ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

Kanë filluar punimet për rehabilitimin e Kishës së Kuvendit të Arbërit afër Lezhës

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

APEL PËR NDIHMË!

Bëhet fjalë për asgjë më pak se restaurimi i Kishës ku është mbajtur Kuvendi i Arbërit afër Lezhës – “Vendi ku u mblodhën burrat e motit” – në vitin 1703, sipas studiuesit, nismëtarit dhe protagonistit kryesor të këtij projekti të rëndësishëm për historinë mbarëkombëtare të shqiptarëve, Dr. Dom Nikë Ukgjinit. Për hollësi të mëtejshme për historinë e Kuvendit të Arbërit mund të lexoni linkun e bashkangjitur në një artikulli nga Dom Nikë Ukgjini  të fjalës që ai ka mbajtur vitin e kaluar në Konferencën Jubilare: “Papa Klementi XI dhe Shqipëria”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Nunciatura Apostolike në Shqipëri. KISHA E KUVENDIT TË ARBRIT, NË TË KALUARËN DHE SOT – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)

Papa Klementi XI Albani

Është e rëndësishme të theksohet se sipas disa studiuesve dhe historianëve të asaj periudhe, Kuvendi i Arbërit, që është mbajtur në vitin 1703, nën drejtimin e Papa Klementit të XI, me origjinë shqiptare është ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kombit shqiptar, pas Besëlidhjes së Lezhës. Frank Shkreli: Papa Klementi  i XI me origjinë shqiptare – mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve | Gazeta Telegraf

Restaurimi i një monumenti të tillë kulture të Kombit shqiptar do duhej të tërhiqte një vëmendje më të madhe nga autoritetet e Qeverisë së Shqipërisë, më saktësisht, të Ministrisë së Kulturës të atij vendi. Unë nuk e di se cili është misioni aktual i një ministrie, siç është Ministria e Kulturës e Shqipërisë, por performanca e saj – përsa i përket restaurimit, ruajtjes dhe respektimit të monumenteve të kulturës dhe të historisë kombëtare – nuk është diçka që kjo ministri mund të thotë se është krenare para shqiptarëve, për punën e saj në këtë fushë. Në të vërtetë, është një mision i dështuar dhe një shfaqje e shëmtuar e kësaj ministries që i përket mbrojtjes së identitetit kulturor e kombëtar të shqiptarëve gjatë shekujve, duke filluar nga momumenti i Gjergj Kastriotit në Lezhë Frank Shkreli: Monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë kthehet në nevojtore | Gazeta Telegraf, tek shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta Frank Shkreli/ At Gjergj Fishta, si vlerë kombëtare | Gazeta Telegraf, e deri tek trashëgimia e Vëllëzërve Frashëri, Frank Shkreli: A është trashëgimia kulturore dhe historike shqiptare në zhdukje e sipër? | Gazeta Telegraf – e sa e sa të tjera monumente të kulturës dhe të identitetit kombëtar – nga veriu e deri në jug të vendit – të harruara dhe të lëna pas dore nga autoritetet, detyra e të cilëve duhej të ishte pikërisht mbrojtja e tyre. Kjo gjëndje nevojit një ndërhyrje urgjente. Një ndër aktet e para të Kuvendit të Shqipërisë duhet të jetë që t’i kërkojë llogari Ministrisë së Kulturës mbi punën e saj dhe pse nuk kujdeset për ruajtjen, restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve historike të shqiptarëve në territorin e Shqipërisë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, sipas mundësive.

Dr. Dom Nikë Ukgjini

Por, fatbardhësisht, në mungesë të ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare të kësaj fushe, ka individë dhe organizata që përpiqen të bëjnë atë që do duhej të bënin, në këtë fushë, Ministria e Kulturës dhe ente të tjera qeveritare, përgjegjëse për ruajtjen e monumenteve historike të vendit. Një rast i ditëve të fundit, që pasqyron angazhimin e qytetarëve të thjeshtë, në mbrojtje të monumenteve historike, është ai i përpjekjeve të Dr. Dom Nikë Ukgjinit me bashkëpunëtorë: njeriut me pasion dhe vullnet të madh për restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve historike të kulturës shqiptare, por, fatkeqësisht, me mjete të pakta, por me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve të tij patriotë e të zellshëm për të shpëtuar nga shkatërrimi Kishën e “Kuvendit të Arbërit”, afër Lezhës. Duhet theksuar se ky nuk është projekti i parë që Dom Nika ka marrë përsipër si individ me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë një ndërmarrje të tillë, privatisht. Në të vërtetë janë disa!

Dr. Dom Nika nuk i trembet asnjë nisme. Por: në mungesë të ndihmës nga entet dhe autoritetet qeveritare të Shqipërisë, Dom Nikë Ukgjini me kolegët e tij, ka nevojë edhe kësaj radhe, për ndihmë për projektin e restaurimit të Kishës së “Kuvendit të Arbërit” afër Lezhës. Prandaj po shpërndahet ky APEL për ndihmë, ndërkohë që në bashkëpunim me dioqezën e Lezhës, me rektorin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit”, dom Martin Jaku, famullitarin e zonës dhe me Atë Karlos Kalero kanë filluar tanimë punimet për rehabilitimin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit”. Ndonëse, punimet për momentin janë duke u zhvilluar me ndihmën e sipërmarrësit, Gjergj Lejqeza, me mbështetjen e banorëve vendas dhe atyre jashtë vendit, sipas Dom Nikës, pritet edhe ndihma e Bashkisë se Lezhës si dhe disa mërgimtarëve shqiptarë, që jetojnë në Evropë dhe Amerikë. Por kjo nuk mjafton për restaurimin e plotë të Kishës së “Kuvendit të Arbërit” me rrethinë. Prandaj, edhe për rëndësinë historike mbarëkombëtare që mbart ky projekt, ky APEL nga nismëtarët e tij, u drejtohet, sidomos biznismenëve shqiptarë të suksesshëm: të shumtë këtu në Amerikë dhe në Evropë. Ndihma e juaj është një ndihmë për të shpëtuar historinë dhe identitetin kombëtar të atyre trojeve, para se t’i shkatërrojë mos kujdesi i njeriut dhe aktet e papritura të natyrës.

Pason APELI i Rektorit të Kishës së Arbërit, Dom Martin Jaku drejtuar të gjithë besimtarëve dhe atdhetarëve të gjitha trevave dhe trojeve shqiptare dhe shqipfolëseve kudo që ndodhen, në këtë rruzull tokësor:

“Të dashur besimtarë, miq të nderuar të Kishës së Shën Gjonit, Mërqi. Në cilësinë e Rektorit të kësaj kishe, pra, si kujdestar i saj, u drejtohem jo vetëm ju si banorë të fshatit Mërqi, por të gjithë besimtarëve dhe atdhetarëve të të gjitha trevave dhe trojeve shqiptare dhe shqipfolësve kudo që ndodhen në këtë rruzull tokësor: paqë, hir, drejtësi, mbarësi e begati ju dhe familjeve tuaja kudo që ndodheni. Kisha e Shën Gjonit asht një vend me simbolikë, histori dhe vlerë të veçantë fetare dhe kombëtare. Në këtë kishë dhe në këtë vend u thirr dhe u mbajt ngjarja më madhore dhe vendimtare për fatet e kombit dhe të fesë, Kuvendi i Arbënit ose i Arbënisë! Ky kuvend i thirrur dhe i mbajtur me 14-16 janar 1703, në Mërqi, më së pari është vepër e Zotit, të cilit i kjoshim falë, dhe iniciativë e Papa Klementit të XI, Albani, pra shqiptar. Ai e shpalli dhe e organizoi duke ngarkuar me këtë detyrë të lartë dhe fisnike, arqipeshkvin e përndritur të Tivarit, Imzot Vinko Zmajeviq. Vendimet, masat dhe propozimet e këtij kuvendi sollën një rigjallërim dhe një ripërtëritje të madhe për kishën dhe kombin shqiptar, i cili lëngonte nën shtypjen e sundimit ottoman”,- shprehet Rektori i Kishës së Arbërit, Dom Martin Jaku, ndërkohë që falënderon me mirënjohje të thellë për ndihmën bujare, bashkëpunimin dhe mbështetjen e veçantë të besimtarëve dhe banorëve të fshatit Mërqi, afër Lezhës. Rektori Dom Martin Jaku falënderon edhe Bashkinë Lezhë megjithëse pret më shumë ndihmë prej saj për përfundimin e këtij projekti, si dhe shprehje mirënjohje për sipërmarrësin Gjergj Leqejza për kontributin e tij të veçantë, që po jep për restaurimin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit”. Një falënderim të veçantë Rektori Jaku rezervon për Dom Nikë Ukgjinin, hulumtuesin, studiuesin dhe restauruesin e këtij projekti të rëndësishëm kulturor, kombëtar dhe fetar.

Është një APEL ky që meriton t’i bashkohen të gjithë shqiptarët kudo që janë, në bashkëpunim e solidarizim me njëri tjetrin dhe në mbrojtje të kulturës dhe historisë së shqiptarëve, duke dhënë kontributin, sipas mundësisë, për realizimin e këtij projekti madhor të historisë mbarëkombëtare.

Ju lutem lexuesve t’a shpërndajnë këtë APEL ndihmese që na vjen nga Lezha legjendare, për restaurimin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit” – një ngjarje me shumë rëndësi historike për fatet e kombit. Ndoshta e dyta pas Besëlidhjes së Lezhës e vitit 1444, që sipas disa historianëve mbi parimet e të cilës është mbledhur më vonë Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe shumë të tjera organizime kombëtare për të shpëtuar Kombin, gjatë historisë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu