ARKIVI:
20 Dhjetor 2024

Kambëngulja në diplomaci

Shkrime relevante

Çfarë shkruan talebani dhe mbetja osmane, Enes Limani…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Historia e pavdekshme e Marie Shllakut (1922-1946), të resë shkodrane që e dha jetën për AtMëmëdhe

Klajd Kapinova, New York Historia e pavdekshme e vajzës së re shkodrane...

Skandaloze – KMDLNJ e Prishtinës e ka injoruar Enver Hadrin dhe ekipin tonë

Reshat Sahitaj, shkrimtar   * Themeluesit e KMLDNJ 3prill 1983 Këshilli për Mbrojtjen e...

Shpërndaj

Agim Morina, Londër
(ripostim)
E takoja në restorantin e Shkollës së Gjuhëve të Hueja të Ministrisë së Jashtme Britanike. Ishte diplomat i vjetër. Pak para pensionimit. Ishte tue u përgatitë për misionin e vet të fundit diplomatik.
Në fillim folëm për gjellët. Masandej për arkitekturën. Për artet. Dhe në fund për gjuhët. Si mjeshtër i vjetër i muhabetit në gjithçka kishte matuni dhe një nuhatje tejet të mprehtë për atë se çfarë interesimesh kishte bashkëbiseduesi. Mos me shkelë kund në ndonjë dërrasë të kalbët. Një buzëqeshje që e kishte ngjitë për fytyre, për shkak të profesionit, e bante të vështirë me e nda në shej se kur buzëqeshej me të vërtetë e kur e bante këtë nga mirësjellja.
E kuptoi dikur se jam shqiptar. Nga piruni që nuk u ngrit me kohë për te goja e tij e kuptova se u habit pak. Për mirë apo për keq, nuk e dij. Kisha përshtypjen se u ndi pak i mashtruem nga parandjenjat e tij që i kishte stërvitë kaq vite për me e pandehë koxha me saktësi prejardhjen e një personi mbas disa minutash bisede. Më shikonte me kujdes, tue m’i ngulë sytë e tue bastisë gjithçka në qenien teme për me mujtë me ardhë në një përfundim se çfarë njeriu isha, tash që e ia kishte huqë se prej nga isha. Mbas disa takimesh edhe aj, edhe unë, filluem me ba muhabet ma të relaksuem në tavolinën dhe ulëse të njëjta të restorantit të shkollës. Dhe, doemos, disa nga muhabetet mbaronin te problemet politike që ndodhnin në Shqipni e Kosovë, sepse këto më interesonin mue. Shpesh kritikat e mia ishin të drejtueme te veprimet e qarqeve të caktueme të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat, sa herë që vinte puna te shqiptarët, mbaronin në disfavor të këtyne të fundit.
Pse shqiptarët në Maqedoni, që përbajnë ma shumë se 30 për qind të popullsisë së këtij shteti kanë shumë ma pak të drejta sesa serbët në Kosovë? Pse në Shqipëri, gati çdo gjashtë muej, shkojnë delegacione të BE për me vlerësu respektimin e të drejtave të pakicave kur dihet se në Shqipëri ka ma pak se dy për qind, megjithëse Shqipëria i ka respektu dhe i respekton të drejtat e pakicave në mënyrë ma të mirë të mundshme brenda kushteve dhe mundësive që ka? Këto delegacione të BE asnjëherë nuk shkojnë, fjala vjen, në Greqi, megjithëse Greqia i ka mohu dhe mohon në mënyrë shembullore jo vetëm të drejtat e pakicave, por edhe egzistimin e pakicave atje, si fjala vjen, egzistimin e pakicës shqiptare. A na e bajnë këtë pse jemi të vegjël? Të pafuqishëm? Ndoshta ngaqë na, megjithatë, i respektojmë dhe sillemi sipas parimeve të marrëveshjeve? – ishin pikat që problematizoja unë.
Pa e dijtë që e kisha trazu një ndjenjë të fshehun të tij, e pashë se aj buzëqeshi pak ma me vërtetësi dhe te sytë iu shfaq një shkëlqim i paqartë për mue. Heshti. Më shikoi. Kur prita që ka me folë, aj e piu langun e mollës. A thu ka qëllu ndonjë anglez me simpati të çmendun mbas antikitetit helen. Apo mos ishte edhe grek me ndonjë prejardhje të largët? Sapo mendova se aj e la këtë muhabet dhe s’po don me folë, aj tha:
– Shiko, një nga formulat magjike në diplomaci asht kambëngulja. Nuk asht aq me randësi a je i vogël, a je i pafuqishëm. Në diplomaci asht me randësi shumë të madhe se sa je kambëngulës.
E hetoi që unë, derisa aj po fliste, jo vetëm që nuk e kapa krejt porosinë e asaj që thoshte, por edhe mospajtimin tem të thellë me këtë, sepse kjo gja ishte aq e thjeshtë dhe aq e lehtë me u ba, e si pasojë, për mue edhe e parandësishme në punën diplomatike. Simbas meje, unë e pata shtru problemin në mënyrë shumë ma të ndërlikueme dhe të thellë dhe prisja një përgjegje së paku po aq e çatrafilueme. Natyrisht, nuk thashë gja për shkak të mirësjelljes, por aj e kishte kuptu këtë tashma dhe pa ia thanë asnjë fjalë ma shumë vazhdoi:
– Grekët, serbët, malazezët kanë fitu shumë falë kambënguljes së tyne.
– Kambënguljes? Vetëm kaq? – arrijta me thanë.
– Po, kambëngulja asht një armë e fortë në diplomaci. Unë i dij, sidomos grekët e serbët, që kanë qenë fanatikë në çdo gja. S’kanë heqë dorë kurrë nga qëllimet e tyne, me vite, me dhjeta vite, asnjëherë. Sado i vogël që të jetë një problem, ata e zmadhojnë dhe e kthejnë në një fakt të një randësie të veçantë. E problematizojnë deri në atë masë sa i bajnë rrethet diplomatike me nisë me i marrë seriozisht. Ata e dijnë se janë të vegjël dhe po aq të pafuqishëm mballafaqe fuqive të mëdha, por ngulin kambë deri në atë masë sa diplomacia e të fuqishmëve ua pranon dikur, lëshon pe, veç sa me i heqë qafe, ose thjesht edhe nga pakujdesia e çastit, tue qenë se kambëngulja e tyne asht konstante, e përhershme, e pandalshme.
Ishte një përgjegje pak ma e qartë por jo përgjegje që më bani me u ndi i kënaqun krejtësisht. E kuptoi edhe këtë dhe, mbasi i fshiu buzët me pecetë, mori një pozë tipike të bashkëbiseduesit i cili e dinte se do të thoshte një argument përfundimtar e tue i mbështetë llanët kryqaz në tavolinë tha:
– Shiko, po ta ilustroj këtë me një rast konkret. Ti e din që Islanda asht një shtet krejt i vogël apo jo? Banorë e saj s’e mbushin dot as edhe një lagje të Londrës apo jo? Por, ky shtet ka dalë fitimtar në betejën diplomatike me Mbretninë e Bashkueme në tri Luftat e Bakalarit që zgjatën me dhjeta vite, bile mun me u thanë se kishte nisë edhe para shumë shekujsh. Ujnat territorialë të Islandës, në fillim, fjala vjen me 1952, kanë qenë vetëm rreth 6-7 kilometra. Me një kambëngulje të pashembullt islandezët kurrë s’u ndalën me kërkesat e tyne për me e heqë këtë kufizim dhe me përpjekje të mëdha e banë një herë 22 kilometra, masandej 50 kilometra dhe me 1976 erdhën deri te të pabesueshmet 200 milje detare (370 kilometra). Diplomacia britanike, herë e ka nënçmu randësinë e kësaj pune e herë e ka lanë krejt menjanë, tue u marrë me probleme shumë ma të mëdha. Por diplomacia islandeze nuk i ka ndalë kurrë përpjekjet për me fitu këtë kontest. Dhe krejt kjo u kunorëzu me 1976 kur ata arrijtën një fitore të pashembullt diplomatike. Kush kish mujtë me parashiku ndonjëherë që një shtet si Islanda me dalë fitues kundër Britanisë së Madhe, një superfuqie planetare, në fushën diplomatike? Prandej po thom që kambëngulja, mosheqja dorë, jo vetëm nga e drejta jote – e nganjëherë qysh mun me e pa edhe nga e padrejta jote, qysh ndodh në politikë – asht një armë e fortë në diplomaci.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu