Zef Chiaramonte, Palermo
“Ogni diritto e imperio nostro sia, pertanto, sempre comune con te e i tuoi, niente sia da te diviso, niente seperato. Sia la potestà del regnare fra noi entrambi eguale, con pari bilancia e proporzione.”
Ferrante I d’Aragona, Re di Napoli e di Sicilia a Giorgio Castriota
Një pasdite qershori të vitit 1819 popullsia e Horës së Arbëreshëvet dolli nëpër rrugë e frikësuar nga tingëllimi i jashtëzakonshëm i kambanës së Kishës së Shën Vidit e vetmja kishë latine në Horë (SCHIRÓ, 1923, C). Njerëzit të shqetësuar e pyetnin njeri-tjerin se çka kishte ndodhur. Burrat më të shpejtë e gjetën famullitarin latin pranë kambanares, i cili me gjithë fuqinë që kishte e lëvizte lartë e poshtë tërkuzën e kambanës së madhe.
Çë streksi (ç’ndodhi), Zo’?
- Sosi, sosi ! Sot e para ngë kemi më grekë e latinë.
- Nga çë thua, urata jote, grekë e latinë kanë klënë çë nga qroji i (koha e) Kostantinit.
E pra… ç’i hin kjo kambanjatë: gratë e fëmijët janë trëmbër
skuna hirën Turqit!
- Ju e thom edhe një herë: çë sot e para ngë kemi më ne arbëreshë e ne litinj!”1
Ku ishte shkaku i ngazëllimit kaq të madh të këtij prifti dhe çka donte të thoshte se më nuk do të ketë arbëreshë e litinj?
Edhe pse prifti i kësaj kishe ishte jo-arbëresh (pra, latin ose liti), ai fliste patjetër arbërisht si edhe besimtarët e tij, sepse litinjtë që imigronin dhe vendoseshin te horët2 arbëreshe, perhere kanë mesuar te flasin arbërisht, si edhe sot e kësaj dite.
Pra, per sa i përket përdorimit të gjuhës së komunikimit të përditshëm në mjediset arbëreshe gjithmonë ka qenë përdorur arbërishtja. Ndryshonte vetëm gjuha e Meshës, qe për arbëreshët ishte greqishtja dhe për litinjtë latinishtja
Kjo e tregon qartë ndarjen e banorëve të kolonive arbëreshe në dy kategori: në një anë Arbëreshët, që i gëzonin të drejtat e sankcionuara me marrëveshjet e ashtuquajtura Kapituj (LA MANTIA, 1904) qysh nga fillimi i ardhjes së tyre në Sicili dhe të rinovuara shumë herë (zakonisht pas çdo ndryshimi të feudalit apo të dinastise mbretërore), dhe në anën tjetër, Litinjtë të cilët gjithmonë janë konsideruar si ardhacakë.
Pasi litinjtë, si ardhacakë, erdhën më vonë në mesin e Arbëreshëve, ata nuk kishin të drejtë të ushtronin funkcionet zyrtare dhe përfaqsuese të komunitetit, sepse këto të drejta ishin të rezervuara dhe të garantuara vetëm Arbëreshëve qysh në fillim kur u vendosën këtu.
Por, si të vertetohej nëse dikush i takonte njërës palë apo tjetrës, përderisa të gjithë flisnin arbërisht dhe i vetmi dallim ishte riti kishtar3?
Arbëreshët, nen patronazhin dhe mbrojtjen e Selise se Shenjte, ata vazhduan ta ruajnë ritin lindor, dhe ta ushtrojnë shërbesën e shenjtë arbërisht4.
Duke qenë se edhe ardhacakët e huaj që vendoseshin në mjediset arbëreshe, bashkë me gjuhën i merrnin edhe shumë tradita tjera arbëreshe, atëherë e vetmja mënyrë për t’i dalluar ishte Dëftesa e Pagëzimit e cila jo vetëm se dallohej sipas ritit, por bartëte edhe disa implikime tjera…
Pikërisht këtu qëndron edhe shkaku i ngazëllimit të famullitarit të kishës litire të Horës së Arbëreshëvet. Pas kater shekujsh, rrëzimi i sistemit feudal dhe ardhja në fuqi e ligjit të ri mbi krijimin e komunave, i bëri të barabartë litinjtë me arbëreshët!
Prandai, prifti latin gëzohej se njëherë e përgjithëmonë do të pavarësohej nga kryeprifti arbëresh, kurse besimtarët e tij do ta fitonin të drejtën e votimit pasiv dhe aktiv në zgjedhjet e komunës së re të posalindur.
Në fakt, Mbretëria e Dy Sicilive, e krijuar në vitin 1734 me renditjen e Mbretërisë së Napolit dhe Mbretërisë së Sicilisë si union dinastik i Borbonëve, e kishte shpallur Ligjin Organik mbi krijimin e Komunave5, pasi që në vitin 1812, baronët sicilianë ia kishin dorëzuar mbretit të drejtat e tyre feudale, dmth. administrimin e vendbanimeve.
Ky ligj, i cili së pari kishte hyrë në fuqi në Mbretërinë e Napolit, më 1 janar 1818 u shtri edhe në tokat e Mbretërisë ultra Pharum, dmth. në Sicili, ku u aplikua gjithandejna, duke u ballafaquar me traditat e ndryshme lokale eksistuese, shumë të ngulitura te popullsitë e ishullit dhe sidomos te vendbanimet arbëreshe.
Me këtë ligj, shthurej në mënyrë përfundimtare piramida feudale e ndërtuar nga Normanët qysh kah mesi i shekullit XII, kur pas një lufte të gjatë me emiratin arab të Sicilisë, përfundimisht e pushtuan ishullin më të madh të Mesdheut dhe e shpallën shtet të pavarur të vetin.
Normanët me politikën e tyre ekuidistante ndaj Bizantit dhe Perandorisë së Shenjtë Romake, e fituan titullin e Mbretit të Sicilisë nga duart e Papës së Romës. Kështu ata do ta ushtrojnë pushtetin e tyre mbi tere popullatën siciliane e cila perbehej prej tri etnish:
– greko-bizantinët, ku përfshiheshin edhe një bukur numër
arbërish nga epoka e fundit e shtetit bizantin, atëherë kur
Tema e Italisë, me Sicilinë, ishte në duar të Arbërve
(Shqiptareve) të cilët e administronin atë prej Durrësi, në
kuadër të isopolitisë me greket (Anna Komnena)
– arabo-muslimanët si trashëgimi e emiratit të dikurshëm;
– latinët si përbërje e popullësive të ardhura me Normanët.
Oborri mbretëror i Normanëve ishte i përbërë nga personalitete të perziera6 dhe ushtronte një tolerancë shembullore, për të cilën flasin shumë autorë të kohës, sidomos udhëtarët arabë te udhëpërshkrimet e tyre.
Edhe sot, shumë objekte religjioze dhe rezidencat mbretërore normane si edhe bibliotekat e Krahinës Autonome Siciliane ruajnë mbishkrime, platé dhe kodikë të zbukuruar me vizatime e miniatura, të shkruara në tri gjuhë: greqisht, latinisht dhe arabisht, kurse në një pllakë mermeri e gjejmë edhe hebraishten7.
Në krye të piramidës së këtij shteti, sikurse te të gjitha shtetet tjera feudale, qëndronte mbreti, si zot e kryezot.
Por në Sicili vepronte edhe një Parlament i përbërë nga një krah ushtarak dhe një kishtar, dmth. nga baskluftëtarët e familjes mbreterore, Altavilla, në njerën anë, dhe nga eprorët kishtarë nga ana tjetër.
Krahu kishtar ndahej në ipeshkëvi – të cilat u zëvendësuan menjëherë nga Normanët me elementin latin kundrejt elementit grek – dhe në manastire e arkimandri, pothuajse të gjitha të përbëra nga elementi grek, si trashëgimi i krishtërimit të mëhershëm bizantin në Sicili.
Midis krahut ushtarak dhe atij kishtar, Normanët i kishin zgjedhur qytetet më të rëndësishme si pronë personale të mbretit dhe të mbretëreshës, duke e krijuar të ashtuquajturin Demanium, si pronë shtetërore.
Pozita juridiko-shoqërore e këtyre qyteteve, me privilegjet që gëzonin, me kulturën që lëvronin, me aparatin e Senatit të qytetit, etj., ishte shumë largë nga pozita ku ishin katandisur komunitetet agrare feudale: universitates ose terrae, dhe ku ushtroheshin gjithnjë angaritë e zakonshme mesjetare, ku tatimet paguheshin dyfish – edhe për feudalin edhe për oborrin mbretëror – ku nuk gëzohej asnjë e drejtë kundrejt obligimeve të shumta që i ngarkoheshin popullatës dërmuese, ku ai pakë ndriçim kulturor vinte, kur vinte, vetëm nga Kisha …
Pasardhësit e Normanëve: Svevët, Anxhuinët, Aragonezët nuk lëshuan pe nga shfrytëzimi i situatës ashtu siç e kishën trashëguar.
Qenë pikërisht Arbëreshët, në kohën e Aragonezëve, që e cenuan, edhepse tërthorazi, status quo-në juridiko-shoqëror të komuniteteve agrare në Mbretërinë e Sicilisë.
Ardhja e Arbëreshëve në masë dhe në mënyrë të organizuar, nga njëra anë krijoi benefite të kënaqshme për vendin i cili kishte nevojë për krah pune dhe për bujqë-ushtarë në shërbim të mbretit kur ky të kishte nevojë, kurse nga ana tjetër, ata ia dhanë grushtin e parë sistemit feudal, përmes pozitës së tyre të veçantë juridike, duke pretenduar:
- nënshkrimin notaril i marrëveshjeve midis feudalit dhe përfaqësisë arbëreshe;
- rrefuzimin e angarive;
- administrimin vetëqeverisës lokal, me zgjedhjen e zyrtarëve, siç ishin: përfaqësuesit e popullit, pra juratët, kapedani, mastro-noteri, bajuli, arkivari, kryeprifti dhe vikari kishtar; që të gjithë vetëm nga radhët e arbëreshëve e jo nga jashtë;
- priftërinë e garantuar arbëreshëve për ushtrimin e shërbesës së shenjtë të krishterë sipas ritit të tyre, që nuk përkonte me atë të popullsive përreth. Me kohë u pranua edhe prifti latin për popullsinë joarbëreshe që erdhi e banoi me ta.
Nga këto premisa del se:
- popullsia arbëreshe e Sicilisë ishte shumë kompakte, qofshinë himarjotë, epirotë, çamë apo koronezë;
- krerët (qefalitë) e tyre vazhduan së vepruari në mënyrë shembullore, kurse priftëria nuk del kurrë në pah dhe e merr fjalën vetëm për shërbesën e shenjtë, duke respektuar epitropinë laike sipas traditës kishtare lindore.
- tradita kishtare arbëreshe, pra, me gjuhën greke që përdorte në liturgji, e pati vënë në spikamë këtë popullsi të re në Sicili, në rend të parë për shkak të rëndësisë që iu kushtonte gjuhëve klasike Humanizmi dhe Renesansa.
– mënyra e ndërtimit të vendbanimeve arbëreshe, të qytezave të
tyre, stili dhe struktura e tyre ndikuan në ndërtimin e të
ashtuquajturve Qytete të reja ne Sicili8 , pa mure rrethuese dhe
me elemente mbrojtëse më moderne.
- një status juridiko-shoqëror jo më stricto sensu feudal, por i gërshetuar me elemente demaniale. Kjo ndodhi më se miri aty ku Arbëreshët ishin strehuar, në shtete feudale të krahut ekleziastik, siç ishte Monreale. Këtu arbëreshët patën mundësi të themelojnë kisha, spitale, shkolla, etj, dhe të ngrejnë stemën e vet, me tre kallinj ose me shqiponjën dykrenare, gjithnjë me shkresën S.P.Q.A.= Senatus Populusque Albanensis.
Ishte studjuesi anglez Denis Mek Smith (1971, ff. 245-246, 269) i pari që i pat shënuar pasojat e shkaktuara sistemit feudalo-mesjetar sicilian vendosja e organizuar e Arbëreshëve, në veprën e tij Storia della Sicilia medievale e moderna. Por atij, dhe shumë të tjerëve, u mungoi “koordinata e nisjes”.
Si është e mundur që një grup të ikurish, pa asgjë në dorë, të ketë pasur fuqinë për të gërvishtur një sistem aq të lashtë dhe me rrënjë shumë thellë të ngulitura?
Për ta kuptuar si duhet fenomenin, duhet pasur të qartë jo vetëm koordinatën siciliane, ashtu siç e kemi sintetizuar këtu, por edhe koordinatën e traditës dhe të vendit prej nga erdhën arbëreshët.
Cili ishte bek raundi i tyre? Me çfarë kapitali historik dhe me çfarë traditash vinin ata nga vendi i tyre dhe çfarë përvojë sillnin nga shteti i tyre modern siç e kishte ndërtuar Skënderbeu me rrjetin e tij aq të shtrirë diplomatik? Sa njohuri dhe përvojë kishin përvetësuar në shërbim të Venedikut, qoftë si ushtarë stradjotë, qoftë si përgjegjës të fortesave në More?9 Sa ndikoi mbi sistemimin e tyre përkujdesja e perandorit Karli V dhe e Papatit?
Ndërlidhja e këtyre koordinatave ka munguar deri vonë, dhe prandaj historiografia mbi Arbëreshët e lëvruar nga arbëreshë dhe shqiptare, mbetet ende shumë e mangët, ngase studjuesit shqiptarë nuk ishin dhe nuk janë shumë te njoftuar me realitetin historik të Sicilisë (perkatesisht edhe te Kalabrise e te krahinave te tjera ku ka Arbereshe) dhe evoluimin e tij, kurse studjuesit arbëreshë nuk i kanë njohur mirë rrethanat shoqërore e kulturore të prejardhjes.
Duhet shtuar edhe faktin se në qasjen joshkencore të historjografisë mbi Arbëreshët ka ndikuar jo pakë edhe ideologjia komuniste e Shqipërisë dhe Kosovës nga e cila u ndikuan deri diku edhe vetë Arbëreshët.
Ndoshta Shqipërisë i nevojitej propaganda për të shpallur sistemin komunist enverjan si më të mirin edhe në mesin e Arbëreshëve në Itali? Ndërkaq që Jugosllavia titiste jepte verzionin e korruptimit të gjakut, kinse Arbëreshët, duke praktikuar endogamin me martesa gjithnjë brenda grupit etnik të vetin – gjë absolutisht jo e vertetë – tashmë janë të sëmurë dhe të çmendur!
Më vjen mirë të kujtoj këtu, dhe të vë në pah, kontributin e çmuar që kam përfituar nga vëllimi i dytë i Historisë së Popullit Shqiptar botuar para një dekade nga Akademia e Shencave të Republikes së Shqiperisë, aty ku një grup historianësh me vlerë dhe talent e kanë sqaruar si kurrë më parë situaten e Arbëreshëve para egzodit.
Duke u vendosur në Sicili, Arbëreshët vazhduan t’i gëzonin të drejtat qytetare edhe gjatë sundimit spanjoll, duke i dhënë shoqërisë së kohës përfaqësues nga rradhët e veta në të gjitha fushat dhe në postet më të larta, majde edhe deri te Inkuizicioni!10
Megjithatë, periudha më e lulëzuar për Arbëreshët ka qenë ajo e dinastise të Burbonëve (1734-1860).
Arbëreshët apo Shqiptarët e konsideronin shtetin borbon si të tyrin. Ne fakt:
- Rexhimento Real Maçedone, pra garda mbretërore, ka qenë e përbërë vetëm me shqiptarë dhe arbëreshë;
- rritja e ekonomisë krijoi edhe tek arbëreshët një shtresë borgjeze të pasur, e cila, me rastin e zhvendosjes së selisë mbretërore nga Napoli në Palermo, si pasojë e veprimeve napoleonike, e përshëndeti ngjarjen duke e zëvendësuar kurorën simbolike te brezi i belit i zonjave arbëreshe me kurorën mbretërore burbone (CHIARAMONTE, 2007);
- Arbëreshëve iu dhanë dy kolegje studimesh të rangut universitar: në Kalabri dhe në Sicili;
- iu dhanë, po ashtu, dy ipeshkëvi të veçanta, ndërsa tradita kishtare e arbëreshëve ishte mbajtur në konsideratë te veçante ne te dy kryeqytetet, në Napoli ashtu si në Palermo.
Thelbi i krejt kësaj, pra mënyra arbëreshe e vëtëqeverisjes, mori fund pikërisht me Ligjin Organik mbi lindjen e Komunave që ua hoqi arbëreshëve privilegjet e mëparshme dhe i çoi ata në buzë të rënies, pasi bashkë me humbjen e privilegjeve, edhe ekonomia e tyre u dobësua.
Ligji, vërtetë e gëzoi tejet mase priftin e kambanës, por
Arbëreshët, duke ia kthyer shpinën Burbonëve, praktikisht e prenë degën në të cilën rrinin!
Shteti i bashkuar italian, për të cilin arbëreshët patën merita të mëdha, me barazinë e tij moderne si postulat i demokracisë, i la mënjanë veçoritë e Arbëreshëve, kështuqë ligji i ditëve tona mbi mbrojtjen e gjuhës-pakicë, pa asnjë kujdesje drejt situatës ekonomike, na del porsi fleta e fikut që mbulon boshllëkun.
(rielaborim i kumteses se mbajtur ne Prishtine gjat punimeve te Seminarit XXIII Nderkombetar per Gjuhen Letersine dhe Kulturen Shqiptare, viti 1913)
zef.chiaramonte@yahoo.it
BIBLIOGRAFIA
CHIARAMONTE, Zef. Sinodi i 2004-it i Kishës Arbëreshe dhe çështja e gjuhës në liturgji In: Universiteti i Prishtinës- Fakulteti i Filologjisë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare:23/1, Prishtinë, 2004, ff.123-128.
CHIARAMONTE, Zef. Simbole të krahasuara te brezi arbëresh i nuses. In: Universiteti i Prishtinës-Fakulteti i Filologjisë, Seminari Ndëkombëtar per Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare: 26/1, Prishtinë, 2007, ff. 117-128.
CITTÀ NUOVE DI SICILIA: XV XIX SECOLO, a cura di Maria Giuffrè. Palermo: Vittorietti, 1979.
COLLEZIONI DELLE LEGGI E DECRETI DEL REGNO DELLE DUE SICILIE. Napoli, 1817
CUSA, Salvatore. I diplomi greci e arabi di Sicilia. Palermo,1881.
KARPAT, K. Gli Stati balcanici e il nazionalismo: l’immagine e la realtà. In: <Quaderni Storici>, v.84, n.3, ff. 678-425.
LA MANTIA, Giuseppe. I Capitoli delle Colonie greco – albanesi di Sicilia dei secoli XV e XVI. Palermo: Stabilimento tip. Gianni, Trapani, 1904.
RENDA, Francesco. Storia della Sicilia dalle origini ai nostri giorni. Palermo: Sellerio, 2003
RUSSO, Lia. La Martorana: la chiesa di S. Maria dell’Ammiraglio a Palermo. Palermo e São Paulo: italo-latino-americana Palma, 1969.
SCHIRO’, Giuseppe. Canti tradizionali ed altri saggi delle Colonie Albanesi di Sicilia. Napoli, 1923.
SCIAMBRA, Matteo. Indagini storiche sulla Comunità greco-albanese di Palermo. Grottaferrata: tip. Italo-orienale S. Nilo, 1963.
SCIASCIA, Leonado. Morte dell’inquisitore. Milano: Adelpphi, 1964.
SMITH, Mc Denis. Storia della Sicilia medievale e moderna, Bari: Laterza,1971.
____
Me gezim,dhe vemendje ,e lexova kete dokument shkrimi,per historine arbreshe,i nderuari prof.Zef Chiaramonte,zevendes i gjalle i Skenderbeut .Zoti ju ruejt,Zoti e ruejt gjith token Arberore ne Itali,qe e ruajti kombin shqipetar,jo vetem ne rrethet e ngushta arberore,po ne mbare popullin e rruzullimit tokësoŕë.Ju falemnderit, rrofshi perjetë.