ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Jeronim De Rada – pararadhësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1814-1903) 

Shkrime relevante

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Hajgarja e vitit nga Qeveria: pensionistët e diskriminuar mbeten në harresë!

Nga: Zeqir Bekolli, Drenas ___ Qeveria këtë fundvit vendosi të bëjë një tjetër...

Shpërndaj

Don Lush GJERGJI 

Prejardhja dhe jeta  

“Stërgjyshët e mi qenë mbase pinjoj të Pietro Antonio Radës nga Arbëria” shkruan Jeronim De Rada në Autobiografi. 

Jeronim De Rada është poet dhe autor/publicist shumë i njohur. U lind në Makia të Kalabrisë mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të  asaj kohës… 

Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Rada nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat lashtësia e kombit shqiptar (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. 

 Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën “Flamuri Arbrit”, që botoi në vitet 1883-1885. Në “Testamentin politik” (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve.

Në veprimtarinë gjuhësore të De Rada duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe).  

Dha me vetmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq.

De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare; ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë dhe kudo shqiptarë bashkëkohës ishte i madh;. Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara veprat e tij kryesore. Mban titullin “Mësues i Popullit”  

Vepra dhe vlerat  

Biografia e tij numëron deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjera për nga gjinia, por tek të gjitha me damarin e krijimtarisë, me ndjenja të thella dhe burimore të patriotizmit të lartë, për t’i shfaqur kështu si “fragmente zemre”; ose “copëza zemre” , si armë në  fushë-betejë për të sfiduar armiqtë e  Shqiptarëve dhe të Shqipërisë, me një fjalë: për të qenë vetvetja!.  

Edhe atëherë kur për disa njerëz apo rrethana kishte ide shumë të errëta dhe të paqarta, mos të themi të dyshimta,  Jeronim De Rada ishte dhe mbetet tejet i shquar dhe shumë i dalluar, unik, si “pionier” i etnicitetit arbëror dhe shqiptar: 

  • si vazhdimësi e etnicitetit të më hershëm ilir dhe arbëror,  së pari nëpërmjet lashtësisë dhe autoktonisë, pra,  gjuhës, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë, pastaj edhe religjionit antik të krishterë prej Shën Palit dhe nxënësve të tij e deri në ditët tona;  
  • më pastaj kujtimeve të gjalla dhe shumë të fuqishme, frymëzuese kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit –   Skënderbeut dhe idealeve të tija për  rifitimit të lirisë dhe  pavarësisë, e, mbi të gjitha, rikthimi në qytetërimin e humbur apo edhe më qartë, të rrënjët  e lashta dhe të gjithmonë të gjalla. Thelbi i misionit dhe meritave të tija të pamohueshme janë këto: Jeronim  De Rada pas Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, imzot Pjetër Bogdanit, është vigani i historisë, kulturës dhe qytetërimit tonë ilir – arbëror dhe shqiptar, së pari për Arbëreshët e Italisë, pastaj edhe për të gjithë shqiptarët, në trojet e dikurshme etnike apo gjetiu. Kjo strategji dhe metodologji që t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, lashtësisë dhe autoktonisë, burimeve dhe frymëzimeve është gjithnjë e rëndësishme  dhe tejet aktuale. 

Qortimi i tij profetik: O Shqiptarë, perandoria turko – otomane është një “cofëtinë” e madhe, e cila po mbaron, por nëse ne e lidhin fatin tonë me ata, atëherë ne do të hyjmë për së gjalli në varr me ata!!! 

Atë Zef Valentini,  thotë se Jeronim De Rada e “nxori” prej varrit të robërisë dhe rrezikut të asgjësimit gjuhën, traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë të lashtë dhe aktual. 

Me rastin e marrjes së çmimit “Jeronim de Rada” më 15 nëntor 2014,   për jetën dhe veprimtarinë e tij Ismail Kadareja thotë “…jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin evropian që letërsia shqipe ishte duke e humbur…De Rada ishte poet i madh dhe profet i së ardhmes”.  

Ishte studiues i mirëfilltë dhe hulumtues i palodhshëm, gjithnjë në kërkim të mënyrës dhe formave të reja gjuhësore dhe përmbajtësore. Ajo çka mund të themi me siguri është fakti se me  shkrimet dhe poemat e tij ai s’ndihej kurrë plotësisht i kënaqur, pavarësisht se ishte i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë për diçka të madhe. Ja pse shumica prej tyre, edhe pse të ripunuara shpesh, mbetën për të në gjendjen e tentativave të pakënaqura asnjëherë. 

DISA POROSI JETËSORE TË JERONIM DE RADËS:  

De Rada thoshte: “Në një shoqëri të organizuar, për të mirë, për kombin, për shtetin, njeriu ndihmon dhe ndihmohet nga të tjerët, në një rreth ku lulëzon dija dhe nderi”, duke theksuar se: “Ky organizim niset nga individi dhe shkon nëpër shkollat, në familje dhe arrin deri në shtet”. Prandaj, sipas Jeronim De Radës: “Shteti është organizëm që udhëhiqet nga ligjet (drejtësia), si shtresë e parë e jetës shoqërore, shtresë që shkon tej jetës së brendshme dhe individuale të njeriut”. Ai në mes të tjerash thoshte: “E mira dhe e keqja  janë si jeta dhe vdekja, janë dy skaje stabile ndërmjet të cilave lëviz dhe paraqitet bota trupore dhe ajo shpirtërore”. 

De Rada së shpejti u nxitë që të botojë synimet, kërkesat, dëshirat, planet, aspiratat e kahershme të popullit tonë, si dhe të kohës përmes revistës “Fiamuri Arbërit” apo “La Bandiera Albanese”. Përmes kësaj reviste mujore mund të thuhet se ka origjinën zanafilla e shtypit shqiptar.  Ai përmes saj i bëri të njohur Evropës se ekziston një popull shqiptar me histori të lashtë dhe të lavdishme, martire, një gjuhë dhe tradita të forta, si parakusht që të  mund të aspironte pa frikë lirinë dhe pavarësinë e vendit të vetë, pra, edhe shtet-formimin si garanci e ruajtjes dhe zhvillimit të autoktonisë dhe lashtësisë, por edhe si përballje të suksesshme me batica dhe zbatica aktuale. 

 Gazeta “L’Albanese d’Italia” qe një tribunë e fuqishme që kërkonte ringjalljen e atdheut të robëruar dhe pavarësinë e tij, ai merr përsipër të organizojë dy Kongrese Linguistike Arbëreshe, një më 1895, dhe një në 1897. 

Jeronim de Rada e arriti kulmin e krijimtarisë së tij në vitin 1866 kur botoi në Firence “Këngët e Milosaos”. Ky libër përmban rapsoditë më të bukura shqiptare, të cilat autori i kishte mbledhur në kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Napolit. Këto këngë i patën sjellë me vete të shpërngulurit (arbëreshët) dhe u transmetuan gojë më gojë nga brezi në brez për katër shekuj. Pa të gjithë kjo begati dhe trashëgimi do të rrezikohej përgjithmonë.  

Jeronim de Rada ishte mësues, botues, folklorist, filolog, poet dhe shkrimtar italo–shqiptar – arbëresh , themelues  dhe në një mënyrë edhe paraardhësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.  Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore, jo vetëm për ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare, me këtë, kuptohet edhe të vetëdijes dhe ndjenjës së përkatësisë së përbashkët gjithë-shqiptare.  Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen e tij, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë.  

Në vitin e revolucioneve në Evropë, 1848, De Rada themeloi gazetën Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), ku u përfshinë artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, me karakter ‘politik, moral e letrar’ e me një tirazh prej 3200 kopjesh ishte i pari periodik në gjuhën shqipe i botuar ndokund.  

Emri i Jeronim  De Radës si katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare u bë i njohur dhe u përhap në mesin e shekullit XIX. Ai mbajti letërkëmbim me figura të tilla udhëheqëse të lëvizjes së Rilindjes si Thimi Mitko, Zef Jubani, Sami Frashëri,shkrimtaren rumune me prejardhje shqiptare Dora d’Istria, si dhe me studiues dhe shkrimtarë të huaj të interesuar për Shqipërinë.  

I mërzitur nga ngjarjet e vitit 1848, De Rada e la botimin e gazetës Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), iku nga Napoli dhe u kthye në Shën Mitër për të dhënë mësim në shkollë. Atje arriti të përfshijë gjuhën shqipe në programin mësimor, por më 1853, për shkak të bindjeve politike liberale, u pushua nga puna.  

Më 1850 u martua me Madalena Melikion (Maddalena Melicchio) nga Kajberici (Cavallerizo) me të cilën pati katër fëmijë: Gjyzepe, Mikelangjelo, Rodrigo, Etore. Që të katër vdiqën sa qe gjallë poeti. Këto ishin vite të vështira  dhe tejet të pikëllueshme për De Radën. Më vonë i vdiqën gruaja dhe vëllezërit, ndërsa ai jetoi i vetmuar në fshatin e tij malor të Kalabrisë, pa ndonjë burim të ardhurash, pra, në vetmi dhe në varfëri.  

Në një çast dëshpërimi, asgjëson të gjithë përmbledhjen e këngëve popullore që i kishte mbledhur me dëshirë të flaktë vit pas viti. Më 1868 mori detyrën e drejtorit të shkollës së mesme të Garopolit në Koriliano Kalabro, detyrë kjo që do ta mbante për dhjetë vjet. Gjatë kësaj periudhe u shtypën një numër veprash të tjera të tij, pjesa më e madhe në italisht. 

