Nga: Gjergj Kabashi, editor i portalit Drini
Atyre që janë pak më të moshuar sigurisht që iu kujtohet mirë se si pati filluar lufta në hapësirat e ish-Jugosllavisë, fillimisht në Slloveni, që nuk kishte si ti përkiste me asnjë pjesë territori Serbisë së Madhe të imagjinuar prej serbomëdhenjve, për të vazhduar në Kroaci në gushtin e vitit 1990 , kur filloj e ashtuquajtura “Balvan Revolucija” (Revolucioni i Trungjeve), që serbët lokal i vendosnin rrugëve për ta penguar qarkullimin e ushtrisë kroate, që pas një lufte të udhëhequr nga Slobodan Milosheviq e “JNA” në vijim, shumë shpejtë pushtuan hapësira të mëdha të Kroacisë dhe e krijuan të ashtuquajturën “Srpska Krajina”, të cilën pas disa vitesh Ushtria e Kroacisë së Franjo Tugjmanit e fshiu nga faqja e dheut.
Barrikada e parë me 17 gusht 1990 në rrethinat e Knin-it në Kroaci, që për një kohë e patën bërë edhe “kryeqytet” të “Srpske Krajine”. Sipas WikipediA kroate Balvan-Revoluciju kishte karakteristika të veprimtarisë terroriste nga individ dhe grupe të caktuara:
- pengohej qarkullimi i automjeteve dhe gjërave që barteshin,
- minoheshin rrugët,
- bëheshin vjedhja të armatosura,
- rrahje dhe vrasje si dhe,
- veprimtari të ndryshme kriminale
Në Bosnje lufta filloj gjoja rastësisht në një dasmë (pas një vrasje në atë dasëm) dhe ashtu u krijuar ajo që ishte menduar në rast të zhbërjes së Jugosllavisë, “Republika Srpska”, që më vonë u shndërrua në entitet të veçant, pasi e përgjakën mbarë Bosnjen e Hercegovinën, vranë me mijëra njerëz të pafajshëm në Srebrenicë etj.
Mali i Zi, të cilit ia kishin “ulur kokën” në vitin 1918 me zhbërjen e Kishës Ortodokse Malazeze dhe trashëgimisë mbretërore, në atë kohë ende vazhdonte të shihej si “Srpska Sparta”, dmth proserbe me diktim.
Por, kohërat ndryshuan: Bosnja mbeti një shtet i lënduar dhe me ardhmëri të pasigurt për shkak të krijesës gjenocidale “Republika Srpska”, ndërsa Kosova megjithëse e fitoj lirinë me shumë sakrifica e vuajtje të mëdha pas intervenimit të NATOS dhe luftës së UÇK-së, vazhdoj të mbetët një shtet që Serbia e udhëhequr nga Aleksander Vuçiç, ish ministri i informatave të Milosheviqit, nuk e lë të stabilizohet.
Mali i Zi , megjithëse shtet i pavarur tashmë, vazhdimisht tentohet të mbahet i destabilizuar dhe nuk lihet i qetë nga Kisha Ortodokse Serbe dhe BIA, (shërbimi sekret i Serbisë), ndërsa Kosova pengohet edhe për një gjë shumë legjitime për një shtet, reciprocitetin për targat.
Kurdo që ta shfletojmë e thërrasim në ndihmë memorjen tonë për këtë histori të trishtueshme, me siguri nuk mund të harrohet e lihet anash as “Jogurt Revolucioni” dhe “zgjimi i serbëve e malazezëve të vuajtur” të Kosovës!
Nuk mund të harrohet as shishja në “b… e Martiniviqit”, as “Gruaja Serbe me Pushkën në krah e fëmijën ngryk, që ashtu detyrohej të delte me punue në ara” nga Prekalla e “Metohisë!”. Për shkak të “zullumeve” të shqiptarëve, kuptohet!
Lista Serbe që është domosdo pjesë e cdo Qeveria të Kosovës pothuaj nga paslufta, edhe vazhdon që ta shfrytëzoi Kosovën, edhe nuk e njef atë, pasi njëherit kryen detyra për zhbërjen e saj që i merr nga kreu i shtetit serb.
“Revolucioni i kamionëve dhe automjeteve” të tjera që po përdoren si barrikada në pjesën veriore të Kosovës Sot , është kopja e i njet e “revolucionit” që ka ndodhur me barrikadat e “Balvan Revolucije” që nga gushti 1990 në Kroaci, pastaj nga Bosnja, dhe nga destabilizimi me popa serb i Malit të Zi sot.
Slobodan Milosheviç duke iu folur para luftës serbëve nga mbarë ish-Jugosllavija në tubimin e ashtuquajtur jubilar-historik në Gazimestan afër Prishtinës. Ai tubim njëherit ishte thirrje direkte për luftë e serbëve gjithandej që ta krijonin të ashtuquajturën Serbi e Madhe.
Ashtu sikurse ia nisën ta asimilonin me popa serbë e rus dikur, sidomos pas vitit 1918.
Ka komente e komente rreth gjendjes në pjesët veriore të vendit tonë, disa janë mendime tepër naive, të tjerat janë të cekta deri në padurushmëni, kurse të tjerat thirren në KFOR-in si garancën e sigurisë së kufinjve të Kosovës, që mund të jenë a të mos jenë të vërteta, pasi askush nuk e din saktësisht se se çka është duke u “zier” në kokën e kreut të Serbisë që edhe 31 vite pas luftës në Kroaci , e 22 vite pas mbarimit të detyruar të luftës në Kosovë, nuk pajtohen me “përuljen” e Serbisë, dmth., moslejimin e saj që sërish të luftoj e realizoj idenë e madhe serbe, qoftë me “Kosmetin” apo “Asociacionin e Komunave Serbe”, siç e mendon ajo që të jetë, pra një Serbi shumëkrenëshe, kuçedër serbomadhe brenda shtetit të Kosovës.
Janë shumë shqetësuese e kobndjellëse provokimet që u bëhen Policisë Speciale të Kosovës nga ana e gjoja të barrikaduarve serbë, të udhëhequr nga Lista Serbe dhe Serbia. Janë provokime të rënda e të hidhura që përgatiten në zyret e shërbimit sekret ushtarak dhe policor të Serbisë. Dhe jo vetëm të tyre, por edhe të shtetit që e trimëron Serbinë për ta ngacmuar apo për ti përgatitur parakushtet për ndërhyrjen luftarake në Kosovë. Kush e njef sado pak natyrën dhe historinë e provokimeve serbomëdha nga e kaluara dhe i ka parë videot e tashme se si provokohen e fyhen policët e Kosovës në deyrë sot, i kupton të gjitha këto.
Sulmet në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe në Zveçan, janë veprime të nxitura nga Serbia e sotshme, njejt si ajo e Milosheviçit para më shumë se dy dhjetëvitesh.
Jam mëse i bindur se në mesin e të barrikaduarëve ka shumë agjentë të BIA-s dhe ushtarak të Serbisë, madje edhe të Rusisë. Kush i ka shikuar videot ku shihen sjelljet provokative e luftënxitëse të të “barrikaduarëve”, gjërat i ka të qarta.
Në çdo shtet demokratik në botë barrikadimet e tilla me kamionë e mjete të tjera në rrugë, do të ishin larguar pa paralajmërim dhe ata që i vendosin do të përgjigjeshin para ligjit, por meqenëse kjo është një situatë tejet provokative dhe nxitje e qëllimshme e reagimit të policisë së Kosovës, duhet duruar sa më shumë që të jetë e mundshme megjithëse nuk është lehtë të durohen provokimet e tilla.
Megjithatë të durosh nuk do të thotë aspak që je i lig dhe i frikësohesh provokatorit, fyesit, luftënxitësit …
Qeveria e Albin Kurtit sigurisht që nuk mund ti zgjidh si me shkop magjik problemet që janë krijuar nga njerëzit që prej pasluftës krekoseshin se e kishin çliruar vendin, e që vet ata çlirimi faktik nga ana e NATO-s ua pati krijuar rrethanat dhe mundësitë që të merreshin me politikë pas luftës në vend.
Në emër të asaj krekosjeje dhe te meritokracisë që se patën, ata edhe e vodhën vendin, duke e pasuruar vetën dhe varfëruar popullatën.
Prandaj, jemi këtu ku jemi në të gjitha aspektet, për fat të keq edhe në raport me Serbinë që po rikthehet në skenë si sherrgjiu dhe luftënxitësja i njohur e viteve të ’80-ta, sidomos nga viti 1987 e tutje.
Krimineletët serbomëdhenj, nëse nuk ndalen nga ndërhyrjet dashamirëse ndërkombëtare, shihet që janë duke u kthyer në vendin e krimit …!
Politikani i hershëm i Kosovës Azem Vllasi, në librin e tij: Fillimi që nuk harrohet , ku i përshkruan ngjarjet e atyre viteve, pos tjerash thotë:
“Shërbimi i Sigurimit i Kosovës, dinte se Qosiqi privatisht kishte qenë në Fushë-Kosovë, pastaj edhe në Manastirin e Deçanit dhe se ishte takuar me të vetëquajturit “liderë” serbë të Kosovës. I këshilloi që t’i injoronin institucionet legjitime të Kosovës. I këshilloi të tuboheshin dhe të protestonin me rastin e çdo problemi apo eksesi ndëretnik dhe gjithmonë, pa marrë parasysh se çfarë dhe si ndodhte, ashtu që serbët të paraqiteshin si viktima. Serbët e Kosovës ishin trajnuar si të vepronin kundër udhëheqjes së Kosovës. Kishin marrë detyrë, por edhe mjete financiare, për t’i përmbushur këto kërkesa, që ekseset individuale t’i shfrytëzonin si arsye për të shkuar sa më shumë dhe sa më shpesh në Beograd, që atje të protestonin dhe të kërkonin të bisedonin me përfaqësuesit e pushtetit federativ, e më pak me përfaqësuesit e pushtetit republikan. Kështu duhej shtuar presionin e autoriteteve federative mbi udhëheqjen e Kosovës”.
Vučić: Samo Srpska lista okuplja autentične predstavnike srpskog naroda na KiM/ “Vetëm Lista Serbe i mbledh përfaqësuesit autentik të popullit serb në KiM”
A nuk po e injoron edhe Sot Lista Serbe cdo institucion të Republikës së Kosovës, megjithëse edhe vet “është pjesë e atyre institucioneve”?! …
A nuk po veprohet njësoj Sot nga Lista Serbe, madje edhe më hapur se dikur në provokime të rënda ndaj integritetit territorial të vendit, megjithëse Lista (e “jonë”) Serbe është pjesë e Qeverisë aktuale të Republikës së Kosovës, por që nuk ndalet nga provokimet dhe nxitja e së keqes me detyra të drejtpërdrejta nga udhëheqja e shtetit të Serbisë.
Kosova pandërpre duhet të mendoj për paqen, por njëherit Paqe do të thotë ruajtja me çdo kusht e mjet e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, cënimi i të cilit do të thotë Luftë.
Këtë luftë (Larg qoftë!) mund ta nxisë e nisë vetëm Serbia, shteti që ka nisur e nxitur shumë luftëra e krijuar aq fatkeqësi e tragjedi njerëzore deri tash, duke krijuar aq shumë tragjedi njerëzore në mbarë hapësirat e shtetit ish-jugosllav.
Sikurse dje, ashtu edhe Sot: Për hirë të Serbisë së Madhe!
Për serbomëdhenjt nuk ekzistojnë “të tjerët”, as Shqiptarët e Luginës së Preshevës, as banorët e Sanxhakut të Novi Pazarit.
Nga koha kur shembej e zhbëhej autonomia e Kosovës … Konflikti kishte zbritur në terren gjithandej Kosovës, por edhe në mes politikanëve serb e shqiptarë, sikurse që shihet në këtë foto, ku qartaz vërehet se Azem Vllasi dhe Slobodan Milosheviq grindeshin me njëri-tjetrin.
Milosheviçi në atë kohë i pati ngritë peshë serbët në Fushë-Kosovë e gjetiu me fjalimin e tij luftënxitës që ishte pararendës i luftërave që priteshin për krijimin e Serbisë së madhe, në mitingun e njohur të vitit 1987, përmes shprehjes së tij famoze, se: “Askush nuk guxon me u prekë!”, ashtu siç po vepron edhe më zi Vuçiç sot, i cili po vazhdon ta nxis Listën Serbe që ti zënë rrugët me kamionë e gjithfare pengesash, në mënyrë që ti krijohen lloj-lloj vështirësisë në lëvizje Policisë së Kosovës, me qëllimin dhe synimin e vetëm që të mos jetë ajo që e vendosë rendin dhe ligjin në atë pjesë të shtetit të Kosovës, por vetëm strukturat paralele të shtetit të Serbisë, disa të kamufluara edhe si “polici e Kosovës!”.
Nuk dua ta kundërshtoj askend që thotë se “luftë nuk do të ketë, se këtu e kemi KFOR-in”, por si ithtar i madh i paqes them se atë duhet ta ruajmë nga ata që e duan luftën.
Pengimi i luftës druaj se nuk varet fare prej nesh si popull, pasi jemi të provokuar me luftë brenda shtetit tonë nga ata që jo shumë larg në vite i shkaktuan gjithë ato luftëra në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Serbia as në atë kohë nuk i ka nisur luftërat pa qenë e mbështetur nga aleatët e saj tradicional, aleat që i ka edhe sot e kësaj dite.
Po aq sa është e mbushur me urrejtje ndaj shqiptarëve e Kosovës, po aq urrejtje ka ndaj atyre që e ndihmuan para 22 vitesh çlirimin e saj.