ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Kalendari historik-Presidenti Rugova, 23 Dhjetor 2005: Pavarësia e Kosovës, e padiskutueshme

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Presidencë- Kosove – Ibrahim Rugova e Behlul Jashari me kalendarin e gazetes Rilindja


Nga: Behlul Jashari, Prishtinë

Kalendari historik-Presidenti Rugova, 23 Dhjetor 2005: Pavarësia e Kosovës, e padiskutueshme

-“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova para 13  vitesh, në 23 Dhjetorin 2005, në takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës/

PRISHTINË, 23 Dhjetor 2024/ Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

“Unë e vlerësoj si vit të suksesshëm për qeverinë dhe institucionet tona për punën që është bërë, ndërsa në një moment me rëndësi është edhe hapja e bisedimeve për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës që është rezultat i punës që e ka bërë qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës”, tha Presidenti Rugova, ndërsa përsëriti insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, e cila theksoi se do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Sa i përket çështjes së decentralizimit, të shtruar nga gazetarët, Presidenti Rugova tha se procesi i bisedimeve ka filluar tash, ndërsa ka pika të ndryshme.

“Decentralizimi siç e kemi thënë është çështje e Kosovës, pra mund t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Mund të bisedohet si pako shtesë e pavarësisë, unë kështu e quaj, se pavarësia është e padiskutueshme, prandaj ne siç e dini kemi filluar një fazë të privatizimit me pilot projektet që ka qenë hap mjaft i guximshëm dhe më vonë do të shikojmë një reformë të përgjithshme të pushtetit lokal që më lehtë do ta bënim me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti Rugova.

Presidenti historik i Kosovës shtoi se gjithmonë mbesin punët që nuk mund të kryhen. “Ne i përmendëm vetëm ato punë që i kemi kryer dhe që janë mjaft të rëndësishme, ndërsa objektivat dhe programin për vitin e ardhshëm e paraqet qeveria dhe institucionet e Kosovës. Punë që ka mbetura e madhe pa u kryer është çështja e njohjes së pavarësisë”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket formimit të ministrive të reja, Presidenti Rugova tha se së shpejti do të vendoset për këtë.

Ndërkohë, në 25 dhjetor 2005, me një shkresë dërguar shefit të UNMIK-ut e autoriteteve më të larta të Kosovës katërmbëdhjetë përfaqësues të jetës publike të Mitrovicës, përmes nënshkrimeve të tyre, kërkonin që, me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, dy ministritë e Kosovës në formim – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të vendosen në qytetin e Mitrovicës, më të madhin verior të Kosovës.

CLINTON NË KOSOVË TREGOI SE SI RUGOVA KËRKOI NGA AI TË NA NDIHMOJ

Ne 20 vjetorin e Lirisë – ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, në Prishtinë ka qëndruar ish-Presidenti i Amerikës, Bill Clinton. Kjo ishte vizita e tij e katërt në Kosovë, ndërsa një vizitë shtetit për të cilin kontribuoj për liri dhe pavarësi Clinton e pati edhe në vitin 2009.

Clinton – Rugova

Presidenti i 42-të amerikan, kur erdhi në nëntor të vitit 2009 mbajti një fjalim në Parlamentin e Kosovës, teksa përshëndetjen e nisi duke ndarë një kujtim që kishte me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.“Dua ta përkujtoj ish-Presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kuj­toi dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugov­ës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i krista­leve të papërpunuara. Kur ia tregova Presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë” – kujtonte Presidenti Amerikan Clinton këtë episod me Presidentin Historik të Kosovës.

NGA ARKIVI-6 TETOR 2005: PRESIDENTI RUGOVA ME GRUPIN NEGOCIATOR: KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA

PRISHTINË, 6 Tetor 2005-QIK – I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon, tha sot Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova pas takimit me Grupin negociator për statusin, në rezidencën e tij në Velani.

Presidenti Rugova takimin e quajti të frytshëm, konstruktiv e miqësor, ndërsa tha se kanë biseduar për planin operativ të funksionimit të delegacionit të Kosovës, për dokumentet e ndryshme që do të aprovohen.

“Natyrisht do të kem një dozë të besueshmërisë të një diskrecioni sepse është delegacion shtetëror dhe për gjëra të rëndësishme do t’ju njoftojmë”, tha Presidenti. “Ne do të vazhdojmë punën mbi këtë plan apo skicë të punës të delegacionit të Kosovës.

Përcaktimi ynë dhe vullneti politik i popullit është pavarësia e Kosovës, pra këto biseda janë për pavarësinë e Kosovës, ndërsa unë edhe të gjithë ne insistojmë për një njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovë që do të ishte edhe më e lehtë sepse do ta qetësonte popullin tonë edhe këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, u shpreh pas takimit Presidenti Rugova.

Ai bëri të ditur se Grupi, për çdo rast, po përgatitet, dhe se të gjithë janë dakord që nëse fillon zgjidhja e statusit në rrugë ndërkombëtare, nëpërmjet negociatave, atëherë, delegacioni do të jetë “i gatshëm, i aftë dhe i përgatitur”, ta udhëheqë Kosovën drejt bërjes së pavarësisë.

Pyetjes nëse mund të ketë kompromis rreth statusit të Kosovës, Presidenti Rugova u përgjegj në mënyrë kategorike, duke thënë: “Kompromis për Kosovën është pavarësia e saj dhe ky është optimum i gjithë shqiptarëve në rajon, andaj nuk kemi kërkuar një bashkim me Shqipërinë që do të krijonte probleme të reja. Prandaj një Kosovë e pavarur do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, nënvizoi Presidenti Rugova, duke ripërsëritur bindjen e plotë se nuk ka shteg tjetër veç pavarësimit të vendit.

Ndërkaq në pyetje tjetër nëse grupi do të ketë platformën për bisedime, Presidenti është përgjigjur qartazi: “Ne platformen e kemi dhe ajo është pavarësia. Neve na duhet operacionalizimi i punës së këtij grupi apo delegacionit të Kosovës nëse do të ketë biseda për pavarësinë e Kosovës dhe të ardhmen e Kosovës. Ne insistojmë në njohje të drejtpërdrejtë dhe ajo pakoja përcjellëse që do të ketë pavarësia e Kosovës”, tha Presidenti Rugova.

Kryekuvendari i Kosovës, Nexhat Daci, sukses më të madh e ka quajtur që Grupi Negociator, apo siç e quajti ai, pesëshja dhe koordinatori i grupit, “janë absolutisht në një frekuencë”.

“Ky delegacion i Kosovës do ta marrë mandatin në parlamentin e Kosovës dhe kufiri më i ulët siç e tha Presidenti është pavarësia e Kosovës”, tha Daci. Ai theksoi se çdo gjë do të rrjedhë nëpërmjet Parlamentit, ndërsa deputetët do të informohen për punën e delegacionit. Delegacioni do t’ia japë mendimet dhe udhëzimet e veta koordinatorit, i cili pastaj mendimet profesionale i sjell, dhe pas miratimit nga delegacioni i Kosovës, ato bëhen publike edhe për parlamentin”.

Lideri i PDK-së Hashim Thaçi u shpreh se delegacioni i Kosovës duhet të prezantojë fuqinë politike të partive politike në Kosovë, duke shtuar se çdo dokument i delegacionit në mënyrë konsensuale dhe me miratimin e Kuvendit të Kosovës duhet të fuqizohet dhe të institucionalizohet, dhe pastaj të prezantohet edhe në raport me ndërkombëtarët.

“Besoj se javën e ardhshme do të jemi së bashku edhe në parlamentin e Kosovë sashtu siç jemi zotuar se do ta ruajmë atë unitet të qëndrueshëm për rikonfirmimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran”, tha Thaçi.

Ndërkaq lideri i ORA-s, Veton Surroi tha se platforma e grupit është e qartë. “E ka pikënisjen, e ka pasur dhe do ta ketë për pavarësinë. Eshtë një elaburim më i gjatë, i cili ka konsensus të plotë dhe duhet të paraqitet në Kuvendin e Kosovës. Si i tillë bëhet obligues për çfarëdo procesi negociator”, tha Surroi.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu