ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Jeta e papa Benediktit XVI (2005-2013)

Shkrime relevante

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Hajgarja e vitit nga Qeveria: pensionistët e diskriminuar mbeten në harresë!

Nga: Zeqir Bekolli, Drenas ___ Qeveria këtë fundvit vendosi të bëjë një tjetër...

Shpërndaj

Don Lush Gjergji, Prishtinë

Koncili II i Vatikanit:                             

                            Papa Benedikti XVI (2005-2013) 

                                           JETA 

Kardinali Joseph RATZINGER, papa Benedikti XVI u lind në Marktl të Bavarisë më 16 prill 1927, të Shtunë e Madhe, dhe po atë ditë ishte pagëzuar. Shugurohet meshtar më 29 qershor 1951 së bashku me vëllain e madh Don Georg Ratzinger. Në vitin 1953 ka doktoruar teologjinë themelore mbi Shën Augustinin. Nga viti 1957 ishte profesor i teologjisë fondamentale, ndërsa gjatë Koncilit të Dytë të Vatikanit, teolog i kardinalit të Mynihut Josepf Frings, pastaj edhe teolog dhe ekspert i teologjisë së bashku me Henry De Lubac, Jean Danielou, Yves Congar, Edwar Schillebeeckx, Hans Kung e shumë të tjerë. 

Emërohet ipeshkëv më 27 mars 1977, dhe kardinal më 27 qershor 1977. Emërohet Prefekt i Kongregatës për Mësimin e Fesë në Romë gjatë viteve 1981-2005. 

Ishte Kryetari i Komisionit për përpilimin e Katekizmit të Përgjithshëm të Kishës Katolike gjatë viteve 1986-1992. 

Zgjidhet Papë më 19 prill 2005 dhe e mori emrin Benedikti XVI. 

Ka shkruar dhe shpallur këto enciklika: 

·        “Deus caritas est” – Zoti është dashuri, 2006;

·        “Spe salvi” – Të shpëtuar me shpresë, 2007;

·        “Caritas in veritate” – Dashuria në të vërtetë, 2009. 

Papa Benedikti XVI është një ndër teologët më të famshëm të Kishës katolike, studiues dhe shkrimtar shumë i frytshëm. Gjatë pontifikatit ka botuar trilogjinë mbi Jezu Krishtin: 

·        Jezusi i Nazaretit, 2007;

·        Jezusi i Nazaretit. Nga hyrja në Jerusalem deri te ngjallja, 2011;

·        Fëmijëria e Jezusit, 2012. 

Më 11 shkurt 2013 Benedikti XVI dha dorëheqje na shërbimi papnor në Selinë Apostolike nga 28 shkurti 2013.

ENCIKLIKA “CARITAS IN VERITATE” 

Papa Benedikti XVI në vitin 2009 e shpalli enciklikën “CARITAS IN VERITATE” (Dashuria në të Vërtetën), duke iu bashkangjitur kështu shtyllave dhe mësimit të Kishës për çështje aktuale shoqërore në botën e sotme. 

Struktura e kësaj enciklike është kjo: 

Hyrja (1-9);

Kreu i parë: Porosia e “Populorum Progressio” (10-20);

Kreu i dytë: Zhvillimi njerëzor në botën tonë (21-34);

Kreu i tretë: Vëllazëria, zhvillimi ekonomik dhe shoqëria civile (35-42);

Kreu  katër: Zhvillimi i popujve, të drejtat dhe detyrat, ambienti (43-52);

Kreu i pestë: Bashkëpunimi i familjes njerëzore (53-67);

Kreu i gjashtë: Zhvillimi i popujve dhe teknika (68-77);

Përfundimi (78-79). 

Papa Benedikti XV në enciklikën “Caritas in Veritate” e bën rivlerësimin e enciklikës së Palit VI “Populorum Progressio” në kontekstin e Traditës dhe të Fesë së krishterë jo vetëm për çështje apo tematikë shoqërore, por si tërësi vlerësimi dhe mësimi e porosisë së krishterë (Khs. CV 10). Këtë e bënë në kontekstin dhe rëndësinë e Koncilit të Dytë të Vatikani (KDV), sidomos të “Gaudium et Spes” – Gëzimi dhe Shpresa. 

E tërë Kisha, në tërë qenien dhe veprimin e saj, kur shpallë, kremton dhe vepron në dashuri, synon promovimin integral të njeriut” (CV 11). 

Pa prizmën e fesë, jetës me pasion “zhvillimi njerëzor në këtë mënyrë mbetet pa frymëmarrje” (CV 11). 

Mu për këtë Papa Benedikti XVI ndër të tjera haptas dhe qartas thotë: “Ungjilli është elementi themelor i zhvillimit, sepse në atë Krishti, duke zbuluar  dashurinë e Atin dhe dashurinë e tij, zbulon në plotësi edhe njeriun njeriut” (CV 18). 

Mungesa e vëllazërisë së përgjithshme është shenjë që pa fe dhe jetë të krishterë s’ka as barazi, vëllazëri, thirrje tashendentale – të matanshme  të Zotit për njeriun (Khs. CV 19). 

Në kreun e tretë të enciklikës “Carias in Veritate” flitet për vëllazëri, për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror civil, ku njeriu është dhuratë, dhe si i tillë duhet të jetë i solidarizuar me të tjerët, pa të cilët s’ka drejtësi shoqërore. “Logjika e tregut” e shndërron njeriun në mjet, në vegël, në mall, pa “vetëdije morale dhe përgjegjësi personale dhe shoqërore” (CV 36). 

Mungesa e vetëdijes morale, shpirtërore dhe fetare e degradon njeriun aq shumë sa që e bënë atë pa vlera dhe pa virtyte, rrezik për vetveten dhe për të tjerët. 

Çdo vendim ekonomik ka ndonjë pasojë të karakterit moral” (CV 37). Këtë e thoshte shumë bukur edhe papa Gjon Pali II kur në “Centesimus Annus” që kishte theksuar nevojën e një sistemi me tri subjekte: tregtia, Shteti dhe shoqëria civile” (CV 38). 

Përse duhet kjo? “Për qytetërimin e ekonomisë” sipas nevojës dhe kërkesave të njeriut dhe të kohës (Lexo: CV 39-42).

Papa ndër të tjera rreth globalizimit shkruan kështu: “Globalizimi është një fenomen shumëdimensional dhe polivalent, që kërkon të praktikohet në të gjitha dimensionet e llojllojshmërisë dhe të bashkimit, si dhe në aspektin teknologjik. Kjo do ta mundësojë të jetohet dhe orientohet globalizimi i njerëzimit në terminet e racionalizmit, të bashkësisë dhe të bashkëndarjes” (CV 42).

Aty ku mungojnë të drejtat dhe detyrimet, respekti dhe zbatimi i tyre, pa dyshim shkohet kah arbitrarizmi, si formë e vrashtë dhe jonjerëzore e mbrojtjes së vetvetes, apo të sulmeve ndaj të tjerëve (Khs. CV 43).

Që ekonomia të jetë vërtet njerëzore, në shërbim të njeriut, të familjes dhe të shoqërisë, “ajo ka nevojë, pra, për etikë për funksionimin e saj të drejtë, jo për çfarëdo etike, por për etikën mike të personit” (VC 45).

Pa një etikë të mirëfilltë ekonomia, nëpërmjet saj edhe shoqëria, është në rrezik, siç shohim gjithnjë dhe kudo, me rrënimin e ambientit, njeriut, familjes dhe shoqërisë.

Papa BenediktiXVI insiston: “e vërteta dhe dashuria nuk mund të prodhohen, mund vetëm të pranohen. Burimi i tyre i fundit nuk është, nuk mund të jetë njeriu, por Zoti, Ai i cili është e Vërteta dhe Dashuria” (CV 52).

Zhvillimi ekonomik s’mund të jetë pa njerëz, pa politike dhe ekonomi e cila synon dhe vepron për të mirën e përbashkët (Khs. CV 71).

Përfundimi i papës Benedikti XVI është i mrekullueshëm: “pa Zotin njeriu nuk di ku shkon dhe nuk e kupton kush është…”Pa mua s’mund të bëni asgjë” (Gjn 15, 5)… Humanizmi i cili e përjashton Zotin është humanizëm jonjerëzor…” (CV 78).

“Zhvillimi ka nevojë për të krishterë me duar të hapura kah Zoti në gjestin e uratës, të krishterë që janë të lëvizur nga vetëdija që dashuria e plotë me të vërtetën, caritas in veritate, prej të cilës rritet zhvillimi burimor, nuk prodhohet prej nesh, por na dhurohet” (CV 79).

Vlerësimi thelbësor e kësaj enciklike nuk është aspak i lehtë dhe mund të jetë edhe i njëanshëm dhe cungues. Sipas leximit dhe vlerësimit tim të thjeshtë mund të them kështu:

·        Enciklika Caritas in Veritate thekson mjaft mirë dhe bindshëm njeriun, zhvillimin dhe përparimin e tij integral dhe solidar, elemente këto që gjenden po ashtu edhe në enciklikën e Papës Pali VI “Popoulorum Progressio”.

·        Teknokracia disi ka zëvendësuar ideologjitë dhe rrezikon njeriun modern, sepse e shndërron atë në mjet pune, fitimi, teknicizmi, si vegël për t’i sunduar apo “blerë” të tjerët në të ashtuquajturin “tregun e lirë”.

·        Globalizimi gjithsesi na afron me të tjetër, sepse janë procese që gjithnjë e më shumë përhapen, pranohen, bëhen pjesë e jetës dhe e veprimeve tona, por fatkeqësisht nuk na vëllazëron, sepse ekonomia botërore, me këtë edhe shoqëria, është në krizë të madhe.

·        Zhvillimi njerëzor nuk është shpërndarë kudo në botë në mënyrë të njëjtë por ka krijuar shumë dallime dhe diskriminime, aq sa ekonomia është bërë mjeti modern i sundimit, shfrytëzimi, kushtëzimit. Pa një ekonomi solidare, njerëzore dhe vëllazërore, s’ka përparim. Prandaj edhe vetë titulli i jep të drejtë dhe primat Dashurisë mbi të Vërtetën dhe vetëm të dyja së bashku kanë mjete për zhvillim dhe emancipim të njeriut dhe të shoqërisë.

·        Pra, në qendër të vëmendjes është njeriu;

·        Në qendër të jetës është dashuria;

·        Në qendër të kërkimit është e vërteta;

·        Në qendër të veprimit është solidariteti;

·        S’ka ndarje mes Dashurisë dhe të Vërtetës.

 

PAPA BENEDIKTI XVI DHE SHËN NËNA TEREZE

Papa Gjon Pali II kishte një nderim, admirim dhe bashkëpunim të veçantë me Shën Nënën Tereze. Ajo pati ndikuar që ky Papë vërtet i madh të ishte edhe miku dhe përkrahësi i Kishës dhe Popullit Shqiptar në  shumë kushte dhe rrethana.

Këtë drejtim dhe orientim e ka  pasur edhe papa Benedikti XVI i cili në disa raste edhe botërisht e ka lavdëruar Nënën Tereze duke e paraqitur atë si shembull jete dhe dëshmitare  bindëse të dashurisë së krishterë. 

Në enciklikën e parë të tij “Deus Caritas est” (Hyji është Dashuri) Papa shkruan kështu për Nënën Tereze: “e Lumja Nënë Tereza e Kalkutës është një shembull shumë i dukshëm i faktit se koha që i kushtohet Hyjit në lutje jo vetëm nuk e dëmton efektshmërinë dhe zellin e dashurisë për të afërmin, por në realitet është burimi i pashterëshëm i saj. Në letrën e saj me rastin e Kreshmeve të vitit 1996 e Lumja shkruante kështu; “Ne kemi nevojë për këtë lidhje intime me Hyjin në jetën tonë të përditshme. E si mund ta sigurojmë? Përmes lutjes!”.  (Benedikti XVI, Hyji është Dashuri, Letra enciklike mbi dashurinë e krishterë, Nën kujdesin e Argjipeshkvisë Shkodër – Pult, Qershor 2006, nr. 36, f. 98). 

Më 16 dhjetor 2007, e diela e III-të e Ardhjes Benedikti XVI ndër të tjera tha: “gëzimi i krishterë buron nga kjo siguri: Zoti është afër nesh, është me mua, është me ne, në gëzime dhe në pikëllime, në shëndet dhe në sëmundje, si miku ynë besnike… 

E Lumja Nëna Tereze e Kalkutës a nuk ishte ndoshta dëshmitarja  e paharrueshme e gëzimit ungjillor në kohën tonë? Ajo jetoi për çdo ditë në lidhje me mjerimin, degjenerimin e njeriut, me vdekjen. Shpirti i saj e ka njohur sprovën e natës së errët të fesë. Megjithatë, ajo iu ka dhuruar të gjithëve buzëqeshjen e Zotit. 

Në një shkrim të saj lexojmë: “ne e presim me pa duresë parajsën, ku është Zoti, por ne kemi mundësi të jemi në parajsë qysh tani sa jemi në këtë botë, shi nga ky çast. Të jemi të lumtur në Zotin domethënë: të duam si do Ai, të ndihmojmë si ndihmon Ai, të dhurohemi si dhurohej Ai” (La gioia di darsi agli altri, Ed. Paoline, 1987, fq. 143). 

Po, gëzimi depërton në zemrën e atij që  vihet në shërbim të të vegjëlve dhe të varfërve. Kush dashuron kështu, Zoti banon në të, shpirti i tij është në gëzim…” 

Papa Benedikti XVI më 4 janar 2008 e vizitoi shtëpinë e Misionareve të Dashurisë  “Dono di Maria”  (Dhurata e Marisë), të cilën Papa Gjon Pali II para 20 viteve ia kishte dhuruar Nënës Tereze në Vatikan, para Sallës së Audiencave “Pali VI”, për t’i pranuar dhe strehuar të varfrit e Romës, ata që nuk kanë as kulm mbi kokë. 

Kjo shtëpi-strehimore pranon në ditë deri në 100 vetëve, disa edhe për bujtje  apo për kërkim të punës dhe për çështje tjera, për një kënd sigurie dhe dashurie në botën anonime që shpesh i përbuzë të mjerët, sidomos botën femërore. 

Edhe ky gjest dëshmon bindshëm sa Papa Benedikti XVI çmonte jetën dhe veprën e Nënës Tereze dhe dëshminë e dashurisë së krishterë të Misionareve të Dashurisë, si dhe të varfrit. 

Me këtë rast ai ndër të tjera  i tha fjalët e Nënës Tereze: “Është Krishtlindje sa herë i krijojmë Jezusit mundësinë t’i dojë të tjerët përmes nesh”. 

Dhe vazhdoi kështu: “vite të tëra, kur isha Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kam kaluar shumë orë të mia afër  këtij institucioni të merituar, që e ka dëshiruar paraardhësi im, Shërbëtori i Zotit Gjon Pali II, i cili ia ka besuar këtë të Lumes Nënës Tereze të Kalkutës… 

Kushdo që trokit në derën tuaj merr si dhuratë nga Maria pritjen me krahë të hapur nga ana e motrave dhe e vullnetarëve…Uroj që ky stil i dashurisë ungjillore ta vulosë e ta dallojë gjithnjë thirrjen tuaj në mënyrë që, përpos ndihmës materiale, t’iu komunikoni atyre që i takoni për dite, të njëjtin zjarr për Krishtin, që gjallëroi gjithnjë jetën e Nënës Tereze…” 

Papa Benedikti XVI e  kishte përfunduat këtë vizitë me këto fjalë: “kjo shtëpi e ka një emër të bukur “Dhurata e Marisë”, dhe na fton të gjithëve, në fillim të vitit të ri, ta dhurojmë jetën tonë pa kurrfarë lodhje”. 

Papa në dorëheqje Bendekti XVI ndërroi jetë dhe qetë kaloi në amshim më 31 dhjetor 2022. Fjalët e tij të fundit ishin: Jezus, të dua, ndërsa me dorë të tij i shkroi këto fjalë: nuk po vdes, por po shkoj në takim! 

DISA VLERËSIME PËR PAPËN BENEDIKTI XVI

“Vetëm Zoti e di vlerën dhe fuqinë e ndërmjetësimeve të tija, të flijimeve të tija për të mirën e Kishës.”

(Papa Françesku) 

“Benedikti XVI ka qenë një Papa i madh në kryerjen e shërbimit të tij me çiltëri dhe të madhe. Ai gjithmonë ka mbetur i thjeshtë…Trashëgimia e tij do të ketë ndikim në madh në të ardhmen.” (Kardinali Reinhard  Marx, argjipeshkëv  i Munihut dhe Freissingut) 

“Vdekja  e Papës Benedikti XVI do të mbesë e paharrueshme për popullin italian.”

(Sergio Matarella, Presidenti i Italisë) 

“Papa Benedikti XVI ishte gjiganti i fesë dhe arsyes… Një i krishterë, një bari, një histori e madhe e cila kurrë nuk do të harrohet.”

(Giorgia Meloni, Kryeministre e Italisë) 

“Ishte njeri i kujdesshëm ndaj tjetrit, plot dashuri për bashkimin e Kishës, tejet i angazhuar për zbatimin e Koncilit të Dytë të Vatikanit.”

 (Matteo Zuppi, argjipeshkëv i Bolonjës dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Italisë) 

“Papa Benedikti XVI ishte teolog i jashtëzakonshëm i cili tërë jetën ia ka kushtuar Kishë.”

(Joe Bidenm Presidenti i SHBA-së) 

“Mendimet e mia janë me katolikët e Francës dhe të mbarë botës…Ai ka punuar për një botë më vëllazërore me shpirtin e tij inteligjent…”

(Emanuel Macron, Presidenti i Francës)

Prishtinë, 2 janar 2023                                                     

 Prishtinë, 25 korrik 2023  –  Radio Maria – Kosovë

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu