ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Kalandar-22 Korrik 2010: Kosova shtet fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Serbia ishte ankuar kundër Pavarësisë

Shkrime relevante

Shpërndaj

-Para 13 viteve, në  ditë historike – 22 Korrik 2010, Kosova shtet doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik të vitit 2008/

-Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në ditën e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, atëherë Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni fliste në telefon nga Haga: Sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën…/

Nga: Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Korrik 2023/ Kosova fituese përballë Serbisë doli para 13 viteve, kur Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë, para 13 viteve, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Forhåndsvisning av bilde

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Forhåndsvisning av bilde

ARKIV, 22 KORRIK 2010 – INTERVISTA QË KAM ZHVILLUAR NË DITËN E VENDIMIT TE GJND – MINISTRI HYSENI FLET NGA HAGA: ME BEOGRADIN NUK DO TË KETË BISEDIME PËR STATUSIN E KOSOVËS, NDARJE APO SHKËMBIM TERRITORESH

 -Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në ditën e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)  para 12 viteve: Marrëdhëniet e mira me Serbinë, interes i përbashkët për integrim në BE e NATO/

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) tregoi qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor, deklaronte ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar para 13 viteve për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. “Opinioni këshilldhëns i GJND-së, tregoi qartë se pavarësia e Kosovës, nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Hyseni, në intervistë telefonike nga Haga.

Ministri Hyseni në 22 Korrik 2010 ishte i pranishëm kur GJND dha mendimin këshillimor në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh në favor të pavarësisë së Kosovës. Presidenti i GJND-së Hiasashio Ovada deklaroi se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se, “ne e dimë që Kosova dhe Serbia e kanë të ardhmen e tyre në BE dhe NATO, e për këtë arsye marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të domosdoshme”. Ai nënvizoi se “këtë fakt, e kemi përcaktuar qartë prej kohësh, tani është në dorën e Serbisë që të tregohet në nivelin e përgjegjësive të duhura”.

 Hyseni vuri në dukje se “nga vendimi i GJND-së, nuk ka asgjë që do të mund linte mundësi sado të vogla që të hidheshin dilema rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

Ministri pohoi se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi varet ekskluzivisht nga Serbia. “Kemi shprehur vullnetin për raporte të mira fqinjësore me Serbinë, sikurse i kemi ndërtuar me të gjithë fqinjët e tjerë por ky rast është interes i përbashkët”, tha ai.

 Hyseni rithekson faktin se me Beogradin nuk do të ketë bisedime për statusin e Kosovës, ndarje apo shkëmbim territoresh, ide rreth të cilave është spekuluar muajt e fundit. “Kosova dhe Serbia janë fqinjë të përhershëm dhe si të tillë, sot apo nesër, pas një kohe apo pas shumë kohësh, do duhet të bisedojnë për çështje të natyrës praktike që i lidhin këto vende të pavarura dhe sovrane”, tha Hyseni.

Ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni, u shpreh i sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën pasi ka një numër vendesh që janë zotuar për këtë ndërsa u bëri thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende, e veçanërisht atyre vendeve që kanë pritur opinionin këshilldhënës të GJND-së, që ta bëjnë këtë sa më parë.

Kosova shpalli pavarësinë në 17 Shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga 69 shtete, theksohej në fund të intervistës së 22 Korrikut 2010.

Ndërsa, deri tani – 13 vjet pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë Kosova është njohur nga 117 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Forhåndsvisning av bilde

KOSOVA PËRGADITET PËR GJND – RAPORTIM QË KAM BËRË MË 15 TETOR 2008: 

PRISHTINË, 15 Tetor 2008/ –  Sir Michael Wood nga Mbretëria e Bashkuar do t’i prijë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sapo kumtuan institucionet më të larta kosovare, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi.

Deklaratën për shtyp në lidhje me përgatitjet dhe procedimet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në një konferencë për media, të sapo mbajtur në Presidencë, ku ishin edhe presidenti Fatmir Sejdiu e kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e paraqiti kryeministri Hashim Thaçi, pas konsultimeve të krerëve të institucioneve kosovare.

Më poshtë po e japim të plotë deklaratën:

Deklaratë për shtyp në lidhje me përgatitjet dhe procedimet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Kemi kënaqësinë e madhe të shpallim se Qeveria e Kosovës, pas konsultimeve me Presidentin e Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, dhe Kryetarin e Parlamentit, z. Jakup Krasniqi, si dhe konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët ligjorë, ka zgjedhur Sir Michael Wood nga Mbretëria e Bashkuar t’i prijë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

·        Z. Wood është një nga juristët më të shquar dhe përgatitur ndërkombëtarë të së sotmes, dhe jemi me fat që ai është i gatshëm të paraqesë rastin tonë para GJND-së.  Sir Michael Wood ka shërbyer si këshilltar ligjor në Zyrën e Jashtme dhe të Komonveltit të Mbretërisë së Bashkuar prej vitit 1999 deri më 2006.   Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, ai mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare të Dejtonit dhe në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999. 

·       Z. Wood është paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë shumë herë dhe ka punuar në shumë raste të njohura të drejtës ndërkombëtare, përfshirë Mendimin Këshilldhënës të GJND-së për Pasojat Ligjore të Ndërtimit të Murit në Territorin e Okupuar Palestinez.

·       Angazhimi i tij i kohëgjatë në çështjet e së drejtës ndërkombëtare të ndërlidhura më progresin e Kosovës drejt pavarësisë, e bën atë të kualifikuar në mënyrë unike për të përfaqësuar interesat tona kombëtare para gjykatës, dhe kemi besim të madh në gjykimin dhe përvojën e tij. 

·       U takuam sot me z. Wood për ta diskutuar rastin e Kosovës dhe paraqitjen tonë. Kosova ka një rast të fortë, dhe synojmë të demonstrojmë para gjykatës se nuk ka asgjë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës që shkel të drejtën ndërkombëtare.

·       51 shtete nga e tërë bota tashmë kanë njohur se Kosova është shtet i pavarur me qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe kushtetutë moderne që ofron garanci të bollshme për të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, dhe posaçërisht komunitetet e saj pakicë. 

·       Gjatë javëve dhe muajve të vijim, z. Wood do të punojë ngushtë me Qeverinë e Kosovës për të zhvilluar paraqitjen tonë para gjykatës. 

·       Në koordinim me ne, ai do të mbledhë një ekip ndërkombëtar ligjor të kalibrit më të lartë.  Sipas nevojës, ekipi i tij ligjor do të përdorë ekspertizën vendore në Kosovë për të formuluar rastin më të fortë të mundshëm. 

Forhåndsvisning av bilde

Koordinimin e kësaj përpjekjeje ia kemi besuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila do të merr rolin prijës në emër të Qeverisë së Kosovës. Dëshirojmë që sërish të shprehim besimin tonë të palëkundur në ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe do të vazhdojmë të ndjekim njohjet ndërkombëtare gjatë zhvillimit të procesit para GJND-së. Dëshirojmë të theksojmë se kemi besim të plotë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, organin kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara.

Forhåndsvisning av bilde

GAZETA TRADICIONALE E KOSOVËS  RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, Kryeredaktor i së cilës isha, për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu