.
Sava Janjiç, me qëndrimin e tij ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, dëshmon se nuk e njehë shtetin e Kosovës, të cilin e thirr “Kosovo i Metohia”!
Mos distancimi nga grupet terroriste dhe vendosja e tyre në tabor të njëjtë me institucionet e vendit, dëshmon se është pjesë e politikës kriminale të këtyre grupeve terroriste. Sava Janjiq është njeriu më i rrezikshëm në Kosovë i cili vepron dhe propagandon kundër shtetit tonë, shtet që nuk e pranon Janjiç.