I vetmuar dhe i varfër, gjysmë i verbuar e në prag të urisë, De Rada vdiq në vendlindje në malësinë e Kalabrisë më 28 shkurt 1903 – një fund tragjik ky për një figurë të madhe të kulturës shqiptare. Mirëpo vepra e tij nuk do të vdesë kurrë

“Skënderbeu i pafaan”, një nga kryeveprat e De Radës, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës. Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse. 

Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe, t’i takonte, afronte dhe bashkonte principatat arbërore – shqiptare për formimin e shtetit të vogël që i bëri ballë për 25 vite perandorisë së madhe turko-otomane. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. Skënderbeu i pafat është kryevepra e De Radës në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut të asaj kohe. 

De Rada mbetet poeti që hodhi themelet e letërsisë me të vërtetë artistike arbëreshe, dhe dha një ndihmesë të madhe për tërë letërsinë  tonë kombëtare. Ai qe i pari që ngriti në art epokën e lavdishme të Skënderbeut. Duke pasqyruar “Motin e madh”, kohën e “Skënderbeut”. De Rada hodhi kushtrimin për luftë të armatosur kundër zgjedhës osmane. Ai është njëkohësisht i pari që çeli traditën e mbështëtjes së letërsisë arbëreshe në poezinë popullore. De Rada qe edhe lëvruesi i parë i poemës epiko-lirike, i novelës në vargje dhe i poemës epike. Gjithashtu ai ka meritën që lëvroi deri diku poemën shoqërore, ndonëse nuk i kuptonte deri në fund kontradikatat klasore. Poeti ka simpati për njerëzit e thjeshtë, pasqyron me dhembje mjerimin dhe shfrytëzimin, ka besim të madh te njeriu dhe te mundësitë e tij, megjithatë deri diku ndikohet nga fatalizmi dhe misticizmi, që vende-vende ia dëmtojnë krijimtarinë nga ana ideore, madje edhe estetike dhe letrare.  

Në thelb vepra e De Radës i përket romantizmit përparimtar, një romantizmi veçanërisht origjinal, që nuk i këndon vetëm të jashtëzakonshmes, por zbulon edhe poezinë e së zakonshmes. De Rada është mjeshtër i stilit të përmbledhur dhe tepër shprehës, i përdorimit të figuracionit, që dallohet për freski dhe ndikim të fortë emocional. Gjuha me të cilën shprehet De Rada, është e pasur, por disi e errët, ndoshta edhe e “tkurrur”.  

Shumë dorëshkrime dhe letërshkëmbime janë humbur, por De Rada kishte lidhje me njerëz të shquar të kohës së tij. Po i përmendi vetëm disa: Dora D’Istria, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Pal Dodaj, Bernardo Belotta dhe shumë të tjerë. Letra me përbajtje atdhedashurie dhe porosi kombëtare, por edhe letrare, u kishte drejtuar: Vaso Pashë Shkodranit, Zef Jubani dhe tjerëve. 

Si përbyllje: Jeronim De Rada ishte vegimtar, përparimtar, njohës i mirë i së kaluares, njeri me mend dhe me zemër i angazhuar për kohën dhe hapësirat arbëreshe dhe shqiptare, “profet”, lavërtar dhe kolos për zbulimin, ruajtjen, mbajtjen dhe zhvillimin e “gjakut të shprishur”, që hapi horizonte, përspektiva, rrugërrëfime së pari për Arbëreshët e Kalabrisë dhe Sicilisë, pastaj edhe më gjerë, për të gjitha viset tona ilire, arbërore dhe shqiptare, dhe si i tillë ka dhënë frymëzim dhe motivim për breze të tëra dhe në vazhdimësi. 

Prishtinë – Llapushnik, 18 qershor 2023                                                     

Bibliografia për Reronim De Radën: 

  1. Marchianò, Michele, L’Albania e l’opera di Girolamo de Rada, Trani, 1902. 
  1. Gualtieri, Vittorio, Girolamo de Rada poeta albanese, Palermo: Sandron, 1930. 
  1. Kastrati, Jup, Jeronim de Rada | Jeta dhe veprat, Tiranë, 8 nëntor 1987. 
  1. Zeqo, Moikom, De Rada | Rishpikja e Arbërisë: sprovë kritike për një lexim të ri. Tiranë, 2014. 
  1. Kodra, Klara, Erdhi dita e Arbrit, Erik, 2000. 
  1. Opera Omnia, në përkujdesje të Prof. Francesco Altimari, 12 vëllime, katedra e albanologjisë, Kozencë, 2005 – 2018. 

Botime përkujtimore:  

Shêjzat VIII, 1964, 7-10: 217-460. 

Studime 21/2014: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. Në 200 – vjetorin e lindjes së Jeronim De Radës. Tryezë shkencore, 21 nëntor 2014. 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu