– Presidenti historik dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, i lindur para 77 viteve, në 2 Dhjetor 1944, para mëse tre dekadave dhe në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar para më shumë se çerek shekulli e viteve në vijim, hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur… Fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”. “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretarin Amerikan të Shtetit Igëllberger…/
-Presidentja Osmani: Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova -kolosit të dijes, të kulturës e të politikës. Si presidente e vendit do të kujdesem maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej/
SPECIALE-Gazeta DIELLI/ portali DRINI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 2 Dhjetor 2021/ Para 77 viteve, në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, ka lindur Ibrahim Rugova, i cili kujtohet si Presidenti historik dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës.
Si tradicionalisht, përfaqësues institucionalë e politikë dhe qytetarë i bëjnë homazhe Presidentit historik dhe vizitojnë familjen e tij.
Në veprimtaritë në Kosovë theksohet se në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e popullit, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.
Që para mëse tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.
Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, para 32 viteve – në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit të 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për Shtet Sovran dhe të Pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Po në vitin 1992 kur u votua në zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare, Rugova për herë të parë si President i parë i Kosovës Ditën e Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorin e festoi në Vlorë në 80 vjetor. Nga Vlora dhe në festimet tjera e urimet nëpër vite të 28 Nëntorit Presidenti Rugova theksonte edhe mesazhin se Pavarësia e Kosovës është plotësim i Pavarësisë Shqiptare, “e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve”.
“Në 28 Nëntor 1992 Presidenti Rugova qëndron në Vlorë në festimin e 80 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai realizon takime me Presidentin Sali Berisha dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar”, shkruaj nga faqe historie.
Në 80 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit, në 28 Nëntor 1992, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, uronte të gjithë shqiptarët në botë.
“Një URIM I MADH në këtë kremtim jubilar për të gjithë shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në viset e tjera etnike dhe në diasporë, duke filluar nga Zelanda e Re, Australia, Evropa dhe Amerika, të cilët gjithmonë kanë qenë të lidhur me Shqipërinë dhe me trojet etnike shqiptare dhe me çështjen shqiptare”.
Ky ishte urimi i parë për 28 Nëntorin i Dr. Ibrahim Rugovës si President i Kosovës i zgjedhjeve të para pluraliste të 24 Majit 1992. Presidenti historik Rugova ka uruar në një deklaratë ekskluzive të botuar me titullin “Shqiptarët sot janë më të bashkuar se asnjëherë” në 28 Nëntor 1992 në ballinën e gazetës së rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia okupatore të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.
I zgjedhur president i Kosovës në zgjedhjet e para pluraliste, Dr. Rugova pas vizitës në Shqipëri në Nëntor për festën e 80 vjetorit të Pavarësisë, në Dhjetor 1992 shkoi në Bruksel, ku takohet me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje Pesidentit Rugova si lider i popullit shqiptar për kontributin e tij në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari Amerikan i Shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.
Presidenti Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.
Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.
Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 Tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 27 viteve fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, si edhe në raste të tjera, falënderonte e vlerësonte shumë për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.
Atë intervistë të parë me Presidentin e parë të Kosovës e zhvilloja në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.
Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte.
“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.
“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës.
“Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai.
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai.
Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova. Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Presidenti Rugova në intervistë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër, të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.
“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger.
Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.
Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.
“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.
Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.
Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.
Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.
Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.
Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.
Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.
Në Tetorin e vitit 2005, Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.
“Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.
“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.
“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.
Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:
“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.
Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.
Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.
Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 Tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ibrahim Rugova u shua në 21 Janar 2006. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës.
PRESIDENTJA OSMANI: KOSOVA DO T’I JETË PËRHERË MIRËNJOHËSE PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA -KOLOSIT TË DIJES, TË KULTURËS E TË POLITIKËS
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan:
Sot është ditëlindja e ideatorit të Republikës sonë të mosvarme, Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës.
Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre. Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë.
Ibrahim Rugova, bashkë me shumē burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur. Përtej kësaj, ai e krijoi dhe na e la trashëgim edhe modelin e papërsëritshëm dhe të pakapërcyeshëm të politikanit humanist, unifikues i jashtëzakonshëm i popullit të vet e përafrues i madh i të tjerëve rreth vlerave të vendit të tij. Ai insistonte që për ta arritur lirinë fizike, duhej kultivuar para së gjithash lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonim lirinë për veten e për të tjerët. Ai na la trashëgim ura miqësie, të cilat i krijoi gjithandej globit, duke e vulosur përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me vendet demokratike. Këto, sikur dihet, i ndihmuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999, me luftën çlirimtare të Kosovës.
Si presidente e vendit do të kujdesem maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej.
Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse këtij kolosi të dijes, të kulturës e të politikës.
SHKRIME NGA ARKIVI:
KRYETARI I VATRËS, Z. ELMI BERISHA, NDEROI ME MIRËNJOHJE TË ARTË DR. IBRAHIM RUGOVËN (PAS VDEKJES)
Të Premten,3 tetor 2020, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” z. Elmi Berisha ka nderuar Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova (Pas vdekjes) me Medaljen e Artë të Vatrës.
Në tekstin e Mirënjohjes shkruhet:
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” nderon me “Mirënjohjen e Artë” – Post Mortem – Presidentin e Parë Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për kontributin e jashtzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, për udhëheqjen vizionare të Rezistencës të Kosovës për Liri dhe Demokraci, për ndërtimin e urave të miqësisë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Dr. Rugova ishte arkitekti i ndërtimit të shtetit dhe Pavarësisë së Kosovës.”
I pyetur nga gazeta Dielli, Kryetari Berisha, tha se ishte i privilegjuar që e ndau këtë nderim me familjen Rugova, i cili kishte një vlerësim të jashtzakonshëm për Vatrën. Z. Berisha tha se takimi me Zonjën e Parë të Kosovës, Fane Rugova dhe pjestarët e tjerë të familjes në Shtëpinë Historike të Presidentit, ishte i përzemërt dhe i mbushur me emocione.
– Ne biseduam dhe kujtuam miqësinë dhe bashkëpunimin për rreth tri dekada me Presidentin Rugova. Posaçërisht kujtuam kohën kur isha përfaqësues special i Presidentit Rugova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë Zyrës së Senatorit Republikan Bob Dole, – tha Kryetari Berisha.
Zonja Fane falenderoi Vatrën për nderimin që i bëri Presidentit Rugova.
Ky nderim që iu bë Presidentit Historik nga Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” përkoi me 31 vjetorin e vizitës së Parë të Dr. Ibrahim Rugovës në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Ishte Seminari kushtuar 300 Vjetorit të Pjetër Bogdanit, kur Dr. Rugova u ftua së bashku me ligjërus të tjerë në SHBA.
Me 4 tetor të vitit 1989, Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, organizoi seminarin shkencor, në të cilin ishin të ftuar folës të zgjedhur dhe personalitete të njohura shqiptare në fushën e kulturës, të fesë dhe politikës Kombëtare të asaj periudhe, si : Profesor Arshi Pipa, At Danjel Gjeçaj, Dr. Ibrahim Rugova dhe Profesor Dr. Engjëll Sedaj (të ardhur nga Kosova), si dhe Profesor Martin Camaj, ardhur nga Gjermania. (Gazeta Dielli)
ME VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…
Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…
“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova…. Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 i 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ishte vendosur mbishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…
Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…
22 Janar 2006: PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA
– Nga Behlul Jashari –
PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/ – Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.
Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidenti dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur.
“Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.
Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.
Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.
“I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.
Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër.
Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.
/pas/s.s./