ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Jusuf Gërvalla demaskon Ibrahim Kelmendin, për 5 prillin 1981 dhe jo vetëm!

Shkrime relevante

Shpërndaj

Nga Sheradin Berisha
___
Përshëndetje Ibrahim Kelmendi
Mbrëmë rreth mesnatës ma kishe dërguar një shkrim me titull: “5 PRILL 1981” me porosinë:
“UROJ ta publikosh ne PASHTRIK.
Ndërkohë që në portalin DRINI.US ky shkrim është botuar me titullin: “Për një grindje me bashkëveprimtarin Sheradin Berisha, që ma kontestoi rrëfimin për takimin me Kadri Zekën me 5 prill 1981”
E lexova dhe më bëri përshtypje parashtrimi i këtij shkrimi! Në parashtrim ke shkruar:
“Duke u grind me ish-bashkëveprimtarin Sheradin Berisha (pronarin e portalit PASHTRIKU), ai për herë të parë kontestoi rrëfimin tim për takimin me Kadri Zekën që e kam pas më 5 prill 1981, ose sepse, sipas Sheradinit, nëse vërtet ka ndodh, ajo datë do të duhej të vlerësohet si datë e themelimit të Lëvizjes për Republikën e Kosovës. Qysh kur Sheradini e bëri atë lloj spekulimi (diversiv), po mendohesha, nëse vërtet marrëveshja e 5 prillit 1981 për të filluar me demonstrata të përbashkëta në Perëndim, ishte bashkimi i tri organizatave “ilegale” që po angazhoheshin për çlirimin e Kosovës.”
Ibrahim, pastaj mendimi i shkrimtarit Sulejman Mato: “Modestia e tepruar është kulmi i mendjemadhësisë”, të paska shtyrë të reflektosh dhe rrjedhimisht ke gjetur “kuraje për reflektim ndaj atyre zhvillimeve”. Ndonëse për këto zhvillime (për 5 prillin etj.), ke shkruar shumë herë, madje duke e trajtuar në mënyra dhe kohë të ndryshme!
Sidoqoftë nga ky parashtrim kërkoj sqarim, sepse 83 miqve të etiketuar (për lexim) nuk iu ke sjellë asnjë citim nga shtjellimi im, për të pasur realisht një pasqyrim se si e kam bërë (me çfarë referenca) “kontestimin” për “takimin tënd të 5 prillit 1981 me Kadri Zekën”. Për më tepër “kontestimin” tim e kishe cilësuar si “spekulim diversiv”!
Rrjedhimisht në parashtrim ke nxjerrë një përfundim interesant, se, “sipas Sheradinit, nëse vërtet ka ndodh, ajo datë do të duhej të vlerësohet si datë e themelimit të Lëvizjes për Republikën e Kosovës.”. Kjo tregon, se ti kije një imagjinatë kreative!
Historiani dhe filozofi i Romës antike, Ciceroni (106 p.e.s – 43 p.e.s) ka thënë: “Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën”. Ndërkaq shkrimtari dhe filozofi zviceran, Henri Frederic Amiel (1821 – 1881) ka një thënie epike: “E vërteta nuk dhunohet vetëm nga gënjeshtra, ajo mund të poshtërohet edhe nga heshtja.” Prandaj me këtë rast nuk dua të heshti!
Tani kërkoj prej teje,
1. të sjellësh para lexuesve të kësaj teme, kontestimin tim të plotë (atë spekulimin diversiv) ndaj rrëfimit tënd për takimin e 5 prillit 1981me Kadri Zekën në Zvicër!
Shëndet e gëzime!
Ndërkohë Ibrahimi më shkruan: “Po ta le, paraqite publikisht ti kontestimin që ma ke bërë, sepse unë nuk kam vullnet me e kërkua si e ke formulua Ti”.
Mirë Ibrahim, meqë ti nuk kije vullnet me bë një gjë të tillë, po e bëjë unë prezentimin e kontestimit të “5 prillit 1981”!
***
Jusufi demaskon Ibrahimin!
JUSUF GËRVALLA, MË 13 MAJ 1981: TË GJITHA MARRËDHËNIET ME PËRFAQËSUESIN E “BASHKIMIT”, IBRAHIM KELMENDIN – I KAM NDËRPRERË!
Ibrahim Miran Kelmendi
Jo një herë ke shkruar se, më 3 prill 1981 me “kërkesë” të Jusuf Gërvallës ke shkuar në Zvicër për ta takuar Kadri Zekën, për të biseduar lidhur me organizimin e demonstratave në perëndim dhe ky takim sipas kujtesës tënde ka ndodhur më 5 prill, (pas dy ditë pritjeje në librarinë e zviceranit komunist, Beat Schaffer), aty ku e kishte adresën gazeta “Liria” e shokut Zeqë!
Por letërkëmbimi i Jusuf Gërvallës me Sabri Novosellën, (nga 14 prilli 1981 e deri më 14 janar 1982), dëshmojnë se, Jusuf Gërvalla qysh në janar 1981, kur doli numri i fundit i gazetës “Bashkimi”, i kishte ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me Ty dhe rrjedhimisht bashkëpunimi gjatë demonstratave të mbajtura në Perëndim (prill – korrik 1981) ka shkuar vetëm përmes shokut të “Lirisë” Kadri Zeka! Tani nuk e kuptoj si ka mundur të të dërgoj Jusufi Ty në Zvicë (më 3 prill 1981) te Kadri Zeka, kur ai tre muaj më herët (në janar) i ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet e bashkëpunimit me ty?! Rrjedhimisht duke u bazuar në këtë dëshmi (dhe jo vetëm) Jusuf Gërvalla të ka demaskuar Ty!
Në vijim po i referohem letrave të Jusuf Gërvallës.
Në letrën e 13 majit 1981 (në kulmin e demonstratave që po organizoheshin në shtetet e Europës) Jusuf Gërvalla lidhur me organin “Bashkimi” dhe udhëheqësin e “FKP” në perëndim (Ibrahim Kelmendin) Sabri Novosellës i shkruan (citoj):
”Sa për organizatën e bashkuar rreth organit “Bashkimi”, më duket se pak dobi mund të ketë nga iniciativa për bashkim e bashkëpunim me ta. Së paku për sa shihet te udhëheqësi i kësaj organizate në botën e jashtme, (Ibrahim Kelmendi – shën.im) nuk ekziston përshtypja për organizim të mirëfilltë dhe as për ndonjë organizatë të fuqishme numerikisht. Megjithatë, po ta shihni ju të arsyeshme, ndoshta do të mund të realizohej mundësia që shokëve të Lëvizjes në Kosovë t`u jepet lidhja me përfaqësuesin e “Bashkimit” në Kosovë. Megjithëqë, për sa kam mundur të marr vesh, atje, në radhët e kësaj organizate, apo ndoshta në qendër të saj, ndodhet një njeri i dyshimtë (i UDB-së-shën.im), njëfarë Blakaj, që punoka në Entin e Sigurimit Social në Prishtinë. Sa për mua unë njëherë për njëherë, pas numrit të fundit të “Bashkimit” (janar 1981 – shën.im) të cilin ta kam dërguar, të gjitha marrëdhëniet me përfaqësuesin e tij të këtushëm (Ibrahim Kelmendin -shën.im) i kam ndërprerë.”
(Burimi: Jusuf Gërvalla – Letër Sabri Novosellës, 13 maj 1981; botuar: Faridin Tafallari, Dhimbje krenare, Tiranë 1998, faqe 115-116)
***
JUSUF GËRVALLA, MË 31 KORRIK 1981: BASHKËPUNIMI ME IBRAHIM KELMENDIN GJATË DEMONSTRATAVE NË PERËNDIM KA SHKUAR PËRMES SHOKUT TË “LIRISË”, KADRI ZEKA!
Ibrahim Miran Kelmendi
Jusuf Gërvalla marrëdhëniet e ndërprera me Ty, të cilën e thekson në letrën e 13 majit 1981, e përsëritë fuqishëm edhe në raportin e 31 korrikut 1981, dërguar Komitetit të Degës së LNÇKVSH “Hasan Prishtina” në Turqi.
Ndërsa ti Ibrahim në libra, shkrime dhe kumtesa “shkencore”, ke ricikluar super gënjeshtrën se, gjoja më 3 – 5 prill 1981 me kërkesën e Jusufit ke shkuar në Zvicër për ta takuar Zeqën – Kadri Zekën, për të filluar organizimin e demonstratave në perëndim, në mbështetje të demonstratave gjithëpopullore në Kosovë. Ndërkohë që Jusuf Gërvalla në letrat e tij shkruan se me ty – nga janari 1981, i ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet bashkëpunuese me Ty!
Jusufi në raportin e 31 korrikut 1981 (në kohën kur kishte përfunduar organizimi i demonstratave në perëndim), fillimisht shkruan për njohjen me ty, nip i kujt je, për qortimin që ia kanë bërë atij (JG) ambasada shqiptare në Vjenë pse rrinë me ty (sepse ata të mbanin ty prej kohësh larg), për ndërprerjen e marrëdhënieve me ty (qysh në janar 1981) dhe se bashkëpunimin me ty gjatë demonstratave të mbajtura në Perëndim e ka bërë përmes shokut të “Lirisë”, Kadri Zeka.
Jusufi saktësisht në këtë raport shkruan:
“Me përfaqësuesin e Frontit të Kuq Popullor, Ibrahim Kelmendin, jam njohur në janar të vitit 1980. Më ka sjellë për t’ia korrigjuar disa artikuj të përgatitur për gazetën “Bashkimi” dhe më ka propozuar që të shkruaj edhe unë për këtë fletushkë. Pasi e kisha lexuar numrin e saj të parë qysh në vendlindje dhe e dija se gazeta bie në duar të popullit, bile në një gjendje jo të lakmueshme e pashë të arsyeshme t’i përgjigjem pozitivisht për propozimin dhe konkretisht fillova me bashkëpunimin. (…) Është nip i një agjenti me zile të UDB-së, i quajtur Ramë Nikçi ose Ibërdemaj, punon në postën e Pejës. (…)
Shokët e Vjenës (të Ambasadës Shqiptare -shën.im) e mbajnë larg. Bile, kur njërit prej këtyre shokëve, i cili më qortoi pse rrija me I. K., i thash se është një njeri që imponohet me këmbëngulje dhe unë, si shqiptar, nuk mund ta përzë nga shtëpie ime, ky m’u përgjegj fjalë për fjalë kështu: “Ia paske frikën, prandaj s’e përzen si qenin!”
Ka disa muaj që i kam ndërprerë marrëdhëniet me të. Kur takohemi rastësisht flasim, por punë të përbashkëta nuk kemi. Bashkëpunimi me të gjatë demonstratave të mbajtura në Perëndim ka shkuar përmes shokut të “Lirisë”.
Kështu e kam parë unë të arsyeshme të veproj, duke marrë për bazë vrojtimet e parashtruara më sipër si dhe disa anë negative në sjelljen elementare të I. K., që herë duken agjamillëk, herë djallëzi të thella.”
(Burimi: Jusuf Gërvalla – Raport Komitetit të Degës së LNÇKVSH “Hasan Prishtina” në Turqi, më 31 korrik 1981)
***
IBRAHIM, ÇKA ËSHTË KY MISHMASHI (*) NË LIBRAT: “ATENTATET”, “LËVIZJA …”, “GJURMË DHE FËRKEM” DHE JO VETËM…?!
Ibrahim Miran Kelmendi
Përpara se t’ia bëje Jusuf Gërvallës gjyqin politik (për së vdekuri), siç ia bëre këtu në faqen tënde të Fb, (nga 25 janari deri më 5 shkurt 2024) duke ia shtrembëruar – shpërfytyruar e keqinterpretuar, letrat e tij dërguar Sabri Novosellës (14 prill 1981 – 14 janar 1982)…, këtu mund të lexosh kuptimin e drejt të letrave të Jusuf Gërvallës:
LUFTA PËR LIRI – NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS (Janar 1980 – Janar 1982)
Nga Xhafer Durmishi – Skenderi, mars 2024
Pastaj duke i cilësuar faktet e librit VEPRA të Kadri Zekës, si “shkrime propagandistike të Kadri Zekës” (vetëm pse demaskoheshe Ti për gënjeshtrën tënde), si dhe duke na mallkuar e cilësuar si “mjerana tru e karakter tredhur” etj., ndoshta është mirë që t’ia bëje një gjykim substancial (nuk dua të them mallkim) vetvetes për të gjitha gënjeshtrat, zbukurimet dhe sajimet e bëra në librat:
1. Ibrahim Kelmendi – Atentatet, Focus, Prishtinë, 2007;
2. Bedri Islami – Lëvizja (Lindje e Përgjakur) – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin, Tetovë 2012;
3. Ibrahim Kelmendi – Gjurmë e fërkem (Ose Jusuf Gërvalla dhe…), Prishtinë 2019; dhe
4. në shumë shkrime e kumtesa të ashtuquajtura “shkencore”!
Me këtë rast shpërfaq vetëm një gënjeshtër të ricikluar në trajta të ndryshme (në tri librat e lartpërmendura), që ka të bëjë me “ndërmjetësimin” tënd midis Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës (Zeqës), për organizimin e demonstratave në perëndim (prill – korrik 1981)
(I)
MË 26 MARS 1981 MIRANI UDHËTOI NË BIEL -BIENNE, PËR TA TAKUR ZEQËN! ZEQA: UNË T’U PREZENTOVA NË PRANI TË BENEDIKTIT ME EMRIN ZEQË, POR UNË JAM KADRI ZEKA, TË LUTEM MOS MË DEKONSPIRO!
Ibrahim Miran Kelmendi në faqet 235 – 239 të librit “Atentatet” shkruan:
”Ditën e ejte të 26 marsit (1981), Mirani udhëtoi në qytetin Bil/Bien (Biel-Bienne) të Zvicrës. Duhej të gjente adresën kontaktuese të OMLK-së, të cilën ia dha Jusufi. Shkoi tek ajo adresë dhe gjeti vetëm një librari, në të cilën shiteshin libra edhe në gjuhën shqipe. Në kutinë postare, pos emrit të pronarit zviceran të librarisë, ishte edhe shënimi: Liria. Ai u fut, u soll vërdallë për të parë se çfarë librash të rinj kishin ardhur, në librari … (…) Mirani vazhdoi të shikonte titujt. Pas disa minutave ai iu afrua banakut dhe u prezentua:
– Jam Miran Bruçaj, jetoj në Bohum (Bochum) të Gjermanisë.
– Benedikt Shafner (Beat Schaffer – shën.im) – tha shitësi duke ia zgjatur dorën…. (…)
(Burimi: Ibrahim Kelmendi – Atentatet, Prishtinë, 2007, faqe 235)
– Keni mundësi të më kontaktoni me shokët e Lirisë? – pyeti Mirani pas një heshtjeje të shkurtër.
– Duhet të presim kur të vijnë për të marrë postën. (Po aty, f.236 – 237)
“Të shtunën pasdite (më 28 mars), më në fund, erdhi një burrë për të marrë postën. Benedikti e njoftoi se po e priste që nga e enjtja. Kadriut iu kujtua menjëherë emri i Miranit. (…) U prezentua me emrin “Zeqa” dhe i përqafuandikir të ishin shokë prej kohës, por që nuk ishin parë qëkur. Vetëm në minutat e parë Benediki zuri vend në tavolinë, sa për të zbrazur kafet nga termosi. U ngrit me shpjegimin se dëshironte t’i linte të bisedonin shqip.
– Kam ardhur të enjtën. – filloi Mirani. – Biseduam me Jusufin (Gërvallën) se çfarë duhet të bëjmë në këtë situatë kaq dramatike e alarmante. Ai më tha se duhet të bisedojmë me shokët e Lirisë, që të koordinohen aktivitetet në të gjitha shtetet ku gjendet emigracioni ynë. Erdha t’ju kontaktoj dhe të bisedojmë se cili është mendimi juaj?
– Unë t’u prezantova në prani të Benediktit me emrin Zeqë, por unë në të vërtetë e kam emrin e mbiemrin Kadri Zeka. Jam nga Gjilani, i strehuar politik këtu në Zvicër. Je ndër pak veta që po ta tregoj emrin e vërtetë, por të lutem mos më dekonspiro!
Në fillim Kadriu paraqiti gjendjen në Kosovë, siç e kishin informuar shokët e organizatës së tij, pastaj bëri një analizë të përmbledhur:
– Ne duhet të fillojmë me demonstrata. Të parën duhet ta bëjmë pas nja dy javësh, meqë me një prill planifikohen demonstrata të mëdha në Prishtinë…”.
______
(Burimi: Ibrahim Kelmendi – Atentatet, Focus, Prishtinë, 2007, faqe 238-239)
(II)
IBRAHIM KELMENDI: DERI MË 3 PRILL 1981 NUK KISHA DËGJUAR PËR EMRIN “ZEQA” AS ORGANIN “LIRIA”. KADRIU NUK MA TREGOJ EMRIN E VËRTETË DHE AS KU JETONTE!
Ibrahim Miran Kelmendi
“Në ndërkohë, në fillim të prillit 1981, u ndiem të thirrur për ta përshkallëzuar veprimtarinë në Emigracion, në organizim të demonstratave. Kjo mundësoi që unë të njihesha edhe me Kadri Zekën, azilant në Zvicër. Deri më 3 prill 1981 nuk kisha dëgjuar për emrin “Zeqa” as organin “Liria”. I ngarkuar nga Jusufi, udhëtova për në Zvicër të premtën e 3 prillit 1981 që ta takoja Kadriun. Jusufi ma dha adresën dhe pseudonimin e tij. Me Kadriun të dielën e 5 prillit 1981 u morëm vesh për të filluar me demonstratë të parë (më 11 prill) në Bern të Zvicrës. Ndoshta për shkak se kuadrot e OMLK-së shquheshin për praktikim të konspiracionit leninist, Kadriu nuk ma tregoj emrin e vërtetë dhe as ku jetonte. U takuam në librari të zviceranit Beat Schaffer, në Biel/Bienn. Beati ishte enverist i thekur”.
(Burimi: Miran Kelmendi – [6.] SABRI NOVOSELLA – TERRORIZUES PSIQIK I JUSUF GËRVALLËS, Facebook, janar 2024)
(III)
IBRAHIM KELMENDI: (MË 17 JANAR 1982) E INFORMOVA JUSUFIN PËR BISEDAT QË KISHIM PASUR DY DITËT E FUNDIT ME BASHKATDHETARËT NË DUZELDORF, JU KA FOLUR SHOKU ZEQË – MEQË EMRIN E VËRTETË, KADRI, NUK IA DIJA!!!
Ibrahim Miran Kelmendi, më 17 Janar 1982 Jusuf Gërvallës i thoni se, në tubimet me bashkatdhetarët në Dyseldorf (2-3 ditë para vrasjes) Kadri Zekën e njihja si Zeqë, meqë emrin e tij të vërtetë, nuk ia dija! E çuditshme
Të nderuar lexues,
Në faqet 55 – 62 të librit “Lëvizja…” në pyetjen e bashkëbiseduesit Bedri Islami për ditën e 17 janarit 1982, Ibrahim Kelmendi flet gjerësisht për rrugëtimin e tij bashkë me Kadri Zekën dhe Sylë Nuhën nga Dyseldorfi, për në banesën e Murat Kryeziut në Bernhausen (afër aeroportit të Shtutgartit) ku ishin mbledhur Jusuf Gërvalla me shokët e rrethit të Shtutgartit, për t’i parë disa videokaseta me filma shqiptarë. Pastaj praj aty Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi bashkë me Sylën, shkojnë në shtëpi të JG në Untergrupenbach. Gjatë bisedës Ibrahim Kelmendi ka nisur ta informoj Jusufin lidhur me bisedat që ka pas shkoku Zeqë (meqë siç thotë ai emrin e vërtetë, Kadri nuk ia dinte!!!) me bashkatdhetarët në Dyseldorf…
Dhe saktësisht në faqen 58 të librit shkruan:
”Pastaj i dhashë të drejtë vetes të informoja Jusufin për bisedat që kishim pasur dy ditët e fundit (më 14 – 15 janar 1982 – shën.im), me bashkatdhetarë në Duzeldorf e rrethina, – se ju ka folur kryesisht shoku Zeqë – (meqë emrin e vërtetë, Kadri, nuk ia dija), se çdo bashkatdhetar po pret të ndodhë bashkimi konkret, madje po kushtëzojnë angazhimin e tyre me bashkim, përndryshe do të pasivizohen, se u kishim premtuar që bashkimi do të ndodhte shumë shpejt, etj.”
(Burimi: Bedri Islami – Lëvizja (Lindje e Përgjakur) – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin, Tetovë 2012, faqe 58 – 59)
IV)
IBRAHIM KELMENDI: ME BARDHOSHIN JAM NJOHUR NË VITIN 1978, ME JUSUFIN NË FUND TË VITIT 1979, KURSE ME KADRIUN NË FUND TË MARSIT 1981!
Ibrahim Miran Kelmendi, në një intervistë të zhvilluar me redaktorin e librit “Atentatet”, Adem Gashin, ke deklaruar se, Kadri Zekën e ke njohur në fund të marsit 1981!
Konkretisht:
“Adem Gashi: Me Bardhosh Gërvallën njiheshit më herët, po me Jusufin, Kadri Zekën?
Kelmendi: “Në këtë pyetje duhet të jem përgjigjur paraprakisht. Konkretisht, me Bardhoshin jam njohur e miqësuar në vitin 1978, me Jusufin sapo ka arritur në Gjermani, në fund të vitit 1979, kurse me Kadriun në fund të marsit të vitit 1981.”
(Burimi: Adem Gashi – intervistë me Ibrahim Kelmendin ( SI U NJOHA ME JUSUF E BARDHOSH GËRVALLËN DHE KADRI ZEKËN), Fjala ë Lirë, 9 korrik 2020)
(V)
IBRAHIM KELMENDI: “NË MARS 1981 JUSUFI MA KA DHËNË ADRESËN QË SHKOJ NË ZVICËR PËR TA TAKUAR SHOKUN E “LIRISË” – KADRI ZEKA”!
Ibrahim Kelmendi:
”Sapo kanë ndodhur demonstratat në Prishtinë (në mars 1981) Jusufi më ka telefonuar që të shkoj tek ai. Po ai ma ka dhënë adresën që të shkoj në Zvicër për të takuar shokët e “Lirisë”, siç e quante ai Kadri Zekën dhe bashkëveprimtarët e tij. Kur shkova në atë adresë më doli librari e komunistit zviceran, Beat Schaffer në Biel-Bienne. Aty kam pritur 4-5 ditë, derisa në fundjavë ka ardhur Kadriu për të marrë postën, meqë as zvicerani nuk kishte telefon të tij për ta njoftuar se po e kërkoj.”
(Burimi: Ibrahim Kelmendi – Gjurmë e fërkem (Ose Jusuf Gërvalla dhe…), Prishtinë 201.
_______
(*) Çka do të thotë fjala Mishmash?
MISHMASH m.
– Rrëmujë e madhe ku s’e merr vesh i pari të dytin;
– përzierje gjërash pa rregull,
– çrregullim i plotë,
– rrëmujë.
– Një mishmash i madh (i vërtetë).
– Mishmash fjalësh.
– U bë një mishmash njerëzish (makinash).
Përd. ndajf.: Lesh e li, rrëmujë. E bëri mishmash.
***
KËRKESË MIQËSORE
1. Me këtë rast nga ish veprimtarët e Lëvizjes, kërkoj që të jenë të kujdesshëm kur shkruajnë kujtime dhe jo vetëm, sepse kujtesa pa dëshmi arkivore na gënjen.
2. Studiuesit e historisë, nëse i lexojnë këto tri libra të autorit Ibrahim Miran Kelmendit do të hasin në “dëshmi” e interpretime të ndryhme për të njejtën ngjarje, prandaj duhet të jenë të kujdesshëm kur iu referohen këtyre librave.
3. Ndërsa nga autori Ibrahim Miran Kelmendi, kërkoj që urgjentisht t’i heq nga qarkullimi këto tri libra, sepse si të tilla studiuesit e ndryshëm mund t’iu referohen dhe në këtë mënyrë riciklojnë gënjeshtrat, sajimet dhe zbukurimet e kësaj periudhe të historisë së Lëvizjes!
Ju faleminderit për mirëkuptim 🤝

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu