Nga: Ibrahim Kelmendi, shkrimtar, Gjermani
Duhet të ketë qenë i pari Heroi Jusuf Gërvalla që është shpërdoruar si protagonist në luftën për primat politik, në emigracion dhe në Kosovë, më shumë se cilido hero tjetër.
Shpërdorim i tij ka filluar nga momenti i vrasjeve, më 17 janar 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, ku, pos Jusufit, janë vra edhe Vëllai, Bardhoshi, dhe Bashkëveprimtari Kadri Zeka.
Për ata që nuk e njohin veprimtarinë e UDB-së (shërbimi sekret famëkeq jugosllav), po ofroi informimin: edhe kur i ka vra kundërshtarët politikë, UDB i ka shfrytëzuar të vrarët në luftë speciale, diversioniste, duke dezinformuar se janë vrasje për qerim të hesapeve të grupeve kriminele, etj.
Për konkretizim po sjell fragmente nga ajo luftë speciale, menjëherë pas vrasjeve. Ka rastis të përjetoj habinë kur dy bashkatdhetarë, të sapo kthyer nga pushimet e vitit të ri në Kosovë dhe erdhen në ceremoni mortore në Untergruppenbach për të shpreh ngushëllimet. Parafrazim: “Uaaa, edhe ti qenke këtu, edhe pse në Kosovë flitet se je në arrati bashkë me gruan e Kadri Zekës, për t’i ikur arrestimit nga policia gjermane që po të ndjek për vrasje…”
Fatkeqësisht, edhe djali i axhës së Nanës time, Ramë (Idriz) Ibërdemaj, i diskredituar dhe i gjykuar si vegël e UDB-së rankoviçiane me nofkën “sialica”, e ka vizituar për herë të parë Nanën time në Llabjan, dy-tre ditë pas vrasjeve, për t’ia shpreh “keqardhjen”: “Motër, më vjen keq për ty, si djali yt, nipi ynë, Ibrahimi, na e ka marrë ftyrën duke vra shokët për t’ia marrë gruan shokut dhe tani nuk po i gjenë policia gjermane për t’i burgos edhe kurvarin tonë, edhe atë kurvën që ka luajt bishtin…”
Këto ishin përjetime tronditëse, sepse ishin tepër goditëse!
Dhe jo vetëm lufta speciale në Kosovë, por edhe në Familje të Gërvallëve në Untergruppenbach, ku po e bënim ceromoninë mortore, pat depërtuar ajo luftë speciale. Në një mbrëmja, Xhafer Durmishi, trashëgimtari organizativ i Jusufit, i caktuar nga Sabri Novosella, i sapoardhur nga Kosova, thërret një mbledhje në shtëpi të Jusufit për të ma bërë gjyqin, duke ma komunikuar edhe vendimin për t’më dëbuar nga Familja Gërvalla. Morën pjesë: Nuhi Sulejmani, Faridin Tafallari, Nami Ramadani, Hafiz Gagica, Naim Haradinaj, Agron Sela. Xhafer Durmishi, pa u skuq fare, akuzoi: “Vrasja ka ndodhur sepse kurva e Kadriut i ka nxjerrë shokët në pritë, prandaj ajo duhet të dëbohet nga ceremonia mortore…”
Ndoshta nga tuta e jo nga urtia u përmbajta, vetëm duke e kërcënuar: “Po dëgjova vetëm edhe njëherë shpifje të nagjashme, kam me ta dredh qafën si gjelit. Pis, si e ka ditur Saimja në Zvicër, kur ata do të dalin nga shtëpia, që t’i lajmëronte vrasësit…!”
***
Nga vitet 1984 deri 1989 Jusufin e shpërdoruan sidomos Sabri Novosella me argatët e tij. Por, tashmë Novosella duke e prezantuar Jusufin si anti-enverist, për arsyet që ai i di, por që mund të merren me mend se ishte përshtatje e luftës speciale për rrethana të reja. Argatët e tij më të afërt, Xhafer Durmishi, Milaim Zeka, Haxhi Berisha dhe ca të „dorës së dytë“, iu larguan Novosellës, meqë ata e dinin se Jusufi kishte qenë enveristi më entuzuast në emigracionin tonë politik.
***
Kur ndodhi përmbysja e monizmit “socialist” në Jugosllavi (1989), Jusufin e shpërdoruan sidomos familjarët e tij, Hyseni, Avdyli, Suzana, Donika. Edhe këta tashmë nuk po ndiheshin mirë që Jusufi kishte qenë enveristë, prandaj mundoheshin ta deenverizonin me mashtrime antienveriste. Ky angazhim i tyre u shpërdorua ekstra nga ish komunistët e UDBashët titistë, që po simulonin konvertimin në demokratët, të përfshirë kryesisht në LDK.
Kjo luftë speciale kulmoi me rastin e rivarrimit (24.02.2002) në Kosovë, duke mos lejuar familjarët e Jusufit bashkë-rivarrosjen e Jusufit e Badhoshit, me Bashkëveprimtarin e tyre, Kadri Zekën. Edhe kësaj radhe pëshpëritej shpifja si arsyetim, se “Kadri Zeka ka qenë enverist, ndërsa Jusufi ka qenë demokrat…!”
***
Fatkeqësisht kjo luftë speciale pat ndikim edhe të ish enveristët, që ishin në luftë frontale me UDBashët dhe krerët e “alternativës kosovare”. Edhe ata vazhduan të dyshonin në enverizmin e Jusuf Gërvallës, vetëm pse kundër tij shpifnin Hysen, Avdul, Suzana, Donika Gërvalla, Sabri Novosella, Hafiz Gagiga, deri edhe Sabri Hamiti dhe sorollopi i tyre.
Pra, Heroin Jusuf Gërvalla asnjëra “pal” nuk e mori krejtësisht në mbrotje të dinjitetshme, sepse pseudo demokratët e dinin që Jusufi kishte qenë enveristë, ndërsa enveristët dyshonin në enverizmin e Jusufit, shkaku i “përvetësimit” të tij nga kundërshtarët ideopolitikë anti-enveristë.
***
Huti të madhe në vlerësim të Jusufit ka shkaktuar sidomos publikimi i papërgjegjshëm i korrespondencës së tij, kryesisht nga taksisti Faridin Tafallari, të cilit Suzana ia pat besuar ruajtja e arkivit të Jusufit.
Fatkeqësisht ende askush nuk është marrë me analizë të tyre. As përpjekja ime që të ofroj sqarime, për rrethana dhe ngjarjet kur ato janë shkruar, duke botuar librin përkatës “Gjurmë dhe fërkem”, nuk ka nxit interesimin meritor. Nuk e di tamam arsyet e hutisë për korrespondencën e Jusufit!
***
Në vazhdim po sjell gjith tekstin e letrës që Jusufi ia ka dërguar Sabri Novosellës (në Turqi) më 14 prill 1981 (pas rreth 28 muajve të ndërprerjes se çdo lloj bashkëveprimtarie e komunikimi):
Untergruppenbach, RFGJ 14 prill 1981
I dashuri shok, Bashkim!
Letrën tënde (një fjalë apo një shenjë sado të vogël) e kam pritur si qorri sytë. Siç do të shohësh pak më poshtë, ajo ka për mua një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, bile rëndësi jetësore.
Muajt e parë të arratisë sime u merakosa për efikasitetin e Organizatës sonë.
Unë, në bazë të bisedave në takimet tona, e dija që organizata ka për detyrë dhe është e zoja të marrë kontakt me anëtarët e vet edhe në rrethanat më të vështira, siç është burgu. Nga ana tjetër, megjithëqë vështirësitë për të marrë kontakt me mua, duke u nisur nga karakteri i hapët i kufirit jugosllav me Perëndimin, i konsideroja vështirësi relative, …për disa muaj rresht s’më vinte fjalë as zë. Dhe gjendja e tillë, e cila më jepte dorë ta gjykoja Organizatën, do të vazhdonte deri më sot, sikur ndërkohë unë vetë të mos e bëja një ligësi të kobshme. Ti mund të mos e dish, por shkaktari i arratisjes sate jam unë! Mbase natën që do të jesh arratisur ti, mua më morrën në telefon nga UDB – ja e Pejës dhe më bënë presion të çuditshëm, gjithsesi monstruoz, që të tregoja kush është Bashkim Prishtina. As që më ka shkuar mendja se e kisha humbur aq shumë truallin nën këmbë. I përgjumur dhe me gjasë fare i humbur siç isha, në kthetrat e një ligësie të pashembullt dhe fare të huaj për mua deri atë çast, unë rashë në provimin e rëndësishëm: kallëzova shokun! Për të “shpëtuar” fëmijët e vëllait, morra në qafë fëmijët e shokut, fëmijët e vëllait por që nuk na kishte bërë nëna. Dhe në këmbim të kësaj fitova: faqen e zezë dhe barrën e rëndë të ndërgjegjes së ligur si kurrë ndonjëherë në jetë. Atë çast e tutje, jeta edhe ashtu e errët, me strumbullar të vetëm luftën modeste dhe gatshmërinë për flijim në emër të idealit të lartë të lirisë, m’u errësua edhe më. Brerja e rëndë e ndërgjegjes dhe ndjenja e thellë e shkatërrimtare e fajit ndoqën pa mëshirë dhe në çdo hap të gjitha netët dhe ditët e arratisë sime të hidhur, e cila, pas gjestit tim qyqar, e humbi gjithë qëllimin e vet dhe m’u shndërrua në gur të rëndë në zemër.
Menjëherë pas aktit tim të lig, unë, tashmë i “shpërgjumur”, i bëra telefon një shokut tim në Podujevë që të vinte të të lajmëronte për rrezikun. Por, sigurisht ka qenë vonë për gjithçka. Atëhere m’u shfaq një motiv i fuqishëm që për gjestin tim qyqar t’i rrëfehesha shokut të parë që do të takoja. Po shokë nuk kisha. Gjithë natën e gjatë u detyrova t’i shtrohem gjykimit të vëllait të vogël këtu, të shoqes sime dhe, bile, gjykimit të heshtur të djalit tim 12-vjeç, i cili ishte prezent kur ngjau biseda. Më pastaj prisja t’i rrëfehem ndonjërit nga shokët e Organizatës, kur të merrja eventualisht kontaktin e pritur. Ndërkohë dëgjova për arratisjen tënde dhe vendosa që së pari të të rrëfehem ty e pastaj kujt do që e kërkon puna.
Unë pra, shok i dashur, u korita keq. Me “meritën” time, ti tani do të mund të ishe në duart e UDB-së; me po këtë “meritë”, ti u detyrove të dalësh në kurbet, peshën e të cilit e di unë mirë. Të mos të flasim për dëmet që i kam shkaktuar Organizatës, e kështu edhe idealit të lartë të popullit tonë të shumëvuajtur. Prandaj s’më bën zemra të kapem pas fjalës së urtë të popullit, që thotë se duhet të jetë‚ i lumtur ai që u korit një herë, për të mos u koritur më kurrë. Sado që jam i sigurt se ligësia e turpi i tillë nuk do të përsëriten kurrë tek unë pa e ngrënë së pari mishin tim e të fëmijëve të mi.
Tani, fatin tim të mëtejshëm e keni plotësisht në dorë ti dhe shokët. Nëse mund ta merrni mundimin e ta analizoni rastin tim më hollësisht, nëse pastaj gjendet shteg që gjesti im të cilësohet akt qyqar, i kryer në rrethana ligështimi, dhe jo një tradhti e hapët, atëhere më keni ndihmuar të ngjitem edhe një herë në shkallën e njeriut, e për këtë do ta keni përjetë mirënjohjen time dhe punën time të palodhshme. Nëse nuk i peshoni punët kështu dhe e quani tradhti të hapët qyqarinë time, atëhere jam i gatshëm ta duroj edhe dënimin më të rëndë nga ana jote, e shokëve e kështu edhe e pjesës përparimtare e liridashëse të popullit tonë: përjashtimin jo vetëm nga radhët e Organizatës sonë, po edhe shpalljen e tradhtisë sime me daulle, te të gjithë ata njerëz që ia duan të mirën popullit shqiptar. Ndoshta e meritoj që, si gjarpri dhjamin e vet, ta ha dalëngadalë këtë tepricë të jetës që më ka mbetur – në mërgim dhe pa shokë e njerëz që të më konsiderojnë të barabartë me vetveten. Me një fjalë, ju mund të më bëni një njeri të rilindur apo një njeri të humbur fare në vorbullën e këtij planeti. Se vetëm mendimi juaj mund të bëhet shpatë, që do ta këpusë këtë nyje të ngatërruar të jetës sime.
Natyrisht, kurrë nuk do t’i lejoja vetes që të kërkoj prej jush as mirëkuptimin më të vogël ndaj meje, po qe se jeni të bindur se, duke më falur, mund t’i bëni ndonjë dëm çështjes sonë të shenjtë. Në rrethana tjera, unë kam mundur të bie hero a dëshmor në gjysmën e rrugës të revolucionit tonë. Në rrethanat e tashme, nëse nuk më falet gabimi, do të bie si tradhtar. Një më shumë a më pak, nuk mund ta dëmtojë luftën tonë, e cila s’ka të ndalur dhe e cila do të ngadhënjejë patjetër.
I dashuri shok, Bashkim!
Tani më lejo të të bëj një raport të shkurtër për punën time nga dita e arratisjes sime e këndej.
Puna e parë që bëra, u bëra një telefon shokëve të ambasadës shqiptare në Vjenë. I njoftova për çështjen time dhe i luta të më ndihmojnë me ndonjë këshillë për të mos bërë ndonjë gabim ideologjik a taktik gjatë strehimit tim në këtë vend kapitalist. Ata, si zakonisht, u treguan të kursyer, po megjithatë patën njëfarë mirëkuptimi. Pastaj, sipas marrëveshjes që kishim së bashku me ty, unë informova Organizatën e Amnestisë Ndërkombëtare dhe Radio Londrën për gjendjen e vështirë në Kosovë dhe për burgosjet masive politike të shqiptarëve. Me sa di, Radio Londra s’ka marrë gjë para sysh , kurse Amnestia I. e dërgoi menjëherë tek unë përfaqësuesen e vet nga Londra dhe mori përsipër për përkujdesjen për të gjithë ata të burgosur politikë shqiptarë, për të cilët unë ia dola ndërkohë të mbledh ndonjë shënim.
Në të njëjtën kohë shkrova një artikull të gjatë, të cilin ia dërgova magazinës së përjavshme gjermane “Der Spiegel”. Ajo, siç mund të pritej, nuk e botoi artikullin në fjalë, por një artikull të një redaktori të vet, me disa të dhëna nga artikulli im po edhe me disa poshtërsi karakteristike për shtypin e këtushëm.
Në fillim të qëndrimit tim këtu, më ofroi bashkëpunim me gazetën “Bashkimi”, organ i Frontit te Kuq Popullor, njëri nga bashkëpunë-torët e saj. Meqë gazeta edhe më parë shkonte në popull, madje në një gjendje të keqe, unë e pashë të udhës dhe të lejueshme dhe bashkëpunova me të në disa numra (të cilët po t’i dërgoj menjëherë – te artikujt e shkruar prej meje po e vë nga një shenjë).
Pastaj, nga Kosova erdhi një student për vizitë dhe më solli një letër nga një i njohuri im i mëparshëm. Ky më njoftonte në letër se ishte pjesëtar i një organizate të vogël patriotike (unë atë person e dija për atdhetar) dhe, duke shprehur gatshmërinë e vet dhe të shokëve të vet për luftë të pakompromis për atdhe, më lutej që të merrnim kontakt dhe t’u delja në ndihmë me ndonjë këshillë a udhëzim. Unë, edhe lidhur me këtë e pashë të udhës të përgjigjem pozitivisht. Madje nga njoftimet që zunë të më arrijnë pastaj për riorganizimin e kujdesshëm të atij grupi, morra impulse edhe për ta nxjerrë vetë (me përballime të mëdha materiale e pa bashkëpunëtorë) edhe revistën e përdymuajshme “Lajmëtari i lirisë”, tre numrat e parë të së cilës po t’i dërgoj me këtë udhë. (Lidhur me atë krah të ri që pranoi Statutin dhe programin e Organizatës e riorganizimin, përditë po më arrijnë gjithnjë më të mira.)
Qëkur ndodhem këtu kam qenë mjaft aktiv në propagandë dhe agjitacion. Në Shtutgart dhe në rrethin e këtij qyteti ka shqiptarë të ndershëm, që e presin me padurim fjalën patriotike dhe revolucionare. Përveç kësaj, kam udhëtuar edhe në shumë qendra të tjera të RFGJ. Kam kontakte (sado të pakta) edhe me njerëz jashtë këtij vendi, por deri më tash nuk kam mundur të udhëtoj, sepse nuk kam pasur dokumente. (Dje, bashkë me letrën tënde, më arriti edhe njoftimi se më është dhënë strehimi politik në RFGJ, në bazë të kërkesës së paraqitur para 16 muajsh.)
Konkretisht në rrethinën e Shtutgartit janë nja 7 – 8 shokë të gatshëm e të përshtatshëm për punë patriotiko-revolucionare. Ata presin ndonjë orientim nga unë. Po unë duke qenë dhe vetë në mjegull për gjendjen time, nuk kam dashur t’i ngashënjej e pastaj t’i lë në gjysmë të rrugës. Prandaj u kam folur për gjëra të përgjithshme në çështje të organizimit, të propagandës dhe të agjitacionit si dhe kam bërë përpjekje për t’ua dhënë elementet e domosdoshme shkencore të historisë kombëtare dhe të lëvizjes komuniste shqiptare e ndër¬kombë-tare. Janë punëtorë dhe ma ka marrë mendja se në radhë të parë u duhet një ngritje e tillë ideore, politike e shkencore.
Tash së fundi jam në kontakt edhe me një shok të grupit të Marksistë-leninistëve të Kosovës, të tubuar rreth organit të tyre “Liria”. Personalisht, për organin e tyre kam mendim shumë të mirë, po edhe shoku me të cilin kam kontaktuar duket shumë i ngritur dhe i pjekur. Ka një mirëkuptim midis nesh dhe kemi rënë në ujdi që t’i bashkërenditim veprimet. Lidhur me këtë, për fillim, kemi zënë të organizojmë një varg demonstratash, nëpër qendra të ndryshme evropiane, që kanë për qëllim të bëhen përpjekje e zëshme e ngjarjeve aktuale në Kosovën tonë trime. Demonstrata e parë, shumë e suksesshme, është bërë para ambasadës jugosllave në Bern të Zvicrës, më 11 prill, në të cilën kanë marrë pjesë edhe shqiptarë nga RFGJ. Demonstrata e dytë do të mbahet po në Zvicër, në qytetin Cyrih, më 18 prill, kurse të tretën e kemi parashikuar në Shtutgart, aty nga 26 prilli. Parullat e demonstratave kanë një përmbajtje thellësisht marksiste-leniniste dhe përkrahin deri në fund kërkesat e rinisë heroike të Kosovës për republikë (që nënkupton edhe përfshirjen e tokave dhe të popullsisë shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi). Përveç kësaj, demonstratave u prin automobili me megafon, i cili i koordinon veprimet, kontrollon disiplinën dhe shprehjen unike. Me megafon lexohet në shqipe dhe në gjuhë të huaja trakti përkatës, me elemente informative e sqaruese lidhur me gjendjen e krijuar në Kosovë nga kryengritja e këtej.
Kur e mora letrën tënde të çmuar, unë isha duke përgatitur një trakt të gjatë për opinionin gjerman e zvicëran, kurse shoku i “Lirisë” e përgatit traktin për shqiptarët e mërguar “ekonomikë”.
Hapi i ardhshëm do të jetë përgatitja e materialeve sa më të bollshme për informimin e opinionit, të qeverive evropiane dhe të Kombeve të Bashkuara lidhur me gjendjen në Kosovë. (Më vonë, suksesivisht, do t’i dërgoj kopjet e materialeve të shkruara për këtë qëllim.)
Kam pasur nderin të njihem edhe me sekretarin e parë të Partisë Komuniste Gjermane, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri dhe i kam dërguar një letër me lutjen që edhe ai me partinë e tij të shikojë ndonjë formë të përshtatshme ndihme për përkrahjen morale të popullit shqiptar të Kosovës. Ende s’kam marrë përgjigje prej tij, por shpresoj se megjithatë do të na ndihmojë patjetër, sepse për këtë i obligon drejtpërdrejt edhe artikulli i “Zërit të popullit” i datës 8 prill, se siç dihet, kjo parti e komunistëve gjermanë ka për busollë të vetme PPSH-në.
Sa për situatën në Kosovë, megjithë krimet e pashembullta fashiste që po ushtron armiku ynë mizor e që prekin thellë në zemër çdo shqiptar dhe jo vetëm shqiptarët, unë jam shumë optimist, Arsyet i mendoj kësisoji: 1) Doli sheshazi mospajtimi i shqiptarëve me armikun e egër, qeverinë shoviniste të Beogradit; bota, që sot po e bën të veshin shurdh e syrin qorr për çështjen shqiptare, në mos sot, nesër do të detyrohet patjetër të ballafaqohet në mënyrën më serioze me këtë çështje, deri në fitoren tonë përfundimtare. 2) Popullsia e Kosovës, e ballafaquar me tanket, aeroplanët, helikopterët e me gjithë pancirin tjetër të ushtrisë dhe policisë serbe, nuk u frikësua dot, po qëndroi pa iu trembur syri; kjo popullsi tregoi se është e zoja të çohet në kryengritje dhe ta bëjë edhe luftën përfundimtare për çlirimin nga armiku mizor dhe bashkimin me vendin amë. 3) Vetë armiku, që kohë më parë e dinim edhe për politikan të regjur, me këtë intervenim ushtarak e policor mbi shqiptarët bëri pa dyshim gabimin më të madh në historinë e vet shtetërore-politike; ky gabim do t’i kushtojë shtrenjtë, sepse gjithë situata, edhe në mos vazhdoftë menjëherë lufta definitive për bashkim me Shqipërinë tonë, pra gjithë situata do të ndjekë në të ardhmen e afërme atë drejtim, i cili do ta sjellë shqiptarin në potez për të zgjedhur se ç’dëshiron brenda kuadrit të Jugosllavisë, madje duke na lejuar të bëhemi edhe mjaft nazeqarë…
Ja, pra, këto ishin disa nga punët dhe mendimet e mia në këtë situatë të vështirë.
Tani, me shpresë se edhe për mua personalisht, në saje të mirëkuptimit të shokëve, do të ketë ndonjë ditë më të bardhë, po e përfundoj këtë letër dhe po të përcjell të fala shqiptare e revolucionare.
POPULLI YNE ESHTE I PAMPOSHTUR DHE DO TE FITOJE!
Sokoli
(Botuar për herë të parë në librin e Faridin Tafallarit, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010, faqe 256-261)