ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Kauza shqiptare dhe roli historik i liderëve dje e sot

Shkrime relevante

Çfarë shkruan talebani dhe mbetja osmane, Enes Limani…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Historia e pavdekshme e Marie Shllakut (1922-1946), të resë shkodrane që e dha jetën për AtMëmëdhe

Klajd Kapinova, New York Historia e pavdekshme e vajzës së re shkodrane...

Skandaloze – KMDLNJ e Prishtinës e ka injoruar Enver Hadrin dhe ekipin tonë

Reshat Sahitaj, shkrimtar   * Themeluesit e KMLDNJ 3prill 1983 Këshilli për Mbrojtjen e...

Shpërndaj

Prof. Dr. Sadri Ramabaja

Shkup, 12 gusht- Sot në këtë tryezë politike me një moto që vije natyrshëm e në frymën e dy prej korifejve të mendimit politik shqiptar — “Kauzat shqiptare — para dhe pas Hasan Prishtinës”, që po mbahet pikërisht këtu në Shkup, në kryeqendrën e njërit nga katër vilajeteve të Shqipërisë, në këtë orë të madhe të historisë që kemi para nesh, nuk është e rastësishme që prezent është, jo vetëm fizikisht, por edhe me kumtesën e tij, Albin Kurti. Ai tashmë në rrafshin e formimit teorik e politik, është i profiluar si pasuesi më tipik i shkollës së mendimit politik shqiptar, në themel të së cilës është trashëgimia teorike dhe praktike e Hasan Prishtinës dhe Ukshin Hotit. Kur kësaj i shtojmë faktin se ai vije në këtë tryezë edhe si kryeministër i Republikës së Kosovës, pesha e kësaj prezence është edhe më e madhe.

Homazh për dy korifejtë e mendimit politik shqiptar

Për shumëkë nga skena jonë e copëzuar politike ishte e mbetet e vështirë që të ndiqet shembulli i Hasan Prishtinës dhe i Ukshin Hotit, sepse ata shkrinë jetën dhe pasurinë për Atdheun, ndërkaq vitet që lamë pas, shumë prej të ashtuquajturve liderë tanë ishin e vazhdojnë të jenë të gatshëm të shesin pjesë të Atdheut a të lidhin aleanca të panatyrshme, për pak pushtet, për mirëqenje dhe pasuri personale.
Kjo është njëra nga arsyet qenësore se krahas botës akademike, ka ardhur koha që edhe liderët politikë të jenë “në rregull” me figurën e Hasan Prishtinës e atë të Ukshin Hotit, duke bërë Republikën e Kosovës funksionale, ndërkaq kauzën e shqiptarëve për liri e bashkim ta shpjejnë përpara, ashtu si e deshtën ata.

Kjo tribunë sot vije si një homazh i veçantë për dy korifejtë e mendimit politik shqiptar — Hasan Prishtinës e Ukshin Hotit. Por, tryeza e sotme do të ketë efekte cilësisht progresive atëherë kur atë mendim politik, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ia delë ta shndërrojë në doktrinë politike dhe strategji veprimi.

E përbashkëta e Hasan Prishtinës dhe Ukshin Hotit

Aty nga fundi i shekullit XIX, në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare erdhi deri te kristalizimi më i qartë i tri rrymave politike: rryma konservatore (feudale), rryma reformatore (liberale) dhe ajo nacionaliste-borgjeze.

Drejtimi reformator përfaqësohej prej tregtarësh të fuqishëm, pronarë tokash dhe bejlerësh, që vinin prej familjeve feudale, të cilat ishin mëkëmbur mirë dhe merreshin me sipërmarrje prodhimi mallrash për treg. Programi politik i kësaj rryme e parashikonte autonominë e Shqipërisë dhe reformimin e rendit juridiko-politik në përputhje me sistemet evropiane borgjeze të kohës. Ky program, ashtu si edhe ai i rrymës së parë konservatore feudale, nuk kërkonte shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ky program shprehte besimin e kësaj rryme se nëpërmjet reformave që do të kryheshin në Shqipëri, po pse jo edhe në tërë Perandorinë Osmane, do ta shmangnin anarkinë që tashmë kishte zënë vend dhe do të krijonte parakushte për zhvillim e prosperim.

Një pjesë e mbështetësve të lëvizjes reformatore mendonin se rënia e afërt e Perandorisë Osmane, e këtij shteti shumëkombësh, ishte e pashmangshme. Për këtë pjesë të kësaj rryme, autonomia e Shqipërisë brenda Turqisë do të duhej trajtuar si etapë e shkurtër, parapërgatitore, drejt pavarësisë së Shqipërisë, por që sërish ajo do të ishte pjesë federale e një shteti më të fuqishëm perëndimor. Në këtë rrugëtim, përfaqësuesit e kësaj lagjeje reformatorësh, besonin se do ta kishin mbështetjen e plotë të Austro-Hungarisë.

Rryma e tretë, ajo që njihet si rrymë nacionaliste-borgjeze, në kuadër të lëvizjes për çlirim, i bashkonte radikalët me veprimtarët e moderuar. Kjo rrymë i përfaqësonte në fakt fillesat e formimit të elitës intelektuale shqiptare. Produkt i kësaj elite në formim ishte manifesti me titull “Çfarë kërkojnë shqiptarët”, që e nxori Komiteti i Stambollit në vitin 1898, e që u drejtohej qeverive të shteteve evropiane.

Hasan Prishtina ishte promotori i rrymës së tretë — që i bashkonte radikalët dhe veprimtarët e moderuar dhe si i tillë do ët ngjitej në krye të Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1910–1912 për krijimin e Shtetit Shqiptar.

Udhëheqësit e kryengritjes së vitit 1912, duke pasur parasysh dobësitë e reflektuara në rezultatin e kryengritjes së viteve 1910 (Carralevë, Kaçanik etj.) dhe 1911 (Malësi e Madhe…), ndërmorën masa për ngritjen e një qendre unike komanduese. Sipas marrëveshjes që ishte arritur në takimin e fshehtë të grupit parlamentar të deputetëve shqiptarë në Stamboll, që tashmë ka hyrë në histori me emrin Mbledhja e Taksimit (emri i lagjes ku u mbajt takimi), barrën qendrore të kryengritjes do ta bartte Kosova. Në ballë të kësaj detyre u vu korifeu i kësaj kryengritje — Hasan Prishtina.

Kjo gjendje me nuanca të mëdha ngjashmërie ishte edhe në prag të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, nga e cila ishin aneksuar më se gjysma e tokave shqiptare që nga tetori i vitit 1912. [Sadri Ramabaja: 2016]

Si Hasan Prishtina në epokën e tij kur po bënte çmos që Kombi e Shqipëria të mbijetojë, edhe Ukshin Hoti duke qenë plotësisht i bindur se rreshtimi i shqiptarëve në krahun e demokracive liberale vetëm në rrafshin deklarativ nuk do të mjaftojë, ishte angazhuar që rezistenca jonë politike paqësore e viteve nëntëdhjetë të pajiset edhe me krahun e forcës. Shih për këtë ai në esenë e tij të jashtëzakonshme “Bëje ose vdis për ta vrarë vdekjen!” bën thirrje për krijimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Ai e bënte këtë në një çast të jashtëzakonshëm, kur kishte konluduar se “viti 1981 kishte përfunduar më 27 janar të vitit 1990”, kur në Brestovc të Rahovecit kishin rënë katër dëshmorë në mbrojtje të Republikës. ndërkaq në Prishtinë “vetëdija e deformuar mbi realitetin, duket se i kishte mjegulluar gjërat. Edhe Republika, edhe Demokracia, akoma mbahen peng”, konstatonte me dhimbje Ukshin Hoti. [Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare”, Prishtinë, 1997, f. 283]

Në këtë përfundim ai kishte ardhë meqë ishte një nga mendjet më të ndritura të mendimit politik dhe, për rrjedhojë, ngase i njihte mirë kundërthëniet gjeostrategjike që do të mund të ngjallte procesi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Rreshtimin aktiv pro demokracive perëndimore ai e shihte edhe si kontribut që do të jepte populli shqiptar në transformimin, respektivisht shpërbërjen e Jugosllavisë, pa provokuar ndërhyrjen e Rusisë në rajon. Shih për këtë, ai kishte elaboruar qartë dy skenarët tashmë të njohur, atë për Republikën e Kosovës si pjesë përbërëse e Federatës Jugosllave dhe skenarin për bashkimin e Kosovës me Republikën e Shqipërisë, pjesë e natyrshme e së cilës ishte.

Për skenarin e parë, ai ishte shprehur se do të merrte përgjegjësi, duke qenë në krye të kësaj beteje politike, ndërkaq për të dytin ai do të ishte vetëm një ushtar. Rezervën që kishte rreth skenarit të dytë ai e ndërlidhte me pasojat e mëdha që mund të kishim, në rast se pala serbe dhe faktori ndërkombëtar që mbështeste interesat serbe në rajon, do të mund të hidheshin në ofensivë në çastin e shpërthimit të luftës, duke shkaktuar çarjen e NATO-s. Këta skenarë ai i konvergonte në harmoni të plotë me rolin e faktorit ndërkombëtar në rajon. .[Ukshin Hoti, po aty, eseja “Gishti i trashë i vëllait të madh” (f. 218–234).]

Gjendja e krijuar ndërkohë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes treshes Vuçiq-Rama dhe Zajev, pikërisht këtu në Shkup, na sjell para dilemave që kishte Ukshin Hoti lidhur me skenarët që do të mund ta risillnin Rusinë në rajon.

Në historinë bashkëkohore të kombit shqiptar dhe me këtë edhe të Kosovës, si pjesë e truallit etnik shqiptar, është hera e dytë që në prag të kurorëzimit të betejave për të përmbyllur epokën e krijimit të shtetit-komb, nga ana e Serbisë, arrestohen dhe burgosen, mbahen peng, ideologët e Lëvizjes për krijimin e Shtetit-Komb.

Herën e parë, në fillim të shekullit 20-të, në prag të shpalljes së pavarësisë, u burgos dhe u izolua ideologu i kryengritjes së përgjithshme shqiptare për pavarësi, Hasan Prishtina. Arsyet pse Serbia veproi atëbotë ashtu me Hasan Prishtinën ishin mëse të qarta: lidhjet që ai kishte me kryengritësit dhe reputacioni si diplomat, mund të paraqitnin pengesa serioze në realizimin e objektivave serbe në dëm të hapësirës jetësore shqiptare. Mundësia e Hasan Prishitnës për ndërhyrje në favor të çështjes shqiptare çmoheshin edhe nga Beogradi dhe qarqe tjera shovene të Ballkanit. Për këtë arsye gjatë një pjese të mirë të kohës kur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), do të trajtoheshin planet për copëtimin e tokave shqiptare dhe ky coptim tashmë ishte çështje e kryer, ai u mbajt në një burg afër Beogradit (Burgu në Zabel).

Herën e dytë, në fund të shekullit 20-të, kur çështja e Kosovës po bëhej objekt trajtimi edhe nga qendrat e vendosjes politike, kur Lëvizja politike në Kosovë pritej të konsolidohej edhe në rrafshin ushtarak, si e kërkonte çasti historik, ashtu që Kosova të shndërrohej gradualisht nga një objekt siç ishte, në një subjekt diplomatik, ideologu i kësaj lëvizje, Ukshin Hoti, mbahet në burgjet serbe, për të mos e kaluar atë prag as sot e kësaj dite dhe çka është edhe më keq, për fatin e tij nuk përgjigjet ende Serbia me të cilën pretendohet të krijohet projekti i ashtuquajtur Ballkan i hapur!

Stavro Skendi njëri nga studjuesit më të spikatur të mendimit politik shqiptar, para së gjithash i filleve të tij, potencon se ishte pikërisht GJUHA që i bënte shqiptarët të ndjenin që ata qenë të ndryshëm nga të tjerët dhe ju falte atyre ndjenjën se i përkisnin të njejtit komb. [Stavro Skendi, Zgjimi kombëtar shqiptar, Tiranë, 2000, f 425]

Gjuha dhe kjo ndjesi e përkatësisë së përbashkët, të qenunit NJË, e bën Kombin sot të frymojë bashkë, të njësohet edhe më shumë me emrin SHQIPËRI, kur dikush e provokon dhe tenton ta ndajë e përçajë.

Intencat për krijimin e një modeli tjetër të ngjashëm me ish Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene [ Ante Mirić: 2021], tashmë me emrin Open Ballkan, ku mbret pa kurorë do të ishte Aleksandar Vuçiqi, është fyerja më e madhe që i bëhet korifejve të mendimit shqiptar, duke filluar nga Sami Frashëri, e deri tek Hasan Prishtina e Ukshin Hoti, që fundja janë pasqyrimi më real i ndërgjegjes e formimit tonë nacional, ndjesisë së të qenunit NJË.

Komunikimi im me Ukshin Hotin

Pas lirimit nga burgu i parë, i vetëdijshëm për rolin e fuqisnë e medias dhe mendimit politik, Ukshin Hoti nxori gazetën politike DEA — Demokracia Autentike. Që me titullin e kësaj gazete ai mbronte idenë, se demokracia nuk mund të importohet përmes shablloneve të gatshme, por duhet të vetëlindet nga rrethanat e caktuara nacionale dhe shoqërore të një vendi. Ndërkaq pas kthimit në Kosovë, jeta dhe rrethi nuk do të jenë shumë bujar ndaj tij. Për shkak të pamundësisë për ta tejkaluar madhështinë e personalitetit të tij dhe pamundësisë për tu matur me te, përmes një marrëveshje të heshtur u thurr qëndrimi anti Ukshin Hot, që të anashkalohet dhe minimizohet personaliteti i tij. Nga ky qendrim hipokritë i klasës së re politike, ai ngeli i izoluar, apo siç e quante vet i ostrazicuar, në fshatin e tij të lindjes. [Ibrahim Shala: 2016]

Në këto rrethana të ostrasicizmit ka pasur vizita nga organizata dhe parti të ndryshme politike që shkonin për tu konsultuar me profesorin, për programet dhe strategjitë politike të mundshme.

Komunikimi im i parë ishte përmes ish shokut të tij të bankës, Muharrem Dina, i njohur me nofkën e luftës “Komandant Mixha”, i cili do t‘më shërbejë edhe si urë lidhse me Beadin Hallaqin. Beadini, një sociolog me formim të thellë teorik, por edhe organizator i shklqyer (ishte njëri nga udhëheqësit politik kryesor të LPRK-së në Kosovë) gjatë kësaj periudhe izolimi do të përafrohet shumë me profesor Hotin. Ky përafrim i tij do t’ i shërbente si Beadinit edhe profesor Hotit për të ndërtuar strategji veprimi në dobi të ngritjes, koordinimit dhe rritës së LPRK-së, ideolog të të cilës de fakto ishin pikërisht kjo dyshe, që për shumëçka fundin do ta kenë të njejtë — tragjik.

Në dy vizitat që kisha nga Beadini në Basel në vitin 1990 dhe 1991, derisa bënim shetinë në Promenadën e Bruderholcit, njëra nga lagjet më urbane të qytetit që kishte ruajtur frymën helvetike të jetës, do të këmbenim mendime tok për sistemin politik zviceran dhe indirekt kishim pranë edhe profesor Hotin, meqë Beadini jo rrallë në bsedë sillte mendimin e tij për çështjet që ishin objekt trajtimi.
Disa vite më vonë, derisa Ukshini ishte kryeredaktor i DA në Lubjanë, ndërkaq unë kisha filluar të kontribuojë me ndonjë ese timen mbi politikat e Unionit Europian, në njërën nga bisedat e para që kisha në telefon, e gjeti mënyrën për t’më këshilluar që të thelloja studmiet në këtë fushë, meqë Kosovës i mungojnë shumë kuadri i specializuar në politikat europiane, potencoi ai.

Kjo këshillë e tij do të jetë shtysa kryesore përse më pas, kur mu dha mundësia, qesh regjistruar në Institutin për Studme Europiane të Uiversitetit të Baselit dhe ndiqja kurse specifike që i gjykoja më se të domosdoshme për thellimin e dijeve në atë sferë të mendimit politik europian, por edhe arsyeja themelore përse kisha përzgjedhur për disertacion tezën mbi Federata Shqiptare — kohezionin e shtetit-komb në BE.

Në konceptimin e veprimtarisë politike kombëtare në kushtet e aparthejdit, Ukshin Hoti e mirrte në konsideratë edhe mundësinë reale të flijimit sublim në shërbim të idealit të lirisë, e që do t’i shërbente objektivit madhor — bashkimit të Kombit. Bredna këtij koncepti bashkjetonin e zhvilloheshin paralel e tok koncepti e respekti që ai kultivonte për të drejtën kombëtare krahas konceptit universal mbi lirinë

Interesat dhe politika

Pas Dejtonit, për ata që e kishin të qartë se: ideja e interesit është vërtetë në thelb të politikës dhe se nuk dëmtohet nga koha dhe hapësira, Kosova u trajtua si “parcelë ekzotike… në truallin e Evropës”, ku ia vlente “për të sprovuar qëndrueshmërinë e teorive të llojllojshme globale…”, shprehet i indinjuar dhe plot mllef Profesor Hoti. “Poqëse inteligjencia e Kosovës tregohet sterile në procesin e kontekstit real të forcave dhe të drejtimeve realisht të mundshme të zhvillimit të mëtejshëm të proceseve politike, atëherë ajo sërish do të bjerë në provim”, konkludonte Hoti në analizën e tij me titull “Shteti dhe interesat vitale të kombit”. [Vep. e cituar]

Intelegjencia jonë që u gjet si u gjet në krye të institucioneve të Republikëps fiktive të Kosovës në vitet e nëntëdhjeta, por edhe ajo që për gadi njëzetë vite pas çlirimit t Kosoëvs ishte vënë në shërbim të plotë të olhokratëve. Kjo kategori e intelegjencies tok me pjesën më të madhe që qëndron larg politikës ose është servis i heshtur i saj, si duket nuk kishte parasysh përfundimet empirike të shkencës politike mbi politikën dhe interesat e shtetit. Prandaj, jemi ku jemi. Prandaj, trajtohemi kështu si po trajtohemi.

Në pjesën e parë të kryeveprës së Hotit, si refleksion i mendimit politik të proveniencës perendimore dhe asaj të lindjes, vjen studimi me titull “Shqiptarët dhe interesat vitale të kombot”, që citova më lart. Ky studim ishte i përgatitur në formë kumtese dhe i paraqitur në simpoziumin shkencor të Akademisë së Shkencave të Kosovës, të mbajtur në Prishtinë në qershor të vitit 1991 me temë shumë sinjifikative për kohën: “Shqiptarët dhe Evropa — dje, sot dhe nesër”. Ai kërkon rilexim të veçantë, jo thjeshtë vetëm për thellim të njohjes së mendimit politik të Hotit për këtë sferë, por ngase kjo çështje ruan aktualitetin e plotë edhe sot e kësaj dite. Aty çështja shqiptare është prezantuar si kompleks jo vetëm politik, por edhe strategjik, që ngërthen interesat jetike të palëve në konflikt.

Në planin teoriko-shkencor, mbështetur pikërisht në mendimin politik perëndimor, autori provon me fakte të drejtën e shqiptarëve për të rrumbullaksuar procesin e ndërtimit të shtetit-komb, ngjashëm me kombet tjera të Europës. Me këtë rast Hoti merr në shqyrtim dhe mbështet konkluzën politike të Prof. Arben Putos, tek nënvizon faktin se, fuqitë e mëdha nuk e përgjysmuan Shqipërinë, siç theksohet shpesh, por e reduktuan në një Shqipëri viabël.

Duke pasur parasysh se Shteti edhe më tej mbetet struktura juridike dhe politike e pazëvendsushme për qeverisje demokratike, pavarësisht faktit se më nuk mund të pretendohet për pavarësi të plotë, krijimi i shtetit-komb për popullin shqiptar nuk është thjesht domosdoshmëri dhe prerogativë historike, por edhe politike dhe ekzistenciale. Shteti, qoftë ai i ndërtuar mbi parimet filozofike nacionale (Franca), qoftë ai i ndërtuar mbështetur në përkatësinë kulturore dhe gjuhësore (Gjermania), apo ai i mbështetur ekskluzivisht në parimet e institucionalizimit (Anglia), mbetet struktura qenësore e organizimit politik i ngritur mbi të drejtën legjitime për ushtrimin e pushtetit në territorin përkatës. Por, nëse deri dje, sovraniteti i pakufizuar mbetej si gjakim eksplicit i shtetit, ndërkohë rrethanat kanë ndryshuar. Ndërvartësia si koncept politiko-juridik dhe mundësia e delegimit, respektivisht bartjes së një pjese të kompetencave nacionale tek strukturat mbnacionale (NATO/ UE), po fiton terren. Por edhe në këtë rast, parimi i subsdiaritetit është në dobi të shtetit-komb dhe mekanizmave të tij qeverisës. Kështu, edhe më tej, shteti gëzon legjitimitetin për ushtrimin e pushtetit, që mban lidhur kombin me shtetin. Shqiptarët në këtë kuadër nuk mund të bëjnë përjashtim.

Lideri dhe roli i tij

Në funksion të asaj që nënvizova më lartë, roli i udhëheqjes politike, konkretisht i liderit, është i rëndësisë së veçantë. Këtë fakt e gjejmë të nënvizuar në veprën e Profesor Ukshin Hotit tek analizon raportin e inteligjencies me politikën.

Në studimet e tij, Ukshin Hoti përpos që ka analizuar kompleksitetitn e çështjes shqiptare, ai ka dhënë udhëzgjidhjet në frymën më humane dhe realisht më të mundshme për kohën kur janë shkruar ato. Ndër faktorët që do të reflektojnë në zgjidhjen e këtij kompleksi, që Hoti i ka kushtuar vëmendjen e duhur prej studjuesi, më duket se katër prej tyre meritojnë të potencohen edhe me këtë rast:

1. Lëvizja e gjerë kombëtare në Kosovë — rëndësia juridiko-politike e deklaratës kushtetuese dhe akteve tjera përcjellëse, po sidomos obligimet kushtetutare për krijimin e mekanizmave që ndërtojnë dhe mbrojnë shtetin (shih për këtë mbrojtjen e tij brilante në gjyq);

2. Republika e Shqipërisë — Shteti Shqiptar dhe rëndësia shumëdimensionale e tij në funksion të zgjidhje së çështjes shqiptare;

3. Jugosllavia, respektivisht Serbia — Këtu në fakt kemi të bëjmë me interesat serbe të dorës së parë dhe raportet e pjesëve që do të përbëjnë këtë federatë të re;

4. Superfuqitë ekzistuese — Në cilësinë e faktorit të katërt janë vlerësuar superfuqitë ekzistuese dhe interesat e tyre për rajonin, parasëgjithash SHBA-të dhe Unioni Evropian, por pa nënvlerësuar rolin e Rusisë dhe ndikimin e saj në politikën evropiane.

UÇK që reflektonte pjekurinë politike dhe vendosmërinë e popullit për të marrë fatin e tij në duart e veta, për Prof.. Ukshin Hotin ishte faktori vendimtar. Për rrethana të njohura, ai nuk pati fatin që në studimet e tij të analizonte rolin dhe vendin e saj në historinë më të re të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi, sado që daljen e saj e pat përshëndetur. Sidoqoftë ai ishte, me plot kuptimin e fjalës, ideator i saj.

Faktorët e mësipërm, duke shtuar edhe UÇK si strukturë e rirreshtuar tashmë në FSK dhe ndryshimin epokal që sollën zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, me gjithë kushtëzimet që kanë, do të influencojnë në fatin e ardhshëm të shqiptarëve në tërësi dhe të Kosovës në veçanti. Por, shkalla e realizimit të kauzës shqiptare do të varet shumë nga ata që do të jenë edhe tashti e tutje në krye të institucioneve të Kosovës, do të mund të ishte mesazhi i Ukshin Hotit. Ky postulat i Ukshin Hotit, gjykoj se gjen mbështetje tek personi i Alnbin Kurtit, që tok me Hasan Prishtinën dhe Ukshin Hotin, e kanë refuzuar mitin kokëfortë mbi njeriun që për nga natyra na qenkërka egoist dhe agresiv, do të thoshte filozofi bashkëkohor danez Rutger Bregman.

___________________

Literatura

1. Ramiz Abdyli, Hasan Prishtina, Prishtinë 2002

2. Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjs Shqiptare, tiranë, 1995/ Prishtinë, 1997

3. Stavro Skendi, Zgjimi kombëtar shqiptar, Tiranë, 2000

4. Rutger Bregman, Im Grunde gut, Berlin, 2020

5. Sadri Ramabaja, Federata Shqiptare — Kohezioni i shtetit-kom në BE, Prishtinë 2016

6. Ibrahim Shala, Ukshin Hoti, uragan i mendimit politik shqiptar (kumtesë) ttps://docs.google.com/document/d/1IhYtWh8WFsG1N-pqU2iOF4uJJl-Gr4kjY1N_ngTDQ0A/edit) . Kjo kumtesë u lexua në Tribunën Shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Profesor Ukshin Hotit — Prishtinë, 17. 05. 2004. ( Pashtriku)

7. Ante MirićHttps://www.geopolitika.news/razgovori/zilavi-projekt-velike-srbije-ili-od-oluje-do-velike-albanije/

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu