Nga: Fahri Dahri, studjues i çështjes çame
Z. Hyqmet. Nuk kam lexuar në vitin 2018, kur e paskeni shkruar këtë artikull, të cilin e lexova sot. Asnjë intelektual i ardhur çam, apo i pasardhur, nuk e harron atë gjenocid ndaj banorëve shqiptarë të Çamërisë. Mbas 1991 dhe hapjes së rrjeteve të ndryshme sociale, veç atyre të vërtetave që u panë dhe janë dëshmuar për “Çështjen Çame”, burime informimi të pa shtershëm gjenden dhe më vjen mirë që në shumicë shkruhen për ti mësuar të gjithë. Të njihen dhe ti mësojnë ato masakra të zhvilluara në emër të kryqit të “megalloidesë” dhe të urrejtjeve etnike të matanë kufirit, si dhe heshtjeve, trysnive, nënvlerësimit, censurës së këndej kufirit.
Të gjitha i kemi trajtuar në shkrime të ndryshme, madje me vështirësi të ndryshme edhe janë botuar libra nga autorë, shumica çamë të ardhur, por dhe bijtë e bijat e tyre, me autorë nga Shqipëria, Kosova, diaspora dhe historianë e studjues nënshtetas grekë, etj.
Të gjitha këto dihen. Dhe ju, jo vetëm si profesionist, por dhe si bir i atyre banorëve që u sakrifikuan për ide dhe identitet, i keni treguar në shkrimet dhe librat e botuara. ● Shqetësimi që keni ngritur 5 vite më parë, është prezent edhe sot. Siç jeni shprehur këto ditë, lidhur me një strukturë të vetme (brenda territorit të RSH) të ngritur në vitin 1991, për të informuar, organizuar, sensibilizuar shoqërinë mbarëshqiptare dhe institucionet politike e juridike Botërore, sot mbas 32 viteve nuk dihet nëse ka një emër që kryeson SHPAÇ (nga ju e kam dëgjuar se i paskan ndryshuar dhe emërin!).
Kjo situatë mjerane, është këmbanë alarmi që duhet të dëgjohet, jo vetëm nga pasardhësit e fisit thesprot, më i vjetri pellazgjik, por nga mbarë etnia. Është detyrim Kushtetues ndaj shtetit shqiptar për të vepruar, po ashtu nga euroatlantikët për të zbatuar ligjet dhe konventat ndërkombëtarisht të miratuara. Koha ikën, sepse nuk ka qendresa për të na pritur neve. Ne detyrohemi të veprojmë për të përfituar nga koha që ti shtojmë asaj, ngjarjet pozitive. Për të rivendosur në kohë zgjidhjet e problemeve të krijuara nga gabimet, fajet, paaftësia, pabesia, tradhtia, të cilat nuk kanë rreshtur kundër kombit tonë.
Ngjarjet e mëdha, kthesat e forta në politikë, ekonomi, shoqëri, dihet formohen në vartësi me kushtet kohore, mbarënjerëzore. Kapërcimet e rendeve ekonomiko-shoqërore, ndodhin si në përgjithësi të shoqërisë njerëzore, por dhe në shoqëri të veçanta. Në të gjitha rastet ndjehet nevoja e elementit cilësor të personaliteteve që ta drejtojnë dhe ta udhëheqin. Në këtë zgjedhje, nuk kemi patur fatin të përfaqësohemi nga personalitete që ti përkushtohen krijimit të kushteve më të mira për të ardhmen e shoqërinë, përkundrazi lidershipi tek ne është prirur fuqishëm drejt fushatave zgjedhore, për interesat personale apo të grupnjerëzve të afërt, pavarësisht nga nivelet e aftësive dhe përgjegjshmërive. Ky ngërç, na bën të pafuqishëm për të përparuar. Kjo ka ndodhur e ndodh në të gjitha strukturat organizative të shoqërinë tonë, ashtu dhe në strukturën SHPAÇ, sidomos mbas vitit 2004, kur hyri në lojë tek lidershipi, interesi personal i pasuar dhe me përfaqësimet nepotike apo materiale. Ndërrimi i kursit nga përfaqësimi i denjë, i ndërgjegjshëm e i përgjegjshëm i një komuniteti, viktimë e gjenocidit ortodoks grek, në synimet për të zënë vende në parlament apo për t’u emëruar në administratat shtetërore, siç është vepruar realisht, nuk i përgjigjet as karakterit, as moralit dhe as “amanetit” të atyre që u masakruan dhe u dëbuan ç’njerëzisht nga trojet e tyre. Të kuptohemi, qoftë vendet në parlament, apo në administratat shtetërore, nuk i trajtoj të panevojshme, ato janë shumë të nevojshme, por nuk duhen kushtëzuar me qenien apo jo të anëtarësimit në SHPAÇ, apo në ndonjë strukture tjetër. Nuk ka qenë e nuk duhet të jetë qenia a mos qenia në anëtarësi të ShPAÇ për tu zgjedhur apo emëruar në strukturat drejtuese të shtetit shqiptar, këto të drejta e detyra janë në vartësi të profesionit, aftësive e moralit të çdo nënshtetasi shqiptar. Ka raste që vërtetojnë zgjedhjet dhe emërimet në strukturat e ndryshme shtetërore, të pa kushtëzuara me anëtarësime në SHPAÇ, si para dhe mbas krijimit të saj. Madje, është për tu theksuar, se mbas vitit 2004, u bënë shumë përpjekje që anëtarësimi në SHPAÇ, apo në parti politike, të ndikonte në zgjedhje apo emërime në administratat shtetërore. Praktika tregoi se, personat e zgjedhur apo të emëruar nën ndikimin e kësaj rryme, shumë pak, ose aspak nuk i kanë shërbyer subjektit në fjalë.
Si rezultat i këtij ndërrim kursi nga ajo e vitit 1991 deri në vitin 2004, sot ndodhemi në atë që z. Hyqmet shkruan që nuk i dihet emëri kryetarit të SHPAÇ (në këndvështrimin tim kuptohet nga mos kryerja e veprimtarisë).
Megjithëse është përsëritur shumë herë, por ja që duhet theksuar se “Çështja e Gjenocidit grek ndaj banorëve të Çamërisë” është çështje kombëtare, mbrohet dhe trajtohet nga shteti shqiptar dhe nga institucionet Ligjore Ndërkombëtare, mbasi janë shkelur brutalisht Ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare, të cilat duhet doemos të gjejnë zbatim.
– Institucionet përfaqësuese të të Drejtave Ndërkombëtare të Njeriut, të zgjohen, të kryejnë me përgjegjësi mbrojtjen dhe zbatimin e Ligjeve dhe Konventave Ndërkombëtare.
– 80 vjet heshtje për gjenocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe mos vënie para përgjegjësive, është një tjetër përgjegjësi, e cila do të gjykohet në kohë për anësi të theksuar në dëm të viktimës dhe favorizim agresorëve.
P.s. Artikulli synon për të ndihmuar në rrugën e zgjidhjes së problemit të Çamërisë dhe trashëgimtarëve të banorëve çamë, të masakruar dhe dëbuar tërësisht nga trojet e tyre autoktone.
Me 15. 06. 2023