Përgatiti: Agim Morina, Londër
“Këtû do të permendet njerí i famshëm i kangëvet serbe, Millosh Obiliqi (ase Kobiliqi, Kobiloviqi apor edhe Kopiliqi), ai qi mbyti Sulltan Muradin. Si mbas Jircçekut, këta ndodhi para se të niste lufta. Natën perpara, si e difton punen Hammer, ishin shtrue katërmbëdhetësh Lazri i Serbis e shokë tjerë në tryes e natyrisht po i çojshin, gotat tue i u falë njâni tjetrit. Lazri, ndoshta njatý mbasi e kishte pasë shpikë ndoj gotë mâ teper se nevoja, i falet Milloshit me këto fjalë: «Çoje gotën, Millosh, me shndet e me zemër të mirë e me jetë të gjatë, edhe pse je i paditun si trathtár!» — «Të falem nderit» — po i a dredhë Milloshi — «dita e nesres ká me qitë në shesh a jam trathtár a por jo». Duket se disa smirëzez e kishin pasë paditë Milloshin te Lazri per trathtár. Milloshi, per të dhanë nji provë të besnikís së vet, çohet në nade e nget në llogor të Turqvet, tue e paraqitë veten si nji t’arratisun e qi ká per të prû njî lajm të randsishem per Sulltanin. Roja e len me kalue e percjellë të Sulltani. Milloshi bán kinse po ulet në gjùj e po don me i puthë kambën Sulltanit, por pa pritë pa kujtue xjerrë shishín e i a ngulë Sulltanit në bark. Milloshi mundohet me hikë, por e mbyti rrethi Sulltanit, mbasi edhe ai pat mbytë disá të rojës, Natyrishi ngjau per do minuta nji pështjellim n’anën e Turqvet, deri sa princi trashigimtar Bajezidí, shumë i urtë e energjik, vûni rend e rregull e kështù lufta mujti me u zhvillue e me marrë përfundimin në favor të Turqvet. Lazri, princi i Serbís, e nji morí prej oborrtarësh e bujarësh serbë kjén xânë ròb prej Gjeneralit Sarixhe, e me urdhën të Bajezídit u kje pré kryet të gjithëvet para kufomës së Muradit. Ndokush thotë se Sulltani enè nuk pat dhanë shpirt, kur ranë në dorë Lazri e shokët e tij e se prandej kje Sulltani vetë qi dha urdhnin t’u u pritëte kryet Serbvet atý për atý nder sý të tij.
Mejherë mbasi pat marrë lufta fund, kthei Bajezidi n’Edrene e shkoi edhe n’Azi të Vogel, për të vû per fije punët e fronit mbretnuer, qi i rá per hise ashtû papritmas në lâmë të luftës.
Prá, dy protagonistët e kësaj lufte së famshme në historín e Ballkanit, si Sulltani i Turqvet si edhe Lazri i Serbís, kanë mbetë dekun jashta luftet. Gjithashtû edhe MilIoshi ká rá dekun para se të niste lufta. Ká asish qi thonë se Milloshi u dá prej rreshtavet të vet, mbasi pat fillue ndeshja e ngau drejt te Sulltani, tue e paraqitë veten ashtú si u shkrue sypri.
Si thám, kje njí ças i luftës kúr krahi i rrmaktë i ushtrís turke u zmbrap e kje atëherë qi nder rreshta të Lazrît u brohorit fitim e lajmi i u dha mejherë krajlit të Bosnjes, qi ishte në krah tjeter. Ky, per pá pritë sonin e luftës, e dergoi lajmin e fitores n’Europë, kû njimend kje festue si nji fitore e krishtênë kundra Tuqvet. Edhe nji arsye tjeter, pse këjo luftë pat kenë dukë në fillim si fîtore e krishtenë kundra Turqvet, kje fakti qi Sulltani i ri Bajezidi u ritirue me ushtrî të veten mejherë mbas luftës; por na e pám se arsyeja, pse ai do t’u ritironte ishte me vû per fije punët e fronit mbretnuer, i cili mund do t’ishte në rrezik prej anmiqsh së mbrendshem, qi ka mujtë me pasë Bajezidi.
Aso here Europjanët, të rrêjtun prej lajmit të marrun prej krajlit të Bosnjes e prej ritiratës s’ushtrís turke, paten kujtue se lufta u dá me fitim të të Krishtênëvet, por në realitet luftën e fituen Turqët e ata u ritiruen mbasi paten dermue ushtrín e krishtênë. Me thyemjen e kësaj ushtrije, ku merrshin pjesë, posë Serbëvet, Boshnjakëvet e Shqiptarëvet, edhe reparte bullgare, vllehe, polake e ungareze, u dá fatí i Slavëvet të Ballkanit, qi ndejtën q’atherë e deri në shekullin XIX-të nen zgjedhën turke.
Bernardin Palaj në poemin e vet «Ndermjet të Shen Gjergjavet» — njî novelë ilire — ká dy rreshta, kû thohen këto fjalë:
«Janë Gjomarkajt, shpí e parë,
Dera e atij qi preu Milloshin».
Në fund te fjala Milloshi ká Palaj ket notë: «Në vjetë 1912, tue pvetë Princ Marka Gjonin, bashkë me do tjerë të Gjomarkaj permbí lidhjën e tyne me familjen e Dukagjinvet, pat mirsín me më diftue, se familja e tyne rrjedhë prej Pal Dukagjinit, e se Gjon Marku, nji t’familjes së Dukagjinvet të Prizrendit, kje ni qi mbyti Millosh Obiliqin në Fushë të Kosovës» (Shif HYLLI I DRITES, 1938, faqe 404!). Mund të jetë qi Mirditast kanë kenë n’anë e Turqvet në ket luftë, me gjithëse mbas të gjitha gjasësh aso kohe enè nuk ishin të njoftun me ket êmen, por ishin të pershimë nen êmnin Dukagjin. Por se kush kje aî qi mbyti me dorë të vet Milloshin, vetë enè nuk kam mujtë me e gjetë, Milloshi, mbasi i nguli thikën Sulltanit, pat provue me hikë, si thám syprî, por roja e Sulltanit i u vû mbrapa e mbyti. Po, kje, se rojen e Sulltanit e kanë pasë aso kohe Mirditast, ateherë atëherë mund të jetë kollaj qi shi princi i tyne t’a ketë mbytë Milloshin. Të shkrueme e të dokumentueme s’e kam gjetë deri tash kurrkund ket gjâ përposë se në notën e syperme të Bernardin Palaj. E e besoj se ndoj dokument të shkruem nuk do të kenë pasë as ata qi e informuen Palaj në vj.1912. Po kje ndoj lexues, qi din mâ gjatë e mund të na o prevojë ket fakt me ndoj dokument, atëherë të vêhet e të shkruej ndoj artikull në ndoj gazetë.
Sá per vete drue shumë, se Mirëditast, tue pasë pasë rasë me mbytë shpesh herë kësi Milloshash nder lufta të shumëta qi ata bân krah per krah me Turq, i a kanë pershtatë Milloshit të famëshem të Fushës së Kosovës ndoj gojëdhanë tjetër të tyne.”
(Pjesë nga artikulli botu në L’Albania Libre”, 1958)
Publikimi: A.M. 2